BallinaARTIKUJHadith dhe SunetNuk beson askush nga ju derisa nuk ia do të mirën vëllait...

Nuk beson askush nga ju derisa nuk ia do të mirën vëllait të vet

Enes ibën Maliku përcjell se i Dërguari Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nuk beson askush nga ju derisa nuk dëshiron për vëllain e tij atë që dëshiron për vete”.

Zinxhiri i hadithit:

Këtë hadith e shënon imam Buhariu në Sahihun e tij me nr. 13, imam Muslimi, nr. 45, si dhe imam Ahmedi dhe Ibën Hibani. Të gjitha këto transmetime janë të përafërta në fjalë, por të gjitha kanë këtë kuptim, ndërsa hadithi i lartshënuar ka fjalët e transmetimit të Buhariut.

Rëndësia e hadithit:

Ky hadith me të vërtetë ka kuptim madhështor dhe ai në vetvete mbart edukatën profetike, të cilën i Dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ia mësoi umetit të vet. Ai tregon se sa e rëndësishme është t’ia duash të mirën vëllezërve të tu nga feja, dhe se ajo krahasohet me besimin, sa më e lartë të jetë ajo, po aq e lartë është edhe shkalla e besimit, dhe e kundërta aq sa njeriu e shikon interesin e tij personal, duke mos i kushtuar rëndësi interesit të vëllezërve nga feja, atëherë po aq është e ulët edhe shkalla e besimit. Feja jonë hyrjen në xhenet e kushtëzon me plotësimin e këtij kushti. I Dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, i tha një ditë shokut të tij Jezid b. Esed el-Kasiut: “A e do xhenetin?” Ai ia ktheu: Po. Atëherë Profeti, sal-Allahu alejhi ve selem, i tha: “Atëherë dëshiro për vëllain tënd atë që do për veten”. (Imam Ahmedi, 4/70.) Profeti, sal-Allahu alejhi ve selem, me këtë fjalë dhe me udhëzimin e tij i tregon çdo njeriu që shqipton shehadetin, kushdo, dhe nga çfarëdo vendi qoftë ai, se vëllezërve të tij duhet t’ua dojë të mirën, ashtu si vetes së vet. Kjo për arsyen që secili nga besimtarët të gjejë qetësi tek vëllai i tij nga feja, ta ketë shpinën dhe familjen e sigurt nga ai. Me këtë hadith, ai i tregoi çdo besimi dhe ideologjie, se e vetmja fe në të cilën njerëzit arrijnë të bashkohen dhe ta duan njëri-tjetrin është Islami, prandaj pranojeni atë, se do të keni siguri maksimale, nga Zoti, nga shteti islam, në këtë botë nga telashet dhe në botën tjetër nga zjarri, gjithashtu edhe nga muslimanët, pra, të jeni të sigurt në çdo kohë dhe në çdo vend dhe nga çdokush. Ai me këtë udhëzim i tregoi botës se Islami e trajton vëllain në fe shumë më mirë se çdo ideologji, e cila nuk e trajton në këtë mënyrë as edhe vëllain e lindur me të njëjtit prindër. Atë dashuri dhe respekt që arrin ta mbjellë feja jonë mes muslimanit nga lindja e botës e tjetrit nga perëndimi i saj, nuk mund ta mbjellë askush mes dy personave të dalë nga barku i një nëne.

Komentimi i hadithit:

Fjala e të Dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem:

“Nuk ka besuar”

Në shikim të parë njeriu mendon se me mohimin e besimit nga njeriu që nuk sillet mirë me vëllezërit e tij besimtarë është si qëllim dalja e tij nga feja. Mirëpo ky mendim nuk qëndron, sepse vetë i Dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, një gjë të tillë nuk e ka pasur si qëllim. Ai në transmetimin e imam Ahmedit tregon qëllimin e tij me këtë fjalë, kur thotë: “Njeriu nuk arrin shkallën e plotë të besimit derisa nuk ia do vëllait të tij atë të mirë që ia do vetes së vet”, pra, me fjalën e tij “nuk ka besuar” nuk është si qëllim mohimi i shkallës së plotë të besimit dhe nuk nënkupton se mos-sjellja mirë me të tjerët do të thotë mosbesim total. Shprehje të ngjashme nga i Dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, janë përmendur shpesh nëpër disa hadithe të tij, në të cilët ai kritikon mëkatarët dhe ua tërheq vërejtjen besimtarëve nga mëkatet e mundshme. Ndër ato hadithe është edhe fjala e tij: “Njeriu kur bën amoralitet, nuk mund të jetë besimtar në çastin e aktit të amoralitetit, vjedhësi nuk mund të jetë besimtar në çastin e vjedhjes dhe alkool-pirësi nuk mund të jetë besimtar në çastin e pirjes së alkoolit.”(Shënon Buhariu, nr. 2475 dhe Muslimi, nr.57.)

Si shkak i kësaj fjale dijetarët më vonë janë ndarë në dy mendime, se mëkatari, i cili bën mëkate të mëdha: a e meriton cilësimin “mumin”, apo vetëm atë “muslim”, duke e ditur se gradët e besimtarëve janë tri: e para “muhsin”, e cila është më e vlefshmja, e dyta “mumin”, e cila është më e ulët se e para dhe më e ulëta e tyre ajo e treta “muslim”. Disa nga ata e lejuan t’i thuhet mëkatarit, i cili ka rënë në mëkate të mëdha dhe akoma nuk është penduar “mumin me iman të dobët”. Kurse grupi tjetër i tyre këtë lloj njeriu e quajtën me epitetin më të ulët, pra, atë të tretin “muslim”. Të dy grupet e dijetarëve janë nga dijetarët e Ehli Sunetit dhe secili ka argumentet dhe arsyetimet e veta, mirëpo nëse ndalemi dhe i analizojmë të dy mendimet e tyre shohim se janë të përafërta dhe nuk kanë ndonjë dallim ekstrem, sepse edhe ata që e lejuan të quhet ky njeri me emrin “mumin” e kushtëzuan atë me sqarimin e mëpasshëm, i cili thotë: “mumin me iman të dobët”.

Sa i përket besimtarit, i cili bën mëkate të vogla dhe largohet nga ato të mëdhatë, nuk ka dyshim se nuk largohet nga ai epiteti “mumin”.

Pra, besimi i ngjan një petku, të cilin kur e vesh njeriu sa më tepër t’i shtojë stof, aq më tepër do t’i mbulohet trupi, ndërsa aq sa ta mungojë atë, aq më tepër i zbulohet trupi. Kështu edhe imani sado t’i shtosh adhurimet, imani do të shtohet e sado që njeriu futet në mëkate, aq edhe zhvishet nga besimi.

“Askush nga ju”

Me këtë fjalë të Resulit sal-Allahu alejhi ve selem, së pari përfshihen sahabët e pas tyre të gjithë besimtarët kudo ku janë në botë. Pra, me të janë si qëllim vetëm muslimanët e jo kafirët, kjo për dy shkaqe, e para për faktin se i Dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, me këtë fjalë iu drejtua besimtarëve dhe e dyta kafirët e patën këtë veti apo jo, ata në të dyja rastet janë jobesimtarë. Gjithashtu hyrja e tyre në xhenet së pari kushtëzohet me besim e pastaj vijnë punët tjera, siç janë respektimi i të tjerëve, mirësjellja ndaj tyre etj., dhe se nuk do të thotë që ata nëse ua duan të mirën të tjerëve, kjo nënkupton edhe futjen e tyre në xhenet duke mos qenë muslimanë. Kjo assesi nuk do të ndodhë me asnjë jobesimtar, pa marrë parasysh sa është i sjellshëm dhe human me të tjerët. Hyrja në xhenet është e kushtëzuar me hyrjen në Islam dhe praktikimin e tij, sepse feja e vetme e pranuar tek Zoti është Islami. Sa i përket vetive dhe punëve të tyre të mira, pa dyshim se ato as jomuslimanëve nuk do t’u shkojnë huq, ata do të shpërblehen për ato punë, mirëpo ky shpërblim do të jetë në këtë botë, siç është arritja e autoritetit, pozitës, pasurisë, mirënjohjes nga të tjerët etj. E nuk do t’u mbetet asnjë e mirë për në botën tjetër. Këtë rregull që përmendëm është një fakt i gjallë, të cilin e vërejmë tek shumë njerëz të kohës apo shekullit tonë, të cilët me të vërtetë kanë qenë mirësjellshëm, humanë dhe të interesuar për të tjerët, mirëpo e kanë marrë shpërblimin e tyre në këtë botë duke i quajtur me emrat e tyre shkollat, rrugët dhe institucione të tjera, apo duke u ndërtuar përmendore dhe të ngjashme me to, në kujtim të tyre. Ai ka qenë shpërblimi i Zotit për ta dhe nuk u ka mbetur asgjë për botën tjetër.

“Derisa nuk dëshiron për vëllain e tij”

Me fjalën “vëlla” është si qëllim vëllai nga feja, pra, besimtari. I Dërguari fjalën “vëlla” e përmend në mënyrë të përgjithshme, që të na japë me këtë fjalë të kuptojmë se besimtarin e ke vëlla, pa marrë parasysh kush është ai, apo nga është dhe cila ka qenë historia jote më herët me të. Ky njëherit është edhe udhëzim i Allahut të Lartësuar, që i quan besimtarët ndërmjet tyre vëllezër. Ai thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër.” Huxhurat, 10.

Edhe pse tek ne apo edhe në vende të tjera të botës fjala vëlla nënkupton vëllain nga babai e nëna, apo nga njëri prej tyre, në Islam prioritet më të madh i kushtohet atij nga feja e sidomos nëse ai nga prindërit nuk është musliman. Mirëpo nëse vëllai nga prindërit është besimtar, atëherë ai ka dy të drejta tek vëllai i vet, atë të gjakut dhe atë të fesë.

“Atë që dëshiron për vete”

Me këtë fjalë është si qëllim t’ia duash të mirën vëllezërve, siç ia do vetes tënde, e jo të mos duash për ta çdo gjë që do për vete, e mirë qoftë ajo apo e keqe. Ngase ka njerëz që nga injoranca e tyre ndodh të duan apo të kërkojnë për vete edhe diçka, e cila është e keqe dhe e dëmshme për ta. Këto që po i themi i sqaron hadithi i të Dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, në të cilin thotë: ““Njeriu nuk arrin shkallën e plotë të besimit derisa nuk ia do vëllait të tij atë të mirë që ia do vetes së vet”.(Ahmedi.)

Të duash për të tjerët atë të mirë që do për veten, me të vërtetë që është shkallë e lartë e besimit, e cila nuk mund të arrihet lehtë. Ajo vërehet vetëm tek besimtarët e sinqertë, të cilët e kanë edukuar veten e tyre me shumë ngulm dhe kanë arritur të zotërojnë epshet e veta, të cilat gjenden në zemrën e çdo njeriu. Kjo ka qenë cilësi e besimtarëve të hershëm, të cilët para se ta bënin një punë ndaleshin së pari dhe e mendonin: a do të ishte mirë sikur të njëjtën gjë t’ua bënte tjetërkush atyre. Nëse u pëlqente e vepronin, kurse në të kundërtën jo. Aq shumë kishin kujdes t’ua donin të mirën vëllezërve të tyre, sa edhe kur shisnin ndonjë kafshë, e cila nuk i bënte rehat, atij që donte ta blinte ia tregonin çdo dobësi dhe i thoshin: “unë po e shes, sepse nuk jam i kënaqur vetë me të e ti nëse dëshiron merre e nëse nuk dëshiron atëherë lëre”.

Është kusht që vëllezërve t’ua dëshirosh të mirat e kësaj bote, si dhe ato të botës tjetër. Nuk duhet pasur aspak zili mes vete, përkundrazi nëse vëllai besimtar ngec ai duhet ndihmuar, që të arrijë nga mirësitë e të dy botëve, aq sa ke arritur ti e edhe më shumë. Kjo, nëse ata janë mbrapa teje në këto gjëra, e nëse ndodh të jenë para teje, atëherë besimtari në çështjet e fesë duhet të mundohet t’i arrijë ata, bile të bëhet më i mirë sesa ata, sepse garimi në fe për vepra të mira është prej mësimeve islame dhe punëve të ndershme. Sa i përket çështjeve të kësaj bote besimtari duhet të kënaqet me atë që i ka caktuar Allahu, mirëpo edhe nëse angazhohet për t’i arritur ato, atëherë kjo do të ishte e lejuar, nëse një angazhim i tillë do ta ndihmonte për ngritjen e devotshmërisë dhe nuk do ta pengonte në kryerjen e detyrimeve fetare. Zoti na bëftë të gjithëve prej atyre që ia duam të mirën të tjerëve siç ia duam vetes sonë! Amin!

 

Lulzim Mehmet Susuri

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

Must Read