Hipokrizia është një sëmundje e zemrës dhe devijim i rrezikshëm moral në jetën e individëve, komuniteteve dhe kombeve.
Rreziku i saj është i madh dhe i dukshëm kur pasojat shkatërruese të hipokrizisë prekin umetin Islam, sepse askush nuk e pret komplotin dhe dinakërinë e hipokritit, pasi ai konsiderohet musliman në pamjen dhe fjalët e tij.
Kuptimi gjuhësor i hipokrizisë nënkupton dinakërinë, në pamje të jashtme është shtirja e një njeriu që pohon se zotëron cilësi, (besim, virtyte, morale, parime,) mendime apo ndjenja që në të vërtetë nuk i posedon.
Egzistojn disa forma te hipokrizsë si:
- Hipokrizia e madhe
Dijetari ibn Haxheri thotë se: “ Hipokrizi e madhe është kur personi tregon besimin e tij në Allahun, engjëjt, librat, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, mirëpo fsheh atë që bie në kundërshtim me disa ose të gjitha këto”. Poashtu thotë se: “Ky ishte lloji i hipokrizisë që mbizotëronte gjatë kohës së Pejgamberit (sal-laAllahu alejhi ue sel-lem)”.
Ndërsa në Kuran, Allahu i Lartësuar i nënçmon dhe i cilëson si mosbesimtar :
“Sigurisht, hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Zjarrit, dhe ti nuk mund të gjesh dot ndonjë ndihmës për ta”.(En Nisa-145)
- Hipokrizia në veprime
Disa dijetarë e quajnë këtë formë hipokrizi e vogël dhe është kur personi ka disa nga sjelljet e hipokritëve si gënjeshtra.
Shembulli i kësaj është ajo që ka thënë Pejgamberi (sal-laAllahu alejhi ue sel-lem): “Nëse tek një njeri gjenden katër cilësi atëherë ai është hipokrit i mirëfilltë, e nëse gjendet njëra prej tyre atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve derisa ta largojë atë. Hipokritit kur i lihet diçka në amanet, ai tradhton, kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbush premtimin, kur është në konflikt me dikë i tejkalon kufijtë (tregohet i padrejtë)”. (Buhariu dhe Muslimi)
– Karakteristikat dominuese te hipokritëve :
- Ata thonë me gjuhën e tyre atë që nuk kanë në zemrat e tyre, siç thotë Allahu i Madhëruar :
“Ka njerëz që thonë: “Besojmë në Allah dhe në Ditën e Fundit”, por ata nuk janë besimtarë.” (El Bekare-8)
- Ata i mashtrojnë besimtarët, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar:
"Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët. Në të vërtetë, ata nuk mashtrojnë askënd tjetër përveç vetvetes, por nuk e kuptojnë". (El Bekare-9)
- Ata shkaktojnë shkatërrim në tokë me anë të fjalës dhe veprimeve të tyre. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:
“E kur atyre u thuhet: “Mos bëni çrregullim në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm paqësues!” (El Bekare-11)
- Dyfytyrësia
Ndërsa në një hadith thuhet: “Shembulli i munafikut është si shembulli i një deleje bredharake (e cila lëviz midis dy tufave), herë anon nga njëra tufë e herë anon nga tufa tjetër.”
- Ata betohen në mënyrë të rreme për të fshehur krimet e tyre. Thotë Allahu i Madhëruar:
“Ata betimin e tyre e bëjnë për tu mbrojtur, andaj ata penguan nga rruga e All-llahut. Veprimi që ata bënë është shumë i keq.Ngase ata besuan (me gojë) e pastaj mohuan, andaj zemrat e tyre u mbyllën dhe ata nuk kuptojnë”. (El Munaafikun-2,3)
- Besnikëria ndaj jobesimtarëve dhe t’i mbështesë ata kundër besimtarëve. Thotë Allahu i Madhëruar:
“Ti (Muhammed) lajmëroi munafikët se me të vërtetë ata kanë një dënim të dhembshëm, ata që përkundër besimtarëve, i miqësojnë jobesimtarët. Vallë, a mos kërkojnë krenari te ta? S’ka dyshim, e tërë krenaria i takon All-llahut”. (En Nisaa- 138,139)
- Ata tallen dhe i përqeshin muslimanët e sinqertë të cilët përpiqen të jenë sa më të qëndrueshëm në ndjekjen e sunetit.
"Ata (hipokritë) që i përqeshnin besimtarët, që me vullnetin e vet japin lëmoshë, i përqeshin ata të cilët nuk gjejnë për të dhënë asgjë përvec sakrificëës së tyre, e ata (munafikët ) tallen me ta, All-llahu u dha shpërblimin e talljeve të tyre dënimin më të rëndë.” (Et Teube-79)
- Ata nuk e dinë sinqeritetin dhe as nuk e ndiejnë në zemrat e tyre kuptimin e vërtetë të adhurimit ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Prandaj, ata mendojnë se edhe besimtarët edhe hipokritët janë njësoj dhe se veprat e tyre të mira janë vetëm për hir të fitimeve të kësaj bote.
Përktheu dhe përmblodhi: Hamide Mustafi – /rizgjimi.com
Së fundmi, duhet theksuar se karakteristikat e lartpërmendura të hipokritëve janë vetëm disa nga shumë tipare tjera. Allahu na dhëntë strehim të gjithëve nga hipokrizia dhe e ruajtë umetin tonë nga e keqja e hipokritëve.