BallinaAKTUALEOpinioneVeriut të vendit duhet t'i qasemi me maturi e mençuri, pa emocione,...

Veriut të vendit duhet t’i qasemi me maturi e mençuri, pa emocione, me durim e mirëkuptim


Veriut të vendit duhet t’i qasemi me maturi e mençuri, pa emocione, me durim e mirëkuptim

Shkruan: Mr. Naim Tërnava – Myftiu i Kosovës


Ditëve të fundit, Kosova dhe rajoni u përballën me disa tensione ndëretnike, që për pasojë mund të ndikojnë në stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë dhe të rajonit në përgjithësi.

Në Veri të Kosovës, ndodhi një rast mbi familjen Haradinaj me banim tek Tre Rrokaqiejt në Mitrovicën Veriore, ku fatkeqësisht, mori jetën e kryefamiljarit. Ky rast u cilësua si një akt terrorist, dhe ndikoi dukshëm që banorët e kësaj pjese të Kosovës të mos ndjehen më të sigurt për familjet, pronën dhe pasurinë e tyre.

Humbja e një qytetari tanë të pafajshëm dhe plagosja e anëtarëve të tjerë të familjes në pragun e shtëpisë, ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë, të brengosur për fatin e tyre, t’ua kthejnë shpinën shtëpive dhe pronave të tyre, sidomos pas përpjekjes së pasuksesshme të policisë për të vendosur një pikë kontrolli aty.

Ç’është e drejta, situata në pjesën veriore të Kosovës është e paqëndrueshme dhe e brishtë që nga paslufta, për dallim nga pjesët e tjera të Kosovës, në të cilat, me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, është krijuar një realiteti i ri, janë funksionalizuar institucionet e vendi dhe janë shënuar hapa premtues në krijimin e një klime të mirëbesimit në mes komuniteteve të ndryshme.

Por një gjë e tillë nuk mund të thuhet se po ndodh në Veri të vendit; atje ku edhe 12 vjet pas përfundimit të luftës dhe 4 vjet pas pavarësisë së Kosovës nuk është instaluar rendi kushtues, nuk është shtrirë sovraniteti i vendit, ashtu siç duhet. Kjo sepse atje kemi një popullatë, e cila thjeshtë nuk njeh realitetin e ri dhe vazhdon të sfidojë në mënyra të ndryshme autoritet kosovare dhe të cenojë shtetësinë e Kosovës.

Kjo situatë që mbretëron në këtë pjesë të vendit këtu e 12 vite dhe sidomos pas 17 shkurtit 2008, natyrisht ka bërë që popullata shqiptare për shkak të presioneve të ekstremistëve serbë që operojnë në strukturat ilegale, të ndjehet jo e sigurt, kurse komuniteti serb ka ngelur i paintegruar dhe peng i këtyre strukturave ilegale ekstremiste serbe.


Si ta tejkalojmë këtë situatë?

Na ka rënë këtyre ditëve që të dëgjojmë propozime e ide nga më të ndryshmet, madje kjo është politizuar e polarizuar për qëllime të ndryshme, mirëpo mendojmë se veriut të vendit duhet t’i qasemi me maturi e mençuri, pa emocione, me durim e mirëkuptim.

Komuniteteve të asaj pjese të Kosovës që sfidojnë dhe nuk njohin autoritetet e Kosovës, duhet t’u argumentohet dhe t’u dëshmohet se bashkëjetesa pranë njëri-tjetrit është e mundur, se ata mund të jetojnë si qytetarë të lirë.

Shqiptarëve të asaj ane duhet ofruar sigurinë e nevojshme për të jetuar në vatrat e tyre, kurse serbëve duhet ofruar integrimin dhe perspektivën në Kosovë dhe në institucionet e saj. Po ashtu, komunitetin serb sa më parë duhet liruar nga kthetrat e strukturave ilegale dhe ekstremiste serbe, në mënyrë që ky komunitet të rezonojë, të vlerësoj dhe të gjykoj drejtë dhe në mënyrë objektive dhe reale.

S’ka dyshim se për këtë janë të obliguara institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që ta bëjnë këtë. Edhe pse në shikim të parë kjo duket si një “mision i pamundur”, jemi të bindur që kjo mund të arrihet, e në këtë drejtim një kontribut të çmuar mund dhe duhet ta japin edhe bashkësitë fetare dhe prijësit e tyre, fjala është për Bashkësinë Islame dhe Kishën Ortodokse, e madje edhe Kishën Katolike.

Prijësit fetarë në ligjëratat, udhëzimet e predikimet e tyre që kanë me besimtarët e tyre, duhet që të rezervohen dhe heqin dorë nga gjuha e urrejtjes dhe e mosdurimit, nga gjuha e armiqësisë dhe mërisë ndaj tjetrit, por duke u kthyer në udhëzimet, mësimet dhe burimet e tyre hyjnore, të përdorin gjuhën e tolerancës dhe mirëkuptim. Kjo është obligim i yni para Zotit dhe para popullit, ky është misioni ynë që kemi marrë përsipër; që jetën në këtë botë besimtarëve tanë t’ua bëjmë më të lehtë, më të lumtur dhe më të sigurt.

Popujt e këtij nënqielli kanë luftuar mjaftë, kanë vuajtur shumë, janë terrorizuar e traumatizuar tej mase. Prandaj, sot është koha që të mendojmë me arsye, të jetojmë në paqe e liri, të jetojmë me dinjitet, të jetojmë me perspektive për një të nesërme më të mirë dhe më të sigurt për ne, familjet tona, fëmijët tanë dhe brezat e ri, të cilëve nuk u duhet lënë konflikte e luftëra të vazhdueshme. Ata nuk e meritojnë këtë.

Nënqielli i Kosovës është i shumëmjaftueshëm për të gjithë njerëzit e tij, pa dallim etnie, race e feje. Në të kë vend për të gjithë ata që dëshirojnë të thithin ajrin e këtij nënqielli, për të gjithë ata që dëshirojnë ta ruajnë, ta kultivojnë dhe ta ndërtojnë këtë nënqiell.

Shpresojmë se tani e tutje nuk do të kemi dhunë me motive etnike, shpresojmë se ndaj komuniteteve tona nuk do të ushtrohet më dhunë, porse do të ketë paqe, harmoni, liri, prosperitet, integrim dhe përparim për të gjithë.

Zoti i Madhërishëm në një ajet kuranor thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Kuran, Huxhurat: 13)

Kurse, Halifi i dytë i myslimanëve Ymeri i drejtë, përveç tjerash, mbahet mend edhe për thënien e tij të famshme: “Pse i robëroni njerëzit kur ata janë lindur të lirë!?”


Opinionet e autorëve nuk paraqesin doemos edhe opinionin e redaksisë së Iniciativës “ISLAMI, feja e Vërtetë”

Must Read