BallinaAKTUALEOpinioneRespektimi i traditave

Respektimi i traditave

 

Respektimi i traditave

 

Kultura dhe traditat datojnë që moti. Ato nisin që nga kohët më të hershme, atëherë kur Allahu krijoi njeriun dhe pasardhësit e tij. Në fakt, jo vetëm që datojnë si kulturë dhe traditë, porse edhe si diversitet apo shumëllojshmëri, sepse, siç e dimë, njerëzit u shpërndanë në vendbanime të ndryshme që për pasojë secili pati diç me të cilën veçohej. Sa më shumë që largoheshin nga njëri tjetri aq më shumë dallonin, dhe kësisoj, me kalimin e kohës, u formuan shoqëri me identitete, kultura dhe tradita të ndryshme.

E vërtetë se ishin të ndryshme dhe dallonin në shumëçka, por, nevoja për zhvillim, e në raste të caktuara edhe për mbijetesë, i detyroi që të bashkëpunojnë ndërmjet vete. Kështu, historia na rrëfen se njerëzit kanë krijuar marrëdhënie dhe raporte  ndërmjet vete në vazhdimësi, gjë të cilën Kur’ani e vlerëson, jo vetëm si pozitive, porse edhe si pasuri. Në kaptinën el-Huxhurat, ajeti 13, Allahu i Madhëruar thotë:

يا أيها الناس إنا خلقناكم من ذكر وأنثى وجعلناكم شعوباً وقبائل لتعارفوا إن أكرمكم عند الله أتقاكم إن الله عليم خبير

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”

Pra, arsyeja pse i bëri Allahu njerëzit në fise e popuj është që ata të kenë specifikat e veta, të njihen mes veti dhe të përfitojnë nga njëri tjetri. Përndryshe, ka qenë shumë e lehtë për Zotin, sikur të donte, që të gjithë njerëzit të ishin të një shoqërie, një race, një gjuhe, e kështu me radhë. Ka thënë Allahu:

ولو شاء ربك لجعل الناس أمةً واحدةً ولا يزالون مختلفين

Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një shoqërie (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete).” (Hud, 118)

Sikur të donte Allahu do t’i bënte ata të një feje, të një bindjeje, të një tradite, të një kulture, të një race, një ngjyre etj. Por, i ka bërë ata të ndryshëm, madje vazhdimisht ndryshojnë…Sa shoqëri që formohen aq edhe ndryshime ka mes tyre.

Edhe sot e kësaj dite njerëzit janë shumë kureshtarë që të njihen me popujt tjerë, të njihen me kulturat e traditat e tyre, të përfitojnë nga ata. Kjo është gjithsesi e mirë dhe e preferuar, ngase kështu i kontribuohet për të mirës kulturës dhe traditave personale. Pastaj, vet njeriu nga natyra e tij është kureshtar që të merr udhëtime të gjata dhe bëjë harxhime të mëdha sepse kështu i mundësohet takimi me popuj të ndryshëm dhe praktikisht kupton sa shumë ka dallime ndërmjet njerëzve. Është e pamundur të takohet me kultura e të mos gjejë diç që do ta impresionojë. Kjo ngase çdo kulturë ka diç të mirë, ani pse ndonjëra mund të jetë me vlera më të shumta se tjetra. P.sh. populli indian, për shkak të popullsisë së madhe  dhe të vjetër , ka kultura të ndryshme dhe tejet interesante. Po kështu edhe populli melaj, që shtrihen në Azinë Juglindore, përkatësisht në Indonezi, Malajzi dhe Brunei. Pastaj kinezët, arabët dhe shumë të tjerë. Secili shtet dhe secila kulturë ka diç që mund të të ofrojë. Por, për realizim të një gjëje të tillë, patjetër se duhet të ekzistojë një mirëkuptim, një respekt i ndërsjellë, një kultivim i shkëlqyer raportesh…

Kjo, assesi nuk nënkupton se ti duhet të marrësh kulturat tjera, ti përvetësosh ato pa rezervë, por, minimumi i asaj që duhet të bësh është respektimi i tyre. Konsideroj se ne si myslimanë duhet mburrur se kemi respektuar kulturat tjera, madje nganjëherë dhe ekstremisht. Shembull për këtë merr kulturën islame në Spanjë. Ramin Johanbegloo[1] duke përshkruar tolerancën islame dhe respektin për kulturat tjera, shkruante se Xhamia e Kordobës nuk shërbente vetëm për muslimanë. Në fakt, të premten e shfrytëzonin muslimanët, ndërsa të shtunën dhe të dielën e shfrytëzonin çifutët, përkatësisht të krishterët.

Edhe ne shqiptarët muslimanë, kemi merita të mëdha në këtë drejtim. Personalisht, jam munduar që kudo të kam shkuar të respektoj rendin dhe zakonet e tyre. Përgjatë gjithë kohës sa kam qenë në botën arabe, si student por edhe tani si vizitor, jam munduar të përshtatem me traditat e veshjes së tyre. Kështu kam vepruar edhe kur kam vizituar Tajlandën dhe Malajzinë.

Këtë dukuri e kam vërejtur edhe tek të tjerët, në veçanti tek evropianët, të cilët sa herë që shkojnë në ndonjë vend, mundohen t’i përshtaten atij vendi dhe populli. P.sh kur femrat e tyre futën në ndonjë faltore, xhami apo çka do qoftë ajo, vendosin shamia në kokë dhe veshin ndonjë fustan të gjatë. Dhe krejt këtë e bëjnë si shenjë respekti për kultin, fenë dhe traditën e tjetrit. Kjo nuk bëhet vetëm nga vizitorët e rëndomtë, por edhe nga personalitetet politike, e në veçanti nga gjinia femërore, të cilat, duke e ditur se në islam urdhërohet mbulimi i femrës, sa herë që vizitojnë ndonjë vend arab e vendosin edhe shaminë në kokë dhe veshin tesha të gjata për të mos iu dukur asgjë nga trupi i tyre. Shembullin më të freskët për këtë e kemi në Mbretëreshën e Holandës, Mbretëreshën Beatrix, e cila ditë më parë vizitoi Omanin ndërsa  për respekt të traditave (fetare) kishte vënë shami në kokë dhe një pelerinë të gjatë deri tek këmbët. Kësi respekti treguan edhe personalitet tjera, si Kryetarja e Zvicrës, pastaj zonja Klinton dhe shumë e shumë personalitet tjera nga jeta politike dhe e artit, por jo edhe Presidentja jonë, zonja Atifete Jahjaga, e cila para pak ditësh vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe. Mediat ia panë paksa për të madhe veshjen e saj provokuese në mesin e meshkujve të mbuluar, sheikëve që kishin rroba të gjata, sidomos për faktin se vjen nga një vend islam dhe vet ajo ka përkatësi islame.

Një gjest i tillë sipas mendimit tim ishte shumë i pahijshëm dhe jepte një imazh të keq për popullin e Kosovës, i cili deshëm apo jo identifikohet si popull mysliman, bile edhe vet presidentja është myslimane. E ne t’i nënçmojmë ata njerëz të cilët aq shumë bënë për ne gjatë luftës dhe pas saj, në veçanti Emiratet e Bashkuara?! Konsideroj se kjo duhet të troket në ndërgjegjen e çdo kosovari. Presidentja jonë sikur  mos ta kishte njohur fare mentalitetin arab dhe atë Islam, sikur të ishte një person i cili nuk ka dalë shumë jashtë vendit dhe nuk ka parë kultura të popujve të ndryshëm, do të justifikohej ndoshta, por pasi që e dimë se ajo ka qëndruar një kohë mjaft të gjatë jashtë vendit dhe ka shëtitur shumë vende dhe shumë shtete, atëherë një veprim i tillë nuk justifikohet. Kam frikë se kjo mund të ketë edhe pasoja politike dhe ekonomike.

Është interesant se diplomatët evropian janë shumë të kujdesshëm që sa më shumë ti përshtatën shtetit ku shërbejnë apo të cilin e vizitojnë. P.sh. ne kemi diplomatë të huaj në Kosovë të cilët e flasin gjuhën shqipe, i njohin ushqimet tona tradicionale, bile ka mjaft nga ta të cilët kur takojnë ndonjë fetarë, si Myftiun, apo ndonjë Imam të Xhamisë e përshëndesin edhe me ‘Selam alejkum.’ Kjo flet për vizionin që kanë për t’i shërbyer shtetit prej nga vijnë duke respektuar tjetrin, duke fituar dashurinë dhe respektin e tjetrit. Ata, vërtetë janë ambasadorë të vendeve të tyre. Ata përfaqësojnë denjësisht vendet e tyre. Ata e dinë se ‘do të respektohesh vetëm atëherë kur të respektosh!’

Sinqerisht, më vjen shumë keq dhe ndihem thellësisht i prekur kur kujtoj rastin e Presidentes sonë, por mbetem me shpresë se kjo nuk do të përsëritet më.

Allahu na udhëzoftë të gjithëve!

Deri në javën e ardhshme iu lë në amanet të Allahut!

Selam alejkum!


Dr. Shefqet Krasniqi

Burimi: Krenaria.com

www.islamifejaevertete.com

Must Read