Pyetja: Dëshiroj të më informoni për historikun e haxhit dhe vendeve të tij? Si shembull për këtë: Muslimanët ecin mes Safasë dhe Mervës, sepse këtë e ka vepruar Haxheri ndërsa nuk kam dije për të tjerat. Kështu që shpresoj të më informoni për gjuajtjen e gurëve, Tavafin, qëndrimin në Arafat, ujin e Zemzemit, bujtjen në Mina, Muzdelife dhe prerjen e Kurbanit, .. etj. pranoni nga unë falënderimet e përzemërta.
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut ..
Muslimanët janë të pajtimit që të gjithë, në të kaluarën dhe të tashmen, gjeneratë pas gjenerate se haxhi drejt Shtëpisë së Allahut të Shenjtë është një ndër shtyllat e Islamit sikurse që është vërtetuar kjo në dy librat autentikë të hadithit – Buhari dhe Muslim – nga transmetimi i Ibn Umerit Allahu qoftë i kënaqur me të dhe hadithe të tjera.
Gjithashtu është e njohur se haxhi sikurse edhe adhurimet e tjera ka vepra të posaçme për të dhe secila nga këto vepra kanë formë e cila duhet të kryhet në mënyrë të saktë sikurse: Ihrami prej Mikatit, Tavafi, Sa’ji mes Safasë dhe Mervas, qëndrimi në Arafat, bujtja në Muzdelife, gjuajtja e gurëve dhe therja e Kurbanit dhe vepra të tjera të njohura të haxhit.
Është obligim që këto vepra të kryhen sipas udhëzimit të Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Hadithet të cilat e shpjegojnë mënyrën se si e ka kryer haxhin Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) janë të shumta. Imam Ibn Kajimi në librin e tij “Zad El Mead” dhe Hafidh Ibn Kethiri në librin e tij “El Bidaje ven Nihaje” janë zgjeruar në përmbledhjen dhe përmendjen e këtyre haditheve si dhe në sqarimin e asaj që aludojnë në të dhe normat të cilat përfitohen nga to. Myslimani duhet t’i njeh këto norma dhe duhet të veprojë me to.
Pastaj duhet të dihet se synimi kryesor i veprave të haxhit është përmendja e Allahut sikur që thotë Allahu i lartësuar:
“Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni All-llahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë ashtu si u ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur. Pastaj zdirgjuni andej kah zdirgjen njerëzit, kërkoni All-llahut falje, se All-llahu fal e është mëshirues. E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni All-llahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër.” deri te fjala e Tij “All-llahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e bajramit). Kush ngutet (të largohet prej Mines) për dy ditë, nuk bën mëkat, po edhe ai që e shtyen (edhe për një ditë) nuk bënë mëkat, këto rregulla janë për atë që don të jetë i përpiktë. Pra, kini kujdes All-llahun dhe dijeni se ju te Ai tuboheni.” (El Bekare: 203 – 198)
Është transmetuar nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Tavafi rreth Qabes, Sa’ji mes Safasë dhe Mervas dhe gjuajtja e gurëve janë ligjësuar për të përmendur Allahun.” [1]
Myslimani në të vërtetë i madhëron vendet ku kryhet haxhi për shkak se Allahu ka urdhëruar të madhërohen. Allahu i lartësuar thotë:
“Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (El Haxh: 32) dhe transmetohet nga Umer b. Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se e ka puthur gurin e zi dhe ka thënë: “Po të mos e kisha parë Pejgamberin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e Allahut duke të puthur nuk do ta bëja këtë.”
Ibn El Xhevzi (Allahu e mëshiroftë) kur fillon të flet për veprat e haxhit dhe t’i komentojë ato thotë: “Pastaj këto gjëra u eliminuan por, kanë mbetur gjurmët dhe dispozitat e tyre e ndoshta i shkakton kjo problem dikujt kur i sheh pamjet e tyre e nuk i dinë shkaqet e tyre dhe thotë në veten e tij: Kjo nuk ka kuptim. E unë t’i kam sqaruar ty shkaqet për sa i përket teksteve të shpalljes dhe ja unë po ta përgatis ty një rregull të kuptosh përmes saj dyshime të ngjashme si këto.
Dije se baza e adhurimit është e kapshme për logjikën e ajo është ulja e robit para Zotërisë së tij me anë të respektit.
Në namaz ka përulje dhe modesti nga e cila kuptimi i adhurimit bëhet i qartë.
Në zekat ka butësi dhe solidaritet që kuptimi i saj është i logjikshëm.
Në agjërim ekziston thyerja e epshit të vetes së tij ashtu që t’i nënshtrohet atij që i shërben.
E në nderimin e Qabes dhe bërjen e saj pikësynim dhe bërjen e rrethinës ës saj të shenjtë në shenjë madhërimi dhe drejtimin e njerëzve drejt saj të pluhurosur dhe të zbathur sikurse kur robi drejtohet drejt Zotërisë së tij i përulur dhe duke iu arsyetuar, tërë kjo është një çështje e kuptuar.
E shpirti harmonizohet me adhurimin të cilin e kupton dhe animi i natyrshmërisë bëhet ndihmës për kryerjen e tij dhe nxitës. Por, është obliguar me disa detyra të cilat nuk i kupton në mënyrë që të nënshtrohet sikurse Sa’ji dhe gjuajtja e gurëve, e kjo nuk i takon shpirtit dhe as që natyrshmëria e tij qetësohet në to dhe logjika nuk e gjen kuptimin e saj për këtë nxitja e vetme për ta kryer këtë nuk është veçse urdhri dhe nënshtrimi i pastërt. E me këtë sqarim njihen fshehtësitë e paqarta të adhurimeve.”[2]
Kur të bëhet kjo e qartë, atëherë e kuptojmë se shumë prej veprave të Haxhit para Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) nuk janë të njohura për ne dhe mosnjohja e këtyre çështjeve nuk ndikon dhe janë disa gjëra që diç prej historikut të tyre është ndriçuar përmes disa transmetimeve. E këtu do të përmendim disa nga ato:
1- Kur është obliguar Haxhi? Apo: Kur ka filluar Haxhi?
Allahu i lartësuar thotë:
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.”(El Haxh: 27)
Ibn Kethiri në tefsirin e tij thotë: “D.m.th. thirr ti o Ibrahim te njerëzit me haxh duke i thirrur ata të bëjnë haxh te shtëpia të cilën të urdhëruam ta ndërtosh. E pastaj e ka përmendur se Ibrahimi ka thënë: O Zoti im si t’i thërras njerëzit kur zëri im nuk bërrin te të gjithë ata? Zoti i tha: Ti thirr e neve na takon kumtimi. Kështu që Ibrahimi u ngrit mbi mekam, dikush ka thënë u ngrit mbi një gurë, disa kanë thënë ka hipë mbi Safa e disa të tjerë se ka hipë mbi Ebi Kubejs dhe ka thënë: “O ju njerëz! Zoti juaj e ka marrë një shtëpi prandaj kryeni haxhin te ajo. E thuhet se kodrat janë ulur sa që zëri ka arritur në të gjitha anët e sipërfaqes së tokës dhe e kanë dëgjuar edhe ata që kanë qenë në mitra dhe në shtyllën kurrizore dhe iu është përgjigjur çdo gurë, balta dhe drurët dhe të gjithë ata që Allahu e ka shkruar ta kryejnë haxhin deri në Ditën e Kijametit. Leb-bejkAllahuhume Leb-bejk. Kjo është edhe esenca e asaj që është transmetuar nga Ibn Abasi, Muxhahidi, Ikrime, Seid b. Xhubejri dhe shumë të tjerë prej Selefit, e Allahu e dinë më së miri.”[3]
Ibnul Xhevzi në librin e tij “Muthirul Azm Es Sakin” (1-354) ka përmendur diç të ngjashme shkurtimisht dhe ka pohuar se e ka marrë nga Dijetarët e Sires.
Kjo sa i përket historikut të obligimit të haxhit para se të dërgohej Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).
Ndërsa për sa i përket historikut të obligimit të haxhit në Islam dijetarët kanë mospajtim rreth kësaj. Është thënë se është obliguar vitin e gjashtë, disa kanë thënë të shtatin, disa të nëntin e disa tjerë të dhjetin. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka pohuar se obligimi i tij ka qenë në vitin e nëntë apo të dhjetë. Ai ka thënë në librin e tij “Zad El Mead”:
“Nuk ka mospajtim se ai – d.m.th. Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) pas hixhretit të tij në Medine nuk e ka bërë vetëm se një haxh e ai është haxhi i lamtumirës dhe nuk ka mospajtim se ajo ka qenë në vitin e dhjetë .. dhe kur ka zbritur obligimi për kryerjen e haxhit Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka shpejtuar ta kryejë atë dhe nuk është vonuar ngase obligimi i haxhit është vonuar deri në vitin e nëntë apo dhjetë … E nëse thuhet: Prej ku e keni marrë se obligimi i haxhit është vonuar gjer në vitin e nëntë apo të dhjetë? Ju thuhet: Sepse fillimi i sures Ali Imran ka zbritur në vitin e delegacioneve. Në këtë vit erdhi delegacioni i Nexhranit te Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe u pajtua me ta t’ua merr xhizjen e xhizja në të vërtetë ka zbritur vitin kur ka ndodhur beteja e Tebukut në vitin e nëntë dhe rreth saj ka zbritur fillimi i sures Ali Imran…”
Kurtubiu në tefsirin e tij thotë: “Haxhi ishte i njohur te arabët e kur erdhi Islami u është folur rreth asaj që e njihnin dhe janë obliguar me diçka që e dinin.”[4] Shiko gjithashtu librin Ahkamul Kuran i Ibnul Arabisë (1/ 286)
– Tavafi rreth Qabes:
Allahu i lartësuar thotë:
“Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastrojeni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.” (El Bekare: 125) Nga ky ajet kuptojmë se tavafi rreth Qabesë ka qenë edhe në kohën e Ibrahimit aljehis selam.
– Err Rreml:
Err Rreml d.m.th. ngutja gjatë ecjes me hapa të përafërt. Dhe kjo është synet për meshkujt në tavafin e ardhjes (El Kudum) i cili është tavafi i parë pasi që të arrinë në Mekë.
Si ishte fillimi i Remlit?
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se kur arriti Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij, idhujtarët thanë: “Po vijnë te ju disa njerëz të cilët i kanë zbehur ethet e Jethribit (Medines). Kështu që Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i urdhëroi të veprojnë Remlin në tre rrathët e parë…”[5] E në një transmetim ka shtesë ku thuhet: “Kryeni Remlin që të shohin idhujtarët forcën tuaj.”
– Uji zemzem dhe Sa’ji mes Safasë dhe Merves:
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) transmeton dhe thotë: Ibrahimi erdhi me Haxherin dhe të birin e saj Ismailin – i cili ishte në periudhën e gjidhënies – gjersa i vendosi deri te Qabja te një dru i madh mbi zemzem lartë xhamisë. Në atë kohë nuk ishte në Mekë askush dhe nuk kishte ujë e ai i la aty. Dhe ua la një shportë me hurma dhe një enë me ujë.
E pastaj Ibrahimi u nis për t’u kthyer e nëna e Ismailit e pasoi dhe i tha: O Ibrahim! po shkon e po na lë në këtë luginë në të cilën nuk ka njerëz dhe asgjë tjetër. E ajo ia përsëriti këtë disa herë por, ai nuk kthehej, atëherë ajo i tha atijj: A Allahu të ka urdhëruar me këtë? Ai tha: Po. Ajo tha: Pra, atëherë nuk do të na humbë dhe u kthye. Ibrahimi u nis gjersa arriti te një ngushticë ku ata nuk e shihnin dhe u kthye me fytyrë drejt Qabes, i ngriti duart dhe u lutë me këto fjalë:
“Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që ta falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoi ata me fruta.” (Ibrahim: 37)
Nëna e Ismailit filloi t’i jepte gji djalit të saj dhe të pinte nga ai ujë gjersa kur mbaroi uji që ishte në enë ajo dhe djali i saj ishin etur për ujë dhe filloi ta shikonte atë se si përpëlitej dhe u nis ngaqë nuk mund ta shikonte atë pamje dhe e pa që Safa është kodra më e afërt që e kishte dhe hipi mbi të. Pastaj u drejtua kah lugina se mos e shihte dikë por, nuk e pa askënd dhe zbriti gjersa kur arriti në luginë e ngriti pak rrobën e saj dhe vrapoi sikurse që vrapon një njeri i lodhur gjersa e kaloi luginën. Pastaj arriti në Merve dhe u ngritë mbi të dhe shikoi se mos po e shihte dikë dhe nuk e pa askënd dhe këtë e veproi shtatë herë.
Ibn Abasi tha: Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Dhe për këtë ka mbetur sa’ji i njerëzve mes tyre” E kur ka arritur mbi Merve e ka dëgjuar një zë dhe i ka thënë vetes së saj: Hesht. Pastaj është munduar të dëgjojë prapë dhe ka thënë më vete: Ke dëgjuar nëse ke nevojë për ndihmë. Kur ja ajo pa melekun te vendi i zemzemit i cili hulumtoi me thembër apo ka thënë me krahun e tij gjersa doli uji. Ajo filloi ta mbledhte atë me duart e saj dhe filloi të merrte prej ujit ta mbushte enën e saj dhe ai dilte furishëm pasi që ajo merrte prej saj. Ibn Ababsi tha: Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë Nënën e Ismailit po ta linte Zemzemin apo ka thënë po të mos merrte prej ujit zemzemi do të ishte burim që ecën.” Ibn Abasi tha: Meleku i tha asaj: Mos iu frikësoni humbjes sepse këtu është shtëpia e Allahut që do ta ndërton ky fëmijë me babain e tij dhe Allahu nuk i humbë besimtarët …”
Ibnul Xhevziu në libirn e tij “Muthirul Azm Es Sakin” (2/47) ka thënë: “Në këtë hadith është kuptuar pse është emërtuar me zemzem, sepse uji kur ka tepruar Haxheri e ka mbledhur. Gjuhëtari Ibn El Faris thotë: Zemzem rrjedh prej fjalës: “Zemzemtun Nakate” kur i vendos asaj frerë për ta ngujuar me to.”
– Qëndrimi në Arafat:
Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë nga Jezid b. Shejban se ka thënë: Ishim ulur në Arafat në një vend larg aty ku duhej qëndruar e na erdhi Ibn Merbi El Ensarijj dhe na tha:
Unë jam i dërguari i të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) po ju thotë juve: vendosuni në vendet e kryerjes së riteve të haxhit, sepse ju me këtë jeni pasues të trashëgimisë së Ibrahimit.”
Shejh Albani e konsideron të saktë në librin e tij “Sahih Ebu Davud” me nr: 1688.
Shumë prej veprave të haxhit kanë qenë në kohë të Ibrahimit (alejhis selam) por, idhujtarët i kanë shpikur disa vepra që nuk ishin të ligjshme. E kur u dërgua Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i kundërshtoi në to dhe i sqaroi veprat e ligjshme të haxhit.
Kjo është një pasqyrë e shkurtë rreth historikut të Haxhit dhe historikut të disa vendeve ku kryhen ritet e tij e për shtesë mundesh të kthehesh te libri i El Hafidh Ibnul Xhevzi i emërtuar si “Muthirul Azmis Sakin Ila Eshrefil Emakin” në volumin e tij të parë dhe fillimin e volumit të dytë.
E Allahu e dinë më së miri.
Muhamed Salih El-Uthejmin
Përktheu: Driton Lekaj – Burimi: IslamHouse.com Shqip