Ndiej se më është dobësuar besimi
Pyetja:
Ndiej se më është dobësuar besimi në Allahun. Kur lexoj ndonjë ajet Kura’nor, jo që dyshoj në Allahun, por nuk e kam atë besim si e kisha përpara, d.m.th. besim të fortë. Nuk di si ta shpjegoj, prandaj ju lutem të ma ktheni përgjigjen sa ma shpejt të jetë e mundur, pasi mos bie në ndonjë mëkat të madh.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, fillimisht ju tregojmë se çështja e imanit është relative dhe e ndryshueshme, pra nuk është gjithmonë e njëjtë. Nganjëherë njeriu ndien se është më i afërt me Allahun, gjen kënaqësi gjatë kryerjes së ibadeteve, është më i qetë, ka dëshirë ta kujtojë Allahun (të bëjë dhikër), etj. Nganjëherë është më i preokupuar me gjëra të tjera, nuk mund të përqendrohet mirë në namaz ose përton edhe gjatë faljes, etj. Prandaj kjo që ndieni ju është një gjë me të cilin ballafaqohet çdo besimtar, me këtë janë ballafaquar edhe sahabët e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.
Ajo që duhet të kuptoni ju është se në rritjen dhe dobësimin e imanit ka shkaqe dhe sebepe të cilat ndikojnë. Më qartë, veprat e mira ndikojnë në ngritjen e imanit dhe gjetjen e ëmbëlsisë së tij, kurse veprat e këqija ndikojnë në dobësimin e imanit. Juve ju takon të hulumtoni se si jeni me praktikën islame dhe sa jeni korrekt në kryerjen e obligimeve dhe në largimin nga haramet. Ju jeni më të diturit për veten tuaj dhe jemi të sigurt që nëse i rishqyrtoni sjelljet tuaja, përkushtimin tuaj ndaj veprave të mira dhe largimin nga të këqijat, atëherë do të arrini së pari të zbuloni mangësinë ku keni gabuar, pastaj edhe do të arrini ta përmirësoni gabimin.
Do të cek një shembull nga jeta e sahabëve të nderuar. Me një rast i Dërguari i Allahut ishte i ulur në mesin e shokëve të tij dhe tha: “Kush prej jush sot është ngritur agjërueshëm?” Ebu Bekri tha: “Unë, o i Dërguari i Allahut.” I Dërguari i Allahut tha: “Kush prej jush ka vizituar një të sëmurë sot?” Ebu Bekri i tha: “Unë, o i Dërguari i Allahut.” Tha i Dërguari i Allahut: “Kush prej jush ka ushqyer një të varfër?” Ebu Bekri tha: “Unë, o i Dërguari i Allahut.” Tha i Dërguari i Allahut: “Kush prej jush sot ka përcjellë një xhenaze?” Ebu Bekri tha: “Unë, o i Dërguari i Allahut.” Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Nuk bashkohen këto gjëra te një njeri përveçse do të hyjë në xhenet.” Shënon Muslimi.
Paramendo këtë varg veprash të mira të cilat i veproi Ebu Bekri brenda një dite, pastaj nuk duhet të habitemi kur dëgjojmë fjalën e të Dërguarit të Allahut: “Imani i Ebu Bekrit peshon sa imani i gjithë këtij umeti.”
Të ndalemi dhe të shohim me çfarë e arriti Ebu Bekri këtë iman dhe me çfarë dëshirojmë ne ta arrijmë.
Nuk kemi kohë të zgjerohemi më shumë, prandaj për fund lusim Allahun e Lartmadhërishëm të ta mundësojë kryerjen e veprave të mira, lënien e mëkateve dhe fundin e mirë. Gjithashtu lus Atë që ditët më të frytshme dhe më të mira për ty të jenë ditët e fundit të jetës dhe ta takosh Atë me iman të pastër! Amin!
Alaudin Abazi
4.1.2009
Burimi: http://www.klubikulturor.com