JA ME ÇFARË DUHET TË GËZOHET I MENÇURI
Thotë i Madhëruari: “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë.” Junus 57, 58.
Shpjegimi i ajeteve
“O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët.”
Allahu i Madhëruar, duke nxitur krijesat që t’i përkushtohen Kuranit madhështor, bën disa prej përshkrimeve më të bukura të tij, që njëkohësisht janë edhe domosdoshmëri për krijesat. Kurani përmban gjëra, pa të cilat njerëzit nuk mund të bëjnë dot. I Madhëruari thotë:
“O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj.”Kurani përmban “meuidha”, domethënë këshillë ose qortim. Ai ju këshillon që të ruheni nga ato vepra që sjellin zemërimin e Allahut dhe bëjnë të meritueshëm ndëshkimin e Tij. Por “meuidha”, në fakt, është më shumë sesa thjesht këshillë. Ajo është këshillë që na kujton rreth veprave të këqija, që Zoti nuk i do, por që tregon edhe pasojat e hidhura që ato vepra sjellin. Kështu “meuidha” i bën zemrat të frikësohen dhe të motivohen më shumë për ta pranuar këshillën dhe për t’u larguar nga ligësitë. Kurani është, gjithashtu, shërim i asaj që ndodhet në kraharor. Zemra është e sulmuar gjithmonë nga këto gjëra:
1. Sëmundja e epsheve dhe shfrenimi për të përmbushur dëshirat e devijuara, të cilat bëhen pengesë që robi të nënshtrohet e të jetojë sipas ligjit të Zotit dhe fesë së Tij.
2. Nga sëmundjet e dyshimeve e paditurisë, që cenojnë sigurinë dhe diturinë e njeriut për besimin e saktë.
Këshillat e Kuranit janë të shoqëruara me inkurajime e kërcënime, me premtime për shpërblim dhe kërcënime për ndëshkim. Ato veprojnë dhe ndikojnë thellë në zemrën dhe shpirtin e njeriut, duke bërë që tek ajo të lindë respekti për Zotin dhe droja nga ndëshkimi i Tij, por edhe shpresa për shpërblimin e mirësitë e Tij. Nëse në zemër lindin këto ndjenja dhe forcohen me leximin e vazhdueshëm të Kuranit, kjo zemër bëhet e nënshtruar, duke i dhënë përparësi asaj që do Zoti, kundrejt dëshirave të njeriut. Me fjalë të tjera, kuptimet e fuqishme dhe ndikuese të Kuranit e bëjnë zemrën të nënshtruar për të adhuruar Zotin, me mënyrën që Ai e dëshiron dhe madje të ndiejë kënaqësi me këtë adhurim. Gjithashtu, Kurani e bën zemrën ta shohë të urryer e të shëmtuar çdo shfrenim të nxitur nga shejtani i mallkuar.
Gjithashtu, argumentet e prera të Kuranit, të shtjelluara bukur dhe qartë, largojnë nga zemrat çdo sëmundje dyshimi e pasigurie rreth së vërtetës. Përmes këtyre argumenteve, zemra arrin në gradën më të lartë të sigurisë e diturisë. Kështu, kur zemra shërohet nga këto dy lloj sëmundjesh dhe gëzon shëndet të plotë, të gjitha gjymtyrët e pasojnë e i nënshtrohen asaj. Me përmirësimin dhe rregullimin e zemrës përmirësohen dhe rregullohen gjymtyrët e veprat e tyre. Ndërsa me sëmundjen dhe prishjen e saj sëmuren e prishen edhe gjymtyrët e veprat e tyre. Kurani është gjithashtu “huda” (udhëzim) dhe “rahme” (mëshirë). “Huda” është dituria rreth së vërtetës dhe puna sipas saj. Ndërsa “rahme” është çdo lloj mirësie e begatie, çdo lloj shpërblimi në këtë jetë dhe në ahiretit, nëse ndjek udhëzimin e këtij Kurani. Në këtë mënyrë, “huda” është mjeti më i rëndësishëm dhe më i domosdoshëm. Ndërsa “rahme” është qëllimi dhe motivi më i plotë dhe i mrekullueshëm që mund të synohet dhe që nxit për punë të mira. Por Kurani është udhëzim dhe mëshirë veçse për besimtarët. Nëse Kurani bëhet udhëzuesi yt dhe mëshira lind prej këtij udhëzimi, nga këto të dyja besimtarit i ofrohen lumturia dhe shpëtimi, fiton të gjitha mirësitë dhe shpëton nga çdo ligësi, i dhurohen gëzimi, kënaqësia dhe lumturia e vazhdueshme.
Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!”
Allahu i Madhëruar na urdhëron që të gëzohemi dhe, jo vetëm kaq, por ta shfaqim gëzimin e lumturinë tonë me mirësinë e Kuranit dhe të imanit që Ai na ka dhuruar. Thotë i Lartësuari: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” Mirësia e Allahut është Kurani madhështor. Ai është mirësia më e madhe që i Madhëruari na ka dhuruar me bujarinë e Tij. Gjëja e dytë me të cilën duhet të gëzohen besimtarët është mëshira e Tij. Mëshira është feja dhe imani, besimi i pastër dhe korrekt, është dashuria për Allahun, njohja e Tij dhe adhurimi i Tij si një i vetëm. Kështu, me të tilla mirësi le të gëzohen ata që patën fatin që t’i njohin dhe t’i kenë. Le të gëzohen me këtë Kuran madhështor, të mrekullueshëm dhe të ruajtur, që gjithmonë do të jetë me ta. Le të gëzohen me këtë fe të pastër, të ruajtur e të sigurt, që Zoti e zgjodhi për ne dhe u kënaq me të. Islami është feja e vetme e pranuar nga Ai. Gëzohuni me njohurinë për Zotin, me dashurinë për Të dhe me adhurimin e Tij si një i vetëm. Këto të ofrojnë ëmbëlsinë e jetës, kënaqësi të pandërprera dhe lumturi të përjetshme.
“Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë.”
Këto janë shumë më të mira se stolitë e kësaj bote, që njerëzit mbledhin për veten e tyre. Kënaqësitë dhe stolitë e dynjasë janë të përkohshme dhe shumë të vogla në krahasim me kënaqësinë e një jete të denjë në adhurimin e Zotit. Veç kësaj, mirësia e fesë dhe besimit sjell lumturinë e të dy jetëve. Mes dy kategorive nuk mund të bëhet asnjë krahasim. Çdo stoli e kësaj bote është e papërfillshme në krahasim me ahiretin e përjetshëm dhe të pafundmë. Dynjaja është e shkurtër; ajo shkon drejt fundit shumë shpejt. Allahu i Lartësuar na urdhëroi që të gëzohemi e ta shprehim haptazi këtë gëzim për mirësinë e Kuranit dhe të imanit, sepse kjo i sjell shpirtit kënaqësi, ambicie, forcë dhe më shumë gjallëri. Gjithashtu, ajo nxit mirënjohjen për Allahun dhe lavdërimin e Tij. Ajo forcon lidhjen me Allahun dhe mirënjohjen ndaj Tij dhe i jep robit forcë, gjallëri dhe jetë. Ajo i jep një dashuri të fortë për diturinë e dobishme dhe për njohjen e Allahut, i jep dashuri për imanin e pastër.
Gëzimi dhe lëvdimi për mirësinë e Kuranit dhe të imanit e shtojnë, e theksojnë dhe forcojnë edhe më shumë atë iman. Ky lloj lëvdimi është i pëlqyeshëm, ndryshe nga të lëvduarit me të mirat e kësaj bote ose me gjëra të kota; këto janë të qortueshme, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në Kuran, kur na tregon për historinë e Karunit: “Karuni ishte nga populli i Musait, por ai i kaloi kufijtë kundër tyre. Ne i kishim dhënë aq shumë pasuri, saqë çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. Populli i vet i tha atij: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i do të shfrenuarit!” Kasas, 76. Po kështu na njofton Allahu rreth atyre që gëzonin dhe lëvdoheshin me atë që zotëronin, kundrejt mesazhit të profetëve: “Kur u erdhën të dërguarit me Shenja të qarta, ata u mburën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.” Gafir, 83.
Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli