BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeSi është e mundur që të krishterët janë më të ditur dhe...

Si është e mundur që të krishterët janë më të ditur dhe zbulojnë shumë sende?

 

Si është e mundur që të krishterët janë më të ditur dhe zbulojnë shumë sende?


Pyetja:

Si është e mundur që të krishterët janë më të ditur dhe zbulojnë shumë sende?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Pyetja se pse të krishterët janë më të përparuar teknologjikisht (bëjnë zbulime) se muslimanët është një pyetje që vërtet ngjall dyshime te disa muslimanë, të cilët nuk kanë njohuri rreth Islamit dhe mësimeve të tij. Gjithashtu këta nuk kanë njohuri edhe rreth historisë së muslimanëve në të kaluarën. Këto dyshime atyre u krijojnë shumë mendime të gabuara në raport me Islamin, pasi mendojnë se shkaku i kësaj ngecjeje të muslimanëve është Islami.

Ai i cili është i sinqertë dhe dëshiron ta kuptojë drejt realitetin e muslimanëve në kohën bashkëkohore, duhet ta dijë pikësëpari se shkaku i këtij realiteti nuk është Islami, por muslimanët. Allahu i Lartësuar u ka premtuar besimtarëve se do të jenë të parët dhe do të udhëheqin botën. Me fjalë të tjera, ata do të jenë superfuqi në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit në botë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu u premtoi atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Me kusht që ata të më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit.” (Nur, 55)

Në këtë ajet shumë qartë shohim premtimin e Allahut të Lartësuar ndaj muslimanëve, premtim i cili nuk është si premtimi i njeriut, por premtim i cili do të mund të realizohet sa mbyll dhe çel sytë, pasi fuqia e të Lartmadhëruarit është absolute dhe nuk ka rival. Por urtësia e Allahut ishte që ky premtim të realizohet vetëm atëherë kur edhe besimtarët (muslimanët) realizojnë kushtin i cili do ta sjellë në praktikë këtë premtim. Kushti është mjaft i qartë dhe përmendet në fund të këtij ajeti: “Me kusht që ata të më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë.” (Nur, 55)

Ai që ka lexuar rreth historisë së muslimanëve dhe të gjeneratave të para e kupton se ky premtim i Allahut është realizuar. Por këtij ralizimi i ka paraprirë edhe praktikimi i mirëfilltë i Islamit nga ana e muslimanëve te të cilët është realizuar ky premtim.

Kurse në realitetin tonë, Islami, i cili përceptohet dhe zbatohet në formë të përgjithshme nga muslimanët, është Islam jo i plotë dhe i neglizhuar në të gjitha aspektet. Shumica e muslimanëve nuk kanë njohuri themelore rreth mësimeve të domosdoshme të Islamit e mos të themi se janë neglizhentë në praktikimin e tij. Nuk e kam fjalën vetëm në praktikimin e adhurimeve dhe të riteve islame, por edhe në praktikimin e mësimeve dhe të porosive islame në të gjitha fushat; tregti, moral, në marrëdhënie në mes njerëzve, në kërkimin e diturisë, në realizimin e premtimeve, pastaj në punë dhe në dhënien e kontributit në fusha të ndryshme shkencore, etj.. Kështu që ngecja e muslimanëve është në shumë pikëpamje dhe prandaj realiteti i tyre është i tillë. Allahu i Lartësuar në këtë botë ka vendosur ligje dhe rregulla; ai i cili i mëson ato dhe punon sipas tyre, ai do të gjejë rezultatin dhe do të arrijë fitoren e suksesin. Kurse ai i cili rri dhe nuk mundohet, ashtu si veprojnë muslimanët, realiteti i tij do të jetë në përputhje me kontributin që ka dhënë. Allahu e di më së miri!
 

Alaudin Abazi

21.3.2008

Burimi: http://www.klubikulturor.com

www.IslamiFejaeVertete.com

Must Read