BallinaAKTUALEOpinionePËR NJË KATOLICIZËM KOSOVAR

PËR NJË KATOLICIZËM KOSOVAR

 

PËR NJË KATOLICIZËM KOSOVAR

 

Ipeshkvia e Kosovës jo rrallë është gjendur në zor sa i përket qëndrimeve të Vatikanit. Siç e dini, Ipeshkvia është institucion, qendra e të cilit është Vatikani. Jo vetëm mosnjohja nga Vatikani, por edhe arsyetimi i këtij qëndrimi, kanë qenë të sikletshme për Ipeshkvinë. “Kosova është djep i Kishës Ortodokse Serbe”- ka qenë arsyetimi që Vatikani zyrtar ka dhënë pse nuk e njeh Kosovën. Me gjithë vardisjet dhe lajkatimet e politikanëve tanë, Vatikani nuk ka ndryshuar mendje. Dhe ky qëndrim nuk është për tu anashkaluar. Këto deklarata nuk janë vetëm fyese, por edhe tendencioze. Kisha Serbe në Kosovë ka patur rol politik më shumë se fetar. Ajo ka bekuar kriminelët. Pikërisht në Kishën Ortodokse janë marrë instruksionet për vrasjen dhe masakrimin e shqiptarëve (shumica absolute e të cilëve myslimanë) si dhe për demolimin, djegien dhe shkatërrimin e mijëra shtëpive, banesave, objekteve kulturore dhe atyre fetare. Deklaratat e Vatikanit sikur të japin përshtypjen se ky është një pazar kishash, që në këtë kontekst pak ka rëndësi kjo që përmendëm. Për Kosovën nuk ia vlen fërkimi e lëre më prishja e raporteve ndërmjet kishave.
Shqetësuese, për mendimin tim, nuk janë vetëm këto deklarata, por edhe përpjekjet e politikës për mbajtjen e tyre sa më larg opinionit apo edhe interpretimet monotone që Ipeshkvia iu ka bërë atyre.
Imagjinoni sikur këto deklarata të kishin ardhur nga Arabia Saudite, çfarë do të kishte ndodhur? Ose, sikur Erdogani, në vend të “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, të thoshte se “Kosova është Serbi dhe Serbia është Kosovë”, paramendoni çfarë vreri do të villte mbi të Ipeshkvi Dodë Gjergji? Ai, për shkak të një deklarate tepër vëllazërore të Erdoganit për popullin kosovar, e të cilin nuk e kuptoi, tërë Kosovën e ngriti në këmbë, ndërsa tash kur bëhet fjalë për këto deklarata, pjesë zyrtare e të cilave janë edhe ai dhe institucioni që drejton, heshtë. E bashkë me të heshtjen e ndajnë edhe gazetarët, madje edhe ata që “hulumtojnë.”
Duke patur parasysh reagimet e të sipërpërmendurve ndaj ngjarjeve me karakter islam, do të isha shumë kurioz të di se:
A do të kërkoj qeveria shpjegime zyrtare nga Ipeshkvia për këto qëndrime të Vatikanit, pjesë e të cilit është edhe ajo?
A do të merren intelektualët me hulumtimin, studimin dhe trajtimin e modelit të krishterë ndër ne? Më konkretisht, a do të kërkojnë nga Ipeshkvia kultivimin e një krishterimi modern, krishterimi tradicional, një krishterimi kosovar, larg këtij që nuk na njeh dhe na ironizon në vazhdimësi?
A do të merren gazetarët dhe analistët me studimin e modelit fashist të krishterimit, i cili nuk na mendon ndryshe vetëm se si pjesë të Kishës Serbe, mjerim ky mbi mjerim për kosovarët?
A do të kërkojnë nga Ipeshkvia shkëputjen nga Vatikani në rast se ky i fundit refuzon të kërkojë falje, së pari, e pastaj të ndryshon qëndrimet përkitazi me Kosovën?
A do të merr Ipeshkvi guximin qytetar që të kërkojë falje për deklaratat e tij skandaloze në lidhje me mikun e madh të shqiptarëve, veçanërisht atyre myslimanë, që janë shumica absolute në Kosovë?
Personalisht, duke patur parasysh rrjedhën e gjërave deri më tani, jam skeptik se mund të ndodhë diç nga kjo që parashtrova si pyetje, por le të vetëdijesohet populli për politikat që po i bëhen, dhe kjo mjafton!

 

Hoxhë: Sedat Islami

www.sedatislami.com

www.islamifejaevertete.com

 

Must Read