BallinaTEZKIJEThirrje për përmirësimPorosi nga një i fundosur

Porosi nga një i fundosur

 

Porosi nga një i fundosur

 

“A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e All-llahut?”

 (Kur’an, El-Hadid)

“Për çdo ditë që dielli lind, dy engjëj thërrasin me zë të lartë, zërin e të cilëve e dëgjojnë të gjithë banorët e tokës pos njerëzve dhe xhinnëve: O njerëz, përkushtojuni Zotit tuaj, ajo që është pak dhe mjafton, është më e mirë se ajo që është shumë dhe devijon.” (Hadith: Imam Ahmedi) .

Të shumtët janë prej atyre të cilët harruan botën tjetër duke u habitur pas kësaj bote, të shurdhër ndaj porosive kur’anore e pejgamberike, të thelluar në begatitë e tejkaluara, e në fund të fundosur në ujin më të padukshëm. Sytë më nuk më shohin e as veshët nuk dëgjojnë. Por unë jam ai i fundosuri që do t’ju porosis duke transmetuar të vërtetën time të hidhur, e cila më bëri të harroj gjithçka dhe më në fund më bëri ta harroj edhe Zotin tim. Nuk desha të jem prej atyre që dëmtojnë këtë botë duke e dashur botën tjetër, e as prej atyre që dëmtojnë botën tjetër duke e dashur këtë botë, por desha që të amshueshmes t’i jap përparësi ndaj së kaluarës. Por u fundosa. E vërtetë qenka: dy ujq të uritur nuk bëjnë dëm në kope më shumë se lakmia e njeriut pas pasurisë dhe karrierës. Mjerë për robin e pasurisë dhe dinarit, po qe se merr gëzohet, e po qe se i merret hidhërohet. Porosinë e shkruaj me dhembje të thellë për çdo musliman të cilin kjo botë e ka kapluar dhe e ka fundosur thellë në errësirat e saja. Vëllezër të mi! Edhe unë jam si ju, jetoj me dhembjet dhe shpresat e juaja, porse një ditë u zgjova dhe pashë se jam duke u fundosur thellë e më thellë, duke parë edhe të tjerë të fundosur si unë, të shumtët e të cilëve ishin të martuar apo të punësuar, të cilët gjumin e natës e kalojnë duke menduar rreth rriskut, fëmijëve, udhëtimeve, karrierës, ndërsa gjumin e tyre e ndërprenë koha e punës e jo koha e namazit. U habita kur pashë se nuk jam i përpiktë në namazin e sabahut për të cilin Pejgamberi a.s. thotë: “Dy rekatet e sabahut janë më të vlefshme se kjo botë dhe gjithçka që është në të”. U mundova të kujtoj ditën kur kisha agjëruar vullnetarisht, por kot, ajo kishte qenë në muajin Ramazan. Mus’hafin tim e kishte kapluar pluhuri i madh, librat e bibliotekës së vogël qanin nga mjerimi i duarve që nuk kishin fuqi t’i kapin. Kur unë e përmenda All-llahun xh.sh.?

Nuk e di, pos në ndonjë festë apo ceremoni. Mjerë, mjerë për mua. Një ditë u zgjova i befasuar nga vdekja e një shokut tim i cili kishte vdekur me shëndet të mirë dhe pa kurrfarë dhimbje. Edhe unë isha prej atyre të cilët e përcollën të ndjerin. Erdhi koha e varrimit, dhe kur toka ra mbi sytë dhe trupin e tij u habita dhe u shtanga. Thash, mjerë për mua gropë e zezë dhe e vetme, shoqëri e kujt do të jem? Fillova të zgjohem nga gafleti (gjumi) që më pat kapluar, duke menduar se çdonjëri do të hyjë në këtë varr të thatë, pa shok tjetër pas veprës së mirë. Fillova të qaj me zë të lartë duke m’u kujtuar se kush isha unë në fillim të jetës sime. Isha prej atyre që pesë kohët e namazit i falja në xhami. Mus’hafi më shoqëronte në çdo vend, agjërimi më vizitonte për çdo javë, ndërsa nata më bëhej thirrje e Zotit tim të dashur. Sa kënaqësi. Po si ndodhi e tërë kjo?

E tërë kjo ndodhi atëherë kur unë diplomova në Universitetin e vendit tim dhe kur gjendja ime jetësore filloi të keqësohet. Duhej shtëpi, martesë, pasuri, pajisje etj. Dalëngadalë fillova të lë nga ndonjë namaz duke më mashtruar djalli dhe duke zbukuruar veprën e tij, se kinse për një kohë të shkurtër është kështu e pastaj prap do të kthehem. Por jo, ajo gjendje edhe më tej vazhdonte dhe unë fundosesha gjithnjë e më thellë. Fillova të punoj prej mëngjesi deri pasdite, vija në shtëpi për drekë, e pastaj përsëri punoja ndonjë punë tjetër deri në mesnatë. Fillova të merrem me shumë punë, kështu që e tërë dita më kalonte duke e menduar shtratin që vetëm pak të pushoj e mandej prap të filloj me punë. Çdo ditë ishte kështu, ndërsa me fenë time islame nuk më lidhte asgjë pas formës dhe ndonjë namazi të zymtë e të pa frikë. “Duam të ngrisim botën tonë duke braktisur fenë Po as që fenë e mbajtëm e as që botën e ngritëm” Ishin këto fjalët të cilat njëherë i kisha lexuar e që befasisht mu rikujtuan.

Vendosa të zgjohem, ngase isha duke u humbur në këtë botë të mjerë. Në librin që e zgjodha, për të shëruar zemrën time me barnat e shumë shekujve më parë, lexova: Çudi është për ne të cilët dëshirojmë pasuri në këtë botë duke mbjellur, tregtuar, udhëtuar, rrezikuar, duke u lodhur pas asaj që e kërkojmë, e nuk jemi të bindur se All-llahu atë e ka garantuar. E kur shohim se më nuk kemi ku të shkojmë, përpos se t’i mbyllim sytë themi: o Zot më mëshiro, por është bërë vonë: “O njeri ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd fisnik” Fillova të habitem edhe më shumë kur lexova fjalët e Ebu Derdasë, i cili kishte jetuar në kohën e Tabiinëve, duke porositur: “O njerëz, Pejgamberi i All-llahut, Muhammedi a.s. thotë: “Po ta dini atë që unë e di do të kishit qeshur më pak e do të kishit qarë më shumë, e kjo botë do të ishte bërë e pavlefshme dhe do të kishit dashtë ahiretin. Mandej tha:” Po të dinit atë që unë di do të kishit dalë nëpër rrugë duke kërkuar ndihmën e All-llahut dhe do të kishit lënë pasurinë dhe duke qarë për veten, por ju keni harruar ahiretin e ju kanë mashtruar ëndrrat dhe shpresat, dhe jeni bërë sikurse ata që nuk dinë asgjë, e disa prej juve janë bërë edhe sikur kafshë. Përse nuk duheni mes vete? Përse nuk ndihmoheni? Përse nuk këshilloheni? Ju jeni vëllezër të fesë.

Par, ju jeni përçarë sepse epshet e juaja i ka kapluar e keqja, se po të ishit bashkuar në të mirë do të duheshit mes vete. Përse këshilloheni për çështjet e kësaj bote dhe e harroni ahiretin (botën tjetër)? Kjo është sepse në zemrat e juaja ka vetëm pak besim. Unë po e shoh se All-llahu ka hequr dorë prej jush. Keni kujdes Ai është i fundit dhe tek Ai është kthimi”. Mjer për mua dhe të tjerët që janë si unë, klitha me zë të ulët. Më tutje gjeta porosinë e Hasan El-Basriut: “O rob i habitur kthehu te Zoti yt i cili të thërret ditë e natë, kush vie tek Unë me hapa të ngadaltë, Unë shkoi tek ai me hapa të shpejtë, ndërsa ti prej Tij po largohesh. O ti gafil zgjohu. Ti je me ditë të numëruara, e kur një ditë kalon, kalon një pjesë nga ti, e do të vijë një ditë kur nuk do të jesh aspak. Sot ke punë, por llogari jo, ndërsa nesër ke llogari e punë jo. Prap mjerë për mua” A nuk ka ardhur koha që zemra ime që beson t’i frikohet All-llahut? Po, klitha duke qarë dhe duke thënë: Po, o Zoti im ka ardhë. Edhe diç do t’ju rrëfej, sa e ëmbël që është. Rrëfimin mbi Malik Ibën Dinarin, i cili kur ishte pyetur se pse ishte penduar, ai është përgjigjur: “Unë isha polic, me zemër të ashpër dhe fjalor vullgar. Me kalimin e kohës u martova dhe deshti Zoti që të më lindë një vajzë. Zemrën time e kaploi dashuria ndaj saj, e që për çdo ditë më gufonte zemra për dashurinë që kisha për të. Pas dy vitesh vdiq. U brengosa shumë, vaji nuk më ndalej. Një natë të muajit Shaban pashë një ëndërr sikurse u bë Kijameti dhe të gjithë njerëzit ishin ringjallur, e edhe unë në mesin e tyre. Papritmas dëgjova një zë të lartë, e kur u ktheva, e pashë një egërsirë të zezë me sy të verdhë dhe gojëhapur, kinse donte të më gëlltiste. Fillova të iki, por ajo vinte pas. Duke kaluar pranë një rruge pashë një plak të bukur dhe e pyeta se a mundtë më ndihmonte kundër egërsirës. Ai filloi të qan dhe më tha: ‘Unë jam i dobët’. Zjarri çdo kund më kaplonte, e kur desha të bie, dëgjova një thirrës: ‘O ti njeri kthehu se ti nuk je prej atyre’. U ktheva, por egërsira nuk ndahej dot nga unë. Prap kërkova prej plakut të më ndihmonte, por ai me zë vaji prapë më tha se ishte i dobët, dhe më këshilloi: ‘Sikur të kishe shkuar te një kodër, ngase aty janë emanetet e muslimanëve, e po qe se ke dikën do të ndihmojë’. Unë vrapova kah ai vendi, ndërsa egërsira ende më vinte pas, kur engjëjt thirrën me zë: ‘Ngritni mbulojat dhe hapni dyen’. Aty pashë shumë fëmijë të bukur si hëna. Të gjithë më panë dhe më lakmuan. Për një herë pashë edhe bijën time që më kishte vdekur.


‘Babi’, më tha ajo duke qarë, ‘ti je babi im’. Më uli në prehërin e saj e filloi të më ledhatojë dhe duke qarë më tha: ‘O babi im,’ ” A nuk është koha që zemra e atyre që besuan, të zbuten me këshillat e All-llahut”. Fillova të qaj dhe i thashë: ‘Oj bija ime edhe ju e dini Kur’anin’. Më tha: ‘Po, ne e dimë më mirë se ju të gjallët’. I thashë: ‘Oj bija ime më trego për egërsirën e zezë që më vinte pas, ç’ishte ajo?’ Më tha: ‘Babi im, ajo është vepra jote e keqe që aq shumë e ke punuar, saqë është bërë e fortë dhe nuk ndahej dot prej teje’. I thashë: ‘Po plaku përse nuk më ndihmonte?’ Tha: ‘Ai është vepra jote e mirë, që aq pak e ke punuar sa që nuk kishte fuqi që të ndihmonte’. I thashë: ‘Oj bija ime po ç’bëni në këtë vend?’ Më tha: ‘Ne jemi bijtë e muslimanëve, që ju kur të vini ne t’ju presim’. U zgjova i frikësuar dhe vendosa që të pendohem tek All-llahu me një pendim të pastër dhe të sinqertë.”O njeri, më të pasurin në këtë botë, All-llahu do ta pyet: “O biri Ademit a ke parë ndonjëherë mirë? A ke hetuar ndonjëherë kënaqësi?” Do të thotë: “Jo o Zot”. E do të vijë më i varfëri e do të pyetet: “O biri Ademit a ke pasur ndonjëherë varfëri? A ke pasur ndonjëherë ngushtim?” Do të thotë: “Jo o Zot, nuk kam hetuar fare varfëri e as që kam qenë ndonjëherë ngushtë” … Vëllezër të mi, ejani me mua në kënaqësinë time, ta nxjerrim këtë botë nga duart dhe zemrat tona, sepse tregu i All-llahut është i shtrenjtë, e tregu i Tij është Xhenneti. O Zot prano lutjen tonë dhe më bashko me vëllezërit e mi në Xhennetin tënd!


www.Islamifejaevertete.com


Must Read