BallinaSpikasimPOROSI MBI FILLIMIN E NJË VITI

POROSI MBI FILLIMIN E NJË VITI

FILLIMI I NJË VITI

Falënderimi i takon Allahut, i cili e fillon krijimin dhe e përsërit atë. Na ka dhuruar ne mirësi të pafundme dhe Ai është i Larti i Falënderuari. Nuk ka udhëzim për atë që Ai e ka humbur dhe nuk ka humbje për atë që ai e ka udhëzuar dhe Ai vepron ç’të dojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shok, dëshmi kjo me të cilën arrihet shpëtimi dhe ruajtja nga një dënim i ashpër,

si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, për të qofshin selamet dhe paqja e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij, si dhe të gjithë ata të cilën ecin në rrugën e tyre dhe pasojnë metodën e tyre deri në ditën e premtimit.

O ju muslimanë! Robër të Allahut, frikësojuni Allahut me një frikë të vërtetë, ata të cilët kapen pas litarit të shpresës tek Ai, do ta ndihmojë e udhëzojë, e kush strehohet tek Ai, do ta furnizojë e do ta ruaj.

Nata dhe dita afrojnë çdo gjë që është e largët, ato vijnë me çdo premtim dhe besimtari është mes dy frikave: të exelit i cili i shkoi dhe që nuk e di se çdo të bëjë Allahu me të dhe të exhelit që i ka mbetur, në të cilin nuk e di se çfarë i ka përcaktuar Allahu.

Dhe ja një vit i ri i cili ka hapur fletët e bardha të punëve, në të cilat robi nuk e di se çfarë do të shkruhen e që të cilat do ta çojnë për në një takim të panjohur prej tij.

Kalimi i ditëve dhe i netëve e shtyn të mençurin që ulet me vetveten dhe t’i kërkojë llogari asaj për atë që ka bërë, kështu që i merr në konsideratë gjynahet, pendohet tek Zoti i tij dhe i rishikon punët e tij, nëse janë të mira i shton e nëse janë të urryera i jep fund dhe i asgjëson. Robi do të vazhdojë të jetë në mirësi përderisa ka ndjenjë të brendshme që e kritikon.

Hasan el Basri ka thënë: “Njeriu me llogari më të lehtë ditën e gjykimit është ai i cili e ka marrë veten në llogari në këtë botë, duke qëndruar tek punët e tyre, nëse ajo që mendonin ishte për Allahun, atëherë e ndërmerrnin atë, e nëse është për egon e tyre e linin. Llogaritje të vështirë do të kenë ata të cilët nuk i dhanë rëndësi kësaj gjëje dhe i vepronin punët pa i llogaritur, por ata do të gjejnë ditën e gjykimit se Allahu u ka llogaritur gjithçka”.

Realiteti i kësaj jete nuk është gjë tjetër veçse vite që kalojnë, e vitet përbëhen nga ditët, ndërsa ditët ndërtohen nga frymëmarrje, ndaj është mirë që çdo njëri prej nesh t’i japë rëndësi çdo frymëmarrje e të mendoj gjithmonë për çdo njërën prej tyre që ikën se patjetër një gjë e tillë do ta çojë përpara frymëmarrjes së fundit. Nëse arrin këtë kufi, dije se nuk ke më mundësi ta kthesh kohën prapa, ajo nuk pret, nuk ka shpresë optimiste si e jotja, ajo ecën, vetëm ecin e ti e unë papritur gjejmë se jemi rrudhur, kërrusur e tharë, por më e keqja e këtyre se jemi shumë larg nga Krijuesi i Cili patjetër që do të na marrë në llogari. Llogarite veten tashmë sa ke mundësi ta korrigjosh se përndryshe do të humbësh e do ta pësosh.

“Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë, që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!”

Ose të thotë:“Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”.

Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”! (Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë”. Zumer, 56-60.

Shfletoi fletët e librit të jetës; kërko punët më të mira të tuat që t’i bësh sjellje dhe moral të vetes dhe çdo gjë që të frikëson për në botën tjetër largoje, sepse nëse e lë pas dore ajo do të ngelë një njollë e zezë të cilën nuk do të dëshiroje ta shikoje në një ditë ku gjykimi është i drejtë e në të cilën do të kërkoje që ndoshta dhe të mos ekzistoje.

Ja viti i ri sapo ka hyrë, fletët e tij janë bërë gati e lapsat janë mprehur për të hedhur në to atë se çfarë do të bësh e do të punosh. Tashmë je i sigurt se një vit të ka ikur nga jeta dhe se ai ka marrë me vete shumë nga frymëmarrjet e tua dhe se vdekja merr më shumë të rinj sesa pleq. Atëherë edhe një herë po të pyes ty dhe veten: Akoma do të vazhdosh të shënosh në këto fletë të bardha të zezat e tua?

Për të gjithë njerëzimin kaloi një vit i mbushur plot ngjarje. Disa u pasuruan e të tjerë u varfëruan, disa vdiqën e shumë të tjerë lindën, disa u çliruan e shumë të tjerë u pushtuan.

“Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash. Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë”. Al Imran, 26.

Ata që u gëzuan nuk qëndruan gjatë me gëzimin e tyre sepse shumë shpejt vendin e tij e zunë brengat dhe dhimbjet. Ata që u pasuruan nuk lumturuan për jetë me pasurinë sepse në një ditë u zgjuan të varfër. E tillë është jeta në të ka gëzime dhe hidhërime, lumturi dhe fatkeqësi, të qeshura dhe të qara, lindje dhe vdekje, në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë se kjo botë nuk është e përhershme dhe se ata në të janë udhëtarë e që të vihen në sprovë.

Një herë e pyetën Aliun: “Na trego si është dynjaja?” Ai tha: “Kush është me shëndet të plotë në të, nuk është i sigurt; kush sëmuret në të ndjen keqardhje; kush varfërohet mërzitet dhe kush pasurohet sprovohet; në hallallin e saj ka hesap ndërsa në haramin e saj ka dënim. Allahu i madhëruar na e ka treguar realitetin e saj.

“Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme”. Hadid, 20.

Besimtari në këtë botë është si i huaj, e di se ajo nuk ka vlerë dhe se të mirat e saj nuk e bëjnë të përjetshëm; mendjen e tij e mban në vendin e gëzimeve dhe merr prej kësaj dynjaje atë që do ta ndihmojë për në botën tjetër.

Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Nëse dynjaja do të peshonte tek Allahu sa krahu i një mushkonje, atëherë Allahu jobesimtarëve nuk do t’i jepte prej saj qoftë dhe një gllënkë ujë”. Muslimi.

Shtrojani rrugën vetes, para se të dënoheni, përgatituni për udhëtim përpara se të shqetësoheni, sepse ai është qëndrim i drejtë, llogari e vërtetë dhe pyetje ndaj obligimeve. Në këtë rrugë, furnizimi më i mirë është ai të cilin e shoqëron devotshmëria. Ndërsa puna më e mirë është ajo të cilën e paraprin qëllimi i sinqertë; nuk ka dyshim se njeriu me gradë më të lartë është ai i cili i frikësohet Allahut më shumë dhe kush i afrohet bregut të fundit (të jetës), ai padyshim që do t’i shfrytëzojë të gjitha çastet.

II

Falënderimi i takon Allahut, për mirësitë e Tij, Atij i jemi mirënjohës për suksesin dhe mirësjelljen e Tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shok, si madhërim për qenien e Tij, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, selamet dhe paqja e Allahut qofshin për të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Pjesa e njeriut nga kjo botë është jeta e tij, kush i shton gjynahet dhe të këqijat në të do ta shkatërrojë mallin e tij. Ndaj i zgjuari është ai i cili e llogarit veten sot, para se ta llogarisë Allahu dhe i suksesshmi është ai i cili e shfrytëzon momentin dhe di të dallojë ilaçin nga sëmundja.

Le t’i lemë gjynahet, sepse lënia e gjynahut është më e lehtë se kërkimi i teubes dhe jeta e kësaj bote është një mejdan i hapur për shtimin e punëve të mira.

Ja pra tashmë kemi hyrë në një vit të ri, le të jetë llogaria me të cilën do të qëndrojmë me vetet tona, ajo që Allahu na ka këshilluar më parë në librin e Tij:

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut)”. Hashr, 18-19.

Burimi:
SHKRUAR NGA BLEDAR TEFIK HAXHIU
Burimijetes.info

Must Read