BallinaPraktikaRamazaniTESTIMI I BINDJES NË FUND TË RAMAZANIT

TESTIMI I BINDJES NË FUND TË RAMAZANIT

TESTIMI I BINDJES NË FUND TË RAMAZANIT

Agjërimi, edhe pse manifestohet fizikisht duke abstenuar nga ushqimi dhe pija, në esencë ka të bëjë me bindjet. Është veçuar nga adhurimet tjera, si adhurim ekskluziv për Allahun, pikërisht për shkak të bindjeve. Abstenimi nga ushqimi nuk është tjetër vetëm se reflektim i kësaj bindjeje. Në hadith kudsijj qëndron: “…i braktisë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet me gruan për hir Timin…” Pra, njeriu agjëron sepse kërkon kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij. Bindja, si thelb i agjërimit, vërehet edhe në qëllimin fetar të tij. Allahu në Kur’an na ka mësuar se synim i agjërimit është devotshmëria, pra bindja se duhet respektuar fjalët dhe vendimet e Allahut.

“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ”

“O ju që keni besuar, agjërimi është obliguar për ju, siç ka qenë edhe për popujt e mëparshëm, që të bëheni të devotshëm!” [El-Bekare: 183]

Tani që jemi afër ndarjes me Ramazanin, bindja është gjëja e parë që duhet ta testojmë, në mënyrë që Ramazani të vazhdojë të reflektojë në jetën tonë edhe pas kalimit të tij. Më qartë, sot duhet t’ia parashtrojmë vetes këtë pyetje:

Çfarë kam në mendje të bëj pas Ramazanit?

Cilat janë planet e mia?

Do t’i kthehem avazit të vjetër apo do të vazhdoj me mësimet e Ramazanit?

Para se të marrim vendimin, të dëgjojmë disa këshilla të dijetarëve të gjeneratave të para. Ka’bi ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin ndërsa vendos që Allahut mos t’i bëjë mëkat pas Ramazanit, ai do të hyjë në Xhennet pa u pyetur dhe pa u marrë në llogari. Ndërsa kush agjëron Ramazanin kurse në shpirt fsheh vendosmërinë për t’iu kthyer mëkateve pas Ramazanit, agjërimi do t’i refuzohet.”[1] Bishr Hafiun e pyetën për disa njerëz që në Ramazan adhuronin Allahun dhe përpiqeshin për vepra të mira ndërsa kur mbaronte Ramazanin i ktheheshin avazit të vjetër. Njerëz të këqij janë ata që Allahun e njohin vetëm në Ramazan- u përgjigj ai.[2]

Pra, vendimi që do të marrësh sot ndikon në pranimin ose jo të agjërimit por edhe në reflektimin e tij më pas në jetën dhe veprimtarinë tënde. Që të mos e shkatërrojmë agjërimin tonë, në vazhdim do të përmend disa këshilla që na forcojnë shpirtërisht e fizikisht për të vazhduar me mësimet e Ramazanit.

  1. Përkujtimi se mëkatet shkatërrojnë veprat

Mëkatet pas Ramazanit reflektojnë formalitetin tonë në adhurim. Nëse i kthehemi mëkateve, ne d.t.th. agjërimi ka qenë adet, jo ibadet. Kjo nënkupton ta ndërtosh shtëpinë e pastaj ta shkatërrosh atë. Allahu ka thënë:

“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَلَا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ”

“O ju që keni besuar! Binduni Perëndisë dhe Pejgamberit (të Tij) dhe mos i prishni veprat tuaja!” [Muhammed: 33]
Në komentim të këtij ajeti, Sa’di ka thënë: ‘Ndalimin për prishjen e veprave përfshin periudhën pas kryerjes së tyre, prishje kjo që bëhet me përmendje të veprave, me vetëmashtrim, mburrje, bërje të mëkateve të cilat zbehin veprat ose i zhveshin nga shpërblimet…’

2. Përfundimi me përulje dhe modesti

Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve, kështu që, si besimtarë, me rastin e përmbylljes së veprave, duhet ta të shfaqim përulje dhe modesti, që Allahu të na pranojë. Allahu ka thënë:

“وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَى رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ

Dhe, ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.“ (el-Mu’minune, 60)

Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të] thoshte: Interesohuni më shumë për pranimin e veprës sesa për kryerjen e saj, a nuk keni dëgjuar Allahun e Madhëruar të ketë thënë:

“إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ اللَّـهُ مِنَ الْمُتَّقِينَ

…All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” (el-Maide, 27)

Feddale Ibn Ubejdi [Allahu qoftë i kënaqur me të] thoshte: Sikur ta dija se Allahu i Madhëruar ma ka pranuar një vepër, qoftë edhe sa madhësia e kokrrës së bizeles, kjo do të ishte më e dashur për mua se sa dynjaja dhe çdo gjë që është në të, ngase Allahu ka thënë:“…All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” (el-Maide, 27)

3. Vazhdimi me frymën e Ramazanit

1) Ramazani na ka mësuar se ne disponojmë me fuqi dhe potencial shpirtëror e fizik për ta adhuruar Allahun. Kështu, nëse në Ramazan, për hir të Allahut, i kemi braktisur edhe hallallit, si të mos i braktisim haramet pas ramazanit. Nuk kemi ngrënë e nuk kemi pirë, jo pse buka e uji nuk janë hallall, por për shkak se Allahu ka kërkuar prej nesh kështu, e si të mos braktisim atë që me Kur’an e Sunnet na është ndaluar?!

2) Nëse kemi agjëruar tridhjetë ditë, a nuk kemi mundësi që të agjërojmë dy ditë në javë?? Kemi falur çdo natë nga 20 rekate namaz vullnetar, a nuk kemi mundësi që çdo natë të paktën dy regate t’i falim?!

Gjithsesi se po, andaj të vazhdojmë me bindjet dhe praktikën e Ramazanit, që të shpëtojmë në këtë dhe botën tjetër!

Allahun e lus të na pranojë agjërimin, të na falë gabimet, të na mundësojë ta adhurojmë përherë derisa ta takojmë!

[1]Letaifu-l-mearif, fq. 136-137.

[2]Miftahu-l-efkar li-t-teehhub li Dari-l-karar, 2/283.

 

Burimi: http://sedatislami.com
Hoxhë Sedat Islami

Must Read