BallinaAKTUALEOpinioneShqiptarët dhe Palestina

Shqiptarët dhe Palestina


Shqiptarët dhe Palestina


Veç sa lamë pas vitin e ri hixhri, apo atë të kalendarit hënor. E tash filluam një vit të ri ku shpresojmë se do të jetë i suksesshëm për ne si popull, por pse jo edhe për mbarë njerëzimin A nuk ka ardhur Islami për mbarë njerëzit, a nuk ua do të mirën të gjithë njerëzve, a nuk synon lumturinë e tyre në këtë dhe në botën tjetër?! A nuk rrjedh emri Islam nga fjala ‘selem’, e që do të thotë, paqe, lumturi, siguri, qetësi, mirësi për të gjithë? A nuk është edhe përshëndetja e muslimanëve ‘selam’, pra paqe? A ka kush në botë që ka përhapur paqen më shumë sesa myslimanët dhe a ka kush që e do më shumë atë për mbarë njerëzimin, sesa myslimanët? Çdo kush që pretendon se e përhapë paqen, apo ua do atë të tjerëve, ai e ka për interes dhe kjo është duke u parë qartë në tërë botën. Gjithsesi, përjashtim bëjnë myslimanët, por -mjerisht- ata tashmë nuk janë faktor me rëndësi. Historia  e di fortë mirë të kaluarën e tyre se kush kanë qenë dhe çfarë synimi kanë pasur, kështu që le të shpresojmë se rikthimi i tyre në skenë nuk do të vonojë dhe se me vet kthimin e tyre edhe njerëzimit do t’i kthehet nderi dhe dinjiteti.

Kthehemi aty ku mbetëm, jemi në ditët e para të muajit të parë të kalendarit hixhri apo hënor, në muajin Muharrem, që pas tri dite, apo më konkretisht me dhjetë (10) Muharrem është një datë goxha me rëndësi për muslimanët, ngase është dita e “ashureve”, dita kur Allahu shpëtoi Musaun a.s. dhe popullin e tij dhe fundosi Faraonin dhe ushtrinë e tij. Për t’i treguar mbarë botës se para fuqisë së Allahut nuk mundë të dalë asnjë njeri, e as një fuqi tjetër në botë sado qoftë ajo e madhe apo e fortë. Çdo gjë është e vogël për ballë lartmadhërisë së Allahut xh.sh. “Zoti yt është ai i fuqishmi, ngadhënjyesi” (Kur’an, Hud: 66).  E si shenjë falënderimi për Zotin që ju ndihmoj atyre myslimanëve, Musau agjëroi, pastaj populli i tij, po edhe Profeti Muhamed a.s. agjëroi dhe urdhëroi të agjërohet ajo ditë duke ja shtuar një ditë para apo mbrapa, e që premtoi shumë sevap për atë që agjëron atë ditë.  Kjo ngjarje e madhe ndodhi diku para 3500 viteve, atëherë kur profeti Musa ishte urdhëruar nga Zoti që popullin e tij izraelitët t’i marr nga Egjipti dhe t’i shpëtoi ata nga mizoria dhe tortura e Faraonit, për t’i dërguar më pas në Palestinë, në Xhaminë Al-Aksa, xhami kjo e cila pati një histori shumë të vjetër, shumë interesante dhe me plot ndodhi. Xhami kjo për të cilën edhe sot e kësaj dite janë të armiqësuar shumë keq dy popuj, që secili nga ta pretendon se ka më shumë hak dhe të drejtë në të, pra janë këta popujt palestinez dhe izraelit. E që ky i dyti me ndihmën e anglezëve dhe të tjerëve në vitin 1948 shpalli shtetin e tij brenda territorit të Palestinës dhe vazhdoi të okupoj toka të një pas njëshme, e të dëboj miliona palestinez jashtë shtetit të tyre, e që si rezultat i këtij pretendimi dhe kësaj politike, u bënë shumë lufta arabo izraelite. E meqë ra fjala, tashmë Pelestinezët janë shumë afër realizimit të ëndrrave të tyre për ta shpallur shtetin e tyre, së paku ata po shpresojnë dhe po përpiqen për çka kanë edhe përkrahjen e shumë shteteve të botës. Ngase njerëzit instinktivisht janë të përgatitur që ta përkrahin viktimën, që të qëndrojnë krahë të dobëtit. Jam shumë i bindur se edhe ne shqiptarët – së paku shumica dërmuese- qëndrojmë krah palestinezëve në realizimin e aspiratave të tyre.  Jo vetëm pse ata janë myslimanë dhe i përkasin fesë tonë dhe kaq, por pse kanë vuajtur shumë dhe është e drejtë e tyre e plotë që edhe ata të jetojnë si njerëzit tjerë, ta kenë shtetin e tyre, lirinë e tyre. Ne si myslimanë edhe fetarisht jemi të obliguar që të qëndrojmë krah të ligjve e të dobëtëve. Ne si mysliman dënojmë atje ashpër holokaustin, apo vrasjen masive të evrejëve nga ana e nazistëve gjerman gjatë luftës së dytë botërore, ngase ai ka qenë një zullum dhe padrejtësi që ju është bërë njerëzve të pafajshëm, në veçanti kur dihet se ajo torturë nuk kurseu as gratë e fëmijët. Por këtu përkrahim palestinezët dhe të drejtën e tyre për shtetformim, ngase ata kanë hekur shumë dhe janë duke hekur. Atëbotë, gjatë luftës së dytë botërore evrejtë ishin viktimë, ndërsa nazistët fajtorë, kurse sot, palestinezët janë viktimë, ndërsa Izraelitët janë okupatorë. Në Palestinë që nga koha e okupimit janë vrarë me mija gra e fëmijë, janë dëbuar miliona njerëz nga vatrat e tyre, janë okupuar mbi 80% e territorit të shtetit të tyre, të tokës së tyre që e kanë trashëguar me shekuj. Ne shqiptarët nga Kosova më së miri e dimë se çka është me vuajtur nga armiku, se çka është me qenë të okupuar. Ne ia besojmë më së miri atij populli i cili lufton për liri. Kur ka qenë koha për t’i përkrahur e mbrojtur evrejt i kemi përkrahur, bile shqiptarët janë ndër popujt që shumë i kanë përkrahur evrejt dhe i kanë fshehur gjatë okupimit gjerman. Duke i strehuar ata nëpër shtëpitë e tyre, me çka kanë rrezikuar edhe tërë familjen. Por tashmë situata qëndron krejt ndryshe dhe se ne si popull duhet komplet ta përkrahim popullin palestinez. Por ja që si duket qeveritë tona, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, nuk mbajnë këtë qëndrim. Ato kanë vendosur që me çdo kusht të qëndrojnë krah Izraelit, duke mos përkrahur iniciativën palestineze për pavarësi. Nëse qeveria jonë është shumë e varur nga faktori ndërkombëtar, për mos me thënë se nuk guxon ta njoh shtetin palestinez duke pasur frikë se po i dëmton proceset e shtetformimit, për çka ndoshta edhe justifikohet deri diku, po qeveria e Shqipërisë si ta justifikoj qëndrimin e saj?!

Qëndrimi i Shqipërisë përball palestinezëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-ës, e pastaj edhe gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Izrael, ishin dy hapa pro Izraelit dhe kundër Palestines, gjë që ka befasuar shumë qytetarë të kombit tonë. Si bëhet që qeveria shqiptare të dal kundër dëshirës së popullit të saj, si bëhet që t’i dal krah fajtorit? Çfarë dallimi ka mes okupimit serb në Kosovë dhe atij Izraelit në Palestinë? Pse ne patëm të drejt lirie, e ata nuk paskan? Kush vuan sot në botë më shumë sesa populli palestinezë, ku vriten e persekutohen më shumë gratë e fëmijët sesa në Palestinë? Lehtë është me përkrah të fortin, por është vështirë me përkrah të dobëtin. Ajo është burrëri, ajo është drejtësi, ajo është mirësi, që ‘të zezes t’i thuhet e zezë, por edhe të bardhës t’i thuhet e bardhë’, pavarësisht se nganjëherë mundë të kushtoj. Mendoj se kryeministri shqiptar ka bërë një gabim të madh që nuk ka vizituar edhe anën tjetër të palestinezëve, për t’i shikuar hallet e tyre, për t’i dëgjuar ata, për ta parë me sytë e vet se sa vuan një popull i tërë.

Pastaj a ndalen me menduar qeveritë shqiptare, se me këtë qëndrim të njëanshëm të tyre mund t’i dëmtojnë raportet tona si komb me mbi 60 shtete islame në botë, të cilat sot ani pse nuk janë faktor vendimmarrës në botë, megjithatë kanë një ndikim shumë të madh. Tekefundit, varet pranimi i shtetit të Kosovës prej tyre. Mendoj se politika e shteteve shqiptare nuk duhet të jetë e ndikuar apo e prekur nga disa liderë të qeverisë palestineze karshi qeverisë së Serbisë se nuk kanë për ta njohur Kosovën, por duhet të jetë e respektit të lirisë, jo e reciprocitetit, në veçanti ndaj një populli që për nga vuajtja janë të parët në botë.

Nuk do të doja të ndahem me ju pa shprehur edhe befasinë time për të mirë nga shkrimi i publicistit Veton Surroi, i cili prej një vizionari dhe strategu shprehu një qëndrim shumë të matur dhe të peshuar mirë, qëndrim human dhe apolitik, e që në fakt do të duhej të ishte edhe qëndrimi i qeverive tona.

Allahu i drejtoftë qeveritarët dhe politikanët shqiptarë, e ju ndihmoftë popullit palestinezë në realizimin e ëndrrave të tyre, ashtu siç na ndihmoj neve. Amin dhe deri javën e ardhshme me  një temë tjetër selam alejkum.


Dr. Shefqet Krasniqi

Burimi: Krenaria.com

www.islamifejaevertete.com

Must Read