Më tregoni se çka nënkuptoni me këtë fjali
Pyetja:
Es-selamu alejkum, të nderuar vëllezër! Unë gjithnjë lexoj shumë shkrime të mira në faqen tuaj, për këtë ju uroj për punën që po e bëni, por kam një pyetje ndoshta mund të jetë gabim në të shkruar i juaj, respektivisht në këtë shkrim kërkoj një sqarim të vogël.
Çifutet në Kuran:
Hytbja e dytë (më poshtë)
Të nderuar muslimanë!
Të solidarizohemi me vëllezërit tanë në Gazë me duatë dhe lutjet tona gjatë namazeve ditore dhe vullnetare.
“Të ngrihemi në kohën kur Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote dhe kërkon lutësit që i luten Atij”.
Mos të kursehemi në lutjet (duatë) tona, vëllezërit tanë kanë nevojë për ne që të kontribuojmë me mundësitë që kemi.
Këtë fjalinë që e kam bërë me font më të theksuar dhe nën thonjëza për mua është jo e njohur, sepse unë nuk di asnjëherë që Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote, kjo fjali më bën të dyshoj në gabimin tuaj gjatë shkrimit apo përkthimit eventualisht pa dashje. Megjithatë unë pasi jam lexues i rregullt i faqes suaj kisha dashur sipas mundësive tuaja të më tregoni se çka nënkuptoni me atë fjali, a është gabim në të shkruar, dhe tregomëni si duhet të jetë.
E, gjithë kjo pyetje për këtë fjali jo që është e një rëndësi të veçantë për mua, por për dikë që nuk njeh shumë nga feja e pastër e jona mund ta marrë si të vërtetë prandaj përmirësimi i gabimit eventual do të kishte qenë në të mirë të të gjithë muslimanëve dhe lexuesve të tjerë për vërtetësinë e saktë për atë çka shkruhet. Faleminderit. Pres përgjigje.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Nuk ka kurrfarë gabimi në shkrimin e temës që keni përmendur. Allahu xh.sh. zbret në qiellin e kësaj bote ashtu siç ka ardhur në hadithe të sakta siç do t’i cekim më poshtë, zbret në qiellin e dunjasë ashtu si i takon Allahut xh.sh. dhe vetëm Ai e di mënyrën se si zbret.
Allahu azze ue xhel thotë:
“Rrahmani (i Gjithëmëshirshmi) u ngrit lart dhe qëndroi (ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij) mbi Arsh.” [Kuran, Ta-Ha: 5]
Po ashtu ka thënë: “Pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (ashtu siç i shkon për shtat Madhështisë së Tij.” [Kuran, Sexhde: 4]
Po ashtu ka thënë: “Tek Ai ngjiten të gjitha fjalët e mira dhe punët e drejta e lartësojnë atë (fjalën e drejtë).” [Kuran, Fatir: 10]
Nga këto argumente shohim se Allahu xh.sh është ngritur mbi Arsh.
Pastaj Pejgamberi s.a.v.s në hadith të vërtetë ka thënë “Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë çdo natë, atëherë kur ka mbetur një e treta e fundit të natës, dhe thotë: ‘Kush më lutet, që t’i përgjigjem, kush më kërkon, që t’i jap, kush më kërkon falje, që ta fal?” (Buhariu dhe Muslimi)
Nga ky hadith shohim qartë se Allahu xh.sh. zbret në qiellin e kësaj bote në pjesën e tretë të natës dhe nuk ka asnjë dyshim në këtë pasi hadithi është i saktë, e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, dhe pasi Allahu xh.sh është ngritur mbi Arsh, në fund të një të tretës së natës zbret në qiellin e dunjasë.
Kur erdhi një njeri tek Imam Maliku dhe i tha: “I Mëshirshmi mbi Arsh u ngrit (isteva)”, e si u ngrit?” Imam Maliku lëkundi kokën dhe tha: “Ngritja dihet ç’është, mënyra e saj është e pakapshme për mendjen tonë, të besojmë në të është obligim (farz) ndërsa të pyesësh për këtë është bidat, e unë mendoj se ti je bidatçi.”
Eroll Nesimi
Burimi: http://www.klubikulturor.com