BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirUrtësia, kjo cilësi e rrallë

Urtësia, kjo cilësi e rrallë

Urtësia, kjo cilësi e rrallë

Allahu i lartësuar thotë: “Ai ia dhuron urtësinë atij që do. Dhe, pa dyshim, kujt i është dhënë urtësia, i është dhuruar mirësi e madhe. Por këtë mirësi e kuptojnë veçse të mençurit.” El Bekare, 269.

Shpjegimi i ajetit

Allahu i Lartësuar ka sjellë urdhra që përmbajnë në vetvete të fshehta dhe urtësi të mëdha, por që Ai nuk ia mundëson kujtdo që t’i kuptojë e t’i zbatojë. Prandaj thotë i Lartësuari:

“Ai ia dhuron urtësinë atij që do.”

Ai ia jep urtësinë atij që dëshiron. Urtësia është dija e dobishme, puna e mirë dhe njohja e thellë e dispozitave të Allahut të Lartësuar.

“Dhe, pa dyshim, kujt i është dhënë urtësia, i është dhuruar mirësi e madhe. Por këtë mirësi e kuptojnë veçse të mençurit.”

E ku ka mirësi më të madhe se ajo pa të cilën nuk mund të përfytyrohet lumturia në të dy jetët dhe shpëtimi prej dëshpërimit në të dyja jetët? Ky ajet jep një vlerësim të veçantë për cilësinë e rrallë të urtësisë. Ajo është një cilësi e mrekullueshme, të cilën e kanë privilegj vetëm trashëgimtarët e profetëve, dijetarët vepërmirë.

Përsosmëria e adhuruesit është e lidhur ngushtë me aftësitë dhe forcën e tij në dije dhe në punën me këtë dije. Aftësia e robit në dije përsoset duke njohur të vërtetën dhe qëllimin e saj. Ndërsa aftësia vepruese e tij përsoset kur ai kryen të mirën dhe lë të keqen. Vetëm në këtë mënyrë ai bëhet i drejtë dhe i saktë në fjalët dhe në veprimet e tij. Vetëm pas njohjes së të vërtetës dhe punës sipas saj, robi mund t’i vendosë gjërat atje ku duhet. Vetëm atëherë ai do të jetë i urtë në lidhje me vetveten dhe me të tjerët. Pa këto dy elementë, ai nuk do t’ia arrijë kurrë qëllimit për të qenë i urtë.

Burimi:
Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli
Burimijetës.info

Must Read