BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirSHEMBUJ TË SAHABËVE PËR MËSIMIN PËRMENDËSH TË KURANIT DHE SHKENCAVE TË TIJ

SHEMBUJ TË SAHABËVE PËR MËSIMIN PËRMENDËSH TË KURANIT DHE SHKENCAVE TË TIJ

SHEMBUJ TË SAHABËVE PËR MËSIMIN PËRMENDËSH TË KURANIT DHE SHKENCAVE TË TIJ

Falënderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë dhe vetëm tek Ai ndihmë dhe falje kërkojmë. Allahut i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve dhe punëve tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe ai që është në humbje nuk mund ta udhëzojë kush tjetër veç Allahut të Madhëruar. Dëshmoj se nuk ka tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shokë dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Kështu pra triumfuan sahabët në mësimin e Kuranit dhe shkencave të tij, si pasojë e shkaqeve të lartpërmendura dhe kujdesja e fortë për mësimin përmendësh; kështu i mësuan shkencat e tij, sikurse mësuan ajetet. Taberiu transmeton nga Ibnu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ishim që nëse njeri prej nesh do të mësonte dhjetë ajete, nuk i tejkalonte ato derisa t’i mësonte mirë dhe të punonte me to”.

Abdurrahman es Selmi ka thënë: “Na kanë treguar ata të cilët na lexonin ne se ata e kishin mësuar Kuranin nga Profeti (alejhi selam) dhe ishin që nëse mësonin dhjetë ajete, nuk mësonin tjetër, derisa të punonin me ato që ndodheshin në ajete dhe kështu mësuam Kuranin dhe punën me të së bashku.”

Abdullah ibnu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Betohem për Allahun, që nuk ka zot tjetër me të drejtë veç Tij, nuk ka zbritur sure nga libri i Allahut, vetëm se unë e di se ku ka zbritur; dhe nuk ka zbritur ajet nga libri i Allahut vetëm, se unë e di për çfarë ka zbritur. Sikur të di një më të ditur se unë që informon për librin e Allahut do ti hypja deves për të shkuar tek ai”.

Ali ibnu Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) një ditë kur ishte në mimber tha: “Më pyesni mua se, për Allahun, nuk keni për të më pyetur për ndonjë gjë, vetëm se kam për t’ju lajmëruar dhe më pyesni për librin e Allahut, se, për Allahun, unë jam që e di më mirë se ka zbritur natën apo ditën, në fushë apo në mal”. Versionet për këtë janë të shumta dhe të gjitha ato vërtetojnë se sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!) nuk janë mjaftuar vetëm me mësimin përmendësh të tekstit të Kuranit, por edhe shkencat dhe kuptimet e tij. Shumë prej sahabëve janë të njohur për tefsirin e Kuranit dhe prej tyre katër halifet, Ibnu Abasi, Ibnu Zubejri, Ubeje bni Keab, Zejd ibn Thabit, Abdullah ibnu Mesudi, Ebu Musa el Eshari dhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Transmetimet më të shumta në tefsir janë nga Ali ibnu ebi Talib, Ibnu Abasi, nga Ibnu Mesudi dhe Ubeje bni Keab (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Në kohën e sahabëve u hapën shumë vende islame dhe sahabët u shpërndanë nëpër to që t’u mësonin njerëzve Kuranin dhe shkencat e tij dhe këto vend-mësime u quajtën më pas shkolla të tefsirit; më të shquarat janë tri:

Shkolla e Ibnu Abasit në Mekë dhe ai është më i dituri i këtij umeti (në tefsir) dhe komentuesi i Kuranit, pasi për të Profeti (alejhi selam) është lutur duke thënë:

“اللهم فقهه في الدين و علمه التأويل”

“O Zot, bëje atë të kuptojë fenë dhe mësoi atij komentimin (e Kuranit)!”

Shkolla e Ubeje ibn Keab në Medine. Ka qenë një prej atyre që shkruanin shpalljen dhe prijësi i lexuesve të Kuranit me dëshminë e Profetit, i cili ka thënë:

“أقرؤكم أبي بن كعب”

“Lexuesi më i mirë tek ju është Ubej ibn Kab.”

Shkolla e Abdullah ibn Mesudit në Kufe. Ai është i pari i cili publikoi Kuranin në Mekë te kurejshët pas Profetit (alejhi selam). Profeti për të ka thënë:

“من أحب أن يقرأ القرآن غضا كما أنزل فليقرأه على قراءة ابن أم عبد”

“Kush dëshiron ta lexojë Kuranin të freskët, ashtu siç ka zbritur, le ta lexojë me leximin e Ibnu Umi Abd.” Ku kishte për qëllim Ibnu Mesudin. Ndërsa ai ka treguar për veten e tij: “Për Allahun, kam marrë nga goja e Profetit (alejhi selam) më shumë se shtatëdhjetë sure.”

Banorët e Mekës të Medinës dhe të Kufes janë njerëzit më të ditur në tefsir.

Burimi:
http://burimijetes.info
Përgatiti: Bledar Haxhiu

Must Read