BallinaSpikasimPse eshte krijuar njeriu?!

Pse eshte krijuar njeriu?!


Nga Mirsim Malici

“Allahu është ai që ju ka krijuar ju të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” (Kurani, 30:54)


E fundi i padyshimtë është vdekja. E ti o njeri, përgjatë tërë etapave të jetës, asnjëherë nuk pate mundësi të largosh një dëm a të tërheqësh një dobi, vetëm se nëpërmjet mirësive që t’i dha Zoti, për të Cilin ti natyrshëm ke nevojë të përhershme. Sa shumë gjëra t’u deshën në jetë, por s’ishin në dorën tënde, herë i pate e herë t’u morën pa vullnetin tënd. Sa shumë ëndrra pate, herë t’u realizuan e herë mbetën vetëm dëshira. Sa shumë gjëra të sollën në jetë dëm, fatkeqësi e sëmundje, t’i rrënuan shpresat e ta çuan mundin huq, do të dëshiroje t’i mënjanoje, mirëpo herë arrite t’i largosh e herë jo. Vallë, a nuk e ndien nevojën tënde për Zotin?!
I Madhërishmi thotë: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” (Kurani, 35:15)
Madje, ngjan që një virus i padukshëm për syrin e lirë të të shtrijë në shtratin e të sëmurit, e ti të jesh i paaftë për ta shmangur atë. Përpiqesh të kurohesh nëpërmjet mjekimit te një pjesëtar tjetër i llojit të dobët njerëzor, e kura herë ka sukses e herë nuk ka, kur nuk ka sukses, ty e mjekun dilema ju pllakos.
Ah sa i dobët që je o njeri; Sikur miza të të marrë diçka, ti nuk je i aftë t’ia marrësh sërish e ta rikthesh! Të vërtetën e ka thënë Zoti në fjalën e Vet: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” (Kurani, 22:73)
E nëse nuk ke fuqi ta rikthesh atë që miza ta ka marrë, atëherë më trego se çfarë poseduake ti?!
Qenia e shpirti yt janë në Dorë të Zotit të Madhërishëm. Zemra jote është në mes të dy gishtave të të Mëshirshmit, i rrotullon ashtu siç të dëshirojë Ai. Jeta e vdekja, po edhe lumturia e mjerimi yt janë në Dorë të Tij. Çdo lëvizje dhe qëndrim yti, sikurse edhe të gjitha fjalët e tua bëhen vetëm me lejen dhe vullnetin e Zotit. Pra, ti nuk mund të bësh gjë pa lejen e Tij. Ai nuk e la çështjen tënde në dorën tënde, ngase ti je qenia e dobësisë, paaftësisë, mangësisë, gabimit dhe mëkatit. Por as nuk e dorëzoi te dikush tjetër, sepse ajo qenie nuk mund të të sjellë dëm, dobi, vdekje, jetë e ringjallje. Pra, ti as sa një pulitje sysh nuk mundesh pa Zotin. Gjithmonë ke nevojë për Të. Ai përherë të mbulon me mirësi, kurse ti çoroditesh me mëkate e mosbesim dhe e harron Atë, edhe pse kthimi yt tek Ai dhe qëndrimi përpara Tij janë të sigurt.
Meqë ti, o njeri, je i dobët dhe i paaftë për të bartur barrën e mëkateve të tua: “Allahu dëshiron t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” (Kurani, 4:28)
Allahu dërgoi profetë, zbriti libra, ligjësoi norma dhe nxori në pah rrugën e drejtë dhe i qartësoi të vërtetat me argumente e prova, derisa bëri që çdo gjë të dëshmojë për njëshmërinë, hyjnoren dhe denjësinë e Tij për t’u adhuruar. Kurse ti vazhdon ta refuzosh të vërtetën me të kotë e të miqësohesh me djajtë e jo me Zotin, dhe të polemizosh me dokrra.
“…por njeriu kundërshton më tepër se çdo krijesë tjetër.” (Kurani, 18:54)
A mirësitë e Zotit, me të cilat kënaqesh pandërprerë, ta nxorën nga mendja fillimin dhe mbarimin tënd?!
A nuk kujton se ti je krijuar nga një pikël?!
Kthimi yt do të jetë në një gropë, që prej aty pastaj të ringjallesh për jetën e përhershme – për të qenë banor i ferrit ose i parajsës. I Larti thotë: “A nuk sheh njeriu se si Ne e krijuam atë prej pikës së farës, e megjithatë ai bëhet kundërshtar i hapët?! Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: “Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?” Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë.” (Kurani, 36:77-79)
I Madhërishmi thotë: “O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi dhe që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?! (Kurani, 82:6-8)
Pra, pse po e privon vetveten nga kënaqësia e qëndrimit përpara Zotit dhe e komunikimit të këndshëm me Të?! Është Ai që të pasuron, të jep shëndet, t’i largon brengat, t’i fal mëkatet, ta mënjanon të keqen, të ndihmon kur shtypesh, të udhëzon kur hutohesh apo devijon, ta largon injorancën, të jep siguri e qetësi, ta mëshiron dobësinë tënde, t’i zmbraps armiqtë e tu dhe të sjell furnizimin.
Dije, o njeri, se pas mirësisë së fesë, nuk ka për njeriun begati më të madhe se sa mendja. Nëpërmjet saj bëhet dallimi në mes të dobishmes dhe të dëmshmes; Me mendje njihet Zoti, po edhe urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Po ashtu, nëpërmjet saj perceptohet qëllimi i ardhjes sonë në ekzistencë, e që është adhurimi i të vetmit Zot. I Madhërishmi thotë: “Çdo mirësi që keni është nga Allahu. E nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, prapë nuk keni kujt t’i kërkoni ndihmë përveç Tij. E, prapëseprapë, kur Ai jua shmang fatkeqësinë, disa nga ju i shoqërojnë Zotit të vet (zota të tjerë në adhurim).” (Kurani, 16:53-54)
Pra, njeriu i mençur i ka sytë nga çështjet e larta e jo nga të ulëtat. Dëshira e tij është pasimi i fisnikëve dhe zemërbardhëve – profetëve dhe besimtarëve të denjë. Ai përpiqet t’u bashkëngjitet atyre, edhe pse s’i ka arritur për së gjalli, kurse udha për realizimin e kësaj dëshire tregohet në udhëzimin kuranor:
“Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë…” (Kurani, 3:31)
E nëse e jetëson këtë rregull, Zoti do ta bëjë atë bashkë me profetët, dëshmorët dhe besimdrejtët (të mirët). I Larti thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët (të mirët)! Eh, sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Kurani, 4:69)
Pra, këshilla ime për ty është të vetmohesh dhe të meditosh rreth së vërtetës që të erdhi! Ndalu dhe vrojtoji thellë argumentet dhe provat e sjella! Nëse bindesh në vërtetësinë e Islamit, pranoje dhe ndiqe atë, e mos ji skllav i rrethit dhe zakonit. Dije se vetja jote është më e rëndësishme sesa shokët, moshatarët dhe trashëgimia e etërve të tu. Zoti i këshilloi jobesimtarët duke u thënë: “Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t’ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë.” (Kurani, 34:46)

Nëse ti e pranon Islamin, nuk humb asgjë. I Madhërishmi thotë: “E ç’dëm do të kishin ata sikur të besonin Allahun dhe Ditën e Kiametit dhe të ndanin nga pasuria që u ka dhënë Allahu?! Allahu di çdo gjë për ta.” (Kurani, 4:39)

Islami nuk të pengon askund në jetën tënde, përderisa ti shtegton në hapësirat e lejuara të Zotit. Allahu është Bujar; të jep shpërblim për çdo punë të bërë, përderisa e vepron për hir të Tij, edhe nëse me to arrihet interesi personal, qoftë ai e mirë materiale, famë, imazh i mirë etj. Madje, edhe gjërat e lejuara të përditshmërisë janë mundësi e mirë për të fituar shpërblime, nëse qëllimi i përdorimit dhe konsumimit të tyre është lënia dhe zëvendësimi i së ndaluarës. Profeti ? ka thënë: Madje, edhe kur bëni marrëdhënie intime me gratë tuaja keni lëmoshë.” Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut! Edhe kur ndonjëri prej nesh shfryen epshet e veta paska shpërblim?!” Ai tha: “Ç’mendoni, sikur ta bënte këtë në mënyrë të ndaluar, a do të kishte mëkat? Vetëkuptohet se, kur e bën këtë në mënyrë të lejuar, ka shpërblim.”

“Thuaj: “O njerëz, ju erdhi e Vërteta nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobinë e vet dhe kush e humb rrugën e drejtë, ka humbur në dëmin e vet, ndërsa unë nuk jam mbikëqyrësi juaj”. (Kurani, 10:108)

Atëherë, o njeri, nëse ti e pranon Islamin, i ke bërë mirë vetvetes, e nëse e mohon, vetë pëson. Zoti nuk ka nevojë për robërit e Tij, ndaj mëkati i mëkatarëve s’e dëmton fare Atë, sikurse as adhurimi i besimtarëve s’i sjell ndonjë dobi.

Must Read