BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirVeprat gjykohen sipas rezultatit ku të çojnë

Veprat gjykohen sipas rezultatit ku të çojnë

Veprat gjykohen sipas rezultatit ku të çojnë

Allahu i Madhëruar thotë: “Mos ua shani ata (idhujt), të cilëve ata iu luten krahas Allahut, sepse nga armiqësia dhe padituria e tyre, ata mund të shajnë Allahun. Kështu ia kemi zbukuruar Ne çdo populli veprimet e veta. Në fund kthimin e kanë te Zoti i tyre dhe atëherë do t’i shpërblejë për çdo gjë që kanë bërë.” El En’am, 108.

Shpjegimi i ajetit

Allahu i Madhëruar i ndalon besimtarët nga një veprim, që në origjinë është i lejuar – t’u shash idhujtarëve idhujt e tyre. Madje, poshtërimi dhe sharja e idhujve konsiderohet si afrim te Zoti dhe tregues i besimit, por Allahu i Madhëruar i ka ndaluar nga kjo vepër për një shkak të caktuar: ajo mund të bëhet shkak që ata të fyejnë Allahun, Zotin e botëve, ndërkohë që duhet ta madhërojnë e lavdërojnë Atë.

Prej fanatizmit ndaj fesë së tyre, ata flasin pa u menduar. Çdokujt i është zbukuruar ajo që e vepron dhe flet, prandaj ata nuk e mendojnë krimin e madh që bëjnë duke fyer Zotin e botëve. Për të mbrojtur fenë e tyre, ata janë gati të bëjnë gjithçka, derisa të fyejnë edhe Zotin e botëve, dashuria për të cilin mbush zemrat e të mirëve dhe të devotshmëve. Madje, respekti për Zotin mbush jo vetëm zemrat e të mirëve, pasi edhe qafirët dhe gjynahqarët kanë në zemër respekt për Zotin. Por nëse u shahen zotat e tyre, që ata i madhërojnë, ata mund të shajnë Zotin e botëve.

Diçka është e pamohueshme: tek Allahu do të kthehen të gjithë krijesat në Ditën e Gjykimit. Pranë Atij do të paraqiten ata dhe veprat e tyre, të mira ose të këqija. Ai do t’i shpërblejë sipas asaj që kanë punuar, me drejtësinë e bamirësinë e Tij. Ky ajet i mrekullueshëm mbështet rregullin që thotë: “Veprat gjykohen sipas rezultatit ku të çojnë”.

Me fjalë të tjera, ato që të çojnë në haram, janë haram, edhe nëse në origjinë mund të jenë të lejuara.

Tefsir nga Imam S’adi
Përktheu: Uthman Agolli
burimijetes.info

Must Read