40 Hadithe Kudsij

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

40 Hadithe Kudsij

BISMILAHI RAHMANI RRAHIM

 

Sqarim …

Eselamu alejkum…

“40 hadithet kudsij” në fakt kanë qenë të postuara nëpër disa faqe të internetit me këtë emër dhe shumë njerëz i kanë postuar nëpër ueb-faqe dhe vende të tjera. Që të jem i sinqertë me përkthyesin e parë, nuk e di se kush i ka përkthyer fillimisht këto hadithe mirëpo lus Allahun ta shpërblejë atë për punën e tij. Disa vëllezër student të Universitetit të Prishtinës kërkuan nga unë që t’i kontrolloja duke e shikuar fillimisht saktësinë e përkthimit të tyre, pastaj referencat ku gjinden këto hadithe, cekjen e numrit të tyre nëpër këto libra, e disa përmirësime të tjera. Punë kjo të cilën e bëra me ndihmën e Allahut e para se të filloj me cekjen e këtyre haditheve dua të përmendi disa sqarime.

1-Fjala “Hadith kudsij” do të thotë hadith i cili transmetohet direkt nga Allahu tek ne përmes gjuhës së Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem.

2-Nuk kushtëzohet që një hadith i quajtur kudsij të jetë patjetër edhe hadith sahih-i saktë, ai ndodhë të jetë edhe i dobët, saktësia e tij nuk varet nga emri i tij se është udsij por nga zinxhiri i burrave të cilët e transmetojnë të cilët nëse janë të drejtë të sinqertë dhe i plotësojnë kushtet e dijetarëve të shkencave të hadithit atëherë arithi quhet i saktë përndryshe emri “kudsij” nuk luan rol në saktësinë e tij, ai rolin e vet e luan vetëm në dallimin nga të tjerët dhe sqarim për lexuesin e dëgjuesin.

3- “40 hadithet kudsij” i kam kontrolluar të gjitha fjalë për fjalë. Puna ime në të ishte siç vijon:

4 -gjeta të gjitha hadithet nëpër referencat e haditheve pra nëpër librat bazë të hadithit, siç janë gjashtë librat e hadithit duke mos dalë prej tyre.

5-pasi e gjeja hadithit e kontrollova fjalë për fjalë secilin prej tyre duke bërë përmirësimet e nevojshme.

6-pas kontrollimit të tij i shënova edhe numrat rendor të këtyre haditheve sipas librave në të cilat ai transmetohej.

7-nëse hadithi ndodhej në Buhari apo Muslim apo në njërin prej tyre u mjaftova vetëm me përmendjen e tyre si referencat më të besueshme pas Kuranit dhe nuk ceka referenca tjera, zaten kjo është metodologjia e shëndoshë e vendosur nga ehli hadithi sepse me të nuk është për qëllim kallaballëku i referencave por arritja e besimit te lexuesi, kështu që Buhariu dhe Muslimi janë më të saktit të pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët kështu nuk ka nevojë për tituj tjerë.

8-nëse hadithi nuk gjendet në këto dy referenca atëherë i kam cekur librat tjerë të hadithit sipas radhitjes së rëndësisë së tyre ashtu si edhe përmenden tek të gjithë dijetarët duke filluar me Ebu Davudin, pastaj Tirmidhiun, Nesaiun dhe në fund Ibën Maxhen.

9 -kishte raste përafërsisht pesë apo atypari që sahabiu ishte cekur gabim si psh. diku përmendej Enesi ndërsa në fakt hadithi nëpër librat bazë transmetohej nga Ebu Hurejre.

10 -fjala (Paqja e Allahut qoftë mbi të) e kam zëvendësuar me fjalën (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) sepse ky është përkthimi i saktë i selamit dhe salavatit për Profetin. Kurse përkthimi i më parshëm ngërthente në vete vetëm përkthimin e selamit e jo edhe të salavatit.

11-në hadithet që më janë dërguar mungonte një hadith do të thotë aty nuk ishin dyzet por ishin tridhjetë e nëntë gjithsej kështu hadithit numër 35 e kam shtuar unë nga sahihu i Buhariut.

12-njëri hadith (të cilin në këto çaste nuk po e kujtoj çfarë numri kishte) kish qenë i përsëritur dy herë me radhë e kështu është menduar se ata janë dyzet të tilla.

 

Kjo ishte puna ime në këtë tekst, i përmenda për hir të besnikërisë shkencore që duhet pasë çdo studiues me punën e tij.

Selam alejkum:

Lulzim Susuri

 

 

TEKSTI

 

40 HADITHE KUDSIJ

 

HADITHI 1.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu kur e përfundoi krijimin, shkroi (rregullin) për Veten e Tij duke e shkruar në librin e shtruar para Vete:

“Mëshira Ime tejkalon hidhërimin Tim!”

(Buhariu nr. 7553, Muslimi 2751)

 

HADITHI 2.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Biri i Ademit më mohoi dhe nuk kishte të drejtë ta bëjë këtë gjë. Dhe ai më ofendoi duke mos pasur të drejtë ta bëjë këtë gjë.

Më mohoi kur tha: All-llahu nuk do të më krijojë ashtu siç më krijoi herën e parë (d.m.th nuk do të më ringjallë pas vdekjes), ndërsa krijimi fillestar i tij nuk është më i lehtë se ringjallja.

Më ofendoi kur tha: All-llahu ka djalë, kurse Unë jam Një Absoluti (të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim) i Përhershëm, nuk kam lindur (dikë), e as që jam i lindur (nga dikush) dhe askush Mua nuk më përngjan!”

(Buhariu nr. 4974 dhe Nesaiu)

 

HADITHI 3.

Nga Zejd ibën Halid xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë:

Na priu i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të)në namazin e mëngjesit në vendin e quajtur Hudejbije, pasi kishte rënë shi tërë natën.

Kur e kryem faljen, i Dërguari i Allahut na u drejtua të pranishmëve duke na thënë:

“A e dini se ç’tha Zoti juaj?” Të pranishmit thanë:

“Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë”

Ai (Allahu) tha:

“Këtë mëngjes një disa nga robërit e Mi u gdhinë besimtar, ndërsa disa të tjerë mosbesimtar. Ai që tha: “Ky shi është nga mëshira dhe mirësia e Allahut” u bë besimtar në Mua, ndërsa mohues i (adhurimit të) yjeve ; Ndërsa ai që tha: “Na zbriti shi prej këtij ose atij ylli” më mohoi Mua, ndërsa u bë besimtar i yjeve.”

(Buhariu nr. 846)

 

HADITHI 4.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu tha: “Bijtë e Ademit shajnë kohën, ndërsa Unë jam koha, në dorën Time është nata dhe dita.”

(Buhariu nr. 6181, Muslimi nr. 2246)

 

HADITHI 5.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

All-llahu i Bekuar dhe i Lartësuar tha:

“Unë jam aq i pasur, saqë nuk kam nevojë për të pasur aleat (shok, ortak). Prandaj kush e kryen një vepër për hir të dikujt tjetër duke e shoqëruar atë në adhurim me Mua do t’ia refuzoj adhurimin e tillë si dhe ortakun që ma ka bërë në atë vepër”

(Muslimi 2985,)

 

HADITHI 6.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë: E dëgjova të Dërguarin e Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) duke thënë:

Prej njerëzve të parë ndaj të cilëve do të shpallet dënimi në Ditën e Gjykimit do të jetë dëshmori (shehidi). Ai do të sillet dhe Allahu do t’ia bëjë të njohura të mirat që i ka bërë e ai do t’i pranojë ato. (Allahu i Madhëruar) do t’i thotë:

“për çfarë i bëre këto?” Ai do t’i përgjigjet:

“Luftova për hir Tënd derisa rashë dëshmor”

(Allahu) do t’i thotë:

“Gënjen! Luftove që të tjerët të thonë: Është guximtar!”

Dhe vërtet ashtu thanë të tjerët për ty. Pastaj do t’u urdhërohet (engjëjve) që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në zjarr.

Njeriu tjetër do të jetë dijetari, i cili ka studiuar dijeninë, i ka mësuar të tjerët dhe gjithashtu e ka lexuar Kuranin. Ai do të sillet dhe All-llahu do t’ia bëjë të njohura të mirat që i ka bërë, e ai do t’i pranojë ato. (Allahu i Madhëruar) do të thotë:

“Çfarë bëre me këto mirësi?” Ai do të thotë:

“Studiova diturinë dhe ua mësova të tjerëve, e gjithashtu edhe e lexova Kuranin për hir Tënd.”

Allahu do t’i thotë: “Gënjen! Studiove diturinë vetëm që të tjerët të thonë: Ky është njeri i ditur. Lexove Kuranin që të thonë për ty: Lexues Kurani”

Dhe vërtet ashtu të thanë njerëzit. Pastaj do t’u urdhërohet (engjëjve) që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në zjarr.

Njeriu i tretë do të jetë pasaniku, të cilin Allahu e kishte bërë të pasur duke ia dhënë të gjitha llojet e pasurisë. Ai do të sillet dhe Allahu do t’ia përmendë ato e ai do t’i pranojë. I Madhëruari do t’i thotë:

“Çfarë bëre me to?” Ai do të përgjigjet:

“Nuk lash vend ku Ti dëshiron që ajo të shpenzohet veçse e shpenzova për hir Tëndin.” Allahu do t’i thotë:

“Gënjen! E ke shpenzuar pasurinë vetëm që të thonë për ty se je dorëdhënë!”

Dhe vërtet ashtu thanë. Pastaj do t’u urdhërohet (engjëjve) që të tërhiqet zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në zjarr.”

(Muslimi nr. 1905,)

 

HADITHI 7.

Nga Ukbe ibën Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë: e dëgjova të Dërguarin e Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të)duke thënë:

Zoti kënaqet me bariun, i cili thërret ezanin për namaz dhe falet në majë të bjeshkës. Pastaj All-llahu thotë:

“Shiheni robin Tim i cili thërret ezanin dhe e kryen namazin, ai frikohet prej Meje. Unë ia kam falë këtij robi mëkatet e tij dhe do ta fus në Xhenet.”

(Ebu Davudi, nr. 1203, Nesaiu nr. 666-sahih)

 

HADITHI 8.

Nga Ebu Hurejre(Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Namazi i atij që nuk e ka kënduar thelbin e Kuranit (suren Fatiha) gjatë faljes është i paplotësuar (i mangët) dhe i ka përsëritur këto fjalë tri herë. Dikush nga të pranishmit i tha Ebu Hurejres: A duhet ta këndojmë edhe pas imamit kur edhe ai këndon Fatihan? Ai tha: këndoje në heshtje, se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: Allahu ka thënë:

“E kam ndarë namazin ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy gjysma, dhe ai (robi) do ta fitojë atë për të cilën është lutur.”

Kur robi thotë:

“El hamdu lil-lahi rabbil ‘alemin ”; All-llahu thotë:

“Robi Im më falënderoi”

Kur robi thotë:

“Er-rahmanir-rahim ”; All-llahu thotë:

“Robi Im më lartësoi.”

Kur robi thotë:

“Maliki jeumid-din ”; All-llahu thotë:

“Robi Im më lavdëroi (robi Im i është bindur Madhërisë Sime).”

Kur robi thotë:

“Ijjake na’budu ue ijake nestein ”; Ai thotë:

“Kjo është ndërmjet Meje dhe robit Tim dhe ai do ta fitojë atë, për të cilën është lutur.”

Kur robi thotë:

“Ihdinas-siratal mustekim, siratal ledhine en ‘amte ‘alejhim, gajril magdubi ‘alejhim we led-dalin ”; Ai thotë:

“Kjo është për robin Tim, dhe ai do ta ketë atë që e ka kërkuar.”

(Muslimi nr. 395, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxhe)

 

HADITHI 9.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Gjëja e parë për të cilën do të japë llogari robi (i Allahut) në Ditën e Ringjalljes është namazi. Nëse i ka kryer namazet sipas rregullave, atëherë do të jetë i shpëtuar dhe i mirëpritur. Nëse namazet do të jenë të paplota (të mangëta), do të përjashtohet nga mirësia dhe do të jetë i humbur. Nëse do të ketë diçka të paplotësuar nga farzet (obligimet e domosdoshme), Allahu do t’u thotë (melekëve):

“Shihni se a ka kryer robi Im ndonjë namaz vullnetar, me të cilin do t’ia kisha plotësuar fardin.”

Pastaj edhe veprat tjera do të gjykohen në të njëjtën mënyrë.

(Tirmidhiu nr. 413 –teksti është i tij, Ebu Davudi nr.864, Nesaiu nr. 466, Ibën Maxhe nr. 1425)

 

HADITHI 10.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu thotë:

“Agjërimi është Imi dhe Unë shpërblej për të. Agjëruesi i lë ngashërimet seksuale, ushqimin dhe pirjen për hir Tim. Agjërimi është mburojë, e ai që agjëron ka dy gëzime: kur han iftarin dhe kur takohet me Zotin e vet. Ndryshimi i erës së gojës së agjëruesit është më i mirë tek Allahut sesa era e miskut ”

(Buhariu nr.7492, Muslimi nr. 1151)

 

HADITHI 11.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahu qofshin mbi të) ka thënë: All-llahu thotë:

“O biri i Ademit shpenzo, e Unë do të shpenzoj për ty!”

(Buhariu nr. 4684, Muslimi nr. 993)

 

HADITHI 12.

Nga Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Një njeri, prej atyre që kanë jetuar para jush, është thirrur në llogari. Te ai nuk u gjet asgjë tjetër e mirë, përveç se ai përzihej me njerëzit e tjerë dhe ua lehtësonte hallet atyre. Ai gjithashtu, pasi që kishte qenë i pasur, i urdhëronte shërbëtorët e tij që t’ia vazhdojnë borxhin atij që gjendej në rrethana të vështira ekonomike.

Pastaj (i Dërguari i All-llahut ) tha se All-llahu ka thënë:

“Ne jemi më të mëshirshëm në këtë gjë (falje dhe lehtësim) Lëshojeni të shkojë (faljani mëkatet)!”

(Buhariu nr. 2078, Muslimi nr. 1561, -teksti i mësipërm është i tij, dhe Tirmidhiu)

 

HADITHI 13.

Nga Adij ibën Hatim (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë:

Isha te i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) kur erdhën te ai dy burra: njëri ankohej nga vobekësia, e tjetri nga vjedhësit… I Dërguari i All-llahut tha:

“Sa u përket vjedhësve, do të kalojë një kohë e shkurtër, ndërsa karvani do të jetë në gjendje të dalë nga Hireja e të shkojë deri në Mekë pa u frikësuar nga askush pos Allahut… Ndërsa sa i përket vobekësisë, nuk do të vijë Dita e Gjykimit para se ta marrë ndonjëri prej jush pasurinë e vet dhe të shëtitet për t’ia dhënë dikujt, por nuk do të gjejë askënd që do t’ia kishte pranuar.

Pastaj ju do të paraqiteni para Allahut duke mos pasur as perde, e as përkthyes mes Zotit dhe juve. Allahu do të thotë:

“A nuk të dërgova Lajmëtar që ta kumtojë meazhin?”

Do të përgjigjet: “Po.”

“A nuk të dhashë pasuri dhe shumë mirësi?” do të thotë: “Po”

Pastaj (i pyeturi) do të shikojë në të djathtë, por nuk do të shohë asgjë pos zjarrit, do të shohë edhe në të majtë, por nuk do të shohë asgjë pos zjarrit.

Pra, secili prej jush le ta mbrojë veten e tij prej zjarrit duke bërë mirësi qoftë edhe me një gjysmë hurme, e nëse nuk e ka këtë mundësi, atëherë me një fjalë të mirë.”

(Buhari nr.359, Muslimi nr. 1016 –në formë të shkurtuar-)

 

HADITHI 14.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu i Lartësuar ka një numër të madh të melekëve (engjëjve), të cilët kërkojnë tubime, në të cilat përmendet emri i Allahut. Kur i gjejnë tubimet e tilla e thërrasin njëri tjetrin: ejani se gjetëm atë që këkonim, pastaj afrohen dhe i mbulojnë me krahët e tyre rreth e për qark njerëzit prezent duke e mbushur kështu hapësirën deri në qiellin e kësaj bote. Kur të tubuarit shpërndahen, engjëjt ngrihen në hapësirën qiellore. Pastaj All-llahu i pyet ata, edhe pse Ai i di të gjitha: “Prej nga po vini?” ata thonë:

“Po vijmë nga një tubim në Tokë, në të cilin robërit e Tu të lartësonin , të madhëronin , të njësonin , të lavdëronin dhe kërkonin (të mirën) prej Teje.” Ai thotë:

“Çfarë të mire kërkonin prej Meje?” Ata thonë:

“Kërkonin Xhenetin Tënd.” Ai thotë:

“A e kanë parë ata Xhenetin Tim?” Ata thonë:

“Jo, o Zot.” Ai thotë:

“E si do të ishte nëse do ta shihnin Xhenetin Tim?” Ata thonë:“Ata kërkojnë mbrojtjen Tënde.” Ai thotë:

“Prej kujt kërkojnë mbrojtjen Time?” Ata thonë:

“Prej zjarrit Tënd, o Zot.” Ai thotë:

“Po a e kanë parë zjarrin Tim?” Ata thonë:

“Jo.” Ai thotë:

“E si do të ishte nëse do ta shihnin zjarrin Tim?” Ata thonë:

“Ata kërkojnë faljen Tënde.” (I Dërguari ) Tha: Pastaj Ai thotë: “Unë i kam falur dhe i kam derdhur mbi ta të mirat që m’i kanë kërkuar, dhe ua kam siguruar mbrojtjen Time nga ajo që kanë kërkuar mbrojtje.”

(I Dërguari) tha: Engjëjt thonë:

“O Zot, në mesin e tyre është edhe filani, rob – mëkatar, i cili ishte duke kaluar aty pari dhe (rastësisht) u ul në atë tubim.” (I Dërguari) tha: All-llahu u thotë:

“Gjithashtu edhe atë e kam falur, sepse ata janë një popull, me të cilin ai që rri, nuk vuan.”

(Buhariu nr. 6408, Muslimi nr. 2689)

 

HADITHI 15.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu i Lartësuar thotë:

“Unë jam ashtu siç më parafytyron robi. Jam me të kur më përkujton. Nëse më kujton në vete, edhe Unë e kujtoj në Vete; nëse më kujton në tubime, Unë e kujtoj në tubime edhe më të mira, nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, i afrohem një pash, dhe nëse më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi.”

(Buhariu nr. 7405, Muslimi nr. 2675, Tirmidhiu, Ibën Maxhe)

 

HADITHI 16.

Nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) duke transmetuar nga Zoti i tijka thënë:

“Allahu i ka shkruar (përcaktuar) veprat e mira dhe ato të këqij. Pastaj ka shpjeguar se ai që ka pasur për qëllim ta kryejë një vepër të mirë dhe nuk e ka kryer Allahu do t’ia shkruajë një vepër të mirë të plotë, e nëse e ka kryer, atëherë Allahu do t’ia shkruajë sa dhjetë të mira deri në shtatëqind të mira, e madje edhe më tepër. Nëse njeriu ka pasur për qëllim një vepër të keqe dhe nuk e ka kryer, Allahu do t’ia shkruajë një vepër të mirë të plotë, por nëse e ka kryer, Allahu do t’ia shkruajë vetëm një vepër të keqe.

(Buhariu nr. 6491, Muslimi nr.131)

 

HADITHI 17.

Nga Ebu Dherr Gafariu (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) i ka përcjellë fjalët e Zotit dhe Krijuesit të tij, të Fuqishmit dhe të Madhërishmit, i cili ka thënë:

“O robërit e mi, Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes, dhe e kam ndaluar atë në mesin e juaj, pra mos i bëni dhunë njëri – tjetrit!

O robërit e mi, të gjithë ju jeni të humbur përveç atyre që Unë i kam udhëzuar, pra kërkoni udhëzimin nga Unë dhe Unë do t’ju udhëzoj!

O robërit e mi, të gjithë ju jeni të uritur, përveç atyre që i kam ushqyer Unë, pra kërkoni t’ju ushqej, dhe Unë do t’ju ushqej!

O robërit e mi, të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atyre që Unë i kam veshur, pra kërkoni veshje nga Unë dhe Unë do t’ju vesh!

O robërit e mi, ju bëni mëkate natë e ditë, e Unë i shlyej të gjitha mëkatet, pra kërkoni nga Unë falje dhe Unë do t’ju fal!

O robërit e mi, ju nuk jeni në gjendje të më dëmtoni edhe sikur të mundoheni (shumë) për ta bërë një gjë të tillë, por as nuk mundeni të më bëni mirë edhe nëse përpiqeni (shumë) për një gjë të tillë!

O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj, e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të mundohen të jenë të devotshëm sikur ai që ka zemrën më të devotshme prej jush, kjo nuk do ta shtonte sundimin Tim!

O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të mundohen të jenë të prishur sikur ai, që ka zemrën më të prishur, kjo nuk do ta mungonte (pakësonte) sundimin Tim!

O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj, e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të ngriheni në një vend dhe të më luteni, Unë do t’i përgjigjem lutjes të çdonjërit prej jush, e kjo nuk do ta pakësojë atë që kam Unë, as aq (ujë) sa mund të merr gjilpëra prej detit!

O robërit e mi, këto janë veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për to Unë do t’ju shpërblej. Pra, ai që gjen mirë le ta falënderojë Allahun, ndërsa

ai që gjen keq le të mos e fajësojë askë pos vetveten e tij!

(Muslimi nr. 2577)

 

HADITHI 18.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Allahu do të thotë në Ditën e Gjykimit: O biri i Ademit, Unë rashë i sëmurë, e ti nuk më vizitove! Njeriu do të thotë: O Zot, si mundem unë të vizitoj Ty, kur Ti je Zoti i botëve ? Allahu do të thotë: A nuk e dije se një ndër robërit e mi ra i sëmurë, e ti nuk e vizitove? Dije pra, se sikur ta vizitoje do të më gjeje tek ai!

O biri i Ademit, Unë të kërkova ushqim, e ti nuk më ushqeve! Njeriu do të thotë: O Zot, si mundem të ushqej unë Ty, kur Ti je Zoti i botëve? Allahu do t’i thotë: A nuk e dije ti se një ndër robërit e mi të kërkoi ushqim, e ti nuk i dhe? Dije pra, se sikur ta ushqeje, do ta gjeje (shpërblimin e ushqimit) tek Unë!

O biri i Ademit, Unë të kërkova ujë, e ti nuk më dhe! Njeriu do të thotë: O Zot, si mundem unë të jap ujë, kur Ti je Zoti i botëve? Allahu do të thotë: A nuk e dije ti kur të kërkoi një ndër robërit e mi ujë, e ti nuk i dhe? Dije pra, se nëse do t’i jepje ujë, do ta gjeje (shpërblimin e asaj vepre) tek Unë!

(Muslimi nr.2569)

 

HADITHI 19.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Krenaria është mbështjellësi Im (rida-pjesa e lartë e ihramit), ndërsa madhështia është petku Im (izar-pjesa e poshtme e ihramit), pra kush dëshiron të matet me Mua në këto dy gjëra, Unë do ta dënoj!

(Muslimi nr. 2620-me këtë tekst, kurse ngjashëm me të Ebu Davudi nr. 4090, Ibën Maxhe nr. 4174)

 

HADITHI 20.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Dyert e Xhenetit janë të hapura të hënave dhe të enjteve, dhe secilit rob të Allahut, i cili nuk i ka bërë Allahut shok (në adhurim) do t’i falen mëkatet, përveç atij që i është hidhëruar vëllait të vet. Për ta do të thuhet:

Vonojeni (faljen e mëkateve) derisa të pajtohen, vonojeni derisa të pajtohen, vonojeni derisa të pajtohen!

(Muslimi nr. 2565, Ebu Davudi nr. 4916)

 

HADITHI 21.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

All-llahu i Lartësuar thotë:

“Do të jem armik ndaj tri lloje njerëzish në Ditën e Ringjalljes:

Ndaj njeriut që e ka dhënë fjalën duke u betuar në Mua, dhe e ka thyer atë;

Ndaj njeriut që e ka shitur njeriun e lirë dhe fitimin e ka shpenzuar (d.m.th e ka robëruar njeriun e lirë), dhe Ndaj njeriut që ka marrë punëtor dhe ia ka caktuar rrogën, ndërsa pas kryerjes së punës nuk ia ka paguar punëtorit atë që e ka merituar.”

(Buhariu nr. 2227)

 

HADITHI 22.

Nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të)ka thënë:

Asnjëri prej jush le të mos e nënçmojë veten! (Shokët) i thanë:

O i Dërguar i Allahut, si mundet ndonjëri prej nesh ta nënçmojë veten?

Ai u përgjigj:

Kur një njeri sheh ndonjë çështje, e cila ka të bëjë me fenë e Allahut dhe duhet të flitet rreth saj, e ai nuk flet, atëherë Allahu në Ditën e Ringjalljes i thotë:

Ç’të pengoi ta thuash të vërtetën rreth asaj çështjeje?

Njeriu do të thotë:

Frika prej njerëzve.

All-llahu do t’i thotë:

Më mirë do të ishte nëse më frikoheshe Mua!

(Ibën Maxhe nr. 4008-hasen)[1]

 

HADITHI 23.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Vërtet All-llahu do të thotë në Ditën e Ringjalljes:

“Ku janë ata që e donin njëri – tjetrin për hir të Madhërisë sime? Sot Unë do t’i strehoj ata nën hijen Time, se kjo është dita në të cilën nuk ka hije përveç hijes Time!”

(Muslimi nr. 2566)

 

HADITHI 24.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Kur All-llahu e do ndonjë nga robërit e Tij e thërret Xhibrilin dhe i thotë: Unë e dua këtë njeri, pra duaje edhe ti!

(Muhammedi alejhisselam) tha:

Atëherë edhe Xhibrili e do atë njeri. Pastaj Xhibrili i thërret banorët e qiellit duke thënë:

Allahu e do këtë njeri, pra dojeni edhe ju! Atëherë edhe banorët e qiellit e duan atë. Pastaj (ky njeri) pranohet edhe në tokë.

Nëse Allahu e urren ndonjë nga robërit e Tij e thërret Xhibrilin dhe i thotë: Unë e urrej këtë njeri, pra urreje edhe ti!

Atëherë edhe Xhibrili e urren atë njeri. Pastaj Xhibrili thërret në hapësirën qiellore duke thënë:

Allahu e urren këtë njeri, andaj edhe ju urrejeni atë! Atëherë edhe ata e urrejnë atë, pastaj ky njeri urrehet edhe në tokë.

(Buhariu nr. 3209, -vetëm gjysmën e parë të tij, Muslimi nr. 2637 –me pjesën e dytë të hadithit-)

 

HADITHI 25.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Vërtet All-llahu thotë:

Do t’i shpall luftë atij që tregon armiqësi ndaj robit Tim!

Robi Im nuk më afrohet në mënyrë tjetër më të mirë, përveç duke i kryer farzet (obligimet e domosdoshme). Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare (nafileve), derisa ta dua atë, e kur e dua atë, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie, dhe këmba e tij me të cilën ecë. Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtet Unë do ta strehoj atë. Unë nuk nguroj për asgjë më tepër se në marrjen e shpirtit të robit Tim besimtarë: ai e urren vdekjen, e Unë e urrej lëndimin e tij.

(Buhariu nr.6502)

 

HADITHI 26.

Nga Ebu Umame (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

All-llahu thotë:

Vërtet prej të gjithë të devotshmëve më së tepërmi e pëlqej besimtarin e varfër, i cili është në skamje, e megjithatë tregon një vëmendje të posaçme gjatë namazit, si dhe bindje të plotë gjatë adhurimit të Zotit të tij duke e respektuar atë në vetmi; nuk bie në sy tek njerëzit, nuk tregohet me gisht drejt tij, dhe mundësia e jetesës së tij arrin vetëm kushtet elementare, e ai përsëri duron.

Pastaj i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) tha:

Vdekja do të kishte ardhur më herët tek ai, por ngushëlluesit e tij do të ishin pak (në numër) dhe e vogël do të ishte trashëgimia e tij.

(Tirmidhiu nr.2347, Ibën Maxhe nr.4117-daif)

 

HADITHI 27.

Nga Mesruku përcillet se ka thënë:

E pyetëm Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me të) për ajetin:

“Dhe assesi mos mendoni se janë të vdekur ata që u vranë në Rrugën e Allahut! Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u furnizuar te Zoti i tyre” (Ali Imran; 169)

E ai tha:

Edhe ne kemi pyetur (të Dërguarin e Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të)dhe na ka thënë:

Shpirtrat e tyre janë në brendësi të zogjve të gjelbër, duke pasur kandila të varur për Arsh dhe (këta njerëz) shëtisin në Xhenet nga të duan, pastaj pushojnë dhe qetësohen në ato kandila. Atëherë Zoti ua hedh një shikim dhe u thotë:

“A dëshironi diçka tjetër?” ata thonë:

“Çka mundemi të dëshirojmë, kur po shëtisim lirisht dhe kah të duam në Xhenet?” Allahu ua drejton tri herë këtë pyetje, e ata, kur e shohin se do të pyeten përsëri, përgjigjen:

“O Zot, dëshirojmë që të na i kthesh edhe një herë shpirtrat në trupat tonë (të na kthesh në dunja) dhe të luftojmë derisa të vdesim edhe një herë në rrugën tënde.” Kur Ai sheh se ata nuk kanë nevojë për asgjë tjetër, i le të qetë.

(Muslimi nr. 1887)

 

HADITHI 28.

Nga Xhundub ibn Abdullahi (Allahu qoftë i kënaqur me të)përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Në mesin e atyre që jetuan para jush ishte një njeri, i cili kishte një plagë, dhe prej dhimbjeve të mëdha, mori thikën dhe preu dorën, prej së cilës rrodhi gjak derisa vdiq. Allahu tha:

“Robi Im më tejkaloi në veten e tij (d.m.th shkeli ligjin Tim), pra Unë ia kam ndaluar atij hyrjen në Xhenet.”

(Buhariu nr. 3463, Muslimi nr. 113)

 

HADITHI 29.

Nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Kur unë ia marr robit besimtar dy të dashurit e tij (dy sytë) e pastaj ai duron, do të ja zëvendësoj ata me Xhenet?

(Buhariu nr. 5653)

HADITHI 30.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut(paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

All-llahu thotë:

“Nëse robi Im dëshiron të takohet me Mua, edhe Unë dëshiroj të takohem me të, e nëse ai nuk dëshiron të takohet me Mua, as Unë nuk dëshiroj të takohem me të.” (Buhari nr. 6507)

Një hadith i ngjashëm në një transmetim më të gjer thotë:

Nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Atë që dëshiron të takohet me Allahun, edhe Allahu dëshiron ta takojë, e atë që nuk dëshiron takim me Allahun, as Allahu nuk dëshiron ta takojë. Unë (Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë thashë: O i Dërguar i Allahut, a është kjo nga urrejtja e vdekjes, sepse ne të gjithë e urrejmë vdekjen?

Ai (i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) tha:

Nuk është ashtu, por kur besimtarit i jepet lajmi për mëshirën e Zotit dhe kënaqësinë e Tij, si dhe pranimi i tij në Xhenet, ai dëshiron ta takojë Allahun, e edhe Allahu dëshiron ta takojë atë, ndërsa kur mosbesimtarit i jepet lajmi i dënimit nga Allahu dhe hidhërimit të Tij, ai nuk dëshiron ta takojë Allahun, e as Allahu nuk dëshiron ta takojë atë.

(Muslimi nr. 2684)

 

HADITHI 31.

Nga Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të)ka thënë:

Një njeri tha: Pasha Allahun, Allahu nuk do ta falë filanin!

Në këtë rast Allahu i Lartësuar tha:

“Kush është ai, që betohet se Unë nuk do ta fal filanin? Me të vërtetë Unë e fala atë, ndërsa i asgjësova veprat e tua!”

(Muslimi nr.2621)

 

HADITHI 32.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Një njeri, i cili ia kishte ngarkuar vetes disa mëkate të mëdha, kur ra në shtratin e vdekjes u tha djemve të vet:

“Kur të vdes më digjni, e pastaj më shtypni dhe ma hidhni hirin në det, se pasha Allahun, nëse Ai më merr në dorë, do të më dënojë ashtu si askënd më parë!” Dhe djemtë e bënë atë që u tha i ati. Pastaj Allahu i tha tokës:

“Nxirre atë që ke marrë!” dhe njeriu u duk aty (para Allahut). Allahu tha:

“Ç’të shtyu ta bësh atë gjë?” njeriu tha:

“Frika prej teje, o Zoti Im!”

Për këtë shkak All-llahu e fali atë.

(Buhariu nr. 3481, Muslimi nr. 2756)

 

HADITHI 33.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) i ka përcjellë fjalët e Zotit dhe Krijuesit të tij, të Fuqishmit dhe të Madhërishmit:

Një rob (i Allahut) bëri një mëkat dhe tha:

“O Zoti im, ma fal mëkatin!” I Lartmadhëruari tha:

“Robi Im ka bërë një mëkat duke e ditur se Zoti i tij i fal mëkatet, por edhe dënon për ta.”

Robi përsëri bëri një mëkat tjetër dhe tha:

“O Zot, ma fal mëkatin!” I Lartmadhëruari tha:

“Robi Im ka bërë një mëkat dhe ka ditur se Zoti i tij fal dhe dënon.”

Robi bëri edhe një mëkat dhe përsëri tha:

“O Zot, ma fal mëkatin!”

Dhe i Lartmadhëruari tha:

“Robi Im e ka bërë mëkatin duke e ditur se Zoti i tij fal dhe dënon për mëkatet. Bë ç’të duash, Unë të kam falë!”

(Buhariu nr.7507, Muslimi nr.2758)

HADITHI 34.

Nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë: e dëgjova të Dërguarin e Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) duke thënë:

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“O biri i Ademit, derisa të më lutesh Mua dhe të kërkosh nga Unë (falje), Unë do të fal!

O biri i Ademit, qofshin mëkatet e tua deri në qiell, nëse kërkon falje nga Unë, Unë do të fal!

O biri i Ademit, nëse vjen te Unë me mëkate të mëdha sa toka, pastaj më drejtohesh duke mos më bërë shok (në adhurim) Unë do të dhuroj falje po aq të madhe!”

(Tirmidhiu nr. 3540, Sahih)

 

HADITHI 35.

Nga Abdullah ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se e ka dëgjuar të Dërguarin (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) duke thënë:

Qëndrimi juaj në këtë botë karshi popujve që jetuan para jush është i ngjashëm sa koha mes namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit. Pasuesve të Tevratit ju dha Tevrati e ata punuan deri në mes të ditës e pastaj u lodhën, atyre ju dha shpërblimi sa një kirat (masë e madhe shpërblimi-sa kodra e Uhudit), pastaj ju dha Ungjilli pasuesve të tij e ata punuan me të deri në namazin e ikindisë dhe u lodhën e edhe atyre ju dha shpërblimi kirat për kirat. Pastaj neve na u dha Kurani dhe punuam me të deri në perëndim të diellit dhe na u dha shpërblimi (nga Allahu) nga dy kirat pas dy kiratëve. Pasuesit e dy librave para nesh thanë:

“O Zot neve na dhe shpërblimin nga një kirat kurse këtyre po ua jep nga dy kiratë duek e ditë se ne patëm punuar më gjatë se ta”!

Allahu ju tha: “A ju bëra padrejtësi kur ju shpërbleva punën tuaj (apo ju dhashë shpërblimin e duhur)”? ata u përgjigjën: “Jo”

Allahu tha: “atëherë kjo është mirësia Ime të cilën ia jap kujt dua”

(Buhariu nr.557)

 

HADITHI 36.

Nga Ebu Hurejre dhe Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me ta) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Besimtarët do të tubohen në Ditën e Ringjalljes dhe do të thonë:

“T’i themi dikujt të ndërmjetësojë për ne tek All-llahu!” dhe do të shkojnë te Ademi dhe do t’i thonë:

“Ti je babai i njerëzimit, Allahu të krijoi me dorën e tij dhe u urdhëroi melekëve që të të përulen, dhe Ai t’i mësoi ty emrat e çdo gjëje, pra ndërmjetëso për ne te Allahu që të na lirojë prej këtij vendi, në të cilin gjendemi!” ai do të thotë:

“Unë nuk jam në gjendje për ta bërë një gjë të tillë.” dhe do t’ua përmendë gabimin e tij (në Xhenet), do të ndihet i turpëruar dhe do t’u thotë:

“Shkoni te Nuhu, se ai është i dërguari i parë banorëve të tokës!” dhe kur do të shkojnë te ai…, do t’u thotë:

“Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë.” Dhe do ta përmendë kërkesën që ia bëri Allahut kundër popullit të tij. Sot më intereson vetëm vetja ime. Pastaj do t’u thotë:

“Shkoni te miku i Mëshiruesit, (Ibrahimi (paqja e Allahu qoftë mbi të))!” Do të shkojnë tek ai… ndërsa ai do t’u thotë:

“Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë…, shkoni te Musai, robi dhe folësi i Allahut, të cilit ia ka dhënë Tevratin.” Por kur do të shkojnë te ai…, do t’u thotë:

“Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë.” Dhe do t’ua përmendë rastin që e ka vrarë një person të cilin nuk kishte urdhër ta vriste… atëherë do t’u thotë:

“Shkoni te Isai, rob i Allahut dhe Lajmëtar, fjala e Allahut dhe shpirti!” atëherë do të shkojnë te ai, dhe ai do t’u thotë:

“Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë…, por shkoni te Muhamedi (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) të cilit rob Allahu ia ka falë të gjitha mëkatet, të kaluarat dhe të ardhshmet!”

Atëherë (thotë i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të)) do të vijnë tek unë e unë do të kërkoj leje që të shkoj te Zoti Im. Leja do të më jepet, dhe unë do të shkoj te Allahu dhe do t’i bëj sexhde (do të përulem) e do ta falënderoj e do t’i lutem me lutje që nuk i di askush. Allahu do të më lë ashtu një kohë, aq sa do të dëshirojë dhe do të më thotë:

“Çoje kokën. Kërko dhe do të jepet, flit dhe do të dëgjohesh, ndërmjetëso dhe do të pranohet!”

Pastaj do t’i them: O Zot ymeti im, ymeti im, ymeti im. Do të më thotë: O Muhamed futi në xhenet nga dera e djathtë e tij të gjithë besimtarët e ymetit tënd të cilët nuk kanë punë për tu llogaritur për to. Këta njerëz (janë të vetmit që do të futen nga kjo derë) ndërsa dyert tjera janë të përgjithshme për ta dhe për njerëzit e tjerë.

(Buhariu nr.4712, Muslimi nr.192 dhe 194)

 

HADITHI 37.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

All-llahu thotë:

“Kam përgatitur për robërit e mirë atë që syri nuk ka parë, veshi nuk ka dëgjuar dhe as që ka paramenduar zemra e njeriut.”

Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: Për këtë çështje mundeni të lexoni edhe në Kuran:

Askush nuk e di se ç’kënaqësi u është përgatitur për atë që kanë punuar! (Sexhde-17)

(Buhariu nr. 3244, Muslimi nr. 2824)

 

HADITHI 38.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu kur krijoi Xhenetin dhe Zjarrin (Xhehenemin), e dërgoi Xhibrilin në Xhenet duke i thënë:

“Shko dhe shih se ç’kam përgatitur për banorët e tij”. Atëherë Xhibrili shkoi në Xhenet dhe pa çfarë kishte përgatitur Allahu për banorët e tij. Kur engjëlli u kthye te Allahu tha:

“Pasha Madhërinë tënde, askush nuk dëgjon për të veçse (mundohet të) hyjë brenda!”

Atëherë Allahu urdhëroi që Xheneti të rrethohet me vështirësi, dhe i tha Xhibrilit:

“Kthehu dhe shikoje përsëri!” Meleku shkoi përsëri në Xhennet dhe e pa se qe i rrethuar me vështirësi, dhe kur u kthye te Allahu tha:

“Pasha Madhërinë tënde, frikësohem se askush nuk do të hyjë në të!”

Atëherë Allahu iu drejtua përsëri Xhibrilit dhe i tha:

“Shko te zjarri dhe shih se ç’kam përgatitur për banorët e tij!” Kur e pa Xhibrili zjarrin, pa se si ishte ndërtuar në shtresa – një mbi një. U kthye te Allahu dhe tha:

“Pasha Madhërinë tënde, ai që do të dëgjojë për të, nuk do të dëshironte të hyjë në të!”

Atëherë Allahu urdhëroi që të rrethohet me kënaqësi, dhe i tha Xhibrilit:

“Kthehu në të!” ai u kthye dhe tha:

“Pasha Madhërinë tënde, frikësohem se askush nuk do t’i shpëtojë hyrjes në të”

(Ebu Davudi nr.4744, Tirmidhiu nr.2560, Nesaiu nr. 3763-sahih)

 

HADITHI 39.

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

U zunë Xheneti dhe Xhehenemi ndërmjet vete dhe Xheneti tha:

“O Zot ç’është me mua që futen tek unë njerëzit e dobët dhe të vobektit”?

Kurse Xhehenemi tha: “Tek unë futen mendjemëdhenjtë dhe të fuqishmit”

Pastaj Allahu gjykoi ndërmjet tyre:

“Ti je Xheneti, mëshira Ime, nëpërmjet teje Unë mëshiroj atë që dëshiroj, ndërsa ti je zjarri, ndëshkimi Im, nëpërmjet teje dënoj atë që dëshiroj, dhe është caktimi Im që secili prej jush t’i ketë banorët e tij”

(Buhariu nr.7449, Muslimi nr.2846)

 

HADITHI 40.

Nga Ebu Seid hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

Allahu do t’u thotë banorëve të Xhenetit:

“O banorë të Xhenetit!” ata do të thonë:

“Zoti ynë, po të përgjigjemi, jemi nën dëshirën e kërkesës Tënde dhe mirësia gjendet në Duart Tua” atëherë Allahu do të thotë:

“A jeni të kënaqur plotësisht?” ata do të përgjigjen:

“O Zot, si të mos jemi të kënaqur, kur Ti na ke dhënë atë që nuk ia ke dhënë asnjërës prej krijesave tua?” Allahu do të thotë:

“A nuk dëshironi që t’u jap diçka tjetër, më të mirë se kjo?” ata do të përgjigjen:

“O Zot, çka mund të jetë më e mirë se kjo që na e ke dhënë?” Ai do të thotë:

“Unë do ta bëj që kënaqësia Ime të zbresë mbi ju, dhe pas kësaj më nuk do të hidhërohem kurrë me ju!”

(Buhariu nr.6549, Muslimi nr.2829)

Kontrolloi dhe krahasoi me origjinalin:

Lulzim Mehmet Susuri

08/02/2011

Burimi: http://islamifejaevertete.com

 


[1] Ndërsa shejh Albani e konsideron të dobët.

Artikulli paraprakEkstremizmi
Artikulli tjetërSatanizmi – Rreziku per rininë

Must Read