BallinaTEZKIJEMëkatët dhe PendimiPendimi i Habib Ebu Muhamed

Pendimi i Habib Ebu Muhamed

Pendimi i Habib Ebu Muhamed

Me të vërtetë shejtani ka arritur sukses në devijimin e shumë njerëzve nga rruga e vërtetë. Ai ka premtuar për këtë gjë, siç jemi njoftuar nga Zoti ynë më i Larti në Kur’an:

Mandej do t’ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!”(el Araf:17)

Prej kurtheve të panumërta të djallit është mashtrimi i tij i vazhdueshëm i bijve të Ademit që të vonojnë pendimin e sinqertë tek Allahu Te’ala.

Ai është i zellshëm që të realizojë këtë nëpërmes shumë mënyrave dhe strategjive ogurzeza. Për këtë arsye Allahu i madhëruar i ka informuar robërit e Tij se çdo gjë që ndodh në jetën e njeriut nga fatkeqësitë është rezultat direkt ose indirekt i saj se çfarë ka punuar me duart e tij. Allahu më i Larti thotë, në ajetin 30, të sures Shu-ra:

Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.

Shejh Abdurrahman Es-Sa’di ka thënë:

Allahu na informon në këtë ajet se personi nuk preket me një sprovë qoftë në trupin, pasurinë, fëmijët e tij, ose në çfarëdo që e do ai, por kjo ndodh veçse si pasojë e asaj se çfarë mëkateve ka vepruar me duart e tij. (Tefsir Kerim el Rahman fq.899)

Selefi (të parët tanë të mirë dhe të devotshëm) nga e kaluara i kuptuan shumë mirë kurthet dhe intrigat e shejtanit dhe për pasojë, ata nuk kërkonin që ti qortonin të tjerët nëse fatkeqësitë u ndodhnin, veçanërisht ato që ndodhnin si rezultat i mëkateve të tyre.

Nëse ndonjëri do të lexonte nga e kaluara e selefëve, ai do të gjente se ata ishin shumë mirë të ditur dhe veçanërisht inteligjent sa i përket mëkateve dhe pendimit. Të ngjashmit si ata në kuptimin e vërtetë të efekteve të këqija të mëkateve dhe çfarë do tu pasonte atyre prej sprovave dhe fatkeqësive, mund të kuptohet qartë në thënien e Fudajl ibn Ijjadit, kur tha:

Me të vërtetë unë tregoj mosbindje ndaj Allahut dhe për pasojë dëshmoj rezultatet e liga në karakterin e gomarit dhe shërbëtorit tim. (Hiljet el Eulija 8/109, Ed-Da uel Daua fq.134)

Një shembull i mrekullueshëm i cili tregon sesi Selefi e shikuan çështjen e mëkateve dhe pendimit mund të vërehet në ngjarjen që na rrëfehet rreth pendimit të Habib Ebu Muhammedit.

Është treguar se ai ishte një tregtar i pasur i cili e kishte zakon që t’u huazojë para njerëzve në nevojë, mirëpo me kusht që borxhliu huan ta kthente me kamatë. Një ditë derisa Habibi po dilte nga shtëpia e tij ai kaloi pranë një grupi të djelmoshave të rinj të cilët posa e panë filluan të flisnin me zë të lartë:

Ja ku po vjen njeriu i cili merret me kamatë!

Posa e dëgjoi këtë, Habibi uli kokën e tij me poshtërim dhe tha:

O Allah! Ti ma ke shfaqur çështjen time edhe tek këta djem të rinj!

Habibi pastaj u kthye në shtëpi, mblodhi pasurinë e tij dhe tha:

O Allahu im! Unë jam robi Yt, Unë kërkoj ta pastroj veten time me këtë pasuri kështu që të lutem më liro!.

Në mëngjes Habibi dhuroi tërë pasurinë e tij sadaka dhe pastaj ai filloi që me zell të angazhonte veten e tij në adhurim të Allahut.

Është përmendur se prej asaj kohe, kushdo që do të takonte Habibin, ai ose do të ishte ose duke agjëruar ose i angazhuar në falje ose përkujtim të Allahut.

Ndodhi që pas një kohe, Habibi të kalonte pranë një grupi djelmoshash të cilët posa e panë thanë:

Ulni zërat, ja ku po vjen Habibi, adhuruesi i përkushtuar!

Posa e dëgjoi këtë Habibi tha:

O Allahu im! Nganjëherë na qorton, dhe në raste të tjera na lavdëron. E tëra është nga Ti, Ja Rabbi.

Njerëzit e kohës së tij përmendin se Habibi u bë një person që çdoherë i pranohej duaja. (Tehthib el Kelam 5/390)

Shumë mësime dhe pika reflektimi mund të nxirren nga ky tregim. Disa prej tyre që po i përmendim janë:

1. Kur Habibi e kuptoi se çështjet e tij u kuptuan mirë nga publiku, ai menjëherë u kthye tek Allahu me pendim dhe kërkoi falje tek Ai.

2. Ai nuk u nervozua përshkak se çështja rreth tij u përhap, mirëpo ai menjëherë konkludoi se mëkatet e tij ishin ato që e bënë publikun të informuar rreth gabimeve të tij.

3. Pa vonim Habibi, mënjanoi dhe largoi pasurinë që e kishte fituar me mëkat. Ky është një tregues i sinqeritetit të tij në pendim.

4. Habibi nuk filloi që kërkoj se kush i informoi të rinjtë për mëkatet e tij, e as nuk tha se ata që i informuan të rinjtë e kishin përgojuar. Mirëpo, në vend të kësaj ai analizoi dhe mendoi në veten e tij rreth kësaj ngjarje, që është një fakt se ai ka kryer gabim në dëm të shpirtit të tij, dhe ai ka nevojë për faljen e Allahut.

Nga veprimet e Habibit ne nxjerrim mësime të dobishme dhe ne të gjithë duhet që të përfitojmë nga kjo ngjarje madhështore.

Një shembull tipik i kohës sonë është nëse një grua muslimane, për shembull, do të dëgjonte muzikë nëpërmes internetit. Një ditë derisa buri i saj është i ulur me fëmijët e tij njëri nga ata thotë: Babi, a e di që nëna dëgjon muzikë nga kompjuteri? Nëse burri këshillon po edhe nëse qorton gruan e tij, ajo nuk duhet që të dëshpërohet dhe të nervozohet me fëmijët e saj. Në vend të kësaj, ajo duhet të pranoj se ndoshta Zoti i madhëruar ia dëshiron të mirën asaj! Si? Ka mundësi se, nëse burri i saj kurrë nuk do ta kuptonte rreth mëkatit të saj, ajo do të vazhdonte kryerjen e tij, duke dëmtuar edhe më shumë veten dhe shpirtin e saj. Mirëpo, njëherë si të kuptohej mëkati nga burri i saj dhe ajo do të qortohej rreth tij, në këtë pikë nëse ajo, ndalon së kryeri mëkatin, kthehet tek Allahu dhe i kërkon falje Atij, në të vërtetë sprova dhe provimi i saj është shndërruar në një bekim!

Thënia e Fudajlit dhe ngjarja e Habibit qartazi tregojnë sesi Selefi kuptuan çështjen e rëndësishme të pendimit, dhe sesi fatkeqësitë dhe sprovat që i goditen ata nuk ia atribuuan dikujt tjetër por vetëm vetes së tyre. Me të vërtetë kur një person arrin në një gjendje të tillë të kuptimit, ai do të fillojë që sinqerisht t’i kthehet Allahut dhe të kërkojë për faljen e tij. 

Një tjetër çështje që ia vlen që të përmendet është se nëse robi vazhdon në mënyrë konstante që të bëjë mëkate, mirëpo Allahu nuk e bën që jeta e tij të vështirësohet dhe të mbushet me fatkeqësi, kjo konsiderohet si Istidraxh ( që çon në shkatërrimin e tij). Kjo e vërtetë është përmendur nga Profeti ynë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur ai tha:

“Nëse vëren se Allahu vazhdon që të begatojë një person me atë të cilën e do ai nga kjo botë, përderisa ai vazhdon që të kënaqet në mëkate, dije se ajo është duke e çuar atë në shkatërrim “ (Musnedi i Imam Ahmedit, Shejh Albani thotë se është autentik në Silsileh es Sahihah 1/700)

Rrëfimi i mësipërm tregon se kur Allahu ia do të mirën personit i cili ka gabuar në jetën e tij, Ai do të vendos në rrugën e personit fatkeqësi që do të ndikojnë tek ai në një shkallë të tillë që, ai sinqerisht t’i kthehet Zotit të tij në një gjendje përulje duke kërkuar faljen dhe mëshirën e tij. Ky tregim tregon se sprovat në jetën e besimtarit mund të shndërrohen në një rrugë të pastrimit dhe të shpëtimit. Mirëpo kjo ndodh vetëm nëse robi vëren realitetin dhe i përdor fatkeqësitë në dobinë e tij prej fillimit. Nën dritën e kësaj, Profeti i mëshirës ka thënë:

“Me të vërtetë durimi duhet shfaqur që në fillimin e vështirësisë.” (Sahih el Buhari:1283, Sahihul Muslim:2178)

Me sqarimin e kësaj çështje të rëndësishme, bëhet e qartë se sa me mençuri shejtani ka bërë që shpërblime të mëdha dhe falje të pakufishme të ikën nga ata që janë neglizhent dhe të pakujdesshëm gjatë provimeve të mëdha që u ndodhin në jetët e tyre!

Allahu na përmirësoftë çështjet tona dhe na dhuroftë sukses që të kuptojmë të gjitha çështjet e fesë sonë të mrekullueshme kështu që ne mund të shpëtojmë nga kurthet e pafundme të shejtanit. Amin!

 

Përktheu dhe përshtati nga anglishtja: Meriton Muriqi

Burimi: http://islamifejaevertete.com

Referencë: http://www.authenticstatements.com/store/home.php?cat=80

 

 

Must Read