BallinaAKIDEGajbiPërkujto "çastet" që të presin

Përkujto “çastet” që të presin

Përkujto “çastet” që të presin

Këto janë nga gjërat më të rëndësishme për shërimin e zemrave të ngurtësuara.

– Le ta kujtojë njeriu atë vend që patjetër ka për të shkuar; t’i vizitojë varret duke menduar se në ato momente ka prej atyre që po dënohen, ka prej atyre që thërrasin për ndihmë, por askush nuk mund t’i përgjigjet!

– Le të mendojë njeriu se një ditë do të futet në atë gropë të errët dhe të ngushtë dhe se do të jetë ushqim për krimbat dhe gjarpërinjtë, do të jetë i vetëm e pa ndihmës, edhe nëse ka qenë mbret në dynja!

– Le të kujtojë njeriu se vdekja do t’i vijë herët a vonë, do t’i vijë engjëlli i vdekjes, por pa e lajmëruar, e nuk dihet se në çfarë gjendje e gjen!

– Le t’i përcjellë njeriu të vdekurit duke menduar se edhe atë do ta mbartin të tjerët!

– Le të mendojë momentet kur është në shtratin e vdekjes, i vijnë të afërmit rreth e qark, i flasin, por ai nuk iu kthen dot përgjigje!

-Kujto, kur të lajmërojnë doktorin për të të shëruar, por ai nuk mundet, mendo momentet kur të dalë shpirti, për t’iu dorëzuar Krijuesit të vet, mendoje veten në duart e atij që është duke të larë, e ti nuk lëviz dot!

-Mendo, kur të largohesh nga kjo dynja një herë e përgjithmonë, duke i dhënë fund veprave të tua, qofshin të mira apo të këqija!

Jo pa qëllim Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë :

“Kujtojeni shpesh atë që ua ndërpret ëndrrat, dëshirat, e ajo është vdekja!”

“….I vizitoni ato (varrezat), sepse ajo ua zbut zemrën, jua bën sytë të lotojnë dhe ju kujton ahiretin!”

Kush e kujton vdekjen ka 4 mirësi :

· Shpejton pendimin;

· I zbutet zemra;

· Gjallëron aktivitetin e njeriut;

· Ka një përfundim të mire;

– Le të kujtojë njeriu ditën kur i fryhet surit dhe do të vdesin të gjithë, veç atij që do Allahu i Madhëruar, kur yjet të shkapërderdhen, kur kodrat të bëhen si lesh i prishur, kur detet të vlojnë si zjarri i flakëruar, kur qielli të jetë hequr e të jetë çarë, kur xhehenemi të jetë ndezur fort, kur të dridhet toka, kur të hapen varret e të dalin njerëzit si insekte të shpërndara!

– Le të kujtojë njeriu ditën, kur çdo shtatzënë do ta hedhë fëmijën e vet, kur njerëzit të jenë si të dehur, por jo, ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut të Madhëruar është i ashpër!

– Le të kujtojë njeriu ditën, kur fëmijët do të bëhen pleq nga frika e asaj që shohin para syve!

– Le të përfytyrojë njeriu qëndrimin para Zotit të vet, Zotit të botërave, të zhveshur burra e gra bashkë! Eshtë një gjendje aq e frikshme ajo skenë sa që i bën ata as të mos iu shkojë mendja, e jo më, të shohin njëri tjetrin.

– Le të përfytyrojë njeriu qëndrimin në atë diell, i cili tashmë është shumë afër, njerëzit mbulohen nga djersët e tyre, ditën kur të ndahet fëmija nga prindi, vëllai prej vëllait, kur njeriu të ndahet nga gruaja e fëmijët, kur çdonjërit i mjafton vetëm çështja e vet!

– Le të kujtojë ditën, kur do të ketë fytyra të pluhurosura e të mbuluara nga një errësirë e zezë!

– Le të kujtojë njeriu momentet e fillimit të llogarisë, kur të shpërndahen librat e veprave, e kur njerëzit do të thonë :

“ O i mjeri unë, të mos më jepej fare libri im. Dhe të mos dija fare se si është llogaria ime. Ah, sikur të kishte qenë ajo (vdekja) mbarim i amshueshëm për mua. Pasuria ime nuk më bëri fare dobi. U largua nga unë autoriteti që kisha. E u thuhet zebanive : Kapeni (fort) atë, e vërjani prangat! Pastaj atë futeni në xhehenem… !Pastaj, lidheni atë me një zinxhir të gjatë 70 kutë !” (Haka, 25-32.)

“Përkujto ditën kur njerëzit do të thonë pasi të shohin librin me veprat e tyre : “Të mjerët ne ! Ç’është puna e këtij libri, që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?” (Keh , 49.)

-Kujto momentet, kur pas mbarimit të llogarisë, fillon shijimi i dënimit! Si do të jetë gjendja e banorëve të zjarrit (Zoti na ruajtë prej tij) ?! Ushqim për ta, do të jetë pema e Zekumit dhe uji i fëlliqur.

“Përpiqet ta përpijë, por nuk mundet ta gëlltisë atë, atij i vjen vdekja nga të gjitha anët, por ai nuk vdes, atë e pret dënim shumë i rëndë.”

Ata (banorët e zjarrit) hidhen me fytyrë në zjarr, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.

-Kujto kur Allahu i Madhëruar u shfaq atyre re të zeza dhe u thotë :

“O banorët e zjarrit, çfarë kërkoni? U kujtohen retë e dunjasë dhe thonë : “ Zoti ynë duam ujë!” Por u bien atyre nga retë, pranga që iu shtohen edhe më, si dhe zinxhirë që ua shtojnë zinxhirët që i kanë dhe atyre u hidhen shkëndija nga zjarri. U shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët.” (Muhamed, 15.)

-Dijeni, se rrobat e tyre janë prej katrani, zifti, janë rroba prej zjarri, e u hidhet ujë i valë mbi kokat e tyre, e me të u shkrihet krejt çka ka në barqet dhe lëkurat e tyre! Kujto o njeri, kur ata, banorët e zjarrit të thonë :

“Zoti ynë, ne na patën mundur të këqijat, (u dhamë shumë pas epsheve të dynjasë) dhe si të tillë ishim të humbur! Zoti ynë, na nxirr prej tij, e nëse gabojmë përsëri, atëherë vërtet jemi mizorë! Ai thotë : “Heshtni aty, e mos flisni!” (Muminun, 107-108.)

Edhe pse i dimë këto gjëra, përsëri nuk i kujtojmë herë pas here, pas vdekjes nuk ka kthim prapa.

“Zemra nuk ngurtësohet, vetëm se për shkak të dashurisë për dynjanë, nuk i shtohet dashuria për dynjanë, vetëm nëse i shtohen punët, nuk i shtohen punët e dynjasë, vetëm se nga harrimi i ahiretit, e nuk harrohet ahireti, vetëm se nga përmendja e pakët e Allahut të Madhëruar.”

(Fjalë e urtë)

-Thotë Allahu i Madhëruar :

“Frikësojuni ditës, kur do të ktheheni tek Allahu dhe secilit njeri i plotësohet ajo që ka fituar dhe askujt nuk i bëhet padrejtësi !” (Bekare, 281.)

Ka qenë një nxënës i Abdullah ibn Abasit, kur shkonte për në xhami kishte dy rrugë. Kur kalonte nga rruga që ishte përmes tregut, nuk flinte atë natë. E pyetën djemtë e tij, pse e bënte këtë gjë. E ai tha :

-“Në treg është një kovaç, e kur e shoh zjarrin e tij, më kujton zjarrin e xhehenemit dhe atë natë e kaloj në ibadet.”

Kujtimi i ahiretit nuk duhet të mbetet vetëm tek të qarët, por ajo duhet të shoqërohet me vepra që të na ruajnë nga të këqijat e kësaj dite.

Must Read