BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeSi të sillem me familjen time të cilët nuk dijnë asgjë për...

Si të sillem me familjen time të cilët nuk dijnë asgjë për Islamin?

Si të sillem me familjen time të cilët nuk dijnë asgjë për Islamin?

Pyetje: Selam alejkum hoxhë i nderuar, kerkoj një keshillë nga ana juaj: Si të veproj në familjen time kur asnjë prej tyre nuk falin namaz bile as shehadetin nuk e dijnë mirë, me thënë, as nuk agjerojnë ramazanin, asnjërin kusht
të Islamit nuk e zbatojnë, une jam e vemtja që fali namazin rregullisht që një vit elhamdulilah, agjëroj bëj edhe vepra nafile çfardo qoftë, prindërit nuk më lejojnë të mbulohem, bile edhe Kur‘anin nuk e besojnë se është prej Allahut kurr besmelen nuk e thojnë në kur fillojnë me ngrënë bukë asgjë asgjë, mua më vjen shumë keq për gjendjen e tyre kam frikë se Zoti kurr nuk do t’i udhëzoj edhe pse lutem per ta, ata nuk dojnë me dëgju, e tash une a kam përgjegjësi për ta ne Diten e Gjykimit…
Si të veproj me ta, më këshilloni ju lutem dhe e lus Allahun të ju ndihmoj në punën që bëni dhe të ju shpërblej me xhennetin Firdeus. Selam alejkum ue rahmetullah.
Përgjigje:
Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Motër e nderuar, Allahu (azzevexhel) në gjithë Librin e Tij tregon se njerëzit të cilët e pasojnë të vërtetën janë pak, dhe ata të cilët e kundërshtojnë atë janë më shumë. Thotë Allahu (azzevexhel): “Dhe pak prej robërve të Mi janë falenderues“. (Sebe‘ – 13) Dhe thotë: “Dhe nuk do t’i gjeshë shumicën e tyre falenderues“. (A’raf – 17) Dhe thotë: “Kjo është e vërteta prej Zotit tënd, por shumica e njerëzve nuk e besojnë”. (Hud – 17)
Dhe thotë: “Po shumica e njerëzve, edhe pse lakmon ti (të besojnë), ata nuk janë besimtarë“. (Jusuf – 103)
Kështuqë qoftë në familje, në shoqëri, në rrethin ku jeton, apo edhe më gjërë, njerëzit që e duan dhe e pasojnë të vërtetën janë më pak.
Gjithashtu, Allahu (azzevexhel) jo rastësisht na ka treguar edhe për familje të pejgamberëve të cilët e kanë mohuar pejgamberllëkun e tyre. Sikur që e ka mohuar bashkëshortja e Nuhut (alejhiselam) burrin e saj, apo bashkëshortja e Lutit (alejhiselam) burrin e saj, apo babai i Ibrahimit (alejhiselam) birin e tij, e kështu me radhë. Thotë Allahu (azzevexhel):”Atyre që mohuan Allahu u sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhëtuan (në fe) ata të dy, dhe këta dy nuk mund t’i mbrojnë ato fare tek Allahu, e atyre dyjave ju thuhet: Hyni të dyja në zjarr së bashku me ata që hyjnë”.(Tahrim,10)
Gjithashtu Allahu (azzevexhel) thotë: “Është e vërtetë si ti (Muhamed) nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu e udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”. (Kasas – 56)
Kështuqë nuk mbetet gjë tjetër për secilin prej nesh, përveçse të mundohet me metodën më të mirë dhe më të butë për t’i afruar të gjithë nën ombrellën e Islamit, për t’i futur ata në drejtësinë e tij dhe për t’i larguar nga padrejtësitë e kësaj bote, për t’i kthyer ata në robër të Allahut dhe për t’i larguar prej robërimit të dynjasë dhe të njerëzve, duke mos i anashkaluar lutjet e vazhdueshme dhe të sinqerta për ta, me shpresë në Allahun që t’iudhëzojë, si dhe duke bërë durim në thirrjen ndaj tyre dhe në sprovat që mund të vijnë prej tyre, me shpresë në shpërblimin e Allahut.
Ndërsa sa i përket mosvënies së mbulesës për shkak se familja nuk ju lejon, lexoni përgjigjen e pyetjes: Dua të mbulohem, por nuk më lejojnë prindërit. (Kliko linkun: http://fanari.al/2019/12/11/dua-te-mbulohem-por-nuk-me-lejojne-prinderit/)
Dhe në fund, lusim Allahun (azzevexhel) që të udhëzojë familjen tuaj në rrugë të drejtë, dhe juve të ju bën të qëndrueshme në adhurimet ndaj Tij.

Amin! Allahu e di më së miri.

Burimi:
Pyetje dhe Përgjigje
nga Hoxhë Omer Bajrami
Përmblodhi: Hetem Ibrahimi

Must Read