BallinaAKIDEAkide të ndryshmeNdërmjetësimi – tek Allahu dhe te njerëzit

Ndërmjetësimi – tek Allahu dhe te njerëzit

Ndërmjetësimi – tek Allahu dhe te njerëzit

Shumë njerëz kanë kuptim të gabuar në këtë çështje, gjë e cila shumë prej tyre i ka dërguar në mosbesim dhe lajthitje. Dy njerëz polemizonin dhe njëri prej tyre tha: Doemos duhet të kemi ndërmjetësues mes neve dhe Allahut, sepse nuk mundet të arrijmë tek Ai pa ndërmjetësues! Për këtë fjalë u pyet dijetari Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, i cili u përgjigj:

Nëse ka për qëllim ndërmjetësuesin i cili na kumton ligjin e Allahut – kjo është e vërtetë. Sepse krijesat nuk e dinë se çka dëshiron Allahu dhe cilat vepra e kënaqin Atë, nuk e dinë çka ka urdhëruar dhe çka ka ndaluar, nuk dinë çka ka përgatitur me Bujarinë e Tij për miqtë e Tij dhe me dënimin e Tij për armiqtë e Tij. Krijesat nuk e dijnë se cilat emra të bukur dhe cilat cilësi të larta janë meritore për Allahun. Për shkak se mendja dhe logjika nuk ka mundësi t’i njohë këto dhe të ngjashmet me këto përveçse me të dërguar që i ka dërguar Allahu. Andaj, ata që u besojnë pejgamberëve dhe shkojnë pas tyre, ata janë të udhëzuar dhe janë të afruar tek Allahu. Ata do të ngrihen në shkallë të larta dhe do të gëzojnë nderimin në dynja dhe ahiret. Ndërsa kush i kundërshton të dërguarit, ata janë të mallkuar, të humbur dhe të privuar nga Zoti. Ai ka thënë: “O bijtë e Ademit, juve ju vijnë të dërguar nga mesi juaj, ua përkujtojnë faktet e Mia (shkoni pas tyre). E kush ruhet dhe përmirësohet, për ta s’ka as frikë as s’kanë përse të pikëllohen. E ata që i konsideruan të rreme faktet tona dhe me kryelartësi u larguan prej tyre, ata janë banues të zjarrit dhe në të janë përjetë”. (A’raf 35, 36); “Kur tu vijë nga Unë udhëzim, kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur e as nuk ka për të dështuar. E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Allahu thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu ti je i harruar sot”. Ibën Abbasi ka thënë: Allahu garanton se kush e lexon Kur’anin dhe vepron sipas tij, nuk do të pësojë humbje në këtë botë e as nuk do të dështojë në botën tjetër. Allahu i Lartmadhëruar për banorët e Zjarrit thotë: “Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pat ardhur juve ndonjë i dërguar? Ata thonë: “Po, na erdhi pejgamberi, por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: “Allahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëm se në një humbje të madhe! Dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit”. (Mulk 8-10)

Në këtë janë pajtuar të gjithë njerëzit: myslimanët, çifutët dhe të krishterët. Të gjithë pohojnë se ka ndërmjetësues mes Allahut dhe robërve të Tij, të cilët i quajmë pejgamber, të dërguar nga Allahu për të kumtuar urdhrat dhe fjalët e Tij. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Allahu zgjedh të dërguar nga melekët dhe nga njerëzit”. (Haxh 75). Kush i mohon këta ndërmjetësues ai është i pabesë me pajtimin e të gjithëve, sepse ai mohon pejgamberët dhe i përgënjeshtron.

Allahu na ka rrëfyer tregimet e atyre që mohuan pejgamberët se si u shkatërruan dhe në anën tjetër si triumfuan pejgamberët dhe besimtarët.

Ibën Tejmije vazhdon: Këta ndërmjetësues (të dërguar) duhet respektuar, pasuar dhe marr shëmbëlltyrë. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “اdo pejgamber kemi dërguar që të respektohet me lejen e Allahut”; “Kush e respekton të dërguarin, ai e ka respektuar Allahun”; “Nëse vërtetë e doni Allahun, ecni pas meje, atëherë Allahu do t’ju dojë juve”.

Pas kësaj, dijetari e sqaroi llojin tjetër të ndërmjetësimit, të cilin kush e pohon del nga feja. Ai tha: Nëse me fjalën ndërmjetësim ka për qëllim se është patjetër të kemi ndërmjetësues në sjelljen e të mirave dhe largimin e të këqijave, si p.sh. të jetë ndërmjetësues për të sjellë riskun, ndihmën apo udhëzimin dhe si pasojë e kësaj, të luten ata persona (ndërmjetësues) apo të shpresohen, kjo është shirku (idhujtaria) më i madh, me të cilin Allahu i quajti kafira idhujtarët (mushrikët). Sepse ata, besonin në ndërmjetësues, nëpërmjet të cilëve kërkonin të mirat dhe mbrojtje nga të këqijat.

Nga kjo përjashtohet ndërmjetësimi (shefati) të cilin e lejon Allahu për atë, me fjalën dhe punën e të cilit është i kënaqur Ai. Pra, ndërmjetësimi të cilin do ta lejojë Allahu është realitet që duhet besuar.

Pastaj tha: Kush i beson melekët dhe pejgamberët si ndërmjetësues, mbështetet tek ata dhe kërkon të mirat apo mbrojtje nga të këqijat, sikurse kërkimi i faljes së mëkateve, udhëzimit të zemrave, largimit të problemeve etj – ai është i pabesë me pajtimin e të gjithë myslimanëve. Ajetet që na e mësojnë këtë janë: “S’është e drejtë as nuk i takon asnjë njeriu që t’i ketë dhënë Allahu librin, urtësinë dhe pejgamberllëkun, e pastaj ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robër të mi (më adhuroni mua) e jo të Allahut”! Por: “Bëhuni dijetarë të mësimeve të Zotit, ngase u keni mësuar njerëzve librin dhe e keni studiuar atë. Dhe as t’ju urdhëron ai (pejgamberi) që engjëjt, apo pejgamberët t’i konsideroni për zota. Vallë, do t’ju urdhërojë në mosbesimin pasi që ju jeni bërë myslimanë”? (Alu Imran 79, 80). Këtu na sqaron se konsiderimi e engjëjve dhe pejgamberëve si zota është kufër (mosbesim), andaj kush i konsideron engjëjt dhe pejgamberët si ndërmjetësues dhe mbështetet në ta, i lut dhe kërkon të mirat apo mbrojtje nga të këqijat, sikurse faljen e mëkateve apo udhëzimin, ai njeri është jobesimtar me pajtimin e gjithë myslimanëve.

Ndërsa përveç pejgamberëve, sikurse dijetarët, kush i pohon ata si ndërmjetësues midis pejgamberit dhe besimtarëve, të cilët do të kumtojnë dijen, do t’ua mësojnë të tjerëve, do t’i edukojnë – kjo është e vërtetë. Kur dijetarët janë unanim për një çështje, pajtimi i tyre është argument i prerë. Nuk mund të bashkohen në të pavërtetë, e nëse nuk pajtohen për diçka, atë çështje ia referojnë Allahut dhe të dërguarit, sepse individualisht, asnjëri prej tyre nuk është i pagabueshëm. Përkundrazi, fjala e secilit pranohet ose refuzohet, përveç fjalës së Resulullahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të.

Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve, mirëpo trashëgimia e pejgamberëve nuk është dinar as dërhem, trashëgimia e tyre është dija, kush merr dijen ai ka marr diç të madhe”. Pra, dijetarët me këtë kuptim mund t’i quajmë ndërmjetësues. Ndërsa, kush i beson si ndërmjetësues midis Allahut dhe krijesave, sikurse janë ndërmjetësuesit midis mbretërve/ kryetarëve dhe popullit dhe se ata janë kompetent t’i paraqesin nevojat e njerëzve para Allahut, ashtu që njerëzit t’i lusin ata, e ata ta lusin Allahun… kush i pohon me këtë kuptim ai është jobesimtar dhe politeist (mushrik). Në atë rast duhet të kërkohet pendim i shpejtë nga ai, përndryshe shteti Islam duhet ta vret, sepse ai ka bërë përngjasimin e krijesës me Krijuesin dhe i ka përshkruar Atij ortakë.

Kështu na e sqaroi ky dijetar i madh këtë çështje të rëndësishme – pohimin e ndërmjetësuesve – ku tregoi se ndërmjetësimi i të dërguarve mes Allahut dhe krijesave është ndërmjetësim për të kumtuar nga Allahu dhe detyrë e jona është t’i respektojmë në të. Ndërsa, ndërmjetësimi i dijetarëve midis pejgamberëve dhe njerëzimit është ndërmjetësim për të kumtuar dijen që ka ardhur nëpërmjet të dërguarve, sepse ata janë trashëgimtarë të pejgamberëve.

Mirëpo, kush i konsideron pejgamberët apo dijetarët si ndërmjetësues tek Allahu për kryerjen e nevojave apo pranimin e lutjeve ky është ndërmjetësim i rremë dhe kush e pohon ai nuk mund të jetë besimtar. Sepse, Allahu ndërmjet Tij dhe nesh nuk ka bërë të ligjshëm asnjë ndërmjetësues për këso çështje, madje ka gjykuar se nuk është mysliman kush beson ashtu. Ai ka thënë: “Ndërsa ata që në vend të Tij kanë zënë miq të tjerë dhe thonë: Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut, s’ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është gënjeshtar, jobesimtar”. (Zumer 3).

Dallimi mes ndërmjetësuesve tek Allahu dhe te njerëzit

Dijetari Ibën Tejmije vazhdon dhe na sqaron dallimin e ndërmjetësimit që bëhet midis pushtetarëve dhe popullatës, me atë ndërmjetësim që ata e besojnë mes Allahut dhe krijesave. Ai thotë: Ata fillimisht e kanë përngjarë krijesën me Krijuesin, sepse ndërmjetësimet që ndodhin midis pushtetarëve dhe popullatës janë tre sish:

– për t’i lajmëruar se çka ndodhë në mesin e popullatës. E kush thotë se Allahu nuk di çka ndodhë te krijesat e Tij përderisa të lajmërohet nga dikush (ndërmjetës), qoftë ai melek, pejgamber apo dikush tjetër, ai me këtë besim është jomysliman. Përkundrazi, Allahu i di sekretet dhe ato më të fshehtat, Atij nuk mund t’i fshihet asgjë në tokë apo në qiej. Ai Dëgjon dhe Sheh. Ai i dëgjon zhurmat e zërave, me gjuhët e llojllojshme dhe për nevojat më të ndryshme. Nuk e angazhon dëgjimi i diçkaje nga dëgjimi i diçka tjetër. Atij nuk i përzihen çështjet e as nuk mërzitet nga lutjet e tepërta.

– pushtetari të jetë i pamundshëm në rregullimin e çështjeve të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga armiqtë, po nuk i doli dikush në ndihmë. Pra, për shkak të pamundësisë dhe dobësisë ka nevojë për ndihmë dhe ndihmëtarë. Allahu i Lartmadhëruar nuk ka nevojë për përkrahje e as për ndihmëtar. Ai ka thënë: “Thuaj: Thirrni ata, për të cilët supozuat se janë zota pos Allahut! Ata nuk posedojnë as sa një grimcë në qiej e as në tokë dhe as që kanë në to ndonjë pjesë, dhe Ai nuk ka prej tyre ndonjë përkrahje”. (Sebe 22); “Dhe thuaj: Falënderuar qoftë Allahu, i cili nuk ka fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim, dhe sa i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtarë, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon”. (Zumer 111). اdo gjë që gjendet në gjithësi, Allahu është Krijuesi, Zoti dhe Poseduesi i saj. Ai është i Pasuri dhe i panevojshëm nga çdo gjë, ndërsa çdo gjë tjetër është e varfër dhe e nevojshme për Të. Gjë të cilën nuk e gëzojnë pushtetarët, të cilët vazhdimisht kanë nevojë për përkrahës, të cilët në realitet janë edhe pjesëmarrës në atë pushtet. Allahu i Lartësuar nuk ka asnjë ortak (pjesëmarrës) në pushtetin e Tij. Shkurt, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, të vetmit i Cili nuk ka ortak, Atij i takon pushteti dhe i gjithë falënderimi. Mbi çdo gjë, Ai është i Gjithëfuqishëm.

– pushtetari të mos dëshirojë të mirën, bamirësinë dhe mëshirën për popullatën, ashtu që ka nevojë të nxitet nga dikush tjetër (ndërmjetësues). Pasi që ta nxisë këshilltari i tij me këshilla dhe fjalë miradije, apo e lajmëron se dikush konkretisht e respekton dhe e nderon shumë atë pushtetar, vetëm në atë rast dëshira dhe ambicia e pushtetarit ngjallet për të bërë ndonjë të mirë për popullatën. Dhe atë, ose për shkak të fjalëve prekëse nga këshilltari ose për shkak të shtimit të respektit dhe nderit te popullata.

Mirëpo Allahu është Zot dhe Posedues i çdo gjëje, Ai ka mëshirë për krijesat më shumë sesa nëna për fëmijën, të gjitha gjërat ndodhin me vullnetin e Tij, çka dëshiron Ai bëhet, e çka jo – nuk bëhet. Ai ka bërë që krijesat të kenë dobi nga njëri – tjetri, ky i bën mirë atij, lutet për të, i ndihmon etj. Ai e krijoi të gjithë këtë, Ai e krijoi në zemrën e këtij bamirësi dëshirën për bamirësi, lutje dhe ndihmë.

Askush në gjithësi, nuk ka mundësi ta detyrojë Allahun të bëjë ndryshe nga ajo që Dëshiron Ai, ta këshillojë dikush apo ta lajmërojë se kush e lut dhe e respekton Atë. Prandaj, i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Askush nga ju mos thoni: O Allahu im, nëse do, më fal mua. O Allahu im, nëse do, më mëshiro mua. Bëhuni të vendosur në lutjet tuaja, sepse Allahun s’mundet ta detyrojë askush”.

Ndërmjetësuesit e vërtetë janë ata që do të ndërmjetësojnë vetëm me leje të Allahut. Këtë na e mëson Allahu i Lartësuar me ajetet: “E kush do të ndërmjetësojë tek Ai, përveç se me lejen e Tij”; “nuk do të ndërmjetësojë përveç me të cilin është i kënaqur Allahu”.

Gjë që nuk gjendet te pushtetarët, meqë tek ata ndërmjetësuesi duhet të jetë i pasur, pjesëmarrës në pushtet apo përkrahës dhe ndihmëtar i atij pushtetit. Dhe këta, ndërmjetësojnë te pushtetarët edhe pa leje dhe ata e pranojnë atë ndërmjetësim sepse kanë nevojë për atë, frikohen nga ata apo për t’i shpërblyer ata.

Allahu nuk shpreson nga askush, nuk ka frikë dhe nuk ka nevojë për askënd sepse Ai është i Pasuri. Allahu i Lartësuar thotë: “Ta keni të ditur se gjithçka që është në qiej e në tokë janë të Allahut. E ata (idhujtarët), që pos Allahut adhurojnë, nuk janë duke pasuar zota të vërtetë, ata nuk janë duke pasuar tjetër pos supozimeve dhe ata vazhdimisht gënjejnë”. (Junus 66).

Idhujtarët, duke u bazuar në ndërmjetësimin që e njohin në këtë botë – d.m.th. te pushtetarët – në atë formë mendojnë se është edhe ndërmjetësimi tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata pos Allahut adhurojnë çdo gjë që nuk bën dëm e as dobi, dhe thonë: Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu!. Thuaj: “A ju po e informoni Allahun me diçka që Ai nuk e ditka në qiej dhe në tokë? I pastër (nga çdo e metë) dhe I Lartë është Ai nga ajo që i përshkruajnë ata”. (Junus 18). Allahu na rrëfen se ata idhujtarë kanë thënë: “Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut”. (Zumer 3).

Më pas na sqaroi ky dijetar rreth lutjes së krijesave njëri – tjetrin për ndërmjetësim (shefat), duke thënë se kjo lloj lutje ka kushte. Dhe atë: personi për të cilin bëhet lutja të jetë mysliman e jo idhujtar dhe lutësi të bëjë lutje të lejuara.

Nuk ka dyshim se lutja e krijesave për njëri tjetrin është e dobishme dhe për këtë jemi të urdhëruar. Mirëpo lutësi apo ndërmjetësuesi ka të drejtë të bëjë lutje dhe ndërmjetësim vetëm ku ka lejuar Allahu. Nuk lejohet të ndërmjetësojë aty ku ka ndalesë, sikurse ndërmjetësimi për idhujtarët apo lutja që atyre tu falen mëkatet. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk ka të drejtë Pejgamberi e as besimtarët të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë të afërmit të tyre, pasi që u bë e qartë se me të vërtetë ata (idhujtarët) janë banorë të xhehenemit. Edhe lutja e Ibrahimit për babanë e vet nuk ishte tjetër, pos për shkak të një premtimi që ia pat premtuar atij, e kur iu bë e qartë se ai është armik i Allahut, u largua prej tij”. (Teube 113-14).

Po ashtu është vërtetuar se Allahu ia ka ndaluar Muhamedit të lutet për idhujtarët dhe dyfytyrëshit dhe ka lajmëruar se atyre nuk ua falë, nëse nuk pendohen. Allahu ka thënë: “Mos u lut për asnjërin prej tyre kur të vdesin dhe mos qëndro pranë varreve të tyre, sepse ata e kanë mohuar Allahun, të dërguarin dhe kanë vdekur duke qenë të prishur”. (Teube 84). Po ashtu ka thënë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që i kalojnë kufijtë (në lutje)”. (A’raf 55). Kalimi i kufijve në lutje është kërkimi nga Allahu diçka që nuk do ta bënte asnjëherë. P.sh. të kërkojë të jetë në shkallë të pejgamberëve ndërsa ky nuk është i tillë, të kërkojë falje për idhujtarët apo të kërkojë gjëra të cilat janë mëkat, sikurse kërkimi i ndihmës për të bërë gabime dhe mëkate.

Pra, secili që lutet është edhe ndërmjetësues. Lutja dhe ndërmjetësimi ndodhë me caktimin dhe dëshirën e Allahut të Lartësuar. Allahu është që u përgjigjet lutjeve dhe pranon ndërmjetësimin. Ai e ka krijuar shkakun dhe pasojën. Lutja është një prej shkaqeve të cilat i ka caktuar Allahu i Lartmadhëruar. Pasi qenka kështu, duhet ta dimë se mbështetja e plotë në shkaqe konsiderohet shirk në njësimin e Allahut, mos marrja në konsideratë e shkaqeve është e metë mentale, ndërsa mospërfillja e tyre në tërësi është nënçmim për sheriatin.

Përkundrazi, është e detyrueshme që besimtari të mbështetet, ta lutë dhe të kërkojë vetëm te Allahu i Lartësuar, ndërsa Allahu është Ai i cili ia mundëson shkaqet.

Salih b. Feuzan el-Feuzan
Përktheu: Omer Berisha
www.albislami.com

Must Read