BallinaPraktikaRamazaniNATA E KADRIT (Vlera e saj është madhështore)

NATA E KADRIT (Vlera e saj është madhështore)

NATA E KADRIT (Vlera e saj është madhështore)

Vlera e saj është madhështore, për atë se kjo natë ka dëshmuar zbritjen e Kuranit, i cili e drejton të kapurin për të në rrugën e krenarisë e nderit, dhe e ngre atë në vendet e lavdisë e përjetësisë.
Ummeti Islam, i cili pason Sunnetin e të Dërguarit të tij hap pas hapi, nuk ngre flamuj në këtë natë dhe as harqet për të gëzuar, por ai garon në ngjalljen e kësaj nate me namaz e adhurim, me besim e shpresë për shpërblim nga Allahu.
Në vijim, vëlla musliman, po përmendim ajetet Kuranore dhe hadithet profetike që kanë të bëjnë me këtë natë:

Vlera e saj

Mjafton për vlerën e natës së Kadrit fakti se ajo është më e mirë se një mijë muaj. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre, në të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me të gjitha vendimet. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” [El Kadr:1-5].
Në këtë natë vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe urdhëresave (për vitin e ardhshëm). Allahu në Kuran thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë. Këtë natë vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe urdhëresave. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të Dërguar. (E zbritëm) Si Mëshirë nga Zoti yt; Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.” [Duhan: 3-6].

Koha e Natës së Kadrit

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ajo natë është nata e njëzetenjët, apo e njëzetetretë, apo e njëzetepestë, apo e njëzeteshtatë, apo e njëzetenëntë, apo nata e fundit e Ramazanit. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përgjigjej në varësi të pyetjes që i drejtohej. Dikush p.sh. i thoshte: A t’a ruajmë atë në filan natë? Ai përgjigjej: Ruajeni në këtë natë.” Këtë e ka përcjellë nga ai imam el Begavi në “Sherh Es Suneti” (6/388)

Fjala më dominuese është se Nata e Kadrit është një nga netët e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit dhe për këtë argumenton edhe hadithi të cilin e transmeton Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit thoshte: Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.” Transmeton Buhariu (4/225) dhe Muslimi (1169).

Nëse njeriu dobësohet dhe nuk mundet, së paku të mos dorëzohet në shtatë netët e fundit, për shkak të hadithit që është transmetuar nga Ibën Umeri i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni atë në dhjetëshin e fundit, e nëse dikush nga ju dobësohet apo i rëndohet gjendja, së paku të mos dorëzohet në shtatë të mbeturat.” Transmeton Buhariu (4/221) dhe Muslimi (1165).

Ky hadith sqaron edhe fjalën tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që thotë: “Po shoh se ëndërrat tuaja janë përputhur me njëra-tjetrën, kështu që kush dëshiron t’a kërkojë atë (Natën e Kadrit), t’a kërkojë në shtatë netët e fundit (të Ramazanit).”
Shih shënimin e mëparshëm.

Dhe ajo që është e njohur në Sunnet, është se njohja e kësaj nate është ngritur (e paditur) për shkak se njerzit u grindën, siç transmeton Ubadetu ibën es Samit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli në natën e Kadrit dhe pa dy burra prej muslimanëve që po grindeshin me njëri-tjetrin. Atëherë ai tha: “Unë dola që t’ju njoftoj për natën e Kadrit, mirëpo filani dhe filani u grindën, e për këtë shkak ajo u ngrit (njohja e saj u fsheh), e ndoshta kjo ka qenë më e mirë për ju. Megjithatë, ju kërkojeni atë në nëntëshin,shtatëshin, dhe pesëshin (e fundit), ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: në shtatëshin, nëntëshin dhe pesëshin.” Transmeton Buhariu (4/232).

Si e kërkon muslimani Natën e Kadrit?

Kjo natë është nata më e bekuar. Personi që e humb atë, vërtet ka humbur një të mirë të madhe, e nuk ka mundësi me e humb atë, veçse i ndaluari prej saj. Për këtë shkak, kërkohet nga muslimani i cili përpiqet t’i bindet Allahut, që t’a ngjallë këtë natë dhe ta kalojë atë në adhurim dhe kërkim të shpërblimit të madh të saj. Nëse ai e bën këtë, atij i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kushdo që fal namaz të natës në natën e Kadrit, me Iman (besim të fortë) dhe duke kërkuar shpërblimin, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.” Transmeton Buhariu (4/217) dhe Muslimi (759).

Po ashtu, është e rekomandueshme të shtohen lutjet në këtë natë. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton se ajo kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguari i Allahut! Sikur unë t’a dija se cila ishte Nata e Kadrit, si të lutesha në të?
– Thuaj: “Allahume inneke afuvvun tuhibbul afve fe afu ani” – O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, pra më fal mua!”Transmeton Tirmidhiu (3760) dhe Ibën Maxhe (3850) nga Aisheja. Zinxhiri i tij është i saktë.
Shtoji adhurimet në të. Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Kur fillonin të dhjetat [e fundit të Ramazanit], Pejgamberi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e shtrëngonte izarin e tij,(D.m.th. ai largohej nga gratë e tij me qëllim për të pasur më shumë kohë për adhurim, e kalonte tërë natën zgjuar [në namaz] dhe e zgjonte familjen e tij.”) Transmeton Buhariu (4/233) dhe Muslimi (1174)

Transmetohet gjithashtu nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përpiqej më shumë [në adhurim] në dhjetë netët e fundit (të Ramazanit) sesa në çdo natë tjetër.” Muslimi (1174)

Shenjat e kësaj nate:

Dije, o ti rob rrespektues, Allahu të ndihmoftë e të përkrahtë me Ndihmën e Tij, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka përshkruar me disa cilësi mëngjesin e natës se kadrit, me qëllim që muslimani ta dijë se cila natë është ajo: Transmeton Ubej (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mengjesin e natës se Kadrit, dielli lind pa rrezatim, sikur të ishte tas, derisa të ngrihet lart.” Transmeton Muslimi (762).

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: Përmendëm një herë Natën e Kadrit te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: “Cili nga ju e kujton hënën kur lind? Kur është në formën e gjysmës së koshit?” Transmeton Muslimi (1170).
Për fjalën “gjysëm koshi”, Kadi Ijad thotë: Kjo tregon se kjo natë gjendet në dhjetëshin e fundit të mujit, sepse hëna nuk ka mundësi me qenë në këtë gjendje kur lind, por në fund të muajit.Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nata e Kadrit është natë bujare, e lirshme, as e nxehtë e as e ftohtë. Në mëngjesin e saj dielli lind i dobët dhe me ngjyrë të kuqe.” Transmeton et Tajalesi (349), Ibën Huzejme (3/231) dhe el Bezar (1/486). Zinxhiri i tij është i mirë.

Marur nga libri: “Sifetu Saumi en Nebij fi Ramadan”
Autorë: Selim ibën Ijd el Hilali dhe Ali Hasen Ali Abdulhamid
Hoxhë: Irfan Salihu

Must Read