BallinaAKTUALEFakte dhe StatistikaShqiptari, emigrimi dhe indentiteti i tij

Shqiptari, emigrimi dhe indentiteti i tij


Shqiptari, emigrimi dhe indentiteti i tij

 

 

Çfarë na ofrohet?

 

Duke shfletuar faqet e historisë sonë kombëtare, do të vëresh pa dyshim se populli ynë është përpjekur gjithnjë që të ruajë të pacenuar identitetin kombëtar dhe të mbrojë integritetin e trojeve të veta, ato të Shqipërisë Etnike. Sakaq, shfletim i historisë kombëtare nuk do përkon aspak me ndjekjen e një filmi ‘historik’ me brumim të natyrës komuniste-sovjetike rreth Shqipërisë së para gjashtë shekujve, në të cilën Gjergj Kastrioti[1] Skënderbeu[2] pas luftës në Krujë, kur hyn në skenë si prijës i popullit të tij[3], të pranishmëve u thotë: “o shqiptarë”, në një kohë kur fjala ‘shqiptar’ s’ekzistonte fare[4], gjë që tregon realitetin e paqëndrueshëm historiografik të shkruesit të asaj shëmbëlltyre të historisë.

 

Për të mësuar historinë e popullit tonë, sot lexuesi shfrytëzon literaturë të huaj, gjegjësisht serbe apo greke, çka është vërtet brengosëse. Nevoja për flakjen e teksteve filo-serbe nga bankat e shqiptarëve, s’ka dyshim që është diçka e domosdoshme dhe e pashmangshme. Sot, në kohën e lirisë së fjalës, pas shkëputjes nga sistemi sllavo-komunist – sistem i instaluar nga serbet[5] në Shqipërinë tonë – shqiptarët s’kanë kurrfarë arsye të mendojë akoma si Enveri, shërbëtori besnik i marksizëm-leninizmit, i cili u nguliti shqiptarëve përmes dhunës dhe mekanizmit të shpëlarjes së trurit idenë se këta shpëtuan e dolën fitimtarë në kohën kur u shkëputën nga Perandoria Osmane, e cila punoi për disa shekuj duke u mbështetur në parimet e Sheriat (Sistemin e Zotit). Enveri mendonte kështu dhe impononte të njëjtin mendim, sepse ish i ngarkuar me këtë mision nga serbet, të cilët vetëm atëherë (1912), kur shqiptarët u ndanë nga Perandoria Osmane, pushtuan tokat e shqiptarëve, çka nuk patën mundësi që ta bënin më herët, në kohën kur aleati i shqiptarëve ishte Perandoria Osmane, pjesë përbërëse e të cilit qe edhe Shqipëria. Madje, nuk mbeti me kaq, ai (përhapësi i ideve komuniste) vazhdoi me të njëjtën egërsi kundër shqiptarëve, e sidomos ndaj atyre myslimanë, njëlloj siç kishin vepruar punëdhënësit e tij[6] dekada më parë. Prandaj, lipset thënë që në fillim se antishqiptarizmi i krijuar nga një kryetradhtar s’mund të merret parasysh, dhe e njëjta gjë vlen edhe përsa i përket historiografisë në lidhje me historinë e popullit tonë, krenaria e të cilit u ngrit në kohën kur ishte mik e akraba me perandorinë më të fortë të kohës.

 

Rreth shtypjes…

Gjatë gjithë kohës, – po flasim për dy shekujt e shkuar, – ndaj shqiptarëve u ushtrua një dhunë sistematike. Dihej se, ajo çka i pengonte shtypësit ishte identiteti i shqiptarëve. U bënë kongrese padrejtësish, mashtrimesh dhe çrregullimesh, ndër to Kongresi i Berlinit (1878)[7], më vonë Konferenca e Londrës, e të tjerë, porse asnjëra s’ishte në favor të së vërtetës rreth popullit shqiptar.

Ortodoksët serbë, pas largimit të osmanëve, filluan gjenocidin kundër shqiptarëve, e sidomos ndaj shqiptarëve të Kosovës, me pretekstin se gjoja: “Kosova paska qenë në mesjetë qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët deri në fund të shek. XVII – fillimi i shek. XVIII, kur pas luftës austro-osmane të viteve 1683-1699 një pjesë e popullsisë serbe që mori anën e Austrisë, qenka tërhequr për në veri dhe vendin e saj e paskëshin zënë shqiptarët e ardhur nga viset e brendshme malore të Shqipërisë së Veriut”[8], çka janë thjesht propagandë, pa kurrfarë themeli historiografik. Kryqtarët ortodoksë serbë, të cilët nxitën masakrimin e mijërave shqiptarëve, si në fillim të shekullit të njëzet, po ashtu edhe në fund të tij, – dhe, pavarësisht se fundamentalistë fetarë kishtarë, akoma zënë vend të rëndësishëm në Serbi, – mbeten sinonim i së keqes dhe krimit[9] në Evropë, siç mbeten të tillë pararendësit e tyre kishtarë famëkeq me kryqëzatat e tyre në tokat e myslimanëve, gjegjësisht aty ku dolën dijetarët dhe shkencëtarët më të ditur e njohur, në Kordobën e famshme, që “ishte qyteti më i pasur në Botë”[10].

Shtypja e shqiptarëve ende vazhdonte, më vonë, “Pas rënies së Janinës, ushtria greke hyri në Çamëri. Pushtimi u shoqërua me mizoritë e shumta të bandave greke kundër popullsisë civile shqiptare. Çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, Çamëria ra nën sundimin grek.”[11]

Mbi popullatën çame (60.000 myslimanë e 20.000 të krishterë) ushtrohej një dhunë e madhe. Mit’hat Frashëri, shkruante pandërprerë se ç’po ndodhte me myslimanët e Çamërisë. Ai, kur i shkruan (23 qershor 1923) Ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, ndër tjera i thotë: “Këtu të bashkuar ke edhe kopjen e një note verbale që dhashë sot për vështirësitë që po hasin shqiptarët myslimanë në udhëtimet e tyre, në kufijtë grekë”[12] dhe në shumë letra të dërguara kërkon ndihmën dhe ndërhyrjen e shtetit shqiptar për t’i ndihmuar çamët, gjegjësisht ata myslimanë, ndaj të cilëve ushtrohej me presion këmbimi me grekë, përkatësisht dërgimin e çamëve myslimanë në Turqi dhe sjelljen e grekëve në tokat çame. Kur panë vendosmërinë e çamëve për të qëndruar në tokat e tyre, atëherë filluan të ushtrojnë edhe dhunë, derisa shumë prej tyre i larguan nga trojet e tyre, në të cilat lanë familjarët e tyre të masakruar, në tokën e Çamërisë, në të cilën bëhej spastrim etnik[13].

E gjithë kjo dhunë ndodhi ndaj shqiptarëve, vetëm atëherë kur më shqiptarët s’ishin afër osmanëve, akrabatë më besnikë, të cilët kurrë  nuk ushtruan dhunë ndaj tyre. Siç tregon edhe Joseph Rothchild për shqiptarët se: “Ata ishin të fundit që vendosen të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, struktura e elitës të së cilës kishte qenë gjithmonë e hapët ndaj bijve të tyre të talentuar dhe ambiciozë, e cila përgjithësisht nuk i kishte shtypur ata dhe ndaj Kalifit-Sulltan të së cilës shumica e tyre ndiente një nderim të mirëfilltë fetar”[14].

 

Shqiptari…

Ecëm sa ecëm, derisa arritëm tek tema jonë… Shqiptari! Kush është Shqiptari? Për kë jemi duke folur?

Ai është muhadithi i shquar Muhamed Nasirudin, i biri i Nuh Nexhatit, të birit të Ademit. U mbiquajt elAlbani (Shqiptari), sipas vendlindjes së tij, Shqipërisë. Ai lindi në vitin 1332h/1914g, në qytetin e Shkodrës, një nga qytetet kryesore të Shqipërisë[15]. Ndoshta shqiptarët s’dinë shumë për të, pavarësisht se ka njerëz që thonë për të, si Shejh Bin Bazi: “S’di të ketë nën qiell dijetar më të madh në hadith për këtë kohë sesa Shejh Nasiri (Albani)”.

 

Emigrimi…

Kur Shqiptari (Më tej: Shejh Albani) ishte vetëm nëntë vjeç, familja e tij u shpërngul nga Shqipëria, e cila i kish hapur dyert shekullarizimit, çka i parapriu komunizmit famëkeq, për të cilin folëm më parë. I ati i Shejh Albanit e pa të arsyeshme (për të ruajtur identitetin fetar) të shkojë me familjen e tij në Sham, vendi i diturisë dhe i tregtisë, për të cilën populli ynë thoshte: “Deri n’Sham me dasht me hy, s’kemi ymër me ja mrri”[16].

 

Identiteti i tij…

Nëse lexojmë literaturën islame në çdo cilën gjuhë të botës qoftë, të shkruar nga dijetarët e kohës sonë, do të vërejmë se, përsa i përket autenticitetit, vlerësimit apo verifikimit të transmetimit të haditheve, ata i referohen Shejh Albanit, aq sa për punën e tij, dijetari i shquar, Shejh Muhamed elUthejmin, tha: “Përsa i përket analizave dhe verifikimeve shkencore, s’ka si ai”[17].

Shejh Albani thoshte: Unë jam shqiptar. Madje, këtë fjalë ia thoshte edhe gjithë botës në arabisht “Ene albanijj”. Ai jetoi në tokat arabe afër tetëdhjetë vjet, por kurrë s’e harroi gjuhën shqipe, ruajti identitetin e tij kombëtar dhe u kujdes për studentët shqiptarë, sa që në ligjëratat e tij (të incizuara në gjuhën shqipe), shpesh ai i pyet studentët e tij për çështjen shqiptare në Kosovë dhe u jepte gjithashtu këshilla. Po pse populli ynë s’e njeh? Vallë, s’kemi kohë të merremi me shqiptarët, bijtë e shqiptarëve, të cilët për 7-8 dekada ishin larg vendlindjes së tyre, por që kurrë s’e harruan vendin e tyre, madje, emrin e atdheut e vendosën në mbiemrin e tyre?! Apo, më përparësi ka ajo që thoshte: “Ami Bharater Bharat Amar”- Unë jam indiane, India është e imja[18]? Apo, vallë, i kemi dhënë përparësi atij që futi popullin e vet në luftë për interesat e Krishterimit, ndërsa sot e quajmë hero kombëtar, në të njëjtën kohë kur Vatikani e quan “Kalorësi i Krishterimit” apo edhe “Mbrojtës i Krishterimit”[19]?! Pse s’e njohim Shejh Albanin?

Rreth shtypjes…

Tani do të kthehemi prej udhëtimit tonë, aty ku u nisëm… Te shtypja ndaj shqiptarëve!

Kohët e fundit jemi dëshmitarë të misionarizmave antishqiptare-antimyslimane, të cilët duan të deformojnë përkatësinë e shqiptarëve. Islamofobia është e dukshme… Në çdo pikë mundohen të largojnë Islamin, fenë e shumicës së shqiptarëve. Kjo shtypje ndaj kulturës islame të shqiptarëve s’do mend që është çnjerëzore. Figurat më të shquara të shqiptarëve myslimanë s’i përmend asnjë historian, pavarësisht se pa to është krejt e pamundur të përftohet në ploti fytyra e kombit dhe kultura e shqiptarëve.

Në shkrimin e tij “Identiteti Islam i shqiptarëve, Mit apo Realitet?”, Ermal Bega shprehet bukur: “Nuk arrij të kuptoj se përse po bëhet kjo politikë kaq e poshtër anti-islame në Shqipëri. Islami është një besim i cili kurrë nuk ka krijuar probleme tek ata të cilët e praktikojnë, dhe askush tjetër nuk ka parë ndonjë gjë të keqe nga ai besim dhe nga këta besimtarë.” E që, pyetjes së tij po i përgjigjemi me fjalët e Dr. Hysen Çobanit: “Ata duan të na bëjnë të krishterë, se ashtu i hiqen halat peshkut dhe gëlltitet më lehtë. Por, kjo nuk do të ndodhë kurrë”.

 

 

Përgatiti: Mirsim Maliqi

Burimi: http://www.albislam.com

http://www.islamifejaevertete.com/

 

 



[1] Mbiemri i Gjergjit në greqishtë do të thotë: kështjellë, kala.

[2] “Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës malazeze Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave” (http://sq.wikipedia.org/wiki/Skenderbeu) (Shënim: Në referencën e cituar identiteti malazez i Vojsavës tani mungon, me që është hequr prej sajtit, nga ku më parë jemi referuar). Mendohet se lindi më 6 maj 1405.  Njihet ndryshe si Skënderbeg (Aleksandër).

[3] Mos harrojmë se ky “popull” nuk ishte vetëm ajo pjesë e popullsisë që jetonte në Krujë apo në rrethinat e saj.

[4] Shqiptarët aso kohësh quheshin “arbër”.

[5] Këtë na e treguan vetë komunistët, gjegjësisht Mehmet Shehu kur (22. 09. 1944) i shkroi letër Dushan Mugoshës, ku ndër të tjera i thotë: “Nuk kishim Parti, (…), e me udhëzimet e Mlladinit dhe të tuat, me ndihmat tua mundëm të seleksionohemi, të formojmë Partinë Komuniste, ta forcojmë.” (Shih: Prof. Dr. Novica Veljanovski e të tjerë, Historia për vitin III të arsimit gjimnazor, PROSVNETNO DELLO SHA (Shkup, 2006), f. 134).

[6] Gazeta Express (24 Janar 2008), botoi raportazhin e 31 dhjetorit të vitit 1912 të gazetës “The New York Times”, “Vrasjet si sport ditor” në të cilën tregohen masakrat e tmershme ndaj shqiptarëve, në të cilën përmenden emrat e qyteteve me banorë shqiptarë myslimanë, ndër to, Shkupi, Kumanova, Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova e disa vende të tjera, në të cilat serbet kishin filluar masakrat me synimin, siç transmeton i dërguari i “Daily Telegraph” se: “deklaruan se qetësimi më i efektshëm i Shqipërisë është zhdukja totale e shqiptarëve muhamedanë”.

[7] Pas së cilit u shfaq Lidhja Shqiptare e Prizrenit, rreth së cilës Prof. Dr. Muhamet Pirraku thotë: “Rreziku i drejtpërdrejtë i copëtimit të Shqipërisë ishte evident. Ndaj, kjo vuri në lëvizje të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Grupi parlamentar shqiptar tuboi rreth vetes personalitetet intelektuale dhe ushtarake me autoritet në nivelet regjionale, kombëtare dhe ndërkombëtare me detyrë të qartë: T’i dilet zot Shqipërisë. Midis aktivistëve në këtë drejtim shquhej Sheh Ymer Prizreni, i cili, me urgjencën që shtronte momenti historik, themeloi të parën organizatë politiko-ushtarake  “Ittifak” (Lidhja) me seli në Prizren, e cila për një kohë të shkurtër u rrit në Besëlidhje nën drejtimin e parlamentarit Ymer Prizreni, me detyrë të mbarështronte organizimin e mbrojtjes vullnetare të Vilajetit të Kosovës nga sulmet eventuale të Serbisë dhe të Malit të Zi.” (Shkpëtur nga: Teksti shqip i rezimesë anglisht të veprës: Myderris Ymer Prizreni  – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887 të Muhamet Pirrakut,  Prishtinë, 2005, fq. 522). Me që, gjithnjë kur përmendet Lidhja Shqiptare e Prizrenit shoqërohet edhe emri i Myderriz Ymer Efendi Prizrenit, po citoj edhe ato që thotë Prof. Dr. Xheladin Shala, në shkrimin e tij: “Ymer Prizreni figurë e rëndësishme e rilindjes kombëtare” rreth tij: “Myderriz Ymer Efendi Prizreni bën pjesë në lagjen e figurave më të rëndësishme të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Rëndësia e tij është aq më e madhe kur kemi parasysh se emri dhe përpjekja e tij janë të lidhura me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ngjarje kjo më e rëndësishmja në historinë kombëtare shqiptarë. Megjithatë, historiografia jonë gjatë kohës ka qenë mospërfillëse ndaj rolit të Ymer Prizrenit”.

[8] Shih: Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë, E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët ne Jugosllavi, (Tiranë, 1990), f. 73

[9] “Në luftën e Kosovës, që filloi prej 28 shkurt 1998 e që vazhdoi deri më 23 mars 1999, u dëbuan 800.000 mijë shqiptarë, u vrane 15,000 persona, nga të cilët 2,400 luftëtar të UÇK-së e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara” (Shih:http://sq.wikipedia.org/wiki/Lufta_e_Kosov%C3%ABs)

[10] Shih: Abdusamed Nasuf Bushatliq, Endelusi Përkujtim dhe vërejtje, përkth. Behxhet Jashari, Klubi Studentor (Shkup, 2007), f. 157

[11] Shih: Beqir Meta, Tragjedia çame, Instituti i studimeve për Çamërinë (Tiranë, 2007), f. 28

[12] Shih: Dr. Kaliopi Naska, Dokumentet për Çamërinë, Drejtoria e përgjithshme e arkivave (Tiranë, 1999), f. 95

[13] “Por përpara masakrës së korrikut, forcat e EDES-it kishin kryer një valë tjetër masakrash në qershor. Gjithashtu, pas verës pasoi një fushatë tjetër në tetor të vitit 1944 e cila bëri të plotë spastrimin etnik të Çamërisë.Rezultatet e këtij spastrimi kanë qenë me të vërtetë tragjike. Nga një popullsi prej 35000 vetësh që ishte para luftës mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Vetëm në tragjedinë e Filatit dhe të Paramithisë që u zhvillua në qershor dhe tetor të vitit 1944, rezultati ishte: 2000 të vrarë, gra, fëmijë, pleq dhe burra të paarmatosur, të masakruar në mënyrën më çnjerëzore nga bandat zerviste.” (Shih:http://sq.wikipedia.org/wiki/%C3%87am%C3%ABria

[14] Joseph Rothcild, Europa Lindore Qendore midis dy luftërave botërore, përkth. Kujtim Ymeri dhe Sabina Ymeri, Shtëpia Botuese Dituria (Tiranë, 2004), f. 351

[15] Shih: Ibrahim Muhamed El Alij, Jeta dhe vepra e Shejh Muhamed Nasirudin Albanit: Muhadithi i kohës dhe ringjallësi i Sunetit, përkth. Alban Kodra, Nektari (Tiranë, 2004), f. 19

[16] Shih: Muhamed Mufaku, Prapa Natës – Poezi e shqiptarëve të Sirisë, Rilindja (Prishtinë, 1980), f. 3

[17] El Alij, op.cit., f. 8

[18] Shih: Gëzim Alpion, Media, ethnicity and patriotism – the Balkans ‘unholy war’ for the appropriation of Mother Teresa, f. 12

[19] Kur vdiq “Kalorësi i Krishterimit”- Gjergj Kastrioti, Sulltan Murati nuk tha “Mjerë Shqiptaria”, por tha: “Mjerë Krishterimi, se i humbi shpata dhe mburoja!”(Shih: Dr. Remzi Nesimi, Gjuhë shqipe dhe letërsi, Prosvetno Dello Sha, f. 73) “Në Gjysmën e dytë të shekullit të XIV në hartën gjeopolitike të Evropës Kristiane të atëhershme shfaqet një fuqi e madhe- Turqit- Osman” prandaj “Në republikën e Venedikut si dhe në Gjenovë bien këmbanat e rrezikut për Evropën: Vatikani përgatitet për kryqëzata, jo për Jeruzalemin, por për shpëtimin e Carigradit i cili gjendet i rrethuar” e që Skënderbeu iu përgjigj kësaj thirrjeje, me që kishte mbështetjen e popujve ballkanik porse “Bashkëluftëtarët e tij ishin edhe maqedonasit”. (Shih: Akademik Ali Aliu e të tjerë, Skënderbeu 1405-1468, Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë (Shkup, 2005), f. 105-108) I gjithë ky bashkëpunim ndërpopujsh, nuk ishte për të mbrojtur Shqipërinë dhe shqiptarinë, porse Krishterimin.

 

Must Read