BallinaARTIKUJHadith dhe SunetO Zot më ruaj nga veset e poshtëruese

O Zot më ruaj nga veset e poshtëruese

Transmeton Enes ibën Maliku se e dëgjonte Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë:

“O Zoti im, kërkoj mbrojtjen tënde nga përtacia, kërkoj mbrojtje nga frika, nga pleqëria e thellë dhe nga koprracia”

Në një transmetim tjetër ceket edhe:

“Kërkoj mbrojtje nga pamundësia, nga sprova e jetës dhe e vdekjes dhe nga dënimi i varrit”

Zinxhiri i hadithit:

Hadithin e parë me këtë radhitje e shënon Buhariu në sahihun e tij nr. 6371 kurse hadithit e dytë e shënon Buhariu, nr. 2823 dhe Muslimi, nr. 2706.

Këto dy tekste të përmendura janë dy hadithe të ndara nga njëri tjetri mirëpo nëpër librat e hadithit ekzistojë edhe tekste apo lutje tjera që i ka bërë Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, përmes të cilave ka kërkuar nga Allahu Fuqiplotë që ta mbrojë nga shumë të këqija, prej tyre janë edhe: Sprova e Dexhalit, ajo e borxhit të madh që nuk ka shpresë për larjen e tij, mos-bërja ballë njerëzve, nga telashet, mërzia, etj. të cilat nuk kemi mundësi t’i shtjellojmë në këtë temë ku mu për këtë shkak veçuam disa prej tyre të cilat ndërlidhen mes vet.

Komenti hadithit:

Këto lutje ishin nga më të shpeshtat që i përsëriste i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem. Disa i shpeshtonte në namaz e disa të tjera gjatë dhikrit në përgjithësi, por kishte raste kur i lexonte edhe nëpër hutbe, në fund të ligjëratave etj. ishte edukatë e tij që t’i thoshte shpesh fillimisht për ta edukuar veten e tij qe duhet kërkuar mbrojte vetëm nga Allahu e jo nga vetja, i thoshte edhe me zë dhe nëpër fjalime që të tjerët t’i mësonin e t’i praktikonin. Këto lutje janë shumë të rëndësishme dhe kanë lidhje me jetën e përditshme të besimtarit.

Lutjet në hadith do t’i ndanim në dy grupe kryesore: grupi parë janë ato që kanë të bëjnë me jetën e përditshme: siç janë: përtacia, frika, koprracia, pamundësia dhe sprova e jetës. Ndërsa grupi i dytë i lutjeve është ai që ka të bëjë me pleqërinë e njeriut si dhe kohën pas vdekjes së tij, ato janë: mbrojta nga pleqëria e thellë, nga sprova e vdekjes dhe nga dënimi i varrit. Secila prej tyre ka domethënie në vete dhe nuk është patjetër që të ndërlidhen mes vete, kam për qëllim se i lejohet besimtarit që t’i veçojë apo t’i ndajë me përmendje dhe ta shpeshtojë kërkimin mbrojte nga Allahu më shumë prej atij vesi të cilin ai mendon se e ka në vete më shumë se veset e tjera. psh. nëse ndien se është koprrac por nuk vëren se është frikacak atëherë e shpeshon lutjen kundër koprracisë më shumë se ajo kundër frikës edhe pse më mirë do të ishte prapë që të përfshiheshin në përmendje të gjitha së bashku.

Është për tu habitur se secila lutje e përmendur në këtë hadith e kundërtën e saj nëse ekziston tek myslimani shkakton pasoja shumë të mëdha dhe çdonjëra merr me vete nga një vetitë pozitive të besimtarit. 1-Përtacia nëse fillon të ndihet tek njeriu ajo dalëngadalë ja mbytë zotësinë dhe aftësitë e njeriut të cilat ai mund t’i posedojë andaj edhe duhet luftuar ky ves. 2- Frika e vdes trimërinë tek myslimani. 3- koprracia e mbytë bujarinë. 4- pamundësia dalëngadalë e merr me vete çdo vullnet të njeriut pra ka njerëz që kanë dëshira ëndrra dhe vullnet për punë të caktuara por nuk ju jepet mundësia apo shansi për t’i bërë ato punë që i duan e kështu nga kjo pamundësi me kalimin e kohës edhe vdes pa u vërejtur ku ka raste që njerëzve të caktuar nëse ju është kërkuar pas shumë kohësh ta bëjnë një punë që dikur e dashuronin ata hoqën dorë aq thjeshtë sa ishte për tu habitur si ndodhi por kjo është e ditur, pra kishin vdekur ambiciet tek ta, andaj njeriu duhet munduar që ta bëjë çdo punë të hajrit sa më shpejtë që i jepet mundësia se ndoshta do të vijë dita që të mos mund ta bëjë atë vepër të caktuar apo të vijë dita që të mos ketë vullnet për diçka të tillë. 5-sprova e jetës njeriun e dalldis në forma të ndryshme kjo varet prej llojit të sprovës që mund ta godet. Sprovat në jetë janë të ndryshme prej tyre më e rrezikshmja është sprova e mosbesimit-Allahu na ruajë! E pastaj vijnë sprova e dyshimeve në fe, e epsheve, e pasurisë, familjes, e shumë tjera të cilat nuk kanë fund.

Këto janë lloji i parë i lutjeve t Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, në këtë hadith, kurse lloji i dytë i cili thamë se ka të bëjë me pleqërinë, vdekjen dhe botën tjetër janë si ë vijim:

1-Pleqëria e thellë në shumicën e rasteve është sprovë dhe rrallë herë ndodhë që njeriu të përfitojë prej saj. Zakonisht me pleqërinë e thellë nëpër hadithe synohet ajo me të cilën njeriu ndodhë të mos mbajë mend, ta humbë vetëdijen, të mos e respektojnë të tjerët, të flasë gjëra të papëlqyera, t’i ngatërrojë kohët, anëtarët e familjes etj. gjithashtu sjellja e keqe e fëmijëve të cilët në shumicën e rasteve mërziten me pleqtë e moshuar shumë, ka raste kur pleqëria e thellë shoqërohet me sëmundje dhe dergja të shumta të cilat janë të lodhshme si për plakun ashtu edhe për kujdestarët e tij. Kjo lloj pleqërie është për qëllim në hadith dhe pleqëri që mund t’i ngjasojnë kësaj dhe assesi nuk synohet pleqëria e cila është e shëndoshë dhe kalon në adhurim ndaj Allahut. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, i mësonte shokët e tij që të kenë kujdes të mos e duan jetën por s të mos e urrejnë atë e kështu të luten në favor të njërës apo tjetrës mirëpo i këshillonte që tët luten për jetë të gjatë nëse është më hajër për ta dhe e kundërta i këshillonte që të luteshin për vdekje të shpejtë nëse vdekja është më hajër për ta. Pra kjo është forma më e mirë e të luturit dhe të shpresuarit nga Allahu për jetëgjatësi ose jo. Ndërsa në anën tjetër të gjithë e dimë se Allahu e pat marrë tek Vetja e Tij, Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem, në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçare. Moshë kjo mesatare e anuar kah pleqëria (mosha e tretë).

2- Sprova e vdekjes: me të synohet çdo telashe e cila i ndodhë myslimanit në momentin e vdekjes së tij. Çasti i vdekjes është i vështirë, përplot me telashe dhe shpirti e trupi vuajnë nga gazepi. Gjithashtu nuk janë më të lehta as edhe telashet e shejtanit i cili vjen në ato çaste dhe mundohet ta largojë nga rruga e Zotit, ta detyrojë të bëjë kufër, duke e mashtruar e duke i dhënë shpresë për jetë. Vjen duke i futur dyshime në fe të cilat ka raste që edhe të gjejnë zemra të dobëta që i pranojnë ato. Në momenti që vijnë melekët e marrjes së shpirtit në krye me jelekun e vdekjes i shpalohet dhe largohet çdo perde dhe fillon ta sheh realitetin e botës tjetër dhe mashtrimet e kësaj bote, në anën tjetër po këta melek fillojnë të ja nxjerrin shpirtin duke nisë nga filimi i gishtave të këmbës e derisa të ja mbledhin në gropë të fytit e pastaj duke ja nxjerrë nga goja. Çaste këto të rënda të shoqëruara me frikë dhe mashtrime të shejtanin i cili i vjen njeriut në formë të mirë duke i thënë se unë mund a zgjasë jetën unë jam zoti, etj. duke e mashtruar me fjalë nuk ja jep mundësinë për të rënë shehadet apo dikujt për tu penduar (edhe pse pendimi i këtij çasti është i vonshëm dhe i pa pranuar). Unë do të kisha thënë se nga të gjitha këto vështirësi të çastit të vdekjes më e rënda për njeriun është sprovat e shejtanit dhe grackat e tij, duke mos mohuar vështirësinë e daljes së shpirtit por ajo edhe pse është e rëndë dëmi i saj vazhdon vetëm derisa të dale shpirti dhe me aq përfundon kurse nëse shejtani e mashtron njeriun pasojat e këtij mashtrimi veçse fillojnë nga ai moment e deri në pafundësi.

3- Sprova e dënimit të varrit: pas vdekjes njeriu kalon në një jetë tjetër, atë të “berzahut”-apo të varrit, jetë kjo e cila fillon nga momenti i daljes së shpirtit e deri në Ditën e Kijametit pra deri në fillimin e gjykimit të njerëzve për t’i shpërblyer apo dënuar sipas punëve të tyre. jeta në varr nisë me ardhjen e dy melekëve për të marrë njeriun në pyetje të cilët e pyesin: kush është zoti yt, feja jote dhe profeti yt? Njeriu nëse di t’i përgjigjet këta melek shkojnë duke e përgëzuar se çdo çast që vjen pas atij momenti do të jetë më i gëzuar për të dhe prej aty fillojnë shpërblimt e Zotit për tu kurorëzuar me futjen në Xhenet dhe të shikuarit në Fytyrën e Ndritshme dhe të Shenjt të Allahut. Qafirit i ndodhë e kundërta, pasi ai nuk do të dijë të përgjigjet atëherë këta melek pasi e frikësojnë me fizionomitë e tyre të frikshme q do të shndërrohen në to edhe e rrahin duke e “përgëzuar” me dënim nga ai moment e deri në pafundësi. Kështu fillon dënimi i varrit prej të cilit ka kërkuar shpëtim Profeti ynë, sal-lallahu alejhi ue selem. Në fakt si fillimi i shpërblimit ashtu edhe i dënimit në varr sipas mendimit më të saktë të cilin e mbrojnë argumentet ai ndodhë vetëm shpirtërisht duke mos u ndikuar trupi nga to. Fillimi i jetës në varr, shpërblimi dhe dënimi janë përgëzim i myslimanit për Xhenet ose kërcënim i qafirit për Xhehenem, andaj ndryshe varri quhet fillimi i apo nisja e jetës në njërën nga shtëpitë e para të ahiretit-botës tjetër, gjë që jep të kuptojmë se lutja nga shpëtimi i këtij lloj dënimi në fakt përmban dhe fshehë në vete lutje nga zjarri i Xhehenemit sepse kush nuk dënohet në varr ai nuk do të dënohet as në botën tjetër dhe kush shpërblehet në varr ai do të shpërblehet edhe në botën tjetër dhe e kundërt, kush dënohet në varr dënohet edhe në Xhehenem, Allahu na ruajt prej tij!

Këto lutje në përgjithësi përveç mbrojtjes nga sprova e jetës, e vdekjes dhe dënimi i varrit të tjerat nuk transmetohet se cekeshin në ndonjë kohë të veçantë nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, por ato bëheshin kohë pas kohe dhe në raste të ndryshme, në xhemat, në fjalime e ligjërata, etj. ndërsa sprova e jetës, vdekjes dhe dënimi i varrit ishte traditë profetike që të thuheshin thuajse gjithmonë në fund të namazit pasi përfundonin së lexuari t gjitha lutjet paraprake që i dimë dhe i themi të gjithë në namaz.

24/04/2011

Shkruan: Lulzim Susuri

 

Burimi: http://ehlihadithi.com/

 

http://islamifejaevertete.com

 

 

Must Read