Pyetja ime ka të bëjë me ajetin numër 47 të sures Rrum
Pyetja:
Selam alejkum hoxhë i nderuar! E kam një pyetje që ka të bëjë me ajetin numër 47 të sures Rrum, ku Allahu thotë: “…Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët.”
Pyetja ime është: A vlen kjo ndihmesë edhe për ne tash si besimtar ndihma e Allahut, se ajeti po thotë se ka qenë?
Pyetja e dytë është: Pse Allahu po e quan veten në shumës, Yni?
Selam alejkum!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
1. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne edhe para teje popujve të tyre u dërguam Pejgamberë dhe ata u erdhën atyre me argumente të qarta, e kundër atyre që bën krim, Ne ndërmorëm masa ndëshkuese. Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët.” (Rrum, 47)
Pjesa e ajetit: “…Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët”, ka ardhur në kohën e shkuar, që nënkupton se Allahu i Lartësuar ia kishte bërë Vetes obligim që t`i ndihmonte besimtarët. Ky ligj i Allahut të Lartësuar që t`i ndihmojë besimtarët është i vazhdueshëm do të jetë i vlefshëm edhe në Ditën e Gjykimit.
Allahu i Lartësuar tregon se si i ndihmoi muslimanët në betejën e Bedrit:“Kur dy grupe prej jush gati u treguan të dobëta, po Allahu ishte që u ndihmoi atyre (që të mos largoheshin), andaj besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut. Allahu u ndihmoi juve në Bedër kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti. Kur ti u thoshe besimtarëve: “A nuk është mjaft për ju që Zoti juaj t’ju vazhdojë ndihmën me tre mijë engjëjt e zbritur?” (Ali Imran, 122-124)
Gjithashtu thotë: “Nëse Allahu ju ndihmon, s’ka kush që mund t’ju mposhtë, e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që do t’ju ndihmojë? Pra vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” (Ali Imran, 160)
Dhe thotë: ”O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)
2. Ndërsa në lidhje me përdorimin e shumësit për Allahun e Lartësuar, “Ne”, ose “Yni” në disa vende në Kuran themi se në gjuhën arabe kjo formë e përdorimit të shumësit për njëjës është e njohur dhe e pranuar. Gjithashtu komentuesit theksojnë se në Kuran përdoret shumësi për Allahun e Lartësuar për të vërtetuar madhërinë dhe fuqinë absolute të Tij. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
20.6.2008
Burimi: klubikulturor.com