BallinaPraktikaEkonomia IslameNjë njeri i shpërqendruar e i hutuar ia dërgoi hoxhës së Islamit...

Një njeri i shpërqendruar e i hutuar ia dërgoi hoxhës së Islamit ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) këtë pyetje?

Një njeri i shpërqendruar e i hutuar ia dërgoi hoxhës së Islamit ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) këtë pyetje:

“Cila është kura për atë person që është mundur nga sëmundja (e epsheve).

Cila është zgjidhja për atë që është kapluar nga prishja e mendjes (pas harameve)?

Çfarë duhet të veprojë ai që është mundur nga përtacia? Cila është rruga drejt suksesit?…

Nëse dëshiron t’i kthehet Allahut, pengohet nga epshi e dëshirat.

Nëse ndalet dhe mendon për pasojat, mundet (tërhiqet) nga mendime tjera.

Nëse dëshiron të angazhohet me punë të mira, menjëherë dështon.

Është i mundur nga epshet, andaj e sheh si të hutuar.

Kur e sheh duket i kthjellët, mirëpo ai është i dehur…”

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) u përgjigj: “Kura për të është t’i kthehet Allahut të Lartësuar, t’i përgjërohet Atij e t’i lutet me lutjet e transmetuara nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Le të lutet në kohët kur pranohet lutja, si: fundi i natës, koha mes ezanit dhe ikametit, kur është në sexhde, dhe në fund të namazave (para selamit).

Kësaj ia bashkëngjit edhe kërkimin e faljes (istigfarin), sepse kush kërkon falje prej Allahut dhe kthehet me pendim te Ai, Allahu i jep të shijojë jetë të mirë (shpirtërore e fizike) në jetën e kësaj bote.

Le t’i thotë (vazhdimisht) dhikret gjatë ditës dhe para rënies në gjumë, le të durojë ndaj gjërave që i shfaqen prej pengesave dhe shpërqendrimeve, sepse shumë shpejt Allahu e forcon me dritë e udhëzim dhe ia përforcon besimin në zemër.

Pastaj le të përkushtohet në plotësimin e pesë namazeve të obligueshme, me trup e me shpirt, ngaqë ato janë boshti kryesor i fesë.

Gjatë gjithë kohës le të thotë: “La hawle we la kuw-wete il-la bil-lah” (s’ka ndryshim të gjendjeve dhe as fuqi për këtë, pa lejen e Allahut), sepse nëpërmjet kësaj fjale barten barrët e rënda (të jetës), përballohen tmerret dhe arrihen gradat e larta.

Le të mos mërzitet nga lutja dhe kërkesa drejtuar Allahut, sepse Ai i përgjigjet njeriut, përderisa ky nuk ngutet e thotë: “Jam lutur e jam lutur, mirëpo Allahu nuk po më përgjigjet.”

Le ta dijë se ndihma vjen pas durimit, çlirimi pas gjendjes së rëndë dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.

Askush, qoftë profet apo më i ulët në pozitë se ai, nuk ka arritur në fund mirësitë e shumta, veçse nëpërmjet durimit.”

(Mexhmu’u El-Fetaua, 10/137)
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku

Must Read