BallinaSpikasimNjë studim konstaton se sasia e vogël e alkoolit e dëmton njeriun

Një studim konstaton se sasia e vogël e alkoolit e dëmton njeriun

Një studim konstaton se sasia e vogël e alkoolit e dëmton njeriun

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” (Maide, 90-91)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka vendosur rregull të artë për sa i përket alkoolit, i cili përfundimisht e ka ndaluar konsumimin e tij. Ai thotë: “Ajo lëndë që të deh kur është shumë, edhe pak prej saj është e ndaluar.” Allahu e ka mallkuar atë që konsumon alkoolin, qoftë edhe në sasi të vogël. Këtë e vërtetojnë ajetet dhe hadithet para më shumë se një mijë e katërqind vitesh përmes gjuhës së të Dërguarit të Allahut. Mirëpo disa mjekë pretendojnë se sasia e vogël e alkoolit mund të konsiderohet si ilaç dhe shërim, ndërsa disa të tjerë pretendojnë se sasia e vogël e alkoolit e freskon zemrën. Çfarë thonë studimet e fundit rreth tematikës së alkoolit?

Bazuar në një studim të cilin e ka bërë dr. Sarah Lewis nga sektori i mjekësisë shoqërore nga Universiteti Bristol, është vërejtur lidhja e fortë ndërmjet konsumimit të alkoolit dhe presionit të gjakut. Ajo thotë se konsumimi i alkoolit ndikon në presionin e gjakut shumë më tepër sesa kemi konsideruar më parë.

Një grup hulumtuesish kanë konstatuar se nëse njeriu konsumon një sasi të vogël alkooli, kjo do të ndikojë negativisht në shëndetin e tij dhe gradualisht çon në ngritjen e presionit të gjakut dhe si rrjedhojë mund të pësojë vdekje të papritur nëse nuk largohet nga konsumimi i alkoolit përfundimisht.
Dr. Sarah vazhdon duke thënë se ky studim ka rezultuar se konsumimi i alkoolit e rrit presionin e gjakut më tepër se ç’e kemi menduar në të kaluarën, madje qoftë edhe nëse konsumohet në sasi të vogla.

Hulumtuesit konstatojnë se kur njeriu konsumon alkool, qoftë edhe pak, e pastaj e le atë, në trupin e tij mbetet një sasi alkooli, e cila largohet vetëm pas dhjetë ditësh. Hulumtuesit nuk kanë precizuar saktësisht sa kohë qëndron alkooli në qelizat e njeriut pas konsumimit të tij dhe lidhur me këtë nuk ekzistojnë studime të hollësishme, mirëpo i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, na ka lajmëruar se konsumuesit të alkoolit nuk i pranohet namazi dyzet ditë! I Lartësuar qoftë Allahu! Sikur i Dërguari i Allahut dëshiron prej nesh që çdo qelizë prej qelizave në trupin tonë të jetë e pastër, e çiltër, në mënyrë që t’i drejtohemi Allahut me namaz dhe të na pranohen lutjet tona.

I Lartësuar qoftë Allahu! I Dërguari e ndalon konsumimin e alkoolit edhe në sasi shumë të vogla, ndërsa hulumtuesit po përsërisin sot të njëjtat fjalë dhe me shumë bindje deklarojnë: Edhe sasia e vogël e alkoolit i sjell dëm njeriut. Ah, sikur të braktiset përfundimisht!
Kjo është shkenca, gjithnjë duke dëshmuar vërtetësinë e kësaj feje të pastër dhe se i Dërguari ynë, Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, kur ndaloi nga konsumimi i alkoolit dhe çdo pije dehëse tjetër, ka qenë në të vërtetën. Të vërtetën e ka thënë Allahu i Lartësuar kur flet për të: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” (Nexhm, 2-3)

Kurse atyre që e ofendojnë këtë të Dërguar, paqja e Allahut qoftë mbi të, u themi: Çfarë ju ka bërë ky i Dërguar, i cili është më i mëshirshëm ndaj jush sesa mjekët tuaj? U them vëllezërve dhe motrave të mia për hir të Allahut, ky i Dërguar i mëshirshëm për njerëzimin a nuk meriton ta nderojmë madje edhe duke e përhapur një hadith dhe mrekulli të tij, në mënyrë që të mësojë e tërë bota se kush është ky i Dërguar dhe cila është feja jonë? Prandaj, vëllezër të nderuar, kërkoj nga ju t’i përhapni mrekullitë e këtij të Dërguari Fisnik, me shpresë që ai të na shikojë Ditën e Gjykimit me syrin e dhembshurisë, me shpresën që do të jetë i kënaqur me ne. Kush respekton të Dërguarin, ai ka respektuar Allahun dhe me atë që është i kënaqur i Dërguari, edhe Allahu do të jetë i kënaqur me të.

Përshtati: Almedin Ejupi
Referencat:
A Greater Than Previously Thought Link Between Alcohol And Blood Pressure Found
http://www.medicalnewstoday.com/articles/99310.php
Link between alcohol and blood pressure greater than previously thought, EurekAlert 4/3/2008.

Must Read