BallinaAKIDEAkide të ndryshmePërgëzim i përshpejtuar për besimtarin (Hadith)

Përgëzim i përshpejtuar për besimtarin (Hadith)

Përgëzim i përshpejtuar për besimtarin (Hadith)

   
عَنْ أَبِي ذرٍّ رضي الله عنه قَالَ: “قِيلَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، أَرَأَيْتَ الرَّجُلَ يَعْمَلُ الْعَمَلَ مِنَ الْخَيْرِ، وَيَحْمَدُهُ -أَوْ يُحِبُّهُ- النَّاسُ عَلَيْهِ؟ قَالَ: «تلك عاجل بشرى المؤمن» رواه مسلم.
 
Ebu Dherri (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur: O i Dërguari i Allahut, çfarë thua për njeriun që bën një punë të hairit ndërsa njerëzit i shprehin mirënjohje ose e duan shkaku i saj? Tha: «Është përgëzim i përshpejtuar i besimtarit.» Transmeton Muslimi.[1]
 
Në këtë hadith, Profeti ﷺ shpjegon se fryt i përshpejtuar i veprës së mirë është përgëzimi, myzhdeja, sepse Allahu ka premtuar do t’i përgëzojë evliatë e Tij – të cilët janë besimtarët e devotshëm- në jetën e kësaj dhe botës tjetër.

[Përgëzimi]: është lajmi ose gjëja e gëzueshme në bazë të së cilës besimtari kupton se do të ketë fund të mirë, do të jetë i lumtur dhe se vepra e tij është e pranuar. [Përgëzimi në botën tjetër] ndodhë duke fituar kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut si dhe duke shpëtuar nga hidhërimi dhe ndëshkimi i Tij. në fakt, ky lloj përgëzimi fillon që nga momenti i vdekjes, jeta në varr, ringjallja ku Allahu –siç është konfirmuar në tekste të shumta- dërgon engjëj për t’i marrë myzhde robit të Tij besimtar.

Ndërsa [përgëzimi i përshpejtuar i robit në dynja] nënkupton përshpejtimin e mirësisë së Tij ndaj robit, njoftimin e tyre me këtë mirësi, nxitjen dhe inkurajimin për vepra, duke i vënë theks këtu si më e rëndësishmja bekimi dhe suksesi për vepra të mira dhe ruajtja nga veprat e këqija, mu ashtu siç ka thënë Profeti: «Sa i përket të lumturve, atyre iu lehtësohen veprat e të lumturve!»[2]

Së këndejmi, nëse dikujt i lehtësohen veprat e mira dhe ruhet nga veprat e këqija, atëherë le ta dijë se kjo është myzhdeja e Allahut për të, ky është përgëzimi në bazë të të cilit besimtari argumenton për fundin e tij të mirë, sepse Allahu është më i ndershmi dhe më bujari, kështu që, nëse robi e fillon me të mirë, Ai e plotëson atë. Dhurata dhe mirësia më e madhe që i jepet robit është mirësia fetare. Kjo e bën tejmase të lumtur besimtarin. Në fakt, ai ka dy gëzime: njëri, sepse Allahu e ka begatuar me vepra të mira dhe ia ka lehtësuar kryerjen e tyre. kjo ka rëndësi sepse dashuria për të mirën, pasioni për të dhe dëfrimi duke e kryer atë janë shenja të besimit. Ndërsa gëzimi tjetër është kureshtja e tij e madhe që Allahu t’ia plotësojë këtë të mirë dhe vazhdimisht ta mbulojë me mirësinë e Tij.

[Shenja të përgëzimit në këtë dynja][3]

Si shembull përkatës kemi këtë që nënvizohet në këtë hadith, pra kryerjen e një vepre të mirë, veçmas nëse kjo e fundit është në interes të mbarë kolektivit dhe provokon dashurinë e njerëzve, mirënjohjen dhe lutjen e tyre. Këto të fundit janë tregues të këtij përgëzimi dhe shenja se vepra në fjalë është nga ato të mirat që tek Allahu janë të pranuara.

Shenjë e përgëzimit është edhe dashuria e besimtarëve për robin. Dëshmi është fjala e Allahut:

﴿إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ سَيَجْعَلُ لَهُمُ الرَّحْمَنُ وُدًّا

Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” [Merjem: 96.]

[…do të dhurojë dashuri]: do t’i dojë Allahu dhe do t’i bëjë të dashur në zemrat e robërve.

Tjetër shenjë që tregon përgëzimin e përshpejtuar është dhe lëvdata e besimtarëvesepse lëvdatat e tyre janë dëshmi; besimtarët janë dëshmitarët e Allahut në tokë. Shenjë tjetër është dhe ëndrra e mirë dhe sihariquese, që e sheh vet besimtari ose ia dëfton dikush që e ka parë atë në ëndërr. Këto të fundit, pra ëndrrat e mira, janë përgëzime. Përgëzim i përshpejtuar është edhe kaderi (caktimi) i Allahut, i mirë apo hidhur qoftë, e që është mjet për ta kthyer në rrugën e drejtë dhe për ta shpëtuar nga e keqja.

Falënderuar qoftë Allahu për këto mirësi të shumta që na ka dhuruar!

Shejh AbduRrahman Sa’di

[1] Transmeton Muslimi në Sahihun e tij, nr. 2642.

[2] Transmetojnë Buhariu, nr. 1362, dhe Muslimi, nr. 2647.

[3] Ky nëntitull është vënë nga përkthyesi për thjeshtësim të shpjegimit.

Must Read