Roli i Kuranit në jetën e muslimanit është “që të jetë paralajmërim për të gjithë ata që janë te gjallë” (Li jundhire men kane hajjen). Pse? Sepse të mendojnë për ajetet e tij (Lijeddebberu ajatih) dhe të jetojnë në përputhje me udhëzimet e tij, jo për ta mbajtur Kur’anin për bereqet, në një vend të veçantë në shtëpi, në një kuti të artë, të mbështjellur me peshqir ngjyrë ari, e as që t’ua lexojmë vetëm të vdekurve .
Kur Pejgamberi s.a.v.s., lexonte Kur’anin, siç transmetohet nga Aishja r.a. dëgjohej diçka sikur gumëzhinë e bletëve, dhe kur i lexonte ajtetet rreth mëshirës, e luste Allahun për mëshirë, dhe kur i lexonte ajetet e dënimeve, e luste Allahun që ta ruaj prej dënimit. Pra, ka pushuar pas çdo ajeti, duke menduar rreth tij dhe në atë ka ndier kënaqësi, sepse ajo është adhurim.
Tregohet se si një njeri nga Jemeni erdhi te Pejgamberi s.a.v.s., për të mësuar Islamin, dhe Muhamedi s.a.v.s. e urdhëroi sahabiun Ebu Dherrin, r.a., për t’ia mësuar bazat e Islamit. Ebu Dherri r.a. u ul me të dhe ia mësoi kaptinën El – Zelzele, dhe kur erdhi te ajeti: ” E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” njeriu filloi të qajë dhe tha: “Më mjafton kjo që dëgjova. A thua Zoti ynë do t’i vejë në peshojë veprat të cilat peshojnë sa një grimcë?! ”
Ky njeri posa erdhi të njihet me Islamin, menjëherë, pas leximit të disa ajeteve, kuptoi thelbin e besimit. Këto janë ato gjeneratat e para të muslimanëve të cilët menduan për kuptimet e Kur’anit dhe mesazhin, dhe nuk e lexuan thjeshtë për muzikalitet. Për këtë shkak Allahu xh.sh. i bëri udhëheqës të njerëzimit.
Imam Hasani b. Ali, r.a. ka thënë: “Gjenerata e parë të muslimanëve Kur’anin e kanë shikuar si një letër që ua ka dërguar Zoti i tyre, dhe për këtë shkak u treguan të kujdesshëm, rreth tyre kanë menduar natën dhe u kanë humbur gjatë ditës.” (Imam – Neveviu, El-Tibjan, f. 28)
Ibnul-Kajjim el-Xhaziu ka thënë: “Kushdo që e dëgjon leximin e Kur’ anit, le të mendoj se është duke e dëgjuar drejtpërdrejt dhe direkt nga Allahu” (Ibnul-Kajjim el-Xhavziu, Medarixhul-Salikin, I / 504 .)
Le të shërbejnë këta shembuj si frymëzim i vërtetë dhe inkurajim që t’i kushtojmë kujdes leximit dhe studimit të Kur’anit, duke menduar për porositë e tij dhe zbatimin e rregullave të tij dhe të jetë udhëzim në jetën tonë ashtu që të arrijmë ringjallje të vërtetë dhe sukses në të dy botët.
Dijetari islam Sirhindi, ka thënë: “Ramazani është muaji i Kur’anit dhe për këtë arsye është shpallur në të . Ai në vetvete i ka mbledhur të gjitha të mirat dhe begatit, dhe çdo e mirë, begati që u vjen njerëzve gjatë vitit janë vetëm pika nga detit i muajit të Ramazanit, shumë të mira në të janë shkak i një numri të mirave në ditët tjera. Kush bën vepra të mira në këtë muaj, atë do të përcjellë udhëzimi për punë të mira gjatë gjithë vitit, e kujt i kalon ky muaj në papunësi dhe mëkat, i tillë do të jetë i gjithë viti i tij. ”
E Ibn Mes’udi, r.a., ka thënë: “Ai që e do Kur’anin – Ai e do Allahun dhe të Dërguarin të Tij” (Taberaniu)
Allahu na bëftë prej tyre Amin.
Autori: Abdusamed Nasuf Bushatliq
Perktheu: Esat Rexha