BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirO ju që keni besuar, hyni në Islam tërësisht!

O ju që keni besuar, hyni në Islam tërësisht!

 

Thotë Allahu i lartësuar në suren El Bekare ajetet 208 – 209:

 

208. O ju që keni besuar, hyni në Islam tërësisht e mos ndiqni hapat e shejtanit, se ai është armiku juaj i hapur.

209. E nëse devijoni, pasi ju kanë ardhur argumentet e qarta, dijeni se Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë.

 

Shpjegimi i ajeteve

– “O ju që keni besuar, hyni në Islam tërësisht”

Ky është një urdhër i Allahut të Lartësuar, drejtuar të gjithë besimtarëve, që ata të hyjnë tërësisht në Islam. Pra, ata urdhërohen që t’i zbatojnë të gjitha dispozitat e Islamit, duke mos lënë asnjërën prej tyre. Kështu, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të mos bëhen si ata që adhurojnë vetëm pasionet dhe dëshirat e tyre të shfrenuara dhe të padrejta, të cilët, nëse Sheriati u përshtatet me dëshirat e tyre, e ndjekin dhe e zbatojnë pikë për pikë, por nëse Sheriati bie ndesh dhe dëshirat e tyre, atëherë ata e braktisin atë.

Me fjalë të tjera, në këtë ajet Allahu i Lartësuar na urdhëron që dëshirat dhe synimet tona t’ia nënshtrojmë Sheriatit dhe fesë së zbritur nga Ai. Njeriu është i urdhëruar që të kryejë vepra të mira aq sa të ketë mundësi. E nëse shikon se disa prej tyre i ka të pamundura t’i realizojë, atëherë le vendosë me zemër se do t’i bëjë dhe të japë maksimumin, sepse kështu, edhe nëse nuk e arrin qëllimin, do të marrë shpërblimin njëlloj si për kryerjen e tyre. Të hysh tërësisht në Islam, në të gjitha aspektet e tij, nuk është e mundur pa kundërshtuar rrugët e shejtanit. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë menjëherë pas urdhrit të parë:

 

– “…e mos ndiqni hapat e shejtanit, se ai është armiku juaj i hapur.”

Hapat e shejtanit janë veprat që kundërshtojnë porositë e Zotit. Nga ana tjetër, dihet se armiku yt i deklaruar kërkon veçse të keqen tënde, prandaj të shtyn në çdo gjë që është në dëmin tënd. Por, me gjithë këto paralajmërime dhe udhëzime, njerëzit përsëri mund të neglizhojnë, prandaj Allahu i Lartësuar sjell një tjetër kërcënim, në mënyrë që ata të jenë gjithmonë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm:

 

– “E nëse devijoni, pasi ju kanë ardhur argumentet e qarta, dijeni se Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë.”

Kuptimi: Nëse ju devijoni, edhe pasi ju është dhënë dije e sigurt dhe e qartë për përfundimin e të pabindurve, atëherë kujtoni se Allahu është i Plotfuqishëm (Azîz) dhe i Urtë (Hakîm). Ky është vërtet një kërcënim shumë i frikshëm dhe i ashpër, që të shtyn të jesh i kujdesshëm ndaj çdo veprimi që mund të çojë në humbje, sepse Allahu i Lartësuar është Azîz dhe, si i tillë, Ai e ndëshkon atë që nuk i bindet dhe devijon, dhe sepse Allahu është Hakîm, prandaj i jep çdokujt atë që i takon.

 

Tefsiri i Sadit

Përktheu: Uthman Agolli

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read