BallinaPraktikaRamazaniIntervistë rreth Ramazanit

Intervistë rreth Ramazanit


Intervistë rreth Ramazanit


 

Parathënie

 

 

     Çështje të shumta dhe pyetje të ndryshme që lidhen me muajin e adhurimit, muajin e agjërimit, muajin e begatshëm të Ramazanit ia kemi paraqitur prindit dhe Shejhut të nderuar: Abdullah b. Abdurr Rrahman El Xhibrin, anëtar i komisionit për fetva dhe iu përgjigj si është më së miri dhe tregoi dobi të shumta rreth tyre ..

     Për shkak të rëndësisë që kanë këto çështje e pamë të arsyeshme t’i publikojmë që përfitimi nga ato të jetë më i përgjithshëm. E për këtë kemi marrë leje nga hoxha i nderuar dhe na e dha lejen e tij gjë për të cilën e falënderojmë.

     Allahun e lartësuar e lusim t’i bëj njerëzit të kenë dobi nga dija e tij dhe ta drejton në rrugë të mirë hapat e tij dhe të gjithë myslimanëve, Amin.

 

Përgatiti fletushkën dhe publikoi:

 

Sulejman b. Abdul Kadir Ebu Zejd

 

(Allahu e faltë atë, familjen dhe të gjithë myslimanët)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Si i jeton myslimani ditët e Ramazanit

 

        Si duhet të jetojë myslimani në këto ditë të begatshme të këtij muaji fisnik dhe t’i shfrytëzojë si është më së miri në adhurim ndaj Allahut të lartësuar?

 

     Përgjigja: Muaji i Ramazanit është muaji i begative, muaj i mëshirës dhe faljes, muaj në të cilin iu përgjigjet lutjeve dhe ndihmohen nevojtarët. Muaj i dhuntive dhe i dhuratave dhe muaj i teravive. Muaj i dhikrit – përmendjes së Allahut dhe tesbihut – madhërimit të Tij. Muaji i Ramazanit veçohet me disa veçori dhe mirësi për këtë myslimanët e presin me gëzim dhe lumturi dhe jetojnë në të jetën e adhuruesve të flakët. Ditën e tij e kanë të zënë me agjërim e natën me falje të Kijamit (namazit të natës) si dhe shtojnë përgjatë kohës së tij adhurimet.

     Myslimani e pret Ramazanin me gëzim kur të lajmërohet me ardhjen e tij. Arritja e Ramazanit është begati e madhe për atë që ia mundëson Allahu ta përjetojë dhe arrijë. Çdo mysliman duhet t’i mbush kohët e këtij muaji me përmendjen e Allahut, lexim të Kuranit dhe vepra të mira dhe ta ruaj veten nga mëkatet dhe krimet. Ai duhet ta pres këtë muaj me pendim të sinqertë ku ia jep besën Allahut të lartësuar se nuk do t’i kthehet më mangësive në kryerjen e obligimeve dhe anashkalimit të tyre. Çdo mysliman duhet ta ruaj agjërimin e tij nga fjalët e kota dhe epshi , ngase është transmetuar në hadith: “Nuk është agjërim të agjëruarit prej ushqimit dhe pijes por, agjërim është të agjëruarit prej fjalëve të kota dhe epshit.[1]” dhe janë transmetuar hadithe të tjera të cilat nxisin në ruajtjen e agjërimit.

     Ne duhet ta ruajmë agjërimin tonë dhe të afrohemi tek Allahu i lartësuar me lutjen që ta pranojë nga ne agjërimin, kijamin, adhurimet e tona si dhe ta pranon nga ne pendimin dhe të na jep sukses në vazhdimin e punëve të mira edhe pas Muajit të Ramazanit.

 

 

Veçoria e obligimit të agjërimit në Islam

 

     A është dalluar obligimi i agjërimit në Islam nga agjërimi i ymeteve të mëhershme?

 

Është përgjigjur: Është e vërtetë se Allahu i lartësuar thotë:

O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare: 183). Në këtë ajet Allahu i lartësuar nga tregon për obligim e agjërimit edhe për ymetet e mëhershme e ndoshta në përmendjen e kësaj është për qëllim lehtësimi për ne ngase agjërimi ndoshta përmban në vete vështirësi për sa i përket etjes, urisë dhe mundimit e për këtë Allahu na lajmëroi se agjërimin ua ka obliguar edhe ymeteve që kanë qenë para nesh për këtë duhet edhe ne ta pranojmë.-

     Dijetarët kanë mospajtim për mënyrën e agjërimit të atyre që ishin para nesh.

     Disa kanë thënë: Atyre iu janë obliguar tri ditë prej çdo muaji kështu që ata agjëronin tridhjetë e gjashtë ditë për çdo vit dhe është transmetuar se ishin të obliguar me këtë.

     Dhe është transmetuar se në fillim të Islamit – para obligimit të agjërimit të Ramazanit – myslimanët u urdhëruan të agjëronin për çdo muaj nga tre ditë e pastaj ky urdhër u anulua me obligimin e agjërimit të muajit të Ramazanit.

     Disa kanë thënë: Atyre që ishin para nesh iu është obliguar muaji i Ramazanit sikurse që iu është obliguar myslimanëve e kjo është transmetuar nga Hasen El Basrijj dhe të tjerë si dhe kjo është kuptimi i dukshëm i ajetit dhe ajo që kuptohet fillimisht nga kontesti i ajeteve të Kuranit Fisnik se sikurse që u është obliguar juve u është obliguar atyre para juve dhe kjo është më afër.

     Agjërimi është i njohur ai përbëhet nga të përmbajturit e agjëruesit prej daljes së agimit të dytë e gjer në perëndim të diellit nga çështjet që e prishin atë. Në disa hadithe është transmetuar se Jehudët nuk bënin iftar derisa të mos lidheshin yjet por, kjo është fe e tyre që iu përmbajtën dhe nuk kanë për këtë bazë për këtë edhe jemi urdhëruar t’i kundërshtojmë ata. Gjithashtu është transmetuar në hadith se jehudët nuk hanin syfyr e këtë e kemi njohur përmes fjalës së Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ku thotë:

“Dallimi mes neve dhe atyre është ngrënia e syfyrit”.

     Këto janë disa dallime mes agjërimit tonë dhe të tyre dhe ndoshta ata këto gjëra i kanë lënë vetë edhe pse iu janë obliguar.

 

Gjendja e myslimanit gjatë pritjes së muajit Ramazan dhe gjatë lamtumirës së tij

 

     Si duhet të jetë gjendja e myslimanit gjatë pritjes së muajit Ramazan dhe gjatë lamtumirës së tij? Dhe cila është këshilla juaj për ata që shprehin mërzi për etjen dhe urinë gjatë Ramazanit?

 

     Përgjigja: Shpirti i besimtarit e pret muajin e Ramazanit me gëzim dhe lumturi dhe atë për shkak se në këtë muaj ka adhurime të ndryshëm si agjërimi, kijami, lutjet dhe kërkimi i faljes. Ajo që kërkohet nga besimtari është ta shumëfishon punën e tij dhe të shpreson shpërblimin e përgatitur për këto adhurime, ngase është transmetuar në hadith:

“Ky është një muaj që fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij falje dhe fundi i tij lirim nga zjarri.”

     Myslimani duhet ta pranojë këtë muaj duke qenë i gëzuar dhe i lumtur për këtë begati, dhe ai duhet t’i shtojë veprat e tij të mira.

     Gjithashtu myslimani duhet që të pikëllohet sa herë që t’i afrohet fundi këtij muaji fisnik sepse ato janë ditë ku shumëfishohet shpërblimi dhe në to ka lirim nga zjarri – në dhjetë ditët e fundit të këtij muaji. Shumë besimtarë pikëlloheshin nga ndarja prej këtij muaji fisnik dhe i jepnin lamtumirën me keqardhje për ndarjen prej tij. E kështu është gjendja e besimtarit i cili i donë veprat e mira dhe i donë kohët e caktuara për to. Ndërsa ata që nuk e pëlqejnë agjërimin dhe i gëzohen ndarje prej këtij muaji fisnik, këta nuk e duan të mirën dhe as nuk duan që t’u pranohen veprat e mira apo t’u shumëfishohen shpërblimet e tyre.

     Njeriu obligohet që kur t’i ndien dhembjet e agjërimit sikurse uria, etja, mundimi dhe vështirësia ta llogaritë shpërblimin e kësaj te Allahu dhe të konsiderojë këtë prej veprave të mira që e lut Allahun ta shpërblen për të dhe ta ngrit gradën e tij.

   E nuk ka dyshim se agjërimi sa më i mundimshëm të jetë dhe sa më i lodhshëm është shpërblimin e ka më të madh. Dhe kjo çështje nuk është e veçantë për agjërimin por, vlen për të gjitha veprat që i bën myslimani. Nëse vepra është më e rëndë atëherë shpërblimi është më i madh për shkak të fjalës së Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i cili ka thënë në haxh:

“Shpërblimi është sipas lodhjes apo sipas shpenzimeve.”

     Kështu që myslimani i cili e bën cilindo vepër në të cilën ka vështirësi duhet ta llogarit shpërblimin për këtë mund, lodhje dhe vështirësi e kjo vlen edhe për agjërimin. Myslimani duhet ta llogarit agjërimin e tij te Allahu i lartësuar dhe të mos të mërzitet nga lodhja, të mos e urrej agjërimin, të mos gëzohet nga ndarja prej muajit të Ramazanit por, ta llogaris tërë këtë dhe të duron që me këtë të arrin shpërblim dhe gradat më të mëdha.

 

Muaji i Ramazanit për shumë njerëz është muaj i ngrënies, pijes dhe i ndejave gjatë natës

 

     Muaji i Ramazanit për shumë njerëz është shndërruar në muaj të ngrënies, pijes dhe ndejave të natës … cila është këshilla e juaj për këtë?

 

     Përgjigja: Ai që vepron kështu gabon ngase muaji i Ramazanit është muaji i adhurimit e prej shkaqeve të cilat e kanë bërë muaj të adhurimit dhe dritës: Se në të shumëfishohen veprat e mira, në të është obliguar agjërimi dhe Kijami, si dhe në të nxiten njerëzit të lexojnë Kuranin Fisnik, të përmendin Allahun dhe të luten e këto shkaqe janë shkak për t’u liruar prej zjarrit.

     Ndërsa ata që e marrin muajin e Ramazanit si rast për ngrënie dhe pije të shumtë nuk e kanë kuptuar dhe respektuar këtë muaj si duhet. E vërtetë është se kur të vjen Ramazani njerëzit fillojnë të blejnë me të madhe lloje të ndryshme të mishrave, ushqimit, perimeve dhe pemëve e kur të vjen Iftari i gjen se i kanë mbledhur tëra këto në sofra dhe ngrënë shumë gjatë gjithë natës e këta e shndërrojnë muajin e Ramazanit në muaj të epsheve, muaj të ngrënies dhe kjo është e kundërta e asaj për të cilën është lënë dhe është obliguar.

     Selefi Allahu i mëshiroftë kanë bërë iftar me disa kafshata bukë dhe është vërtetuar se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Kur bënte iftar, bënte iftar me disa hurma të pakta (rutab), e nëse nuk gjente bënte iftar me disa hurma, e nëse nuk gjente atëherë me disa hurthe uji.” d.m.th. disa gllënjka uji e pastaj dilte për namaz.

     Ndërsa ushqimi pas kësaj ishte i pakët sikurse dy të zezat – hurmat dhe uji dhe kjo është që ndikon, ngase sa më tepër që të ndikon agjërimi në agjëruesin me uri dhe etj kjo e zbut zemrën e tij më tepër dhe e bën që t’i pranohet lutja më tepër.

     Ne e këshillojmë myslimanit që mos ta bën muajin e Ramazanit muaj të epsheve dhe le të përkufizohet në atë që ia largon urinë e tij në mënyrë që të mos lë anash punët të cilat i kryen.

     Për ngrënien e shumtë janë transmetuar disa gjurmë të cilat aludojnë në mospëlqimin e saj si dhe është transmetuar në hadith:

“Mos hani shumë, që të mos pini shumë e që të mos flini shumë e pastaj të privoheni shumë.”

     S’ka dyshim se ata që e kanë mësuar veten të hanë shumë gjatë natës pastaj të flenë shumë gjatë ditës, do të thotë e bëjnë natën për ngrënie e ditën për gjumë nuk ju mbetet te ta vetëm të përmbajturit (imsaku). Këta nuk ndikohen nga vlera e muajit të Ramazanit dhe as që e shfrytëzojnë atë e kjo është në kundërshtim me atë për të cilën është obliguar ai.

     E këshillojmë çdo mysliman që të pakësojë prej asaj që u përmend dhe të përkufizohet vetëm se në atë që i bën dobi dhe le të merr prej tyre aq sa ia lehtëson shpirtit gjatë natës dhe ditës prej urisë dhe etjes si dhe ta mundon veten në adhurimin e Allahut që të përfiton mirësinë në këtë muaj.

 

Muaji i Ramazanit muaji i Xhihadit dhe i ngadhënjimeve vendimtare

 

     Muaji i Ramazanit është i njohur në historinë Islame si muaj i Xhihadit dhe i ngadhënjimeve vendimtare, çka ngjall kjo në ndjenjat e myslimanit?

 

     Përgjigja: Në muajin Ramazan, në pjesën e tij të parë ka ndodhur lufta e Bedrit në të cilën myslimanët i ka mundur idhujtarët dhe ju kanë shkaktuar humbje të mëdha gjithashtu në këtë muaj ka ndodhur çlirimi i Mekës dhe beteja të tjera të shumta kanë ndodhur në muajin fisnik të Ramazanit.

     Kjo ia përkujton çdo myslimani se ky muaj është muaj i ndihmës dhe forcimit të Islamit dhe myslimanëve dhe betejat të cilat kanë ndodhur në të Allahu i ka ndihmuar myslimanët me fitore dhe pushtet dhe kjo për shkak të veçorisë së këtij muaji dhe vlerës së ditëve dhe netëve të tij. Ramazani sikur që është muaj i adhurimit, agjërimit dhe kijamit ai është edhe muaj i xhihadit në rrugën e Allahut.

     Ne duhet t’i përkujtojmë këto beteja islame të cilat kanë ndodhur në Ramazan dhe të marrim mësime nga to.

 

Kush ka përparësi më tepër: Umreja apo imamllëku në Ramazan

 

     Kush ka përparësi më tepër: Ajo që imami i rregullt i xhamisë ta bëjë umren e Ramazanit apo të qëndrojë tërë muajin e Ramazanit si imam i xhematit të tij në xhaminë e tij?

    

     Përgjigja: Më me vlerë bile obligim është që ky imam i rregullt ta kryen detyrën e tij për të cilën merr shpërblim kështu që e fal namazin gjatë gjithë Ramazanit sikurse imami i xhamisë i cili është përcaktuar nga shteti atij nuk i lejohet ta lë xhaminë as në Ramazan e as jashtë Ramazanit.

     Por, nëse donë të merr udhëtim në Ramazan apo jashtë Ramazanit atëherë ai duhet ta lë dikë i cili e zëvendëson derisa të kthehet d.m.th. ta lë një person të aftë për imamllëk i cili do të jetë i rregullt në namazet me xhemat si dhe do t’ua falë kijamin gjatë Ramazanit, person i cili përkujdeset për faljen e farzeve në kohët e tyre. E nëse nuk gjen atëherë nuk i takon atij ta lë xhaminë apo ta lë pas dore dhe t’i lë xhamtin duke kërkuar atë që ua fal namazin për çdo kohë. Por, ajo që ai të përfiton nga shpërblimi i umres në Ramazan kjo në të vërtetë ka shpërblim por, nëse e lë xhaminë për të cilën ai është përgjegjës pa ndonjë zëvendës nuk i lejohet as umreja e as haxhi përderisa nuk e kryen detyrën e imamit dikush i cili është i aftë dhe me të cilin janë të pajtimit xhemati i asaj xhamie.

 

Hulumtimi për imamët me zë të bukur

 

     Shumë njerëz kalojnë nga një xhami në tjetrën duke hulumtuar imamët që kanë zë të bukur, si e komentoni ju këtë?

 

Përgjigja: Unë e shoh se në disa raste s’ka gjë të veprohet kështu por, jo në të gjitha kohët. Unë e ndiej sikurse e ndiejnë edhe të tjerët se kurdo që imami ta ketë zërin e bukur, lexon rrjedhshëm dhe i përulur në namaz dhe në lexim ndikimi në shpirt është më i madh, ai që falet me të dhe e dëgjon leximin e tij ndien përulje si dhe përqendrohet në namaz dhe ndikohet me një ndikim të madh dhe më pas tërë ditën e gjen dobinë e kësaj përuljeje.

     Për këtë s’ka gjë që myslimani ta zgjedh imamin i cili i përshtatet atij dhe prej leximit të cilit i ndodh të përulet dhe nënshtrohet por, me kusht që imami ta ketë zërin e bukur, t’i din rregullat e leximit (texhvidin) dhe t’i plotëson kushtet e leximit.

     Por, nuk e shoh që njerëzit ta teprojnë në shkuarjen dhe frekuentimin në vende të largëta por, e shoh të vazhdojnë me imamin e tyre të lagjes në të cilën banojnë përderisa nuk ka ndonjë gabim apo mangësi në imamllëkun e tij dhe kjo do të ishte më e përshtatshme por, megjithatë nuk i ndaloj rreptësisht të shkojnë dhe të hulumtojnë atë që ju përshtatet.

 

Qëllimi prej namazit dhe agjërimit

 

     Disa njerëz bien pre e një dyshimi djallëzor, që është se: Nëse namazi i tij nuk e ndalon atë nga e shëmtuara dhe e keqja si dhe nuk e arrin devotshmërinë përmes agjërimit atëherë s’ka nevojë për namazin dhe agjërimin e tij. Cila është këshilla juaj për këta?

    

     Përgjigja: Është transmetuar në disa tefsire nga disa prej Selefit gjatë komentit të fjalës së Allahut:

“Vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat “ (El Ankebut: 45) se ai që namazi i tij nuk e largon nga e shëmtuara dhe e keqja nuk i shton kjo atij vetëm se largim prej Allahut … E disa njerëz e shohin se nuk po ndalohen nga veprimi i të shëmtuarave dhe i të ndaluarave sikurse , prostitucioni, pirja e alkoolit, dëgjimi i muzikës, ngrënia e pasurisë së ndaluar, bërja e përgojimit dhe bartjes së fjalëve, ofendimi i njerëzve në nderin e tyre e të ngjashme me këto si dhe shkuarja e tyre në klube të natës, loja me letra gjatë gjithë natës e këta thonë: Ne nuk kemi mundësi t’i lëmë këto gjëra me të cilat jemi mësuar që nga vegjëlia dhe rinia e përderisa nuk kemi mundësi t’i lëmë atëherë nuk ka dobi në agjërimin dhe namazin tonë e më pas shkojnë pas të keqes dhe i lënë adhurimet dhe obligimet e kësisoj bashkojnë mes prishjes, të keqes dhe lënies së të mirës e kjo padyshim është mëkat i madh dhe krim i rëndë, ngase ata kanë lënë çdo gjë që është e mirë.

     E këta i këshillojmë dhe iu themi: Ju duhet të shoqëroheni me adhuruesit dhe të përkujdeseni për namazet ashtu si janë dhe meditoni pse janë ligjësuar namazet, përuluni në to, nënshtrohuni dhe përkujtoni madhështinë e Krijuesit të lartësuar gjatë kryerjes së tyre. Gjithashtu këta duhet të përkujdesen për agjërimin dhe ta përkujtojnë nijetin dhe atë për të cilën është ligjësuar agjërimi sepse, Krijuesi i lartësuar e ka përmendur prej dobive të tij arritjen e devotshmërisë, në fjalën e Tij:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”(El Bekare: 183)

     Këta duhet të mundohen që agjërimi të jetë shkak për devotshmërinë e tyre e pastaj ta ushtrojnë veten e tyre në lënien e këtyre veprave të shëmtuara dhe ne e lusim Allahun që të pendohen, kthehen dhe t’i lënë këto vepra të shëmtuara. Krijuesi i lartësuar gëzohet me pendimin e robit të tij.

   Ndërsa nëse personi i cili bën krime dhe vepron mëkate dhe kësaj ia bashkëngjit edhe lënien e obligimeve atëherë ai del nga feja e pastër.

   E lusim Allahun me udhëzim dhe pendim për të gjithë.

 

 

Gëzimi për bajramin dhe pikëllimi për lamtumirën e muajit të Ramazanit

 

     Si të bashkojmë mes gëzimit për bajramin dhe pikëllimit për lamtumirën e muajit të Ramazanit?

 

     Përgjigja: Gëzimi me festën e Bajramit vjen pas suksesit nga Allahu i lartësuar për myslimanët. Bajrami vjen pas përfundimit të muajit të Ramazanit për këtu gëzohen myslimanët me festën. Allahu iu ka dhënë sukses t’i përfundojnë adhurimet në muajin e begatshëm, i kanë kryer obligimet sikur që duhet dhe e kanë plotësuar kijamin, adhurimet, respektin gjatë gjithë muajit fisnik, E dita e festës është ditë gëzimi normale por, në të njëjtën kohë është ditë pikëllimi për besimtarët të cilët ndahen nga muaji fisnik dhe ditët e tij. Ato ditë të bardha dhe natë të shndritshme dhe kohë të ndershme të cilat janë pakësuar apo kanë kaluar. I Dërguari fisnik (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë:

“Sikur ymeti im ta dinë se çka ka në Ramazan do të shpresonte i tërë viti të jetë Ramazan.”

     Sido qoftë nuk ka ndonjë pengesë mes bashkimit të gëzimit për plotësimin e muajit të Ramazanit dhe gëzimit me festën e kjo është që robit iu është dhënë sukses për veprat e mira dhe mes pikëllimit për Ramazanin e ai është pikëllimi për kohët të cilat janë të vlefshme dhe ku veprat janë të shumëfishuara.

 

 

 

Agjërimi i muajit Ramazan në vendet jo islame

 

     Me çka i këshilloni myslimanët që jetojnë jashtë, dhe të cilët e agjërojnë muajin e Ramazanit në vendet jo islame?

 

Përgjigja: I këshillojmë këta që të publikojnë simbolet e Islamit në ato vende në të cilat gjendet pakica myslimane. Ata duhet ta publikojnë veten e tyre si myslimanë në veshjet e tyre, fjalët dhe pamjet e tyre. Gjithashtu të shfaqin shenjat dalluese të Islamit, të ngritin ezanin e tyre për namazet, të shfaqen gjatë kryerjes së namazit me xhemat para publikut edhe nëse ata nuk janë myslimanë dhe të agjërojnë nga veprat e ndaluara e të mos jetë agjërimi i tyre vetëm nga ngrënia dhe pirja por, të përmbahen nga mëkatet dhe krimet dhe këtë e themi sepse, shkaqet që shpijnë në to janë të shumta. I këshilloj të kujdesen për devotshmërinë e zemrave të tyre dhe të mos dobësohen para dukurive që janë në kundërshtim me Islamin dhe të mos shikojnë atë që është e ndaluar të shikohet te gratë.

     Duhet që myslimani në këto vende ta ruajë veten e ti dhe islami të jetë i fortë në zemrën e tij dhe ta largojë veten nga të gjitha dukuritë që janë në kundërshtim me fenë.

 

Agjërimi i muajit Ramazan a ndikon negativisht në ekonomi

 

    A ndikon agjërimi i muajit Ramazan negativisht në shoqëri sikurse pretendojnë ateistët?

 

Përgjigja: Ata të cilët pretendojnë se njerëzit kur agjërojnë ulet prodhimi dhe puna e tyre pretendimi i tyre është i kotë. Muaji i Ramazanit nuk të pengon nga punët prodhimi është i njëjtë dhe puna është e njëjtë. E ata të cilët i pakësojnë punët e tyre dhe ndejnë gjatë natës duke lozur apo luajtur bixhoz dhe duke shikuar filma të ulët dhe foto magjepsëse e të ngjashme dhe pastaj flenë gjysmën e ditës apo një të tretën e saj dhe vijnë në punë si përtacë këtyre iu pakësohet puna. Faji me këtë rast nuk është te Ramazani e as nuk ka faj agjërimi por, faj kanë vetët e tyre të cilët kanë vepruar shkaqet që ndikojnë në paralizimin e lëvizjes së tyre dhe dobësimit të prodhimit të tyre.

     Ne i këshillojmë të gjithë myslimanët në muajin e Ramazanit ta bëjnë këtë muaj, muaj të adhurimit dhe të jetë adhurimi në kohën e saj e ajo nuk i pengon nga kryerja e punëve dhe as nuk e pengon prodhimin. I thërrasim të gjithë që të japin maksimumin në punët e tyre në Ramazan dhe të shumëfishojnë prodhimin. Gjatë ditës në Ramazan myslimanët janë të lirë dhe të sinqertë dhe i fillojnë punët duke qenë aktiv. Ata duhet ti kushtojnë gjumit kohë të duhur gjatë natës së tyre dhe të jepen pas punëve të tyre plotësisht sa që të mos kenë kohë të lirë dhe për kërkim të epsheve e me këtë do të gjejmë prodhim të bollshëm në Ramazan për dallim prej muajve tjerë.

 

 

Mjetet e informimit dhe obligimi i agjërimit

 

     Si iu ndihmojnë njerëzve mjetet e informimit për kryerjen e obligimit të agjërimit në Ramazan si është më së miri?

 

     Përgjigja: Nuk ka dyshim se mjetet e informimit konsiderohen si përgjegjësi kryesor për orientimin e myslimanëve drejt çdo të mire, qoftë nëse është e lidhur me agjërimin dhe çështjet e zbatimit të adhurimeve apo edhe çështjet e tjera. Ato gjithashtu kanë përgjegjësi të madhe në tërheqjen e vërejtjes prej të këqijave dhe veprave që nuk lejohet të veprohen. Kështu që përgjegjësia e mjeteve të informimit qofshin gazeta, radio apo televizion është që t’i ndërgjegjësojnë njerëzit dhe t’i orientojnë në zbatimin e obligimeve të tyre e prej këtu duhet që përmbajtja e këtyre mjeteve të jetë e orientuar për atë që kanë dobi në të myslimanët.

P.sh. nëse përgatitet programi “Dispozitat e agjërimit” dhe flasin në këtë program ata që janë të aftë dhe meritor prej dijetarëve të myslimanëve dhe përgatitet program special i cili tregon vlerën a agjërimit dhe gjurmët e tij në adhurime, dhe vlerën e punëve të cilat duhet të kryhen në Ramazan dhe të emetohen këto programe për çdo ditë apo javë e të ngjashme kjo nuk ka dyshim se do të ketë dobi të madhe. Njerëzit kur t’i shohin këto programe dhe këto udhëzime apo i lexojnë dhe i dëgjojnë ata do të kenë dobi dhe do të ndikohen dhe do ta njohin vlerën e këtij muaji fisnik. Ndërsa nëse mjetet e informimit i bëjnë njerëzit të okupohen dhe u zënë kohët e tyre me tregime të pavlera dhe rrëfime që nuk ka dobi prej tyre kjo ua humb kohën njerëzve.

     Ne i këshillojmë mjetet e informimit që tu ofrojnë njerëzve atë që iu bën dobi dhe këto mjete të informimit duhet ta bartin përgjegjësinë e plotë përballë atyre që i përcjellin.

 

 

Njerëzit që nuk e njohin Allahun vetëm se në Ramazan

 

     Shumë njerëz kthehen të Allahu i lartësuar dhe e shpallin pendimin e tyre nga mëkatet të cilat i kanë bërë dhe kjo gjatë muajit të Ramazanit por, pas Ramazanit iu kthehen gjendjes në të cilën kanë qenë. Me çka do tu drejtoheshit këtyre?

    

     Përgjigja: Janë pyetur disa nga Selefi për disa njerëz që kur të hyn muaji i Ramazanit bëjnë adhurim e kur të shkon e lënë adhurimin, e kanë thënë: Sa njerëz të këqij janë ata që nuk e njohin Allahun vetëm se në Ramazan dhe e adhurojnë në të … Zoti i muajve është Një dhe myslimani obligohet që puna e tij të jetë e vazhdueshme dhe stabile. Është transmetuar se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur e vepronte një punë përqendrohej në të dhe thoshte:

“Veprat më të dashura te Allahu janë të cilat i kryen njeriu vazhdimisht edhe nëse janë pak.”.

     Myslimani e ka obligim që puna e tij të mos ketë përfundim përveç se me vdekje … Ajo që disa i lënë të këqijat në muajin e Ramazanit sikurse të ndalohen nga pirja e duhanit apo alkoolit, apo shikimit të filmave të ulët dhe dëgjimit të këngëve e pastaj pas Ramazanit iu kthehet atyre apo ndoshta iu kthehet para se të përfundojë Ramazani kjo ndoshta bëhet shkak në refuzimin e adhurimit tët tij. Është transmetuar nga disa prej Selefit se kanë thënë: “Ai që i flet vetes së tij se pas Ramazanit do t’i bëjë mëkat Allahut, agjërimi iu refuzohet dhe i mbyllet dera e pendimit.”
     Selefi – Allahu i mëshiroftë kur e përfundonin një punë më së shumti iu interesonte pranimi i saj. Si dhe ata kujdeseshin për shtimin e veprave të mira e pastaj mbeteshin duke e lutur Allahun që t’ua pranojë këto vepra prej tyre … E s’ka dyshim se prej shenjave të pranimit të veprave: Puna e mirë pas tyre dhe vazhdimësia në to, e prej shenjave të refuzimit të tyre: Lënia e punës së mirë apo veprimi i të kundërtës së saj prej të këqijave dhe mëkateve.

 

Këshillë për tregtarët

 

     A keni ndonjë këshillë të cilën do t’ua kishit drejtuar tregtarëve?

 

     Përgjigja: E këshillojmë secilin që merret me tregti që t’ua dojë myslimanëve të mirën. Sikur që ai donë t’i rritet tregtia e tij ashtu duhet t’ua donë të mirën myslimanëve … dhe të mos i dëmton. Shumë tregtarë – Allahu i udhëzoftë – të shtyrë nga lakmia, rritja e tregtisë së tyre dhe përfitimet e shumta i shfrytëzojnë disa kohë në të cilat njerëzit kanë nevojë për disa lëndë ushqimore apo disa mallra dhe i shtrenjtojnë çmimet dhe ua ngritin vlerën e tyre e nuk iu intereson dëmi i myslimanë prej shumëfishimit të çmimeve ndaj tyre. Dhe ky mall ndoshta nuk gjendet vetëm se te ta apo janë pajtuar me kolegët e tyre – tregtarë për këtë shtim të shumëfishuar. I sheh disa nga ata se si e blejnë një mall me dhjetë rijal e shesin me tridhjetë apo dyzet dhe nuk mërziten përderisa njerëzit të jenë të interesuar për të. E kjo nuk ka dyshim është mashtrim për myslimanin dhe me këtë dëmtohen konsumatorët të cilët kanë nevojë për këtë ndërkohë që janë transmetuar argumentet që nxisin që myslimani të jetë i sinqertë ndaj vëllait të tij mysliman.

     E prej sinqeritetit dhe këshillës është që të mos e dëmtosh vëllanë tënd dhe ta udhëzosh drejt mallit të dobishëm dhe të mos e tradhtosh e as mashtrosh dhe të mos e bësh injorancën dhe mentalitetin e tij të ulët shkak për ta marrë pasurinë e tij me pa të drejtë.

 

Këshillë për ata që kryejnë ‘Umre’

 

     A keni ndonjë këshillë për ata që kryejnë umren në Ramazan?

 

   Përgjigja: Ata të cilët e kryejnë umren në Ramazan qoftë në fillim apo në fund të tij – për këta shpresojmë inshAllah se janë të mirë dhe të besueshëm dhe kemi për ta mendim të mirë dhe e njohim aftësinë dhe meritën e tyre qofshin ata të rinj apo të vjetër.

     Ata i këshillojmë me atë që e këshillojmë veten tonë që nëse u lehtësohet vazhdimi i veprave në këtë muaj në fillim apo në fund të tij në Haremin e Mekës kjo është prej veprave më të mira. Adhurimi i cili kryhet në Mekë dhe Medine është i shumëfishuar e prej tyre edhe umreja për të cilën është transmetuar se:

“Umreja në Ramazan është e barabartë me një haxh.” dhe e kryen atë me sinqeritet dhe përsosmëri.

     Gjithashtu i urdhëroj ata që kryen umren të përkujdesen për faljen e namazeve në Mesxhidul Haram –Qabe, në të cilën një namaz shumëfishohet në njëqindmijë si dhe përkujdesja për kijamin dhe mos ngutja në të .. I këshillojmë të bëjnë shumë tavaf dhe ta shfrytëzojnë kohën në të sepse, tavafi është i posaçëm me Mekën e Ndershme dhe nuk kryhet vetëm se në Qabe.

     I këshillojmë që të lexojnë shumë dhe të jepen pas leximit të Kuranit Fisnik në Mesxhidul Haram –Qabe nëse ju lehtësohet Itikafi në Qabe sepse, kjo është më mirë për të shumëfishuar shpërblimin. Gjithashtu i këshillojmë të bëjnë shumë vepra të mira sikurse urdhërimi i veprave të mira dhe ndalimi nga të këqijat, thirrja në rrugë të Allahut dhe largimi nga shpenzimi i kohës në lojë dhe ruajtja e tubimeve nga thashethemet pas të cilave s’ka dobi.

   Nëse e vepron këtë ai që e ka kryer umren kthehet i ndikuar në veten e tij dhe pastaj edhe ndikimi i tij në të tjerët është më i madh.

 

Këshillë për të rinjtë

 

     A keni ndonjë këshillë për të rinjtë?

 

     Përgjigja: Të rinjtë pa dyshim kanë përgjegjësi të mëdha dhe atë sepse, ata janë zakonisht që anojnë kah loja dhe papunësia. Me ta – nëse janë të mirë – është forca në punë, garancia për stabilitetin e punës. I këshillojmë këta të rinj që të ruajnë kohët e tyre nga loja dhe veprat e kota dhe të zgjedhin shokët dhe miqtë e mirë të cilët iu ndihmojnë në të mirë, në ruajtjen e kohëve të tyre, ju ndihmojnë në veprat e mira dhe përqendrimin në to. I këshillojmë të mos e kalojnë gjatë gjithë netëve të tyre në ndeja dhe biseda që ua marrin kohën dhe ua humbin atë pa ndonjë dobi … dhe i këshillojmë me lexim të shumtë të kuranit dhe përkujdesjen për kijamin e netëve të këtij muaji fisnik.

 

Allahun e lusim t’iu jep sukses të gjithëve për atë që e donë dhe e pëlqen.

 

Abdullah b. Abdurr Rrahman El Xhibrin

Përktheu: Driton Lekaj

Burimi: http://www.islamhouse.com/s/9507

http://www.islamifejaevertete.com/

 



[1] Refeth: është nocion që përdoret për çdo gjë që e donë burri nga gruaja e vet, ndërsa origjina e tij si fjalë është se përdoret për fjalën e shëmtuar. (Sahih Ibn Hibban: 14/456)

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read