SHKAKU MË I RËNDËSISHËM I PREHJES DHE QETËSISË SHPIRTËRORE!
Përmendja e Allahut (dhikri) është një ndër shkaqet kryesore që zemrës i sjell kënaqësi dhe e bën të lumtur. Shpeshtimi i dhikrit ka ndikim të jashtëzakonshëm në qetësinë dhe në prehjen shpirtërore, në njërën anë, dhe në largimin e brengave dhe pikëllimit, në anën tjetër. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er Rrad, 28)
Përmendja e Allahut ka ndikim të pamohueshëm në jetësimin e qetësisë shpirtërore për shkak të mirësisë dhe shpërblimit të cilin robi synon të arrijë duke e praktikuar atë.
Shkak tjetër i përjetimit të kësaj kënaqësie shpirtërore është edhe shfaqja e mirësive të Allahut, të dukshme dhe të padukshme, sepse kjo e motivon për ta falënderuar Allahun, që është grada më e lartë, madje edhe nëse njeriu është në gjendje varfërie, sëmundjeje apo lloj tjetër sprovash. Kjo, për shkak se nëse bën një krahasim ndërmjet
dhuntive të panumërta që i janë dhënë dhe të këqijave që e kanë goditur, do të vërejë se dallimi ndërmjet tyre është i madh, andaj nuk do të lejojë që ca të këqija të dominojnë kundrejt të mirave të shumta. Madje, nëse njeriu gjatë sprovave bën durim dhe pajtohet me to duke iu nënshtruar Allahut, jo vetëm që do t’i lehtësohen për t’i tejkaluar, por llogaritja në shpërblimin e Allahut për durimin karshi tyre dhe pajtimi me caktimin e Allahut do të ndikojnë që gjërat e hidhura të kenë shije të këndshme. Ëmbëlsia e shpërblimit do ta bëjë ta harrojë shijen e hidhur të sprovës.
Si mjet i dobishëm në këtë aspekt mund të aplikohet edhe ai që i Dërguari صلى الله عليه وسلم ka paraparë në këtë hadith: “Shikoni ata që janë më poshtë se ju (në çështjet e dynjasë), e mos i shikoni ata që janë mbi ju, sepse kjo është më e ndershme që të mos përbuzni mirësinë e Allahut ndaj jush!” (Hadithin e shënojnë Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi)
Po qe se njeriu e praktikon këtë kriter në jetën e tij, do të shohë se ka shëndet më të mirë se shumë robër të Allahut, sikur që ka gjendje ekonomike më të mirë sesa shumë njerëz, dhe kjo medoemos do të ndikojë që frika, trishtimi dhe brenga të largohen, ndërsa gëzimi i tij për faktin se është më i privilegjuar se shumë robër të tjerë të Allahut, do të shtohet.
Sa më shumë që të shtohet meditimi i robit në mirësitë e Allahut që i janë dhuruar, qofshin të dukshme apo të padukshme, shpirtërore apo materiale, ndien se Allahu i ka dhënë mirësi të shumta dhe i ka larguar të këqija të panumërta, rrjedhimisht kjo ia largon pikëllimin duke ia sjellë gëzimin.
Burimi:
Autor: Abdurrahman ibn Raxheb & Abdulvahid el-Magribi
Titulli: Frika prej Xhehenemit dhe malli për Xhennetin
Përktheu: Abdurrahim Balla
Botues: Rinia Islame