Shembulli i udhëzimit
Transmetohet nga Ebu Musa -Allahu qoftë i kënaqur prej tij!- se i Dërguari i Allahut -alejhi salatu ue selam- ka thënë:
“Shembulli i asaj me të cilën më ka dërguar mua Allahu me udhëzim e dituri, është si shembulli i shiut të madh që përfshin një pjesë të tokës. Në atë pjesë të tokës ka vende që e thithin ujin dhe aty mbijnë shumë bar dhe bimë të tjera. Ka edhe vende që e mbajnë ujin, me të cilin Allahu u sjell dobi njerëzve: për ta pirë, për të vaditur me të të mbjellat e tyre, e përdorin atë në të mbjellat e tyre. Por ka edhe vende të cilat as nuk e mbajnë ujin e as nuk mbin prej saj ndonjë bimë. Shembulli i gjithë kësaj është si shembulli i atij që e mëson fenë e Allahut dhe i bën dobi ajo me të cilën më ka dërguar mua Allahu, e kupton, punon sipas saj dhe ia mëson të tjerëve, si dhe shembulli i atij që nuk kujdeset për këtë dhe nuk e pranon udhëzimin e Allahut me të cilin jam dërguar.” (Mutefekun alejhi)
Kuptimi i hadithit
Imam En-Neueuiu -Allahu e mëshiroftë- thotë:
“Në hadith gjendet shpjegimi i shembullit të udhëzimit me të cilin ka ardhur i Dërguari i Allahut -alejhi salatu ue selam- me shiun.
Në hadith tregohet se ekzistojnë tre lloje tokash, ashtu siç ekzistojnë tre lloje njerëzish.
Lloji i parë:
Toka që ka dobi prej shiut dhe e cila ringjallet pasi ka vdekur. Prej saj mbin bar dhe bimë të tjera, njerëzit dhe kafshët kanë dobi prej saj. Po kështu është lloji i parë i njerëzve. Atyre u vjen udhëzimi dhe dituria. E pranojnë, e mbajnë mend dhe zemrat e tyre ringjallen, punojnë me të dhe i mësojnë të tjerët me të. Këta kanë dobi për vete por edhe për të tjerët.
Lloji i dytë:
Toka që nuk ka dobi për vetveten, por pasi që e mban ujin, ajo ka dobi për të tjerët, për njerëzit dhe për kafshët. I këtillë është lloji i dytë i njerëzve. Ata kanë aftësi për të mbajtur mend, por e kuptojnë me shumë vështirësi dhe nuk janë në gjendje që prej asaj që kanë mësuar të nxjerrin dispozita dhe kuptime të ndryshme. Ata nuk përpiqen të nënshtrohen dhe të punojnë sipas asaj që e mbajnëmend. Kështu, atë që e kanë mësuar vetëm e mbajnë mend dhe presin t’ju vijë ai që ka nevojë për diturinë e tyre, ai që dëshiron të ketë dobi për vetveten dhe për të tjerët. Njeriu i tillë merr prej tyre dhe ka dobi prej saj. Pra, ata u bëjnë shërbim të tjerëve me atë që kanë.
Lloji i tretë:
Toka e papunuar prej së cilës nuk mbin asgjë. Asaj nuk i bën dobi uji dhe si e tillë, ajo nuk e mban as ujin që ta shfrytëzojnë të tjerët.
I këtillë është lloji i tretë i njerëzve. Ata as që mbajnë mend e as nuk kuptojnë. Ata nëse dëgjojnë për diturinë nuk e shfrytëzojnë atë e as që mbajnë në mend që ta shfrytëzojnë të tjerët.”
Gjithashtu në këtë hadith ka disa dobi:
1. Sjellja e shembullit.
2. Vlera e diturisë dhe e mësimit.
3. Nxitja e madhe për diturinë.
4. Urrejtja nëse largohemi prej diturisë.
E, Allahu e di më së miri.
Imam Neueui
http://burimijetes.info/