Nga Satanisti në musliman
Emrin, me të cilin më kanë emëruar prindërit është Christopher Bohar, ndërsa emri që e zgjodha pas kalimit tim në Islam është Muhamed Emin, sipas të emrit të të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Zotit qoftë mbi të. Unë jam një musliman 17 vjeçar nga Pensilvania. Deri para 4 vjetëve nuk kisha asnjë interesim për fenë.
Në atë kohë isha në shkollën e mesme, mirëpo pas një kohe fillova ta ndiej nevojën që prej më afër të merresha me fe. Nuk e di se si ndodhi, por u lidha me një shoqëri të keqe, u gjenda në shoqëri me njerëz që ishin satanistë. Ata nuk i luteshin satanit (shejtanit) sikur Zotit, por ata veten e konsideronin zot. Mësimet e tyre mu duken të logjikshme dhe iu bashkova atyre. Në fillim dukej mirë, por më vonë filloi të bëhej ferr!
Ndieja zbrazëti në brendësinë time, rashë në depresion, ngeca në mësimet shkollore edhe shokët e mi u larguan nga unë. Kjo më bëri të ndihem edhe më keq.
Pas një viti iu ktheva sërish krishterimit. Ndieja se Zoti duhet të kishte ndikim në jetën time, por diçka më mungonte. Në Bibël hasa shumë në kundërthënie dhe kuptova se kjo nuk mund të ishte fjala e vërtetë e Zotit. I krishterë u ndjeva 3-4 muaj, por assesi nuk munda ta kuptoj logjikën e “Trinitetit”, për këtë e braktisa krishterimin dhe iu ktheva satanizmit.
Në atë kohë ndodhi ngjarja e 11 shtatorit. Kjo ngjarje më preku rëndë dhe kur mediet lajmëruan se rrëmbyesit janë muslimanë, mallkova Islamin dhe Zotin dhe u bëra alergjik në gjithçka që kishte lidhje me Islamin. Pas tri javësh, më në fund fillova të qetësohem dhe fillova që të interesohesha për Islamin, për ta kuptuar besimin islam dhe mënyrën e shërbimit ndaj Zotit. Lexova për Islamin dy muaj intensiv dhe e kuptova se pikërisht feja Islame ishte ajo të cilën e kisha kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe!
Mësova se Islami nuk ishte fe e dhunës dhe terrorizmit, por ishte fe e arsyes, dashurisë, harmonisë së njeriut me Zotin dhe me rrethin e tij. Disa ditë pasi kishte filluar Ramazani, e shqiptova shehadetin dhe me këtë u bëra musliman. Me këtë u largova nga bindjet dhe besimet e mia satanike.
Kuptova se unë nuk isha vetë zoti i vetes. Agjërova muajin Ramazan dhe e lexova Kur’anin prej fillimit deri në fund. Pas kësaj, kam lexuar hadithe dhe të gjitha ato ishin kuptimplota!
Islami nuk mallkon siç e bën këtë krishterimi. Kur’ani dhe hadithi mua më bënë njeri tjetër! Kur’ani ma ka mësuar vlerën e kryerjes së veprave të mira dhe rëndësinë e besimit vetëm në një Zot.
Me tu forcuar pak në Islam, fillova me thirrjen e të tjerëve, përmes internetit (më së tepërmi të krishterët) dhe isha i habitur me interesin e vogël që jomyslimanët e kishin për Islamin, edhe pse Islami ka mjaft të përbashkëta me krishterimin.
Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut, i cili ma mësoi rrugën e fesë së Tij të drejtë…
Përktheu: Arsim SYLA
Burimi: http://www.shembulli.com/