BallinaPraktikaRamazaniNjë përsiatje e rëndësishme rreth agjërimit

Një përsiatje e rëndësishme rreth agjërimit

Një përsiatje e rëndësishme rreth agjërimit

Ndër muslimanët në trevat tona një traditë islame i ka mbijetuar të gjitha betejat e regjimit komunist. Është agjërimi ai që gjithnjë mbeti simbol i islamit të një njeriu a familjeje. Njerëzit edhe gjatë atyre viteve, sidoqoftë, e kanë veçuar dhe madhëruar muajin e Ramazanit. Kanë agjëruar, kanë siguruar hurma për iftarë, kanë shkuar në xhami për të falur namazin e teravive e për ta lutur Zotin dhe i kanë mësuar fëmijët që bile gjysmën apo disa ditë të Ramazanit t’i agjërojnë. Në fund festa edhe e Bajramit. Edhe këto ditë veçoheshin me adete, ushqime, rroba e ëmbëlsira të posaçme.

Tradita në fjalë mori përmasa dukshëm më të gjëra pas rrëzimit të regjimit ateist komunist. Por, një negativitet ende vazhdon te shumica e agjëruesve. Ramazani kalon dhe me të edhe adhurimi i Zotit. Islami dobësohet tek njerëzit. Xhamitë zbrazen dhe po ata muslimanë që dje agjëronin dhe falnin teravitë ditën e Bajramit i kthehen rakisë dhe punëve tjera të ndyera. Për të tillët, islami është sezonal edhe i vlefshëm vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Edhe më keq është kur dikush agjëron por është i njejtë si gjatë agjërimit si jashtë tij: i ashpër, i vrazhdë, ofendues, zullumqar, mëkatar. . .

Pse ndodhë kjo? Përgjigjja është: Dikush agjëron sepse është “adet” dhe se “kështu bëjnë të tjerët”. Përderisa të mos jetë korrekt qëllimi i agjërimit kjo dukuri përherë do të vazhdojë të ekzistojë dhe nga agjërimi, do të përfitohet shumë-shumë pak krahasuar me atë që Zoti ka përgatitur për agjëruesit e sinqertë.

Mund të fyhet dikush nëse them se agjërimi i shumicës nuk është i sinqertë. Me këtë rast secili le ta pyesë veten sa mund të jetë jetëgjatë një agjërim që bëhet për adet? Sa mund të jetojë nëse muslimani del nga vendi ku është adet të agjërohet dhe vendoset në një vend ku nuk është adet agjërimi?! Sa mund të jetë jetëgjatë një agjërim që bëhet për syefaqësi? Sa mund të jetë afatgjatë ai agjërimi nëse agjëruesi i tillë fshehet nga njerëzit dhe i vie shansa për të ngrënë, pirë dhe fjetur me gruan?!

Kam për qëllim që atyre që agjërojnë për adet, për syefaqësi dhe atyre që agjërimi nuk u le gjurmë në sjelljen e tyre t’ua bëjë me dije se agjërimi është një ibadet shumë i çmuar tek All-llahu dhe i veçuar tek Ai nga ibadetet tjera dhe se shpërbëlimi i tij është xhenneti. Me të, Zoti i falë mëkatet e vogla dhe na mbron nga xhehennemi. Dua t’ua bëj me dije edhe se mu për këtë kryhet agjërimi, e jo për adet t’ua bëjë me dije se agjërimi nuk është vetëm ndalim i barkut nga ushqimi dhe ndalim nga seksi, por ndalim nga rrena, fyerja, shpifja, ashpërsia, zullumi etj. Ndoshta dikush mund do të përfitojë nga kjo dhe agjërimi i tij nuk do të jetë vetëm uri, etje, nervozë, hipokrizi e rrenë. . .

“Veprat shpërbëlehen sipas nijetit (qëllimit) të tyre.” Kështu kush agjëron për adet, shoqëria (rrethi) do ta shpërbëlejë si njeri të denjë të traditës së vendit, kush agjëron për syefaqe, njerëzit do ta vlerësojnë si musliman të mirë, por e te Zoti nuk ka asgjë, kush agjëron për t’u shëruar nga sëmundja, për të qenë më i shëndoshë apo për të mbajtur dietë, këto do t’i arrijë, por te Zoti nuk ka asgjë, dhe kush agjëron për All-llahun, në shenjë respekti për Të, për t’iu afruar Atij, për t’u shpërbëlyer me xhennetin e Tij, për t’u mbrojtur nga dënimi i Tij, për ta adhuruar dhe falënderuar Atë, ai do të gjejë shpërblim të madh te Zoti i tij.

Për ta shndërruar urinë e tmerrshme, etjen kallëse dhe hipokrizinë në lumturi, kënaqësi, adhurim e dëlirësi, le të ndjekim udhëzimin e të Dërguarit të fundit të Zotit, Muhammedit, paqja e All-llahut qoftë mbi të. Ai është shembulli më i mirë se si bëhet agjërimi. Tregon Aishja, gruaja e Pejgamberit se, Pejgamberi ishte njeriu më i mëshirshëm, e edhe më i mëshirshëm ishte gjatë muajit Ramazan, kur Xhibrili çdo natë ka ardhur tek ai dhe ia ka mësuar Kur’anin. Kështu ndikon në sjellje dhe në shpirt agjërimi i sinqertë që bëhet për Zotin,. Njeriu me agjërim mësohet t’i frenojë epshet e tij dhe e ushtron vetëkontrollin.

Gëzim Selaci,

Albislam.com

Must Read