BallinaARTIKUJHadith dhe SunetUdhëheqja supreme është e drejtë e mashkullit

Udhëheqja supreme është e drejtë e mashkullit


Nga Ebu Bekrete, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet të ketë thënë:“Allahu më ka bërë dobi me një fjalë (të Profetit) gjatë kohës së Betejës së Devesë. Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, kur i erdhi lajmi se persët e kishin bërë mbretëreshë të tyre të bijën e Kisrasë (emër i mbretërve të Persisë së lashtë) ai tha: “Nuk shpëton një popull i cili çështjet e tij ja lë në përgjegjësi femrës”

Zinxhiri i këtij hadithi i tëri është i përbërë prej dijetarëve të Basrës.

Shënon imam Buhariu, nr. 7099.

Fjala në hadith:

“Allahu më ka bërë dobi me një fjalë (të Profetit) gjatë kohës së Betejës së Devesë”

Ebu Bekrete është prej sahabëve të nderuar, Allahu qoftë i kënaqur me të, mirëpo kujdes se ai nuk është Ebu Bekri, këta janë dy sahabë të ndryshëm, Allahu qoftë i kënaqur me të dy! Ai në kohën e Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte prezent kur ushtritë u takuan në fushë betejë. Dhe kur e pa të merrte pjesë në këtë ngjarje edhe Nëna e besimtarëve dhe bashkëshortja e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, Aisheja, radijallahu anha, dhe beteja bëhej rreth saj ky sahabi e kishte dëgjuar këtë hadith dhe këshillë nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, shumë vite më parë dhe kështu nuk e fut në këtë betejë, sepse e dinte se ishte punë me rrezik.

Pas vrasjes së Othmanit, radijallahu anhu, dhe marrjes së udhëheqjes nga Aliu, erdhi deri tek mos pranimi i Muaviut Aliun për udhëheqës derisa ky i fundit nuk i dënon vrasësit e Othmanit. Ndërsa Aliu dëshironte që në fillim ta forconte shtetin dhe t’i merrte punët mirë në duart e tij e atëherë të merrej me vrasësit e tij. Kështu erdhi deri tek mospajtimi. Aisheja, së bashku me Talhan dhe Zubejrin, radijallahu anhum, pasi u kthye nga umreja prej Mekes shkuan në Basra duke kërkuar nga njerëzit që të bashkoheshin me Nënën e myslimanëve për të marr hak për Othmanin. Aliu me të dëgjuar shkoi tek vendtubimi i saj dhe kërkoi që të largohet duke i thënë se puna është më e ndërlikuar se kaq. Aisheja së bashku me të tjerët kishin qëllime të mira dhe ishin të sinqertë në thirrjen e tyre mirëpo në mesin e ushtrisë së dy palëve kishte fitnexhi-sidomos në ushtrinë e Aliut kishte Havarixh të cilët e filluan luftën krye në vete dhe beteja bëhej rreth devesë mbi të cilën qëndronte Aisheja për shkak të cilës edhe beteja e morri emrin si “Beteja e Devesë apo rreth devesë”. Aliu edhe pse ishte në betejë ai qëndronte afër Aishes dhe e mbronte që të mos dëmtohej dhe pasi përfundoi beteja e shoqëroi atë së bashku me shokët e saj shumë larg duke i përcjellë në vend të sigurt. Ebu Bekrete kur e pa se Aisheja është ajo që e kishte organizuar tërë këtë gjë ju kujtua hadithi i Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, të cilin e kishte thënë shumë kohë më parë dhe u largua duke mos u futur në këtë betejë.

Fjala:

“Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, kur i erdhi lajmi se persët e kishin bërë mbretëreshë të tyre të bijën e Kisrasë”

Kjo histori fillon që në kohën e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, atëherë kur ky ju dërgoi udhëheqësve të shteteve të ndryshme dhe mbretërve të tyre mesazhe përmes të cilëve ai i thirrte këta njerëz dhe popullin e tyre në Islam. Mirëpo mbreti i Persisë e nënçmoi këtë ftesë dhe e shqeu lerën e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem. I Dërguari me të dëgjuar shqyerjen e letrës e mallkoi duke thënë: “Allahu ja shqeftë pushtetin ashtu si e ka shqyer ai letrën time” dhe kështu vërtetë ndodhi. Djali i këtij mbreti, i cili quhej Shirevejhi i etur për pushtet filloi t’i mbyste vëllezërit e tij një nga një dhe dalëngadalë duke mos u vërejtur se ai kishte dorë në mbytjen e tyre, por babai e vërejti këtë gjë dhe e dinte se edhe babait do t’i vinte radha. Kështu edhe ndodhi. E mbyti edhe babanë e vet dhe u bë mbret. Babai pasi e kishte kuptuar se po i afrohej vdekja nga duart e të birit, vendosi t’ia bënte një dredhi. Në njërën nga magazinat e posaçme të tij e vendosi në një raft një epruvetë të mbushur me helm në të cilën e shkroi: “Kjo epruvetë është e posaçme për të shtuar fuqinë, të cilën kush e pi mund të bëjë kaq e kaq herë marrëdhënie intime” dhe djali i besoi këtij shkrimi, e piu atë u helmua dhe vdiq në vend. Kjo ndodhi gjashtë muaj pas marrjes së pushtetit.

Paria e vendit nuk kishin mashkull të kësaj familje që ta bënin mbret të tyre dhe nuk deshën që mbretëria të ikte prej kësaj familje atëherë e emëruan mbretëreshë të tyre vajzën e mbretit i cili e pat mbytur babanë e vet. Kjo vajzë quhej Buran e bija e Shirvejhit i biri i Kisrasë i biri i Bervizit.

Në këtë hadith ceket se gruas nuk i lejohet të merr udhëheqjen e shtetit. Dijetarët janë ndarë në mendime rreth udhëheqjes së saj, disa thonë se nuk i lejohet as udhëheqja supreme e as kryesia e udhëheqjes së gjykatave, mendim të cilin e mbajnë shumica e dijetarëve. Disa mendojnë se ajo nuk ka të drejtë as edhe ta martojë veten e saj. Ndërsa sipas mendimit të Ebu Hanifes ai thotë se gruas i lejohet të jetë udhëheqëse dhe përgjegjëse vetëm për ato gjëra në të cilat i lejohet të jetë dëshmitare si grua që i takon asaj, kurse në gjërat që nuk i lejohet të jetë dëshmitare nuk i lejohet as edhe të jetë udhëheqëse e atyre gjërave.

Sido që të jetë tema jonë nuk ka të bëjë me gjithë këto pika, por ajo që na intereson në këtë temë është udhëheqja supreme apo udhëheqja e pushtetit nga femra. Sipas këtij hadithi dhe bazuar në mësimet Islame asaj nuk i takon që ta marrë këtë përgjegjësi, jo se Islami e diskriminon femrën por e nderon duke mos e obliguar me përgjegjësi të cilat janë jashtë mundësive të saj. Pra ajo është e krijuar për gjëra të tjera dhe ka obligime të tjera që feja ja ka dhënë në përgjegjësi të cilat obligohet të merret me to dhe të largohet nga punët që e lodhin atë.

Allahu e ka krijuar si fizikun ashtu edhe psikikun e femrës të dalluar nga ai i mashkullit dhe secilit prej tyre ka aftësitë por edhe mangësitë e veta. Andaj prej aftësive me të cilat dallohet mashkulli nga femra se ai është i krijuar që në gjenet e veta për të pasur mundësi që të jetë udhëheqës shtetërorë. Ndërsa femra dallohet me butësi, mos-përmbajtje, durim dhe është e përgatitur që në gjenet e saj për të lindur dhe rritur fëmijë.

Dijetarët kanë përmendur disa shkaqe dhe urtësi pse femrës nuk i takon kjo detyrë ta marrë përsipër. Prej tyre janë:

1-fiziku i saj është i dobët për t’i përballuar kësaj detyre të rëndë. Sepse kryetarllëku nuk është vetëm takime dhe qëndrim para kamerave, por qëndrim edhe në front të luftës, nëpër llogore, karshi armiqve, nëpër katastrofa natyrore, etj.

2-psikika e saj është e dalluar nga ajo e mashkullit. Edhe pse me këtë realitet nuk pajtohen disa njerëz por realiteti e dëshmon një gjë të tillë. kur themi këtë rregull kemi për qëllim se meshkujt në përgjithësi janë më të dalluar se femrat dhe kjo nuk do të thotë nuk ekziston ndonjë femër më e dalluar se meshkujt. Pra dikush mund të sjellë disa shembuj dhe me to ta kundërshtojë këtë rregull por çdo rregull ka përjashtime dhe për shkak të disa shembujve nuk prishet rregulli i vendosur nga Allahu.

3-trupi i gruas i tëri përveç duarve dhe fytyrës (sipas shumicës së dijetarëve) është avret –i turpshëm, i cili nuk duhet të shikohet nga të tjerët dhe për shkak të kësaj nuk mund të jetë e lirë nëpër takimet e saj. Gjithashtu asaj i ndalohet të veçohet me burra të huaj dhe nuk ka të drejtë të udhëtojë pa mahrem-mashkull i afërm i saj me të cilin i ndalohet martesa. (në të futet burri, babai, vëllai, etj.)

4-ajo mbetet shtatzënë, lind fëmijë, pastaj vazhdon koha e lehonisë. Të gjitha këto janë arsye që e ndalojnë atë nga ky post i madh. Kur ajo të jetë shtatzënë si do të mund të vjen në punë, si do t’i udhëheqë punët e shtetit kur ka punë të rëndësishme të saja private. Si do ta lë mbikëqyrjen dhe kujdesin për foshnjën në barkun e saj, e të kujdeset për të tjerët pra kjo është e ndaluar.

5-ajo ka edhe ciklet e saja menstruale të cilët i vijnë çdo muaj, gjatë asaj kohe ajo është nervoze, nuk është në gjendje normale as fizikisht e as psiqikisht. Është më e dobët me trup dhe më e mërzitur në mendje andaj Allahu e ka pasur parasysh këtë gjë dhe për këtë shkak gjatë kësaj kohe e ka liruar nga disa obligime fetare dhe nga disa obligime ndaj burrit. Kjo do të thotë se gjatë asaj kohe ajo duhet të jetë e liruar edhe nga obligimet shtetërore, e nëse nuk e bënë një gjë të tillë atëherë edhe pse shkon në vendin e punës nuk është e aftë t’i kryej punët e saja shtetërore, dhe kështu i bënë padrejtësi popullit të saj dhe i lë mangut punët e veta. Namazi është shumë i rëndësishëm në Islam, bile shtylla e fesë, megjithatë nuk falet në këtë kohë të ciklit e ky lirim nga kjo detyrë do të thotë shumë, gjë e cila jep të kuptojmë se edhe obligimet tjera nuk mund t’i kryejë.

6-nuk mendoj se është e drejtë që një nënë t’i lë anash fëmijët e saj, të mos merret me ta, të mos i edukojë ata, kur për ta është e obliguar tu rri karshi, e në anën tjetër të mendojë se po i shërbën popullit. si mund t’i shërbejë popullit kur nuk i ka shërbyer fëmijëve e as burrit të saj, pra ai që nuk është i mirë për familjen e vet sado të mundohet të bëhet i mirë me të tjerët kot e ka. E nëse mendon se po kryen të dy funksionet e ka gabim ngase Zoti e ka obliguar vetëm me një.

Këto janë disa nga urtësitë pse Islami nuk e lejon udhëheqjen supreme të shtetit të mbetet në duart e femrës.

Mirëpo dua të përmendi edhe pikën e fundit. Çfarë duhet bërë nëse ajo veçse është zgjedhur si udhëheqëse?

Themi se:

-Nëse myslimani në mënyrë direkt nuk ka kontribuar në këtë përzgjedhje atëherë nuk ka mëkat por mëkatin e mbarti ata që e kanë bërë një gjë të tillë.

-Gjithashtu duhet respektuar dhe duhet kryer obligimet që i takojnë secilit mysliman karshi shtetit në të cilin ai jeton, pra të gjitha obligimet që nuk janë në kundërshtim me mësimet Islame.

Kjo përzgjedhje nuk është shkak e as arsye për tu bërë arrogant, i pasjellshëm, apo njeri destabilizues në shoqëri, por duhet kryer obligimet ndaj shtetit të vet, e në anën tjetër nëse shteti nuk i kryen obligimet karshi qytetarëve të tij përgjegjësinë e mbartin mbi supe ata që janë udhëheqës të vendit dhe do të pyeten para Allahut për këtë gjë siç edhe na këshillon me këtë rregull Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, në hadithin e tij të saktë.

Lus Allahun të na udhëzoj në rrugë të drejt tërë popullin shqiptarë dhe banorët e Kosovës dhe të jemi shkaktarë për forcimin dhe përmirësimin e shtetit tonë në të cilin jetojmë dhe të cilit i takojmë dhe t’i udhëzojë në të mirë dhe të mbarë edhe udhëheqësit tanë! Amin!

Lulzim MEHMET Susuri

09/05/2011

 

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

 

Must Read