BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeMospajtimi në mes të Aliut dhe Muaviut (Allahu qoftë i kënaqur me...

Mospajtimi në mes të Aliut dhe Muaviut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy)

 

Mospajtimi në mes të Aliut dhe Muaviut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy)


Pyetja:

Jam një muslimane, inshallah njihem si e tillë para Tij, por jam në mesin e një rrethi të gjerë familjar që Allahut i bëjnë shirk, gjegjësisht besojnë në varreza. Por në mesin e tyre shpesh dëgjoj tek e përmendin imam Aliun, hz. Fatimen, imam Hasanin, imam Hyseinin bashkë me 12 imamët e mirë duke i lavdëruar dhe duke u dhuruar disa cilësi të jashtëzakonshme që vetëm Allahu xh.sh. i posedon. Imam Aliun dhe imam Hyseinin, këta dy të fundit sidomos, i kanë në gjuhë më së shumti, madje as Muhamedin s.a.v.s. nuk e çmojnë më shumë se ata të dy. Umejrin r.a., Uthmanin r.a., Aishen r.a., Muaviun dhe birin e tij, Jezidin, sidomos këta dy të fundit i mallkojnë dhe i marrin si shembuj për të keq e ndonjëherë edhe të drejtohen me emrat e tyre gjoja për të fyer, p.sh. Jezidi i Muaviut. Unë pasi jam në mesin e tyre shumë mirë i kuptoj këto ndarje dhe ndryshime që janë bërë në fenë islame, shtrembërime këto që ia mveshin Islamit të drejtë, subhanllah, por unë e di dhe jam lidhur për fenë e drejtë, udhëzimin e Allahut dhe sheriatin e Muhamedit s.a.v.s., rrugën e Ehli Sunetit shumë mirë e kuptoj dhe e dalloj se kjo rrugë është rruga e vërtetë dhe e natyrshme, feja e zgjedhur e Allahut xh.sh., dhe njëherazi rruga e praktikuar nga Muhamedi alejhi selam dhe ato shtrembërime që janë bërë janë bidate, risi, dhe të shpikura nga njerëzit e humbur që deshën dhe e përçanë këtë fe që nga vrasja e kalifit Uthman r.a. dhe shkaktuan fitne në mesin e muslimanëve. Në librin “Shejtani i madh”, i autorit Halid Tuliq shumë mirë shpjegohen këto ndarje dhe degë të shumta që janë përhapur në mesin e muslimanëve, por ajo që më intereson ta di dhe që ndoshta nuk e kam kuptuar mirë është çfarë mosmarrëveshjesh kanë pasur imam Aliu dhe Muaviu, pastaj me Talhan dhe Zubejrin. Po Jezidi, i biri i Muaviut, përse edhe ky mallkohet, a vetëm pse Muaviu e emërtoi si kalif pas vetes e këtë gjë nuk ia dha birit të Aliut, Hysenit? Kush në të vërtetë e ka vrarë imam Hysenin, pasi në këtë libër thuhet se e ka vrarë zëvendësi i Jezidit? Pasi unë nuk e dua rrugën e tyre shpesh më drejtohen “ju hoxhallarët”, duke aluduar për Ehli Sunetin, “e keni vrarë imam Aliun dhe imam Hyseinin”. Këtë të fundit në Kerbela. Cila është e vërteta e gjithë kësaj? Ma bëni hallall, por është e rëndësishme për mua të kem përgjigje për këtë pyetje.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ju përshëndesim me selam dhe ju urojmë mirëseardhjen në faqen tonë. Gjithashtu na gëzon fakti se, edhe pse rridhni nga një familje e rreth i ndikuar nga sufizmi e dervishllëku, keni arritur të kuptoni të vërtetën dhe të liroheni nga besimet dhe besëtytnitë e përhapura në rrethin tuaj. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju forcojë, t’ju bëjë të bereqetshëm dhe përhapës të hairit në atë mes!

Ndërsa në lidhje me çështjet për të cilat bëni pyetje, do të mundohemi të japim përgjigje të përgjithshme duke mos u ndalur në të gjitha pikat të cilat do ta sqaronin esencën e keqkuptimeve dhe devijimeve, pasi për të sqaruar si duhet problemet që kanë ndodhur mes muslimanëve gjatë historisë pas vdekjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem nevojitet të shkruhen libra.
Duhet ta kuptojë çdo musliman se Islami nuk është pronë individuale e askujt dhe asnjërit nuk i lejohet të ndërtojë besimin islam dhe të përligjëgjëra që ia atribuon atij duke u mbështetur në ndodhitë, ngjarjet dhe historitë e njerëzve që kanë jetuar pas vdekjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Më qartë themi se mësimet islame dhe dispozitat që kanë të bëjnë me të, të gjitha kanë zbritur derisa ishte gjallë Muhamedi salallahu alejhi ue selem; çfarë ishte fe (Islam) gjatë jetës së tij, ajo ishte dhe do të mbetet fe deri në fund, në të kundërtën çdo shtim që është bërë në këtë fe pas vdekjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem është risi dhe humbje. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe”(Maide, 3)

Duke u nisur nga ky parim themi se është e papranueshme që Islamin ta ndërtojmë mbi ngjarjet dhe ndodhitë historike që kanë ndodhurs vdekjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem dhe të përligjim dispozita që i atribuohen Islamit nga këto ngjarje. Fatkeqësisht disa nga grupimet që kanë lindur pas vdekjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem ishin si rezultat dhe reflektim i ngjarjeve politiko-sociale që kanë ndodhur në mesin e muslimanëve më vonë. Edhe pse në fillim këto ngjarje ishin mospajtime që kishin të bënin me udhëheqjen e shtetit islam dhe rreth asaj se cila është më primare që të veprohet nga gjërat e mundshme, me kalimin e kohës dhe me interpretimin e këtyre problemeve dhe mospajtimeve në gjenerata lindën grupe muslimanësh që i dhanë kah fetar këtyre mospajtimeve dhe u krijuan drejtime të cilat adoptuan doktrina dhe teori që i trajtuan si baza thelbësore të Islamit. Kështu lindën grupimet e para, havarixhët, shiitët dhe të tjera.

Mosmarrëveshjet mes imam Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe Muaviut, Allahu qoftë i kënaqur me të, nuk kishin të bënin me ndonjë çështje themelore të fesë, në kuptimin që ndonjëri prej tyre të pohonte diçka nga feja e tjetri ta  mohonte atë ose anasjelltas. Kjo assesi nuk ka ndodhur mes asnjërit prej sahabëve. Por mospajtimi kishte të bënte në lidhje me mënyrën se si duhet të bëhej gjetja dhe gjykimi i vrasësve të Othmanit radijallahu anhu dhe a duhej zgjidhur kjo së pari apo të përcaktohej kalifi i muslimanëve, pastaj të kërkoheshin dhe të dënoheshin vrasësit. Në ndezjen dhe përshkallëzimin e këtij mospajtimi patën dorë munafikët që jetonin në Sham, ku Muaviu ishte vali dhe në Hixhaz, ku ishte zgjedhur Aliu për kalif. Kështu, pasi largësia në mes tyre ishte me qindra kilometra dhe dëgjonin lajme që përhapnin munafikët për të dy, fitneja u zgjerua, saqë Aliu u detyrua të mbledhë ushtrinë dhe të niset për në Sham. Kur e kuptoi Muaviu këtë, edhe ai u përgatit dhe i doli në pritë. Dy ushtritë u takuan, por para se të ndërmerrnin ndonjë hap Aliu dhe Muaviu u takuan paraprakisht dhe secili tregoi respekt ndaj tjetrit si shoqërues i Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Ata u morën vesh të mos luftojnë kundër njëri-tjetrit dhe ta zgjidhin problemin së bashku në paqe. Kështu u ndanë, por kur munafikët kuptuan se do të pajtohen muslimanët dhe do të zbulohen nxitësit e fitnes dhe ata që vranë Othmanin, në mbrëmje sulmuan që të mashtrohen të dyja palët se ka ndodhur tradhti (se njëra palë është duke e sulmuar tjetrën) dhe kështu ndodhi lufta në mes tyre. 

Në këtë fitne muslimanët, apo më saktësisht sahabët, ishin të ndarë në tre grupe; një grup me Aliun radijallahu anhu, një grup me Muaviun radijallahu anhu dhe një grup që u distancua nga kjo fitne dhe nuk mori pjesë fare, por mbeti në shtëpitë e tyre. Ajo që duhet të kemi parasysh është se shumica e sahabëve janë distancuar nga kjo fitne dhe nuk kanë marrë pjesë, madje në disa shkrime thuhet se nuk kanë qenë më shumë se 20 sahabë që kanë marrë pjesë. Kjo për faktin se ata kishin dëgjuar nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem paralajmërime për këto fitne dhe se si ai kishte porositur të mos merrnin pjesë. Kemi disa hadithe të këtilla të sakta edhe në koleksionet e haditheve që na janë përcjellë edhe neve.

Pavarësisht se sa ishte numri i pjesëmarrësve dhe i të distancuarve, duhet ta kuptojmë se secili nga këto tre grupe sahabësh veproi në bazë të zgjedhjes që e ka menduar së është më e saktë. Neve nuk na lejohet të gjykojmë se filani nga sahabët ka dezertuar nga feja pasi mbajti anën e këtij apo tjetrit, ashtu si vepruan shiitët më vonë dhe i konsideruan jobesimtarë së pari Muaviun, pastaj të gjithë ata që ishin në anën e tij.
Pas kësaj fitneje, shteti musliman mbeti i ndarë në dy pjesë dhe ndodhën disa ngjarje të tjera tronditëse. Havarixhët mizorisht vranë Aliun (radijallahu anhu) duke e akuzuar se kishte bërë kufër pasi i ishte nënshtruar gjykimit. Ai kishte pranuar që në zgjedhjen e problemit në mes tij dhe Muaviut të caktohen disa njerëz nga të dyja palët, që më pas të dy, edhe Aliu edhe Muaviu, t`i dorëzohen këtij gjykimi. Për havarixhët ky veprim ishte kufër (dalje nga feja), pasi el-hakimije (gjykimi) i takon vetëm Allahut të Lartësuar.
Pas vrasjes së Aliut radijallahu anhu muslimanët zgjodhën për kalif Hasanin, nipin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, por pjesa e Shamit mbeti nën udhëheqjen e Muaviut. Hasani alejhi selam, nga modestia që kishte dhe nga kuptimi i nevojës për bashkimin e muslimanëve, u tërhoq nga kalifati dhe i dorëzoi udhëheqjen e muslimanëve Muaviut. Kështu ai i bashkoi muslimanët prapë në një shtet dhe ndërpreu finen, pasi kishte marrë përmasa. 
Me kalimin e viteve u shkaktuan disa fitne të tjera, që zbuluan varrat e fitneve të mëhershme, sikurse vendimi i Muaviut që të linte zëvendës të birin e tij, Jezidin. Këtë vendim e kundërshtuan një grup muslimanësh, ndër ta ishin edhe disa sahabë si edhe Husejni, nipi i Muhamedit salallahu alejhi ue selem. E, kur e mori kalifatin Jezidi, disa kundërshtuan edhe ashpër. Këtë kundërshtim Jezidi si kalif që u bë e priti me forcë dhe gjatë një konfrontimi të kundërshtarëve të Jezidit me ushtarët e tij shkaktoi vrasjen e Husejnit (alejhi selam). Kjo ngjarje ka ndodhur në vendin e quajtur Kerbela dhe historia vërteton se kundërshtarët e zgjedhjes së Jezidit për kalif e thërrisnin Husejnin që të shkonte në Kufe, por kur arrin ai, ata nuk e ndihmojnë atë. Vrasja e Husejnit është bërë nga ushtria e Jezidit, por nuk ka ndodhur me urdhrin e tij, madje vërtetohet se kur kuptoi Jezidi se çfarë kishin vepruar ushtria, e mohon dhe e refuzon këtë veprim. 

Sido që të jetë, këto janë vetëm disa sqarime të përgjithshme për atë që ka ndodhur në atë kohë, pasi për ta trajtuar ngjarjen në detaje nevojitet të shkruhet libër i veçantë, të cilën e kanë bërë shumë dijetarë në të kaluarën. Kemi libra në të cilët dijetarët përcjellin ngjarjet që kanë ndodhur pa anim ose nënçmim të ndonjërit nga sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta në përgjithësi. Në kohën bashkëkohore kemi edhe hulumtime shkencore që janë bërë nëpër universitete islame botërore dhe  për këto studime janë mbrojtur tema të magjistraturës dhe doktoraturës.
 Ajo që do ta theksoja me këtë rast është se në të gjitha këto ndodhi dhe mospajtime nuk kishte në mes sahabëve akuza që kishin të bënin me fenë (Islamin) e tjetrit. Kjo nuk ka ndodhur as në mes Aliut dhe Muaviut, Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Në të kundërtën, kemi transmetime të sakta që lavdërojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin. Por pasuesit e të dy palëve bënë që ndarja të theksohet edhe më shumë te gjeneratat e ardhshme dhe ky mospajtim filloi të manifestohet edhe në besim. Kështu lindën akuza të ndërsjella dhe si refleks i këtyre tensionimeve në mes palëve lindën dy ekstreme:

1- Njerëz që ngrinin lart Muaviun në llogari të Aliut, madje edhe e fyenin atë, fëmijët e tij, Hasanin dhe Hysejnin (alejhima selam) dhe Ehlu Bejtin. Këta u quajtën “navasibë”.

2- Njerëz të cilët e ngritën Aliun lart, saqë i dhanë edhe atribute të Allahut dhe filluan ta fyenin Muaviun dhe të gjithë ata që ishin me të apo më mirë të them ata që nuk e kundërshtuan haptas Muaviun. Këta u quajtën “shiitë”.

   Navasibët me kalimin e kohës u tretën dhe tani me aq sa dihet nuk ekziston ndonjë grupim që predikon doktrinën e fyerjes dhe nënçmimit të Aliut dhe të familjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem, pra Ehlu Bejtin, megjithëse disa sekte kanë disa mbeturina të kësaj. Ndërsa shiitët vazhduan të kenë aktivitet dhe t`i shtrijnë idetë dhe pretendimet e tyre te muslimanët në rajone të ndryshme. Ata gjatë shekujve u ndanë në qindra grupe e sekte, por i bashkon pretendimi se Aliu ishte ai që duhej të ishte kalif dhe imam i muslimanëve pas Muhamedit salallahu alejhi ue selem, por Ebu Bekri, Omeri, Othmani ia rrëmbyen atij kalifatin dhe këta sahabë menjëherë pas vdekjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem dezertuan dhe dolën nga feja.

   Në librat kryesorë të tyre thuhet se të gjithë sahabët dezertuan nga feja përveç pesë sahabëve ose shtatë. Doktrina e tyre ndërtohet në parimin që e bënë edhe kusht të besimit (imanit) të muslimanit shiit, se udhëheqja e muslimanëve (imami) pas vdekjes së Profetit ishte e definuar me emra nga Allahu i Lartësuar. Imamët ishin dymbëdhjetë (kurse te disa gjashtë), ata ishin të pagabuar, e dinë të fshehtën dhe tani lejohet t`u lutemi atyre në rast nevoje siç i lutet muslimani Allahut të Lartësuar. 
   Shiiitët i quajnë nevasibë të gjithë ata që nuk besojnë në këtë formë ndaj imamëve të tyre të pagabuar, kështu që edhe Ehli Suneti sipas tyre janë nevasibë. Ata pretendojnë se pasi Ehli Suneti nuk pranoi t`i mvishte Aliut dhe imamëve të tjerë atributet e Zotit (t`i konsiderojnë të pagabuar), sikurse vepruan ata, nuk e kanë nderuar Aliun dhe Ehli Bejtin si duhet dhe kështu u bënë nevasib, fyes të Aliut dhe të Ehlu Bejtit lavdërimi i Allahut qoftë mbi ta.

   Në anën tjetër, Ehli Suneti shpreh respektin ndaj Aliut radijallahu anhu dhe e konsideron atë nga kalifët e drejtë (hulefai rashidin), njëri nga të pagëzuarit me xhenet, e konsiderojnë nga Ehli Bejti atë dhe familjen e tij, gjithashtu shprehin nder dhe respekt ndaj nipave të Muhamedit salallahu alejhi ue selem, Hasanit dhe Husejnit (alejhima selam) dhe në librat e sunive kemi me dhjetëra hadithe që flasin për vlerën e këtij imami dhe meritat e tij, por Ehli Suneti refuzojnë që këtyre imamëve t’u atribuohen veçori të Krijuesit dhe që t`i trajtojnë ata që kanë marrë pjesë në fitne me Muaviun si jobesimtar. 

   Në fund të këtij trajtimi dua të përmend edhe një herë se pavarësisht çfarë ka ndodhur në mes sahabëve, mospajtimet mes tyre duhet të trajtohen brenda kornizave të tyre dhe të mos ndërtohet besimi (imani) dhe feja në përgjithësi mbi këto ndodhi.  Me fjalë të tjera, të mos bëhet pjesë e fesë sonë besimi në pagabueshmërinë e imamëve; të mos bëhet pjesë e fesë sonë tekfiri i sahabëve (bërja jobesimtarë e tyre); të mos bëhet fe (Islam) vajtimi i ndodhive ashtu siç është traditë thelbësore te shiitët; të mos bëhet fe përligjja e ritualeve (ibadeteve) duke u bazuar në këto ndodhi sikurse shkuarja në haxh në Kerbela dhe shumë rite të tjera; të mos jetë pjesë e fesë sonë sharja dhe ofendimi i shoqëruesve të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, për shembull sharja e Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, pastaj sharja e Aishes, gruas së të Dërguarit salallahu alejhi ue selem dhe gjëra të tjera të shumta që janë futur te grupimet e devijuara, të cilat kanë lindur si refleks i këtyre ndodhive dhe i kanë bërë  këto gjëra pjesë thelbësore të besimit të tyre.
   Ndërsa parimi i Ehli Sunetit në lidhje me sahabët dhe asaj çfarë ka ndodhur në mes tyre është që nëse është e nevojshme të përcillen ngjarjet, atëherë të bëhet ajo ashtu si ka ndodhur pa i devijuar dhe konsideruar të humbur ndonjërën nga palët. Ata heshtin dhe nuk futen në zgjidhjen apo sqarimin e gabimeve që janë shkaktuar duke favorizuar njërin grup dhe nënçmuar apo devijuar tjetrin. Pastaj ata nuk i ndërtojnë bazat e besimit duke u mbështetur në këto mospajtime dhe fitne. 

   Këtë trajtim do ta përmbyllim duke marrë mendimin e Ehli Sunetit në lidhje me këtë çështje nga libri “Besimi i Mjaftueshëm” i dijetarit Ibën Kudame Makdesi dhe që është i pajisur me komente të shejhut të mirënjohur, Muhamed Ibën Salih Uthejmin: “Prej Sunetit është mbështetja e shokëve të të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dashuria ndaj tyre, përmendja e virtyteve të tyre, kërkimi i mëshirës për ta, lutja për faljen e tyre, të larguarit nga përmendja e mangësive dhe konflikteve mes tyre, të pranuarit e meritave dhe njohja e tyre si të parët që përqafuan Islamin. Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: “Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!”(Hashër, 10)


Gjithashtu thotë: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete…” (Fet`h, 29)1
Allahu e di më së miri!


Alaudin Abazi

6.6.2008

Burimi: http://www.klubikulturor.com

www.IslamiFejaeVertete.com


1 “Besimi i mjaftueshëm”, Ibën Kudame, me komente të Shejh Muhamed Ibën Uthejmin, f.144-145.

 

Must Read