BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeNjë pyetje rreth Kuranit

Një pyetje rreth Kuranit

 

Një pyetje rreth Kuranit


Pyetja:

Selam alejkum!
Hoxhë, duke gjurmuar në internet, rastësisht hasa në një autor sufi siç duket, i cili merret me mrekullitë numerike në Kuran dhe siç duket është qafir, meqenëse ky mohon dy ajetet e fundit të sures teube të jenë ajete në të vërtetë.
Ajo që më intereson është se në një nga artikujt ky thotë që disa shkronja në Kuran ‘janë shtuar’ duke mos qene në mus’ hafët e parë (të Othmanit).
Ky bën krahasim mes botimit të sotëm të kuranit (me foto) dhe mus’hafit në kohërat e selefit, duke pretenduar se nuk janë njëjtë.
Të lutem hoxhë më shpjego ngase dihet qartë që Allahu ka premtuar që do ta ruajë Kuranin dhe në këtë s’ka dyshim. Por të lutem na shpjego këtë turbullirë që ka shkaktuar ky qafir.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i nderuar, fillimisht kërkojmë falje për vonimin e përgjigjes, pasi kishim dëshirë që t`i përgjigjemi pyetjes duke iu qasur pretendimeve në fjalë dhe duke u thelluar në analizimin dhe sqarimin se sa tendencioze dhe të pabaza janë ato që thuhen nga ky njeri. Por fatkeqësisht, në këto momente, nuk po gjejmë kohë që të zgjerohemi, prandaj do të japim një përgjigje më të shkurtër duke mos u ndalur në detaje.

Është e domosdoshme të sqarojmë se pretendimi i këtij personi nuk është diçka e re, të cilën ky e ka shpikur tani, por ajo që thotë ai është vetëm përcjellje e një pretendimi të mëhershëm që e kanë shpikur orientalistët, të cilët tentonin që me anë të studimit të mësimeve islame dhe historisë së ngjarjeve që kanë ndodhur të gjejnë mënyra që të fusin dyshime në lidhje me Kuranin dhe Islamin në përgjithësi.

Nëse thellohemi në shkaqet dhe arsyet e lindjes së orientalizmit, do të shohim se Perëndimi në shekujt e hershëm tentonte ta zmbrapste Islamin dhe përhapjen e tij nëpër vende të ndryshme me ballafaqim ushtarak, që rezultoi me një numër kryqëzatash që u realizuan nëpër vendet islame. Këto kryqëzata thirreshin nga Papa dhe identifikoheshin si lufte e shenjtë e udhëhequr nga Roma katolike. Ato u zhvilluan në qindvjeçarin e 11-të deri në atë të 13-in dhe ishin shumë mizore, por nuk arritën të realizojnë qëllimet.
Perëndimi pas kësaj eksperience dhe tendence të dështuar që ta ndalojë dominimin e Islamit nëpër rajone të ndryshme të botës dhe më saktë përhapjen edhe në Evropë, filloi të mendojë për forma të tjera më të “suksesshme” me të cilat do të arrinte ta luftonte dhe do ta ndalonte përhapjen e Islamit.

Metoda që zgjodhën ata ishte që ta studiojnë Islamin dhe mësimet e tij dhe kështu të tentojnë të fusin dyshime, paqartësi dhe akuza në përmbajtjen e këtyre mësimeve. Kështu lindi orientalizmi dhe ata që u morën me këtë fushë të studimit u quajtën orientalistë. Në shekuj ka ndryshuar roli dhe segmentet me të cilat është marrë orientalizmi, pastaj ka shumë orientalistë jomuslimanë që i janë futur kësaj fushe me qëllime jo të mira, por më vonë, kur ata u thelluan në studime dhe u njohë me mësimet islame, kuptuan përparësitë e kësaj feje dhe shumë prej tyre e pranuan Islamin. Megjithëkëtë, tendenca e tyre më e madhe ishte që të fusin paqartësi, hutim dhe dyshime në mësimet islame. Përqendrimi i tyre më madh ishte që të përgënjeshtrojnë se Kurani është libër i Allahut dhe se ligjet e përfshira në të janë të pandryshuara. Kështu ata filluan ta hulumtojnë historinë e të Dërguarit Muhamed salallahu alejhi ue selem dhe në çdo ngjarje të ngrinin dyshime dhe mosbesim.

Prandaj pretendimet e këtij personi për të cilin ju bëni pyetje, nuk janë të tijat por janë pjellë e disa orientalistëve, të cilët kur lexuan historinë Kuranit dhe fazat në të cilat kaloi derisa u tubua në një vend, tentuan që të fusin dyshime kinse gjatë këtyre fazave është ndryshuar Kurani. Mirëpo këto dyshime u hodhën poshtë nga shumë studiues muslimanë dhe është shkruar mjaft për këto gjëra, por ne nuk po kemi kohë t’i përcjellim në lidhje me këtë, pasi duhet të zgjerohemi shumë. Për këtë ju këshillojmë që të mos merreni me këtë person dhe atë që thotë ai, pasi qëllimi i tij është që duke e identifikuar veten kinse si studiues i Kuranit, i cili merret me mrekullitë e Kuranit apo si njohës i ndodhive dhe i ngjarjeve, tenton të fusë dhe të përhapë këso dyshimesh e paqartësish në mesin e muslimanëve të padijshëm.
 

Alaudin Abazi

26.9.2008

Burimi: http://www.klubikulturor.com

www.IslamiFejaeVertete.com

 

Must Read