Nëse muslimani zhytet në një basen me ujë të pastër, a ka abdest?
Pyetja:
Selam alejkum! Nëse muslimani zhytet në një basen me ujë të pastër, atëherë a ka ai musliman abdest?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në këtë problematikë kemi të bëjmë me dy çështje.
1. Çështja e nijetit (qëllimit) gjatë abdesit
Dallimi thelbësor ndërmjet veprave të rëndomta dhe veprave që llogariten adhurime është bërja nijet (qëllimi) se për çfarë e kryen njeriu atë vepër. Kështu që muslimani para se të fillojë të marrë abdest apo gusul, është e kërkuar të bëjë nijet se dëshiron të marrë abdest, respektivisht të kryejë një ibadetet të përligjur në Islam. Prandaj vetëm zhytja në ujë pa pasur qëllim marrjen e abdestit apo gusulit nuk e bën njeriu të ketë abdest pasi nuk i ka bashkangjitur kësaj vepre nijetin që ta kthejë këtë veprim nga një akt i rëndomtë në adhurim.
Argumente për këtë kemi shumë, mirëpo ne do të përmendim argumentin më të njohur, ku i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë:“Veprat vlerësohen sipas nijetit (qëllimit) dhe çdonjëri shpërblehet në saje të nijetit të tij.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Vendi i qëllimit është zemra, kurse bërja nijet me gojë gjatë marrjes së abdestit dhe të gusulit nuk është e ligjësuar, pasi nuk na është transmetuar kjo nga i Dërguari salallahu alejhi ue selem dhe këtë nuk e ka thënë asnjëri nga katër imamët e njohur. Neveviu thotë: “Nijeti është qëllimi që shpreh vendosmërinë e zemrës.”
2. Renditja gjatë pastrimit të pjesëve në abdest
E sakta është se renditja e pjesëve gjatë marrjes së abdestit është e domosdoshme, ashtu siç përmendet në ajet; që së pari të lahet fytyra, pastaj dy duart, pastaj të fshihet koka, pastaj të lahen shputat për shkak të thënies së më të Lartit: “O ju që besoni! Kur të përgatiteni për namaz lani fytyrat tuaja, duart tuaja deri në bërryla, fshijeni kokën dhe lani shputat tuaja deri në nyje.” (Maide, 6)
Argumenti se është e domosdoshme renditja nga ky ajet nxirret se Allahu i Lartësuar e futi mes`hun ndërmjet pjesëve që pastrohen dhe qëllimi apo më mirë të themi urtësia e kësaj ishte, Allahu e di më së miri, që ato të lahen ashtu si janë përmendur njëra pas tjetrës. Po të mos ishte kjo, atëherë do të mund të cekeshin të gjitha pjesët që lahen së bashku dhe nuk do të futej mes`hu ndërmjet tyre.
Pastaj argument është edhe vazhdueshmëria e të Dërguarit salallahu alejhi ue selam në këtë renditje gjatë marrjes së abdestit. Po të mos ishte e detyrueshme, atëherë do ta ndërronte renditjen ndonjëherë për të sqaruar se kjo nuk është vaxhib.
Transmetohet nga Muhamedi alejhi selam se ka thënë: “Merr abdest ashtu si të ka urdhëruar Allahu.” Shënon Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë. Nga kjo nënkuptohet që të jetë renditja ashtu si është cekur në ajet. Pastaj ai salallahu alejhi ue selam me një rast ka thënë: “Allahu nuk do ta pranojë abdestin e ndonjërit nga ju përveç në këtë mënyrë.” Shënon Ebu Davudi dhe të tjerët.
Prandaj, duke pasur parasysh këto dy gjëra, themi se nëse njeriu vetëm zhytet në ujë, nuk llogaritet se ka abdest. Për shkak se nuk ka bërë nijet dhe nuk i është përmbajtur renditjes së pjesëve që lahen në abdest gjatë këtij pastrimi. Allahu e di më së miri!
Vërejtje: Mendimi që përmendëm është mendim i shumicës së juristëve islamë, por ndoshta për atë që dëshiron të njihet më mirë rreth thënieve të dijetarëve për këtë është e nevojshme të cekim edhe atë se në medhhebin hanefi ky person llogaritet se ka abdest, pasi te Ebu Hanifja nuk janë obligative as nijeti (qëllimi) dhe as renditja gjatë pastrimit.
Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, ka qëndrimin se nijeti nuk është kusht gjatë abdesit, pasi nuk është adhurim i veçantë në vetvete (objektiv në vete), por qëllimi i tij është për të qenë i pranuar namazi, me fjalë të tjera është një akt që i paraprin namazit e jo adhurim i veçantë. Ai argumenton për këtë me kijas (analogji) me rrobat të cilat i vesh njeriu gjatë faljes. Muslimani e vesh rrobën për të mbuluar auretin dhe me ato rroba fal namaz, por nëse ai e vesh për t`u zbukuruar ose nga të ftohtët, atëherë ai mund të kryejë namaz edhe me to (edhe pse nuk ka bërë nijet të falë namaz me to), e njëjta është edhe me abdesin. Kështu që nëse dikush i pastron këto pjesë (që lahen gjatë abdestit) me qëllim të freskimit apo zhytet në ujë (d.m.th. nuk e bën nijet që të marrë abdest), ai konsiderohet se ka abdest edhe pa nijet.
Por e sakta është se abdesti është adhurim më vete, pasi Allahu i Lartësuar ka ndërlidhur me të shumë vlera të tjera, si falja e mëkateve dhe shpërblime të tjera të shumta. E, këto e bëjnë që ky adhurim të konsiderohet si rit i veçantë, ku nevojitet qëllimi (nijeti) dhe përqendrimi për të arritur shpërblimet të cilat përmenden rreth tij.
Gjithashtu mendimi i hanefive është se renditja nuk është farz gjatë abdestit, por më e qëndrueshme është se ajo është e detyrueshme për arsyet që u përmendën më lart. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
2.5.2008
Burimi: klubikulturor.com