BallinaARTIKUJHadith dhe SunetPasojat negative të mëkatit

Pasojat negative të mëkatit

Ebu Hurejre transmeton se Profeti, sal-lallahu alejhi ve selem, thotë‘Njeriu kur bën mëkat i shënohet një pikë e zezë në zemër, nëse pendohet i pastrohet zemra e nëse vazhdon atëherë i nxihet e tërë zemra’’ (Shënon Tirmidhiu, Nesaiu, Ahmedi dhe Hakimi me sened të vërtetë). 

Besimtari duhet të besojë me bindje të plotë se Allahu e sheh çdo gjë, qoftë ajo e haptë apo e fshehtë. Andaj duhet larguar prej mëkateve me çdo kusht ngase ato janë më të rrezikshme për zemrën se sa helmi për trupin. 
Nuk ka në sipërfaqe të tokës asnjë sëmundje, sprovë, problem veçse shkak i tyre janë mëkatet. Ato ishin shkak për nxjerrjen e Ademit, alejhi selam, nga xheneti pasi mëkatoi duke e ngrënë pemën e ndaluar,  largimin e Iblisit nga mëshira e Allahut pasi nuk i bëri sexhde respekti Ademit, u fundos populli i Nuhut, alejhi selam, pasi nuk ju bindën urdhërave të tij kurse populli i Lutit kur u shfrenuan duke tejkaluar çdo kufi të pandershmërisë Allahu i ngriti deri në qiell, sa melekët e dëgjuan këngën e gjelave dhe pastaj i përplasi teposhtë duke i kthyer me kokë poshtë dhe duke i përmbytur.

Nuk ka vend në të cilin futen mëkatet vetëm se, herët ose vonë, e shkatërrojnë, zemrat i verbojnë, trupin e dënojnë dhe çdo umet, sia para Zotit ashtu edhe para popujve tjerë e nënçmojnë.
Aliu, radijallahu anhu, thotë: “Pas çdo mëkati zbret një problem, kurse pas çdo pendimi fshihet një gjynah’’
Zoti asnjë njeriut nuk i bën padrejtësi, pa marrë parasysh ky rob a është i devotshëm apo jo. Ai edhe kur ju sjellë robërve ndonjë telashe apo kur i godet fatkeqësia duhet ta dinë se Zoti nuk ju ka bërë padrejtësi por ata e kanë merituar dënimin për shkak të punëve të tyre që i kanë bërë me duart e veta. Njerëzit janë vet ata që me duart e tyre bëhen shkaktarë për tu ardhur problemet dhe për t’i merituar ato. 
Mu për këtë që përmendëm ë lartë Allahu tregon në Kuran me fjalën e Tij: “Çdo e keqe që u godet nuk është asgjë tjetër veçse produkt i asaj që punoni me duart tuaja, e edhe shumë tjera Ai ua falë” (S: Shura, 30)

Mëkatet janë shkak për ndaljen e shiut, borës, riskut, dhe çdo mirësie tjetër. Ato janë shkak për mos dëgjim të gruas dhe mosrespektim nga fëmijët.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve selem, thotë: ‘Njeriut i ndalet risku për shkak të mëkateve që i bën’’ (Shënon Nesaiu, Ibën Maxhe etj. me sened të mirë).
Në një hadith tjetër ai thotë: ‘Nuk e ndalin njerëzit së thëni zekatin veçse do tu ndalet shiu, e sikur mos të ishin kafshët –të cilat nuk kanë faj- kurrë nuk do tu zbriste shi’’(Shënon Ibën Maxhe me sened sahih).

Mëkatet janë shkak për nënçmim nga të tjerët, qofshin këta popuj apo individë, ai e largon udhëzimin nga zemrat, i nxinë ato duke i pushtuar me errësirat e tij të ndryshme mëkatore.
Ebu Hurejre transmeton se Profeti, sal-lallahu alejhi ve selem, thotë: ‘Njeriu kur bën mëkat i shënohet një pikë e zezë në zemër, nëse pendohet i pastrohet zemra e nëse vazhdon atëherë i nxihet e tërë zemra’’ (Shënon Tirmidhiu, Nesaiu, Ahmedi dhe Hakimi me sened të vërtetë).

Andaj nuk ka dyshim se nëse njeriu çdo mëkat e mason me një mëkat tjetër prapë me një tjetër e kështu nuk di të ndalet atëherë çfarë pret prej atij personi veçse nxirje dhe vdekje të zemrës kurse në fakt gjallëria e njerëzve nuk matet me gjallëri të trupit por atë të zemrës, e sa njerëz ecin dhe jetojnë në mes të gjallëve ndërsa në fakt ata janë të vdekur për shkak të mëkateve ngase jeta e tyre ka marr fund dhe ajo çfarë u ka mbetur nga minutat që jetojnë nuk ju duket asgjë tjetër veçse dënim i asaj çfarë kanë vepruar.

Mëkati e shëmton njeriun, si në fizionomi ashtu edhe në sjellje, ja nxinë fytyrën duke i bërë të tjerët që ta urrejnë nga shikimi apo takimi i parë. Kjo e kundërta e devotshmërisë e cila sjellë bukuri në sjellje, dritë në fytyrë dhe respekt nga të tjerët. 
Ibën Abasi, radijallahu anhuma, thotë: “Mëkati sjellë shëmtim në fytyrë, terr në varr,dobësi në trup, mangësi në risk, dhe atë njeri e urrejnë zemrat e të tjerëve)”

Zakonisht mëkatari, e sidomos ai që shikon harame, nuk ka mundësi të mbajë mend shumë, aq më tepër Kuranin, sepse Kurani është dritë e cila assesi nuk mund të bashkohet në një zemër me terrin e mëkateve. 
Njëri prej dijetarëve të selefit thotë: “E harrova Kuranin pasi e dija përmendësh për shkak të një mëkati që e pata bërë para dyzet viteve

 

Mëkatet ndahen në mëkate të mëdha dhe aso të vogla. Mëkati më i madh i mundshëm është shirku ose kufri dmth. t’i shoqërosh dikë Allahut në adhurim dhe gjërat tjera të posaçme që i takojnë vetëm Atij apo ta mohosh vet Allahun, Zoti na ruajt. Pastaj vijnë mëkatet tjera ndaj Zotit, pas mëkatit ndaj Allahut vijnë mëkatet ndaj fesë dhe të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, kjo duke mos i kryer urdhrat fetare, duke e përqeshur fenë, duke e mohuar profecinë e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, ose duke i kundërshtar mësimet e tij. Pastaj vijnë mëkatet ndaj prindërve e kështu me radhë. 
Mëkatet e mëdha ndryshe mund t’i ndajmë edhe në mëkate që futen në radhët e kufrit dhe tjera që janë të mëdha por jo në radhët e mosbesimit. Ato që konsiderohen kufër assesi nuk falen kurse tjerat janë nën mëshirën e Allahut. Mirëpo kjo nuk nënkupton që të anashkalohen dhe të mos u kushtohet kujdes i veçantë ngase Allahu sa është Mëshirues Ai aq edhe është Ndëshkues, sidomos për ata që e hidhërojnë dhe në mëkate vazhdojnë.

 

Besimtari gjithashtu nuk duhet t’i anashkalojë edhe mëkatet e vogla sepse ato sado të vogla që të jenë por nëse punohen vazhdimisht atëherë bëhen të mëdha. 
Një fjalë e urtë thotë: ‘Nuk mbetet mëkat i vogël me vazhdim në to –pra ato shndërrohen në të mëdha- dhe nuk mbetet mëkat i madh me pendim nga ai –pra i falë Allahu-“
Mëkatet nuk maten se sa janë të vogla por duhet ta shikohet madhështia e Atij ndaj të Cilit bëhet mëkati, sepse nuk është shumë me rëndësi se çfarë mëkati bën por me rëndësi është se urdhrin e kujt po e shkelë.
Bishri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sikur njerëzit do të mendonin në madhështinë e Allahut kur nuk do t’i bënin mëkat Atij”.

Andaj ke kujdes kur je në vetmi, kur e mbyllë derën natën në shtëpi mos të mashtrojë shejtani duke të futur në mëkat sepse edhe nëse askush nuk të sheh, mos harro se të sheh Ai të Cilit asgjë nuk mund ti ik nga shikimi dhe dituria e Tij, as ditën e as natën, haptas apo fshehtas,  andaj a nuk mjafton madhështia e Allahut që ti të kesh turp nga mëkatet edhe në këtë gjendje ?! Nëse të sheh Allahu a ka nevojë që edhe dikush tjetër të sheh për tu larguar prej mëkatit” nëse kështu nuk analizohen gjërat dhe me këtë logjikë nuk llogariten ato atëherë mjerë për atë i cili i llogaritë me matematika tjera të cilat nuk do të kenë rezultat.

Askush nuk duhet të harrojë se mëkati është borxh në qafën e mëkatarit me të cilin ai i ka hyrë borxh Allahut, të Lartësuar, andaj a nuk e di se çdokujt kur i hyn borxh edhe duhet t’ia kthesh borxhin, a harron se Zotit duhet kthyer borxhi gjithsesi e nëse mund t’i ikësh njerëzve duke u larguar dhe shpërngulur nga vendbanimet e caktuara, ku do t’i ikësh Allahut të të Cilit janë e tërë gjithësia dhe çka ka në të dhe tek Ai është kthimi sot ose nesër.
Ebu Derdai, radijallahu anhu, thotë: “Allahu mirësitë e bëra t’i  paguan por edhe mëkatin nuk ta harron”.

Mëkatet aq sa ndikojnë tek vet personi ndikojnë edhe tek familja, shtëpia dhe të afërmit e tij, për këtë shkak sheh se familjet e mëkatarëve zakonisht janë sikurse vet mëkatari, fëmijët e pa edukuar, problemet e shumta dhe të pandërprera në shtëpi, aspak tek ta nuk ka begati, respekt dhe dashuri familjare.
Fudejl b. Ijadi thotë: “Sa herë kam bërë mëkat veçse e kam vërejtur një gjë të tillë tek gruaja dhe kafsha ime”.

Njeriut mëkatar është shumë arsye e logjikshme që gruaja, fëmijët etj. t’i bëhen sikurse vet ai, ngase i ushqen me haram, i veshë-mbathë dhe i rritë me haram, andaj është shumë e logjikshme të edhe ata bëhen të këqij duke i ngjasuar atij që është përgjegjës i tyre. mirëpo ky rregull duhet ta dimë se gjithmonë nuk është valid ngase ka raste kur Allahu nga qafirët më të mëdhenj nxjerrë pasardhës të cilët bëhen shërbëtor të zellshëm të Islamit. Rregulli ynë në fjalë është i vlefshëm për shumicën e rasteve, si shkak i mosinteresimit prindërorë e pësojnë edhe fëmijët sepse ata anojnë andej kah i orientojnë të përgjegjësit e tyre. 
Patjetër dikur do ta paguaj secili mëkatar mëkatin e tij herët apo vonë, në këtë botë apo në botën tjetër kështu që njeriu nuk duhet të gëzohet pas mëkatit nëse nuk e godet ndonjë fatkeqësi, sepse ato patjetër dikur do ta godasin. Gjithashtu në anën tjetër asnjë besimtarë nuk duhet të habitet me faktin pse disa mëkatarë Allahu nuk është duke i dënuar por po i lë në qetësi, ngase askush të mos harrojë se dënimi më i dhimbshëm është ai i botës tjetër.

Mëkatet janë shkak për ta larguar njeriun nga adhurimet dhe për t’ia vështirësuar ato, sepse njeriut nëse i nxihet zemra nga mëkatet e shumta njëherit kjo do të thotë se mëkatet  zemrën e tillë e kanë pushtuar dhe e kanë bërë rob të vetin dhe lozin me të si të duan ashtu siç lozet me çdo rob. 
Një njeri njëherë e pyeti Hasan el-Basriun duke i thënë: “Në mbrëmje bie në gjumë duke vendosur që ditën e nesërme t’i kryej disa adhurime të caktuara, por nesër assesi nuk më mundësohet një gjë e tillë, e kështu veproj çdo natë dhe ditë, ku qëndron shkaku”?. Hasan el-Basriu ju përgjigj: “Mëkatet e tua të kanë lidhur dhe të kanë bërë rob të vetin e nuk të lënë që t’i realizosh qëllimet e mira”.
Sufjan Thevriu thotë: “Nuk munda të ngrihem natën pesë muaj për një mëkat që e pata bërë”

Sa njerëz i ndalon ushqimi haram nga namazi i natë, sa shikime në nder të huaj janë shkak për ta ndaluar robin nga shikimi në Kuran dhe leximi në të !!!
Nëse dikush e ka harruar Kuranin për një mëkat, nuk ka mundur të ngritët natën për namaz nafile pesë muaj etj. a thua çfarë mund të jetë gjendja e atyre të cilët çdo ditë dhe natë, në shtëpi dhe në rrugë, vetëm dhe më të tjerë nuk ndalen nga mëkatet. Bile tek disa prej tyre origjinë në jetë e kanë mëkatin kurse punët e mira ose i kanë harruar ose i punojnë shumë rrallë.

Përmirësohu kështu:

  1. 1.Besimtari e ka obligim si mëkatet ashtu edhe mëkatarët t’i bojkotojë mos të rri me ta sepse ata e tërheqin kah e keqja.
  2. 2.Duhet të vrapojë kah shokët e mirë të cilët do ta ndihmojnë për të mira dhe të mbara.
  3. 3.Besimtari duhet ta ndiej madhështinë e Allahut para se ta bëjë mëkatin dhe të mendojë se një ditë do të pyetet për këtë mëkat fije për pe.

Omeri, radijallahu anhu, kur u dridh toka në Medine i mblodhi banorët e saj dhe u tha: “Kjo ndodhi për shkak të mëkateve, andaj nëse ndodhë edhe një herë nuk do të jetoj me ju në këtë vend”

  1. 1.Pendohu për çdo mëkat të bërë dhe mërzitu për ta.
  2. 2.Mos u kthe më kurrë në mëkate kurse ato të kaluarat gjithashtu mos i harro, por pendohu për to sa të mundesh, së paku pendohu në ditë njëqind herë siç vepronte i Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem. (Shënon Muslimi)
  3. 1.Pas çdo mëkati merr abdes dhe fali dy rekate e pastaj kërko falje prej Zotit tënd, e Ai veçse do ta falë.këtë këshillë merre nga mësuesi yt, Muhamedi sal-lallahu alejhi ue(Trasmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu,Nesaiu dhe Ibën Maxhe.)

 

  1. 1.Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, gjithashtu thotë: “Një njeri bëri mëkat e ju drejtua Allahut duke i thënë: O Zoti im, bëra mëkat, andaj kërkoj të ma falësh”! Allahu atëherë tha: “Robi im bëri mëkat, dhe e diti se ka Zot i cili ja falë mëkatet (dhe mu drejtua me lutje), andaj edhe unë do t’ia fali”

(Trasmeton Buhariu dhe Muslimi).

Nuk ka më mirë se vetëdijesimi për rrezikun e mëkateve sepse një gjë e tillë ndikon në përmirësimin e vetes, e kush e llogaritë dhe e përmirëson veten shumë dhe shpesh në këtë botë ai, pak do të llogaritet nga Allahu në botën tjetër.

SHKRUAN: Lulzim Susuri 

22/1/2007.

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

Must Read