BallinaSpikasimZemra dhe llojet e saj - Ajo ndahet në tre lloje

Zemra dhe llojet e saj – Ajo ndahet në tre lloje

Zemra dhe llojet e saj

Meqë zemra cilësohet me jetë dhe vdekje, ajo ndahet në tre lloje:
1-Zemra e shëndoshë: Ai i cili vjen në Ditën e kijametit me këtë zemër shpëton. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Ditën kur nuk bën dobi as malli as fëmijët, vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë”. (Esh-Shuara: 88-89)
Zemër e shëndoshë është zemra që cilësi të përhershme ka shëndetin.
Ka shumë përkufizime për domethënien e zemrës së shëndoshë. Mirëpo të gjitha këto definime i përmbledhë thënia se zemra e shëndoshë është e pastër nga çdo epsh që kundërshton urdhrin e All-llahut dhe ndalesën e Tij dhe është e pastër nga çdo dyshim që i kundërshtohet mesazhit të Tij. Pra, nuk adhuron askend përveç All-llahut dhe nuk merr për gjykues askend përveç Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Kjo zemër e don All-llahun, merr për gjykues Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në çdo çështje dhe në çdo rast. All-llahu i frikësohet dhe Atë e shpreson, Atij i mbësh-tetet dhe tek Ai pendohet, përherë i jep përparësi kënaqësisë së All-llahut dhe mundohet që t’i shmanget hidhërimit të Tij. Ky është adhurimi i vërtetë, të cilin nuk meriton askush përveç All-llahut.
Zemër e shëndoshë është ajo zemër në të cilën nuk ka vend shirku, bile e adhuron All-llahun me sinqeritet. Qëllimi i saj është All-llahu. Atë e don, Atij i mbësht-etet, tek Ai pendohet, Atij i frikësohet dhe Atë e shpreson. Të gjitha veprat e saj janë të sinqerta për All-llahun. Nëse e don dike e don për hir të All-llahut, nëse e urren dikë e urren për hir të All-llahut, nëse jep, jep për hir të All-llahut, nëse nuk jep, nuk jep për hir të All-llahut.
Mirëpo e gjithë kjo nuk mjafton përderisa të mposhtet dhe të ketë për gjykues vetëm Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, vetëm atë ta pasojë dhe vetëm atë ta ketë shembull, e jo njerëzit tjerë. Atij i nënshtrohet në çdo fjalë dhe në çdo vepër, qofshin fjalë të zemrës që është akideja, ose fjalë të zemrës që është lajmi për atë që gjendet në zemër, qofshin vepra të zemrës që është qëllimi, dashuria, urrejtja etj, ose vepra të gjymtyrëve.
Pra, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duhet të jetë gjykues në çdo vepër, qoftë e vogël ose e madhe. Nuk duhet t’i dalë përpara me ndonjë akide, me ndonjë fjalë ose me ndonjë vepër, ngase All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“O ju besimtarë, mos bëni asgjë para All-llahut dhe të dërguarit të Tij…”.(El-Huxhurat: 1) dmth. mos flitni derisa të flasin dhe mos veproni derisa të veprojnë.
Disa burra prej selefit kanë thënë: “Çdo vepre, pa marrë parasysh madhësinë e saj, i hapen dy libra. Njëra pse?, kurse tjetra si? dmth. pse e bëre dhe si e bërë?
Pyetja e parë pyet shkakun nxitës për ta bërë këtë vepër. A thua vallë ka qenë shkak kënaqësia e tij, interesi i tij, pozita, frika nga ofendimi ose ka qenë shkak realizimi i adhurimit dhe afrimit All-llahut.
Pra, a e veprove këtë vepër për hir të All-llahut, ose e veprove për hir të epshit tënd?
Pyetja e dytë: pyet mënyrën e kësaj vepre, a thua vallë kjo vepër është në pajtim me Sunnetin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ose nuk ka qenë e përshkruar me Sheriat?
Pyetja e parë ka të bëjë me sinqeritetin, kurse e dyta me përcjelljen e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ngase All-llahu xhel-le shanuhu nuk pranon asnjë vepër nëse nuk i posedon këto dy kushte.
Mënyra për t’u liruar nga pyetja e parë është sinqeriteti, kurse mënyra për t’u liruar nga pyetja e dytë është përcjellja e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Pra, zemra duhet të jetë e shëndoshë nga qëllimi jo i mirë që e kundërshton sinqeritetin dhe nga epshi që i kundërshtohet përcjelljes.
Kjo është zemra e shëndoshë, e cila të siguron shpëtim dhe lumturi.

2-Zemër e vdekur: është ajo zemër që nuk ka jetë. Nuk e njeh Zotin e saj e as që e adhuron, duke vepruar atë që e ka urdhë-ruar duke dashur dhe duke qenë i kënaqur prej Tij. Mirëpo qëndron me epshin dhe kënaqësitë e tij, pa marrë parasysh se kjo vepër a e hidhëron Zotin ose nuk e hidhë-ron?Nuk i intereson ajo se a është i kënaqur Zoti apo nuk është i kënaqur. Atij i intereson të kënaqet ai vetë dhe e adhuron tjetërkend përveç All-llahut. Nëse e don dikë e do për hir të epshit të tij, nëse e urren dikë e urren për hir të epshit të tij. Nëse jep, jep për hir të epshit të tij, nëse nuk jep, nuk jep për hir të epshit të tij e jo për hir të Zotit të tij. Pra, epshi i tij është imani i tij, xhehli vozitësi i tij, kurse jovigjilenca vetura e tij.
Është i zhytur në mendime për realizimin e interesave të tij në këtë botë, i dehur me epsh dhe dashuri. E thërrasin të vjen te All-llahu xhel-le shanuhu dhe te ahireti mirëpo ai nuk i përgjigjet kësaj thirrjeje. Pason djallin. Kjo botë e kënaq dhe e hidhëron. Epshi e verbon dhe e bën shurdhmemec.
Shoqërimi me këtë njeri është sëmundje, jeta me të helm, kurse ulja me të shkatërrim.

3-Zemra e sëmurë: është ajo zemër që është e gjallë mirëpo ka të meta (sëmundje). Përbëhet prej dy matrieve. Njëra e tërheqë nga e mira e tjetra nga e keqja, e ajo i takon asaj që mbisundon. Kjo zemër e don All-llahun, beson në Të, është e sinqertë ndaj Tij, Atij i mbështetet. Kjo është materia e jetës.
Mirëpo gjithashtu i don epshet dhe mundohet t’i përjetojë, ka zili, kryelartësi, dëshiron të jetë e afirmuar në këtë botë. Kjo është materia e shkatërimit.
Kjo zemër gjendet ndërmjet dy rrugëve, rrugës së All-llahut dhe ahiretit dhe rrugës që shpie në kënaqësi të tashme. Kjo zemër i përgjigjet rrugës që është më afër.
Pra, zemra e parë është e gjallë, e zgjuar dhe e butë.
E dyta e vdekur dhe e thatë.
E treta është e sëmurë, ose është më afër shpëtimit (shëndetit) ose më afër shkatërrimit (sëmundjes).
All-llahu xhel-le shanuhu i ka përmendur dhe i ka tubuar në fjalët e Tij: “Ne nuk dërguam para teje asnjë të dërguar (resul) dhe asnjë pejgamber (nebij), e që, kur ai dëshiroi, të mos ia pat hedhur në atë dëshirën e tij djalli, dhe All-llahu asgjëson atë që e hedh djalli dhe All-llahu i fuqizon argumentet e Veta. All-llahu është shumë i dijshëm dhe me urtësi të madhe i rregullon çështjet. E për ta bërë atë (dyshimin) që djalli e hedh si sprovë për ata që kanë zemrat e sëmura (munafikët) dhe për ata që i kanë zemrat e shtangura. S’ka dyshim se jobesimtarët janë në një armiqësi të pafund. E, edhe për të vërtetuar të dijshmit se me të vërtetë ai (Kur’ani) është i vërtetë prej Zotit tënd dhe kështu t’i besojnë atij dhe zemrat e tyre t’i binden Atij. E All-llahu doemos do t’i udhëzojë ata që besuan në rrugën e drejtë”. (22: 52-54)

Burimi:
albislam.com

Must Read