BallinaARTIKUJHadith dhe SunetTri hise nënën e një babanë

Tri hise nënën e një babanë

Transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, të ketë thënë:

“Erdhi një njeri tek Profeti i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe e pyeti: O i Dërguar i Zotit, kë obligohem më së shumti ta respektoj (të sillem mirë me të)? Profeti i tha: “Nënën tënde”, pyetësi tha: po pastaj? “Nënën tënde”, po pastaj? “Prapë tha nënën tënde” po pastaj? (në të katërtën tha) Babanë tënd”

Zinxhiri i hadithit:

Shënon Buhariu, nr. 5971 dhe Muslimi, nr. 2548 që të dy nga sahabiu i nderuar Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të!

Komentimi i hadithit:

Ky hadith është hadithi bazë që tregon rëndësinë dhe përparësinë e respektimit të prindërve e sidomos nënës. Atij i bashkëngjitet në rëndësi edhe hadithi tjetër në të cilin përmendet se një njeri erdhi tek i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tregoi se kishte ardhur për të kërkuar leje që t’i bashkohej në luftë (xhihad) mirëpo Profeti e pyeti se a i kishte prindërit gjallë, e pasi morri përgjigje pozitive i tha: “Atëherë bënë luftë (xhihad) duke u kujdesur për ta” shënon Buhariu: 3004 dhe Muslimi nr. 2549.

Këta dy hadithe janë më të njohurit rreth respektimit të prindërve. I fundit flet në përgjithësi për respektin e tyre ndërsa i pari tregon përkujdesjen ndaj nënës duke e dalluar me epërsi trefishe ndaj babait.

Kush mund të ishte pyetësi?

Në një transmetim të përmendur nga Muavije ibën Hajdeh (e jo nga Ebu Hurejre) përmendet se ai ishte vet pyetësi i Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem.[1]

Fjala “Respektim” e cila përmendet në pyetjen e shtruat Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, ka për qëllim çdo gjë të mirë të cilën fëmija e ka obligim karshi prindërve. Në të nuk futet vetëm respekti me gojë ose ai fizik siç mund ta kuptojë ndokush. Ky respekt nuk ndalet vetëm me kaq, e për fat të keq dikush mendon se vetëm fjala e mirë i mjafton prindit. Në fjalën “Respekt” hyjnë fjalët e mira, punët e mira, lutjet, kujdesi maksimal, ushqimi, veshmbathja, etj. pra çdo gjë e cila është e mirë dhe e dobishme. Ai duhet dëgjuar në çdo gjë përveç nëse urdhri i prindërve është në kundërshtim me urdhrat e Islamit, në këtë rast nuk kryhet ky urdhër.

-Nuk duhet harruar faktin se në të gjitha transmetimet e këtij hadithi ceket se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, respektin ndaj nënës e përsëriti tri herë e pastaj së katërti e përmendi atë ndaj babait. (edhe pse në disa hadithe jo edhe aq të forta në zinxhirë transmetimit sa këto që po i përmendim respekti ndaj nënës ceket dy herë por këto hadithe dijetarët nuk i kanë vlerësuar sa hadithet tona që i kemi bazë në temë)

Përse nëna të respektohet tri herë e babai një?

Dijetarët e komentojnë këtë gjë me faktin se nëna është njeriu kryesorë i cili merret me fëmijën. Fillimisht ajo e bartë në barkun e saj së dyti e lindë e së treti e ushqen me qumësht të gjirit të saj. Këto janë tri realitete me të cilat merret vetëm gruaja kurse punët tjera mund t’i bëjë edhe burri, pra ai mund t’i ndihmojë në rritje, edukim,qëndrim pa gjumë natën kur foshnja qanë etj. kurse në tri të parat nuk mund të përzihet edhe pse zakonisht edhe gjërat tjera që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj fëmijës përgjegjësia kryesore i takon dhe e bartin gratë dhe të rrallë janë rastet kur babai kujdeset më shumë se nëna për foshnjën e tij gjatë etapave të rritjes. Këto tri arsye janë shkaku që fëmija duhet të kujdeset tri herë për nënën e një për babanë. Kjo gjë që përmendëm është spikatur edhe në Kuran:

Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh” S. Lukman, 14.

Kjo përparësi e nënës vie atëherë kur të dy prindërit kërkojnë diçka dhe njeriu nuk di kujt t’i japë përparësi. Mirëpo nëse fëmija ka mundësi t’i respektojë të dy prindërit atëherë i respekton ata e nëse ndodhë që nevoja e tyre të jetë e menjëhershme atëherë themi se i jepet përparësi nënës ndaj babit.

Disa dijetarë kanë bërë një koment më të thukët në këtë pikë duke thënë se mëshira ndaj nënës duhet të jetë më e madhe kurse madhështia dhe krenaria e babit duhet t jetë më e madhe. Pra ata thonë se nëse babi urdhëron diçka që nëna ja ndalon djalit të saj atëherë duhet respektuar babai sepse ai ka në përgjegjësinë e tij urdhërimin e familjes dhe si i tillë duhet dëgjuar fjala e tij, ndërsa në anën tjetër thonë se dhembshuria dhe sjellja e butë me nënën duhet të jetë tri herë më e madhe se me babanë. Nëse nëna sëmuret atëherë dhimbja për të duhet të jetë tri herë më e madhe se për babin. Këta dijetarë kështu e ndajnë respektin prej urdhërimit duke ja dhënë nënës përparësinë në respekt dhe mëshirë kurse babait në kryerje të urdhrave të tij. Sido që të jetë themi se në përgjithësi duke mos hyrë në detaje nëna në shpirtin e fëmijës duhet të jetë tri herë më e madhe se sa babai i tij dhe mirësjellja ndaj saj dhe dhënia përparësi është e vërtetuar me fjalët Profetike kurse kjo ndarje mund të jetë e mirë por prapë mbetet e pa argumentuar qartë sikur e para.

Gruaja i jep përparësi respektit ndaj burrit apo nënës?

Femra i jep përparësi respektit të nënës derisa nuk martohet e pas martesës respekti numër një i takon burrit e pastaj nënës. Kjo që përmendëm ceket në hadithi e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem,të shënuar tek Ahmedi dhe Nesaiu, në të cilin Aisheja e pyet Profetin duke i thënë: “ O i Dërguar i Zotit, cili njeri ka të drejta më shumë tek gruaja? Profeti tha: “Burri i saj”, po tek mashkulli, pyeti Aisheja? Ai ju përgjigj: “Nëna e tij” (Shiko: Fet-hul bari tek komenti i këtij hadihi)

Burrit apo nënës duhet dhënë përparësi gruaja?

Kujt i takon fëmija nëse prindërit ndahen?

Përmendëm se fëmija duhet respektuar më shumë nënën se babanë, mirëpo kur vie në pyetje shkurorëzimi i prindërve atëherë nëse nëna martohet fëmija i takon babait edhe pse respekti ndaj nënës është më i madh.

Një ditë erdhi një grua tek Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha: O i Dërguar i Zotit, për djalin tim barku im ishte shtrat, gjiri ushqim, prehri qetësim kurse babai i tij më ka shkurorëzuar dhe dëshiron ta marrë atë nga unë. Profeti i tha: “Ti ke të drejtë ta mbash fëmijën tënde më shumë se burri yt nëse nuk martohesh” (Ebu Davudi nr.2276 dhe Hakimi me sened të mirë)

Respekti ndaj prindërve farz apo synet?

Ky respekt është i obliguar sipas mendimit të gjithë dijetarëve duke mos pasur kurrfarë dileme mes tyre. Bazuarnë argumentet e sakta dijetarët respektin e prindërve e konsiderojnë xhihad në rrugë të Allahut përmes të cilit njeriu e fiton kënaqësinë e Zotit, ata këtë respekt e vënë para luftës bile edhe para luftës së bashku me të Dërguarin e Zotit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Transmetohet se një djalë i ri erdhi tek Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe kërkoi nga ai leje që ta merrte në xhihad, e Profeti e pyeti se a i kishte prindërit gjallë, djaloshi pasi ju përgjigje: po, atëherë ai i tha; “kthehu te prindërit e tu dhe xhihadi yt është në respektimin e tyre” Buhariu: 3004, Muslimi nr. 2549.

Në disa transmetime në fund përmendet fjala: “Pastaj respektoji të afërmit një nga një duke filluar nga më i afërti e më larg”pas prindërve kanë të drejtat e tyre edhe të afërmit e tjerë në respekt. Në të futen si prindërit nga ana e babait ashtu nga ana e nënës, futen fëmijët, nipat e mbesat, vëllezërit e motrat, futen axhët dhe hallat, dajë e tezet. Përparësi i jepet gjyshërve ndaj vëllezërve e motrave, pastaj vëllezër e motra. E të tjerët me radhë. Në çdo kategori ka përparësi njeriu i cili është i afërt nga të dyja anët si nga babai ashtu edhe nga nëna e në radhë të dytë vijnë ata që kanë afërsi vetëm nga njëra anë. Shembull: vëllai nga nëna e babai ka përparësi ndaj vëllait vetëm nga njëri prind. Disa dijetarë e preferojnë t’i jepet përparësi mirësjelljes ndaj fëmijëve para atyre të gjyshërve sidomos nëse fëmijët janë të vegjël kurse gjyshërit akoma t fuqishëm. Allahu e di më së miri.

Në fund dua të përmendi se Islami nuk është diskriminim, por ai është sistem i drejt i cili çdo çështje e studion në vete të pavarur nga të tjerat. Islami i jep përparësi burrit ndaj gruas sepse vetëm kjo gjë është e drejtë, ndërsa në këtë çështje nënës i jep përparësi tre fish nënës ndaj babit e kjo për arsye se vetëm kështu është e drejtë dhe ky është realitet i mbështetur në fakte të qarta e të pamohueshme, andaj askush nuk ka të drejtë ta akuzojë sistemin e Zotit të zbritur mëshirë për njerëzimin me diçka e cila është padrejtësi për të, sepse tek e fundit argumentet nuk janë në krah të tij e në anën tjetër nuk mund ta mposhtë këtë fe por vetëm vetes i bën dëm në këtë botë dhe në botën tjetër.

Lulzim MEHMET Susuri

25/05/2011.

 

 Burimi: www.ehlihadithi.com

 

http://www.islamifejaevertete.com

 


Must Read