BallinaAKTUALEZbulime ShkencorePijet e gazuara sikurse Coca-Cola dhe të ngjashmet me të, ulin rreth...

Pijet e gazuara sikurse Coca-Cola dhe të ngjashmet me të, ulin rreth 30% numrin e spermatozoideve

 

Pijet e gazuara sikurse Coca-Cola dhe të ngjashmet me të, ulin rreth 30% numrin e spermatozoideve 

 

E krijuar për herë të parë nga Dr. John Stith Pemberton në vitin 1886, Coca-Cola është shndërruar në markën me shitjet më të mëdha të pijeve freskuese në botë. Duke marrë parasysh gjithë këtë sukses, Coca-Cola është mbuluar në shumë raste për efektet negative të saj mbi shëndetin.

 

Cilët janë përbërësit e kësaj pijeje?
Coca-Cola ka një formulë që ruhet me tepër besnikëri nga kompania mëmë dhe sot vetëm hamendësohet mbi të. Përveç kësaj, çdo kompani dytësore në vendet përkatëse ka një formulë të vetën që ndryshon pak nga ajo e kompanisë mëmë.

Pavarësisht këtyre, ajo që dimë për Coca-Cola është që përmban ujë të gazuar, sheqer, aspartam (ëmbëlsues me pak kalori), ngjyruesin 4-metilimidazol (4-MI), kafeinë, acid fosforik, sasi gjurmë (shumë të vogla) alkooli[të cilat duket se rrjedhin nga procesi teknologjik] dhe substanca të tjera aromatizuese, konservuese etj.

Ngjyruesi 4-metilimidazol
Jo më larg se disa javë më parë në Britaninë e Madhe bien kambanat e alarmit për efektet negative të këtij ngjyruesi. Gjithashtu, në SHBA (Kaliforni) autoritetet kërkojnë që të gjitha pijet që përmbajnë këtë ngjyrues (në sasi mbi 30 mikrogramë) të vendosin një tabelë paralajmëruese në produktet e tyre.

Në këtë mënyrë ia lënë konsumatorit zgjedhjen nëse do ta konsumojë produktin apo jo. E, gjitha kjo sepse ky ngjyrues ka rezultuar se është kancerogjen në testet laboratorike me minj. Për këtë arsye, Coca-Cola në SHBA ka ndryshuar procesin e prodhimit për të pakësuar nivelet e kësaj substance.

Por në vende të tjera ende nuk është marrë një masë e tillë. Sasia e 4-MI e gjetur në kanaçet e Coca-Cola në Britani është 135 mikrogramë, ose rreth 34 herë më e lartë se sa në SHBA. Sa është kjo vlerë në vendin tonë? Këtë nuk e dimë, por dimë që në çdo vend sasia e kësaj substance është më e lartë se në SHBA, duke filluar nga 56 mikrogramë në Kinë e deri në 267 mikrogramë në Brazil.

Aciditeti
Coca-Cola është një prej pijeve më acide në treg. Është parë se kjo pije ka një pH të përafërt me atë të uthullës, midis 2.0 dhe 3.4, sipas Administratës për Ushqimet dhe Medikamentet (FDA) në SHBA. Aciditeti i lartë me kalimin e kohës i dëmton tejmase dhëmbët.

Përveç kësaj, aciditeti i lartë në stomak është një prej faktorëve të formimit të ulçerave dhe erozioneve.

Sheqeri
Një kanaçe Coca-Cola 330 ml përmban rreth 39 gramë sheqer, ose 13% të sasisë ditore të rekomanduar të sheqerit që duhet konsumuar. Është një nga shkaktarët, së bashku me aciditetin, e dëmtimit të dhëmbëve. Përveç kësaj ndikon në marrjen e tepërt të kalorive dhe shtimin në peshë, duke shtuar efektet negative në organizëm.

 

Kafeina
Një kanaçe Coca-Cola 330 ml përmban rreth 64 mg kafeinë. Kafeina e fillon veprimin kur futet në gjak pasi përthithet nga stomaku dhe zorrët e holla, gjë që ndodh 15-60 minuta pas konsumimit. Kafeina ngushton arteriet dhe venat dhe shton rrahjet e zemrës duke e mbingarkuar këtë të fundit.

Gjithashtu, kafeina frenon oreksin. Pas pirjes së një pijeje me kafeinë merret një sasi e caktuar kalorish dhe uria shuhet, por trupi fillon ta lidhë urinë me konsumimin e pijeve të tilla. Prandaj, është e rëndësishme që konsumimi i këtyre pijeve të mos bëhet asnjëherë nëse jemi të uritur apo kemi disa orë pa ngrënë gjë. Kafeina është gjithashtu një diuretik, që do të thotë ndihmon largimin e ujit përmes veshkave.

Kjo shkakton krampe intestinale dhe irritim të veshkave. Së fundi, kafeina është një substancë adiktive, prandaj ndërprerja e menjëhershme e konsumimit të kafeinës shkakton simptomat e abstinencës, kryesisht dhimbje koke dhe humor të keq.

Acidi fosforik
Pijet freskuese janë të njohura për sasitë e larta të fosforit dhe sasitë e ulëta të kalciumit. Për këtë arsye, ato renditen ndër faktorët që mund të shkaktojnë osteoporozë, sidomos te njerëzit e predispozuar (psh. gratë në menopauzë) pasi ai nxjerr kalciumin nga kockat. Sa për ilustrim, acidi fosforik, me një pH rreth 2.8, do të tresë një thua për 4 ditë.

 

Aspartami
Siç e përmendëm më sipër është një prej ëmbëlsuesve artificialë (rreth 200 herë më i ëmbël se sheqeri) që përdoren për shkak se kanë vlerë të ulët kalorike. I miratuar në vitin 1981 nga FDA si aditiv në ushqime, e më pas në vitin 1983 edhe në pije, aspartami është një nga substancat që vazhdon të ngjallë shumë kundërshti. Shumë e konsiderojnë si substancë të sigurt kur përdoret në nivelet e rekomanduara, por ka të tjerë që thonë se është substanca më e dëmshme që ekziston. 40% e aspartamit është acid aspartik (ose aspartat) dhe pjesa tjetër fenilalaninë.

Aspartati është një neurotransmetues eksitues që vepron në tru duke lehtësuar kalimin e informacionit nga një neuron në tjetrin. Sasitë e mëdha të aspartatit ose glutamatit në tru i vrasin qelizat nervore pasi rrisin futjen e kalciumit në to. Përpara se të vihet re një simptomë apo shenjë janë shkatërruar 75% ose më tepër e qelizave nervore në atë zonë të veçantë të trurit.

Sipas zonave të prekura, problemet që mund të shfaqen janë: dhimbje koke/migrena, nauze, lodhje, çrregullime të gjumit, çrregullime të shikimit, kriza ankthi, depresion, humbje kujtese etj. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që marrja e aspartamit të shmanget te pacientët me fenilketonuri (sëmundje e lindur gjenetike). Produkte të tjera të dëmshme të aspartamit janë fenilalanina dhe metanoli (alkool toksik).

Efekti mbi spermën
Mundësia e një efekti spermicid (vrasës të qelizave të spermës) të Coca-Cola u raportua në fillim në vitin 1985 në New England Journal of Medicine. Dy vite më pas, disa kërkues në Kinë zbuluan se Coca-Cola pakëson lëvizshmërinë e spermës, por nuk ka një efekt të theksuar.

Në Mars 2010, u raportuan rezultatet e një studimi danez, sipas të cilave meshkujt që konsumonin 2-3 kanaçe Coca-Cola në ditë kishin pakësim me 30% të numrit të spermatozoideve. Kërkuesit mendojnë se luan rol edhe ushqyerja në përgjithësi, pasi njerëzit që nuk konsumojnë Coca-Cola, përgjithësisht janë më të prirur të konsumojnë fruta dhe perime të freskëta, më pak kafeinë dhe bëjnë një jetë më të shëndetshme.

 

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

P.S. Pijet e gazuara të rrezikshme si cigaret

Pijet e gazuara të cilat shiten në treg duhen të kenë paralajmërimet, të cilat janë të shtypura në kutitë e cigareve, thonë shkencëtarët. 

Që pijet e gazuara joalkoolike nuk janë shumë të shëndetshme, dihet qysh shumë moti, por lobimi i prodhuesve është mjaft i madh dhe ende nuk kanë probleme me shitjen. Por, sipas mendimit të biologut Hans- Peter Kubis, pijet e tilla në etiketa duhen ta kenë paralajmërimin, ashtu si cigaret. 

Në 25 vjetët e fundit numri i litrave të konsumuara të pijeve të gazuara është rritur më shumë se dyfish, në 25 litra për kokë banori në vit, ndërsa rezultatet e hulumtimeve të reja janë shumë shqetësuese. 

Nëse pini një pijë në ditë, ose dy gjatë javës, e ngadalësoni metabolizmin aq shumë sa që kilogramët vetëm fillojnë të mblidhen. Përveç kësaj rrisni rrezikun nga sëmundja e zemrës dhe mëlçisë dhe tensioni i lartë. Te fëmijët situata është edhe më e rëndë sepse pijet e gazuara ndikojnë të bëhen të varur nga ushqimi i shpejtë, dhe sigurisht lëngjet.

Ato jo vetëm që ngadalësojnë metabolizmin, por ndryshojnë edhe gjenet në muskuj të cilat fillojnë të përdorin sheqertin për energjinë, në vend të yndyrave të cilat duhen t’i djegin. Ende nuk dihet nëse ai ndryshim në muskujt është i përhershëm apo jo, por gjithsesi bëhet fjalë për ndryshime shumë të rrezikshme.

 

 

 

 

 

 

Must Read