BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeSi i mashtroi ai (Iblisi) Ademin dhe Havanë, kur dihet se ishte...

Si i mashtroi ai (Iblisi) Ademin dhe Havanë, kur dihet se ishte i përjashtuar prej xhenetit?

 

Si i mashtroi ai (Iblisi) Ademin dhe Havanë, kur dihet se ishte i përjashtuar prej xhenetit?


Pyetja:

Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Dihet që Allahu e përzuri Iblisin nga xheneti për shkak se ai nuk e përfilli urdhrin e Allahut për t’i rënë Ademit alejhi selam në sexhde.
Mirëpo, gjithashtu Allahu thotë në Kuran se shejtani i mashtroi Ademi dhe Havanë që të hanë pemën e ndalur. Si në të vërtetë i mashtroi ai ata, kur dihet se ai tashmë ishte i përjashtuar prej xhenetit?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pyetja që parashtruat tregon interesimin tuaj rreth mësimeve islame dhe për këtë ju përgëzojmë dhe lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sinqeritet në kërkim të diturisë dhe së bashku me dituri edhe shtim të veprave të mira!
Kurse sa i përket pyetjes, themi se kjo është nga çështjet të cilat trajtohen në lëmin e akides dhe kjo shtjellohet te problematika se xheneti në të cilin banoi Ademi alejhi selam fillimisht, kur u krijua, a ishte xheneti i përjetshëm në të cilin do të kthehen besimtarët pas ringjalljes apo është ndonjë vend tjetër dhe nuk është fjala për xhenetin e përjetshëm.
Gjithashtu, ju duhet ta dini se kjo problematikë është nga gjërat në të cilat ka mospajtim tek Ehli Suneti dhe ky mospajtim është i lejuar, edhe pse është nga gjërat të cilat kanë të bëjnë me akiden. Ekzistojnë disa çështje të caktuara të akides për të cilat nuk kemi argument të drejtpërdrejtë, ku lejohet mospajtimi, ndër këto është edhe kjo çështje. Për këtë nuk kemi ndonjë citat të qartë nga Kurani apo Hadithi dhe kjo nuk rezulton direkt në kushtet e besimit të muslimanit.
Ehli Suneti në këtë çështje ka tre mendime:

1. Xheneti nga i cili u largua Ademi alejhi selam ishte xheneti i përjetshëm, në të cilin do të banojnë besimtarët pas ringjalljes.

2. Vendi nga i cili u largua Ademi alejhi selam është një vend i ngritur, i posaçëm në këtë tokë dhe nuk është fjala për xhenetin e përjetshëm. Kurse pse u quajt “xhenet” është për shkak të bukurisë, llojshmërisë së pemëve që kishte, etj.. Kjo në gjuhën arabe është e lejuar dhe përdoret.

3. Mendimi i tretë nuk zgjedh as të parin as të dytin, por thotë se kjo është nga gjërat të cilat i di vetëm Allahu i Lartësuar, kurse ne nuk kemi ndonjë argument të drejtpërdrejtë, që të mbështetemi në mendimin e parë apo të dytin.

Këto mendime në përgjithësi përmenden tek Ehli Suneti dhe vërtetë është vështirë përzgjidhja e ndonjërit prej tyre. Dijetari i mirënjohur Ibën Kajim Xhevzije në librin e tij “Hadi el-Ervah” i shtjellon në formë të zgjeruar këto mendime dhe i përcjell pothuajse të gjitha ato që janë thënë rreth mendimeve dhe argumenteve. Ai në fund nuk deklarohet qartë për mendimin që përmban, por në formë jo të drejtpërdrejtë anon nga mendimi i parë, se xheneti nga i cili u nxor Ademi alejhi selam ishte xheneti i përjetshëm.
Kjo ishte sa i përket xhenetit në të cilin ka qenë Ademi alejhi selam në fillim kur u krijua dhe ne nuk do të zgjerohemi më tepër duke përcjellë argumentet e palëve, por do të flasim vetëm rreth problemit për të cilin ju bëni pyetje.

-Ata që përmbajnë mendimin e dytë, se xheneti nga i cili ishte nxjerrë Ademi alejhi selam nuk ishte xheneti i përjetshëm, si argument të tyre e përmendin edhe këtë, se po të ishte ky xheneti i përjetshëm në të cilin nuk banojnë dhe nuk kanë mundësi të hyjnë vetëm se të pastrit dhe të mirët, atëherë si arriti të hyjë në të Iblisi, i cili ishte mallkuar dhe ta mashtrojë Ademin alejhi selam?!
Kurse ata që përmbajnë mendimin se ky ishte xheneti i përjetshëm, i përgjigjen me disa përgjigje kësaj, ndër to:
-se ka mundësi që Allahu i Lartësuar e lejoi me Dijen e Tij që Iblisi të hyjë, që të realizohet sprovimi mbi Ademin dhe Havanë.
-devijimi nga Iblisi (shejtani) ndodh në dy forma, drejtpërdrejt dhe me anë të vesveseve në zemër. Kjo ka ndodhur vetëm si vesvese në zemër, jo drejtpërdrejt.
-thuhet se Iblisi është personifikuar në formën e gjarprit dhe tentoi të përvidhet dhe t’u afrohet Ademit dhe Havasë. Allahu i Lartësuar e lejoi këtë gjë të ndodhë, që të sprovohet Ademi alejhi selam dhe kështu u mashtruan ata të dy nga shejtani.

Kjo ishte sa i përket çështjes që ju interesonte, shpresojmë se do t’ju mjaftojë. Edhe një herë e theksojmë se kjo çështje nuk është nga gjërat mbi të cilat ndërtohet ndonjë dispozitë apo kusht i besimit, prandaj nuk është e nevojshme thellimi në të se si ndodhi kjo, pasi muslimani ndalet aty ku e shpien argumentet. Allahu e di më së miri!


Alaudin Abazi

18.1.2008

Burimi: http://www.klubikulturor.com

www.IslamiFejaeVertete.com

 

Must Read