BallinaAKTUALEAnalizaRoli robërues i Mediave

Roli robërues i Mediave


Roli robërues i Mediave

Është e njohur që nga historitë e popujve të mëhershëm se jo çdo informatë, me të cilën njerëzit janë informuar që në fillim ka qenë po ajo e “vërtetë”. Sado që shumë të vërteta tashmë janë kuptuar, edhe sot e kësaj dite akoma ngelet shumë për të mësuar…

 

Duke pasur parasysh rregullin e vjetër se “Informacioni është fuqi”, ndërsa duke mos pasur mundësi gjithmonë për të bllokuar rrjedhjen e informatave sikurse në vitet e mëhershme, atëherë zgjidhja ishte pak më ndryshe por shumë efikase, njëherësh edhe teknologjia më e zhvilluar e kohëve të sotme – dezinformimi.

 

Parimi i tij është shumë i thjeshtë, në esencë ai duhet të krijojë stade mendore dhe psikike tek njerëzit hera-herës, kështu duke kontrolluar ndjenjat e tyre dhe duke shkaktuar dashuri për diçka (edhe pse ajo në realitet mund të jetë e dëmshme), dhe urrejtje për diçka tjetër (edhe pse në realitet ajo mund të jetë e dobishme). Pra, thelbi i dezinformimit është që të krijojë tek mendjet e njerëzve përkufizime për dukuri të ndryshme shoqërore dhe njëherësh e vendos masën të mbajë njërin krah apo një tjetër.

Në ndryshim nga teknikat e vjetra për të imponuar doktrina të ndryshme, siç bënin më parë, dezinformimi është shumë më efikas dhe i fuqishëm, pasi e manipulon audiencën në nivelin racional, duke bërë me këtë, që edhe gjëra që janë shumë racionale dhe të logjikshme të kthehen në tabu dhe e njëjta audiencë u kthehet kundër duke i sulmuar me gjithë fuqinë e tyre, edhe pse ato mund të jenë në favor të tyre.

 

Shembujt dhe mjetet të dezinformimit

Jetojmë në kohën kur lajmi shpërndahet me shpejtësinë më të madhe të mundshme, media të shumta elektronike, dhe të shkruara, çdo ditë me zhvillime marramendëse të shpejtësisë së informimit apo dezinformimit. Duke bërë e dhënë gjithmonë vetëm atë që i përshtatet një shoqërie të caktuar. Shumë e shumë luftëra u kryen në emër të “vërtetave” të famshme të tyre, u krijuan histori të rreme e komplote, duke sajuar veprimet më çnjerëzore të mundshme. Mijëra e mijëra jetë të pafajshme u shuan, ku akoma edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të vriten me të njëjtat pretekste të imagjinuara, të trilluara, të pakuptimta me një fjalë. Ndërsa në anën tjetër dekorohen, lavdërohen për demokraci dhe të drejta të njeriut… ky ishte dezinformimi i dhimbshëm e i njohur tashmë i shteteve komuniste. E shumë e shumë ngjarje të tjera të panumërta, ku secila në një anë apo në një tjetër mbart tek njerëzit bagazhe me histori pafund dhimbjesh.

 

Sprovat e modernizuara

Pejgamberi ynë sal-lAllahu alejhi ue selem na ka paralajmëruar të mos bëhemi robër të askujt tjetër përveç Allahut dhe që të kemi kujdes nga këto sprova, duke theksuar rrezikun e tyre tha: “Frikësojuni dynjasë dhe frikësojuni grave, sepse me të vërtetë e para fitne te Beni Israilët kanë qenë gratë”.

 

Pra, mu në këto pika shumë të ndjeshme sot njerëzit “goditen” dhe përmbyten nga të gjitha anët me slogane të shumta e të njohura të sistemeve bankare për kredi: “Për një jetë më të mirë”, apo “Bëje jetën tënde më të lumtur”, pra të krijohet ideja që sa më shumë njerëzit të mbledhin të mira materiale, aq më të lumtur do të jenë. Kështu duke i kthyer ata në skllevër mesjetarë, pasi njeriu vendos si qëllim kryesor të jetës së tij shtimin e pasurive materiale, hera-herës duke flijuar edhe gjërat me të dashura. Bile edhe veten e vet dhe harron që sa më shumë të ketë, aq më shumë do të dëshirojë. Gjithmonë do të mbetet i preokupuar në shtimin e tyre dhe në të njëjtën kohë i shqetësuar, nëse fillon pakësimi apo humbja e saj. Në një intervistë lajmesh me një nga punonjësit e bankave në vendet tona, kur po flitej për interesat e larta të kredive, që kishim ne në vendin tonë, për dallim nga shtetet në rajon “Jo që është zvogëluar interesimi për kredi, edhe me këto interesa që kemi, por nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të dhënë aq kredi sa kërkon tregu”,- deklaronte ai. Është shumë shqetësues ky fakt, ku është duke shkuar shoqëria jonë? A mund t’i thuhet “jetë”, duke hyrë në luftë me Allahun?! Çfarë lumturie e suksesi mund të jetë kur bëhesh “rob i dynjasë”?!…

“Nuk kam lënë pas meje fitne (sprovë) më të madhe se sa fitneja (sprova) e grave”.

 

“Goditja” tjetër e radhës e sloganit shumë të njohur “emancipimi i femrës”. Në emër të po këtij emancipimi sot shohim, që aq shumë është keqpërdorur e manipuluar figura e femrës, saqë atë e gjen kudo me pamje joshëse, të vërteta apo në forme letre, apo edhe me dritë tek reklamat. Çdo kund të ndjekin këto imazhe të përsëritura e të përsëritura të produkteve ushqimore, apo teknologjike, që nuk është fare e nevojshme prezenca e saj dhe as që ka lidhje me cilësinë, dhe kualitetin e produkteve në fjalë, dhe që të bëjnë të mendosh cilën prej tyre promovojnë në të vërtetë. E gjen me buzëqeshje të vazhdueshme, deri sa të paguani çmimet e shtrenjtuara të produkteve në qendrat tregtare, apo në dyqane e shërbime të tjera. Shpeshherë imponuese me zërin, sharmin, pamjen e tyre gjithmonë të përzgjedhur, e të rregulluara sipas modës së fundit. Porse mbas kësaj pamje qëndron një industri e tërë, që nga disenjatorët (e që shumica e tyre janë meshkuj, që nuk është fare për t’u çuditur nga mënyra e stilimit) e deri tek grimi, krehja e saj, orë të tëra parapërgatitjesh. Më e çuditshmja është se e gjen edhe tek kopertina e “menysë” së pastiçerisë me zë. Apo nga ajo e përditshmja, ku është e pamundur të hapësh postën elektronike dhe të mos hasësh çdo ditë pamje e foto të tyre gjithmonë nga më të ndryshmet. Tek lajmet e ditës, revistat, apo në gazetat ditore, kudo nga formatet me të minimizuara e deri tek ato më të mëdha, duke u thirrur në emër të barazisë dhe të lirisë së saj. Kur jemi tek kjo e fundit lirisht mund të themi, se tashmë kjo e ka humbur kuptimin, kjo paraqitje me mendjen e kthjelltësisë nuk quhet më liri, kjo është robëri, zhvlerësim komplet i natyrshmërisë së qenies njerëzore.

 

Televizioni- bashkimi i fotografisë, zërit, lëvizjeve dhe ngjyrave, ndikimi në të tre sferat e pranimit të informacionit, dëgjimit, pamjes dhe efektet lëvizëse, këto kombinime kanë ndihmuar e lehtësuar, që të bëhet ar(miku) i rregullt edhe i shoqërisë shqiptare. Duke i kursyer nga bisedat mes vete familjare, me fëmijët, bile nganjëherë edhe ndonjë mysafir i bashkëngjitet po kësaj “drame” pa fjalë, të ngrirë para ekraneve e që vërshojnë me muzikë, spektakle, seriale, si dhe fenomeni i ri dhe shumë i përfolur tanimë në media, rrugë, shkollë, lokale urbane, kudo! Është fjala pra për spektaklet“reality show” si:” “Big Brother” apo “Shpija”, ku çdo gjë tjetër mund të ofrojnë përveç vlerave.

 

Qëllimi i këtyre spektakleve është përfitimi material. Jo vetëm kaq, qëllimi i gjithë kësaj është nga ato të reja e të rinj të krijohen situata e të nxirren mes tyre veset, intrigat, veprimet shfrenuese më të ulëta, që mund të ketë një shoqëri. Inskenohen situata për të rritur shikueshmërinë, e njëherësh edhe përhapjen e këtyre antivlerave tek të rinjtë. Pas gjithë këtij skenari të bën të mendosh: A është shoqëria shqiptare e verbuar përpara vlerave materiale, që të tregtojnë me çdo detaj të jetës e nderit të tyre?!

 

Para gjithë kësaj pjesa më e ndjeshme janë fëmijët. Ata janë të ekspozuar më gjatë para këtyre antivlerave, duke krijuar “idhujt” e tyre, që ndyjnë natyrshmërinë e tyre të pastër. Është për t’u lavdëruar shembulli i një nëne të re muslimane shqiptare, jo se ajo nuk humbet kohën e çmuar të saj, duke shikuar seriale, por me gjithë angazhimet që kishte, ajo kishte gjetur kohë për të krijuar e qepur veshje me personazhe lodër, duke krijuar çdo ditë atmosferë festive tek fëmijët e saj, njëherësh duke i mbajtur larg lojërave kompjuterike me efekte dhune, apo filmave vizatimorë me pamje e skenar me mesazhe të fshehura. “Vërtet duhet kohë, mund dhe energji, por të paktën nuk do të lodhem të rikthehem prapë për të korrigjuar defektet që krijojnë filmat dhe lojërat që shfaqen sot për fëmijë.” -thoshte ajo e ngazëlluar, se përveç lodhjes i jep shumë kënaqësi misioni i saj i shenjtë. Janë po këto muslimane që paragjykohen për shkak të mbulimit, veshjes, paraqitjes së tyre e akoma “përjashtohen” nga po kjo shoqëri, e ndërkaq këto motra të nderuara do të edukojnë kuadro e breza të rinjsh me ambicie më të larta nga shembujt e besimit.

Pas gjithë kësaj rrëmuje e goditje dallgësh nga shumë anë, me mënyra e mjete të ndryshme, ne duhet të kemi shumë kujdes, të ruajmë veten, familjen, e gjithë shoqërinë nga këto kthetra të fshehura. Në jetë ekzistojnë dy thirrës: Thirrësi në Mëshirën e Allahut, që të fton në Kënaqësinë dhe Dashurinë e Tij. Apo thirrës që thërret në të kundërtën e saj. Epsh që urdhëron në të keqe, teka e dëshira që tërheqin drejt një përfundimi shkatërrues në të dy jetët. A e keni menduar, se kë thirrës duhet të ndiqni gjithmonë, apo tek cili thirrës bën pjesë ti?!

 

Përgatiti: Burbuqe Rexha

Burimi: http://albislam.com

http://islamifejaevertete.com

 

Must Read