BallinaPse ISLAMI?Kthimi i MadhUshqim për shpirtin tim - Elena Safiyaah Shromova

Ushqim për shpirtin tim – Elena Safiyaah Shromova

 

USHQIM PËR SHPIRTIN TIM – Elena Safiyaah Shromova


“… dhe kur Jurij Gagarini solemnisht ateroi në Tokë, iu afrua një plakë e pyeti: Biro, a e pe Zotin në qiell?”


Atëherë i kisha 8 apo 9 vjet dhe më kujtohet sikur të kishte ndodhur dje. Më kujtohet se si nëna ime në kuzhinë me buzëqeshje më rrëfente këtë tregim të njohur për një plakë të thjeshtë, të parëndësishme, e cila nuk ka mundur ta dijë se ai i cili ka besuar në Zotin nuk ka pasur të drejtë të bëhet pionier apo komsomol. Çfarë turpi për ushtrinë!
Kështu jam rritur në atë frymë mosbesimtare. Pionierët, flamujt e kuq, ateizmi, baba Stalini, baba Lenini, një zinxhir i pafund i lloj-lloj “baballarëve” .
Hëm, e pashkët… po kishim një lloj pashkësh. Me mahnitje ngjyrosnim vezët e pashkëve, megjithatë, nuk kemi guxuar t’i përmendim ato në shkollë. Arsyeja ka qenë gjithmonë e njëjtë – do të ishte vështirë të arrihet deri te titulli i pionierit. Kurse pastaj gjithçka u ndryshua… “Baballarët” me kohë u bënë të parëndësishëm, ndërsa mbarë vendi filloi të kërkojë idhuj të rinj. Fitimi i shpejtë i parave, jeta afariste, malli perëndimor… Liri, liri dhe përsëri liri… Kishës dalëngadalë i rritej autoriteti dhe fuqia. Mafiozi me zinxhir të trashë në qafë, të gjithë politikanët e mundshëm, madje edhe presidenti i shtetit, nuk shmangeshin nga kisha me rastin e tubimeve më të rëndësishme.
Për këtë periudhë mundem vetëm të them se në mua nuk ka ndikuar kjo eufori masive kishtare. Kuptohet se fasada, ajo e jashtmja, linte përshtypje për diç më të bukur, më atraktive, më moderne, por kjo prapë nuk kënaqte çështjet e thjeshta, esenciale, të domosdoshme për jetën.
Logjika ime nuk ka pranuar idenë për Zotin i cili ka djalë, megjithatë nuk kam parë ndonjë zgjidhje tjetër përveç krishterizmit. Më preokuponin pyetjet për ekzistimin e jetës pas vdekjes, për arsyen e qenësisë, kuptimin e jetës dhe kuptimin tim në përgjithësi.
Këto pyetje ishin fillimi im i pavetëdijshëm në kërkimin e Zotit. Pa ndonjë qëllim ekzistues nuk mundesha të bashkëjetoj me përditshmërinë. Kishte momente kur më mundte një frikë e tmerrshme nga vdekja. Kjo frikë më sillte deri te kufiri i depresionit. Në këto momente të vështira, gjithmonë prej fillimit ia parashtroja vetes pyetjet: Të supozojmë se sipas disa standardeve të vendosura do të jetosh e lumtur; do të kesh burrë të mirë, rroba të bukura, vend përkatës të punës, miq të mirë… e pastaj vdes. A do ketë kuptim bile diçka nga jeta jote? Fëmijët dhe nipat tu po ashtu një ditë do të vdesin. Planeti Tokë, kozmosi, gjithçka, një ditë do të bëhet histori. Atëherë për çka jetoj? Për çka duhet të mundohem? Ku është kufiri ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës? Për çka duhet të jem person i mirë? Për çka duhet të jem person i keq?
Është interesant se prapëseprapë asnjëherë nuk kam mundur të shqiptoj fjalët: “Unë nuk besoj Zotin”.
Thjesht nuk mundesha. Ndjeja se prapë besoj. Kur dikush më pyeste diçka për fenë, në panik refuzoja të përgjigjem, duke u arsyetuar se pyetja është shumë personale. Megjithatë kjo pyetje sillte me vete pyetje tjera. Koncepti i besimit të verbër, pa pasur mundësi për pyetje dhe përgjigje, nuk më kënaqte. Nuk mundesha ta ndjejë fenë, po qe se pyetjet e mia ngelnin pa përgjigje. Tash e kuptoj se sa kam pasur dëshirë atëherë ta dua Zotin, kam pasur dëshirë të besoj dhe të jem e sigurt, kam pasur dëshirë të jetoj në paqe…
Gjatë studimeve të mia pesëvjeçare erdha në kontakt me nocionin “Islam”. Kishim lëndën e cila quhej “Historia e religjionit”. Njëri nga librat shkollor në vete përmbante fjalinë në vijim: “… dhe në Kur’an qëndron: Mbyti mosbesimtarët…” Akoma më kujtohet se sa kam qenë e shokuar dhe se vetvetes i kam thënë: “Nëse ndonjëherë vendos për ndonjë fe, kjo me siguri nuk do të jetë Islami”.
Por, All-llahu e di më miri.
Pas absolvimit të studimeve në Rusi, u shpërngula në Gjermani në mënyrë që atje të vazhdoj studimet. El-hamdulil-lah.
Përndryshe, unë vij nga një vend i largët rus në Lindjen e Largët. Kufizohemi me Kinën e cila bashkë me Japoninë dhe Korenë është më afër vendlindjes sime se sa Moska.
Deri në Hannover udhëtova 10.000 km… kurse ato 10.000 km më dërguan drejt dashurisë ndaj All-llahut dhe Islamit. A nuk është kjo mrekulli? A nuk është kjo mëshira e madhe e All-llahut. Subhanallah!
Kur shikoj të kaluarën, ballafaqohem me shumë imtësira të cilat në këtë rrugëtim tim përputhen njëra me tjetrën dhe kështu bëjnë fotografinë e plotë.
Gjatë vitit të parë të qëndrimit në Hannover isha e preokupuar me studimet, me mësimin e gjuhës gjermane, adaptimin në mjedisin e ri, aq sa nuk kam arritur të mendoj për çështjet e qenësisë. Megjithatë, edhe përskaj preokupimit të përditshëm me mësime, më ngeli në kujtesë biseda me një student nga Turqia, i cili nuk ishte ndonjë praktikues i fesë. Duhet të përmendi se edhe sot e kësaj dite më mahnit ky fenomen te muslimanët, që madje edhe ata që nuk janë praktikues të fesë mbajnë në vete karakteristikat e muslimanit të mirë, qoftë fjala për zemërgjerësinë, mikpritjen, sinqeritetin apo besimin e fuqishëm se Zoti ekziston, i Mëshirshmi, Mëshiruesi. Kjo bindje në shoqërinë materialisht të ngarkuar perëndimore është dukuri shumë e rrallë.
Një ditë po bisedonim për fetë. Parashtroja pyetjet e mia të zakonshme, deri atëherë akoma të papërgjigjura, të cilat gati çdoherë bllokonin çdo diskutim të mëtejmë. Nuk mundesha ta kuptoj konceptin e mëkatit në krishterizëm. Si është e mundur që prifti të falë mëkatet? Si mund ta dijë ai se pendimi im ka qenë i sinqertë? Kështu shumë praktikisht do të mundesha për çdo ditë të gaboj dhe për çdo ditë të shkoj te prifti të më falë. Mes tjerash, nëse Jezusi ka vdekur për shkak të mëkateve tona, atëherë përse të mos gabojmë?
Studenti turk dëgjonte i qetë dhe me vëmendje, e pastaj më tha: “Ne në Islam themi se çdo njeri lindet i pastër sikur fleta e bardhë e letrës. Gjithçka që bën në jetë, shkruhet në atë letër, kurse vetëm All-llahu vendos se a do t’i falë mëkatet e tua”.
U mahnita. Për herë të parë përjetova që diskutimi në këtë temë të mos humbet në qorrsokak. E gjeta përgjigjen. Para kësaj kam qenë aq e hutuar, kurse vetëm një fjalë bëri që gjërat të bëhen të qarta dhe logjike, thjeshtë të pranueshme për arsyen dhe ndjenjën.
Ç’është e vërteta, nuk u interesova më shumë për Islamin. Një vit më vonë u dashurova në një musliman. Nuk mund të flas me krenari për atë lidhje, sepse nuk ishte edhe aq e lumtur. Ai nuk ishte musliman “perfekt”, nuk ishte i përpiktë në kryerjen e obligimeve fetare dhe fatkeqësisht jetonte sikur shumica e studentëve muslimanë të cilët vijnë në Perëndim. Por, krahas tërë kësaj, ai kishte diç të brendshme, një fuqi, besimin në Zotin, besimin në Shpalljen e Zotit dhe nuk i frikohej vdekjes. Ndërsa mua e tërë kjo më mungonte.
Prapëseprapë, unë isha studente e kujdesshme, shoqe e mirë dhe gjithnjë përpiqesha të jem njeri i mirë, të cilit i mungonte fuqia; kurse ajo fuqi vjen vetëm me njohjen se Zoti me të vërtetë ekziston.
E shikoja se si agjëronte në muajin e Ramazanit, megjithatë nuk mendoja shumë për rëndësinë e atij agjërimi. Interesant, unë fillova të interesohem për rëndësinë e gjithë asaj vetëm pas prishjes së lidhjes me të. Thjeshtë, nuk pajtoheshim në shumë aspekte, gjë të cilën unë nuk mund ta përballoja më. Doja ta braktisi, por njëkohësisht të kuptoj se për çka e bëj këtë. A është për shkak të fesë? A është për shkak të traditës? A është për shkak të edukatës? Apo problemi qëndron te unë?
Bleva një libër për jetën e të Dërguarit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe udhëtova në Francë për shkak të kursit të gjuhës frënge. Kursi ishte i mirë, kurse libri edhe më i mirë. Dëshiroja që sa më shumë ta lexoj dhe mësoj… Por ai vit për mua qe shumë i vështirë. U sëmura, për çka edhe u desh të operohem. Por, këtu qëndron urtësia e madhe e All-llahut. Ndjehesha e vetmuar, e frikësuar për shkak të operacionit, andaj edhe fillova të mendoj për Zotin. Duke iu falënderuar All-llahut, gjithçka kaloi mirë, pas çkahit u bëra tjetër njeri. Gjithçka që ndodhi pas kësaj periudhe, e ka kuptimin e vet. Mendoj se qysh në atë muaj sprovash me zemër u bëra muslimane.
Gjatë studimeve një kohë kisha mësues privat të gjuhës italishte, me të cilin për shkak të problemeve shëndetësore e humba kontaktin. Kur u shërova plotësisht, vendosa të vazhdoj me orët nga gjuha italishte dhe u dhashë pas kërkimit të një mësuesi të ri. Një ditë regjistrova një numër telefoni nga tabela e shpalljeve në fakultet. Thirra në atë numër, në të cilin mu përgjigj një femër italiane e cila menjëherë dhe me çmim të ulët pranoi të më mësojë. Caktuam një takim, kurse ajo më tha se nuk do të jetë vështirë ta njoh, sepse ajo mban shami.
Shami?! Sa u befasova. Por mendova se ajo sigurisht është italiane me prejardhje arabe apo diç të ngjashme. Deri në atë moment asnjëherë në jetë nuk kisha biseduar me një grua që mban shami. Më ranë ndërmend gratë me shami të cilat nganjëherë i takoj në rrugë. Nuk i konsideroja ato gra si të rëndësishme, sepse mendoja se janë të paarsimuara dhe bëjnë vetëm atë që i urdhërojnë burrat e tyre. Deri atëherë nuk kam ditur edhe aq shumë për Islamin, kurse kisha idetë e mia personale perëndimore se si duhet të duket gruaja.
Dhe më në fund u takova me Nurën, el-hamdulil-lah. Ky takim ma ndryshoi tërë jetën. E pashë se kjo italiane, konvertuese në Islam, është shumë e shkolluar, inteligjente, e bukur dhe mbi të gjitha mbante hixhab. Fytyra e saj frymonte me dritë dhe freski, të cilat buronin nga brendësia. Masha’All-llah.
Bota ime u ndryshua. E pashë se sa paragjykime të gabuara ekzistojnë në veten time.
Filluam me orët në të cilat më shumë bisedonim për Islamin se sa për italishten, el-hamdulil-lah.
Pastaj fillova të lexoj Kur’anin. Pyetja ime e parë ishte: përse nuk e kam bërë këtë më herët?! Kjo duhej qysh moti të jetë hapi im i parë.
Sa e lumtur isha kur pas leximit të faqes së parë e pashë se ai Libër është e Vërteta të cilën aq gjatë e kam kërkuar, se ai është përgjigje dhe udhëzim dhe se më nuk duhet të frikohem. Ato fjalë që i lexova depërtuan thellë në zemrën time e cila ndjente qetësi dhe kënaqësi. Kjo jetë ka kuptim dhe unë, insha’All-llah, mundem shumëçka të bëj për ta plotësuar atë kuptim.
Më kujtohet se si një ditë rrija ulur në vendin e punës dhe ndjeja kënaqësi dhe lumturi të plotë, saqë koleget e mia të punës menduan se jam e dashuruar. Vërtetë, unë ndjeja dashuri të thellë ndaj All-llahut, Islamit dhe mënyrës së jetës të cilën Ai e kishte caktuar. Për All-llahun, asgjë në botë nuk mund ta gëzojë kështu njeriun, sikur që këtë e bën dashuria ndaj All-llahut dhe njohja e Vullnetit të Tij.
Sot unë fali namazin, mbaj hixhabin, agjëroj dhe assesi nuk kuptoj se si kam mundur të jetoj përpara pa këtë fe.
Gjithçka vjen nga All-llahu. Ne duhet që vetëm t’i bëjmë hapat e parë kah Ai, e Ai do të na pranojë nën hijen e mëshirës së Tij të pafund.


Isha e vetmuar dhe Ai më dha Ummetin e shkëlqyeshëm. Isha e sëmurë dhe Ai ma pastroi zemrën dhe shpirtin tim. Isha e humbur dhe Ai më dha udhëzim dhe kënaqësi. Shpirti im kërkoi ushqim e Ai ma dha.

El-hamdulil-lah. Të gjitha falënderimet i takojnë All-llahut.


Elena Safiyaah Shromova

www.IslamiFejaeVertete.com


Must Read