Më duhet ta di se cila kohë është koha e zenitit
Pyetja:
Selam alejkum!
Më duhet ta di se cila kohë është koha e zenitit, në të cilën nuk bën të falim drekën. P.sh. sot që po jua bëj pyetjen, koha e drekës është 12:39 dhe më tregoni se prej cilës kohë nuk bën të falem.
Sa minuta pas lindjes së diellit nuk bën të falemi nëse nuk mund ta falim namazin e sabahut në kohën e vet për ndonjë shkak dhe sa minuta para se të hyjë koha e akshamit nuk bën ta falim namazin e ikindisë kur vonohemi apo harrojmë ta falim me kohë dhe na bie ndërmend pak para kohës së akshamit?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në lidhje me kohët në të cilat e kemi të ndaluar të falemi është një problematikë të cilën fukahatë e shtjellojnë në librat e tyre. Para disa kohe, kemi filluar një punim në të cilin e kemi paraqitur këtë mesele në formë të detajizuar. Lusim Allahun e Lartësuar të arrijmë për ta përfunduar. Për këtë do të jemi të shkurtër në përgjigje.
Kohët për të cilat ka ardhur ndalesa për falje janë:
1. Prej pas faljes së namazit të sabahut derisa të ngrihet dielli sa një shigjetë. Intervali kohor prej lindjes derisa të ngrihet dielli nuk është i gjatë, me minuta shkon prej 10-15 minuta.
2. Kur të arrijë dielli në kupë të qiellit (zenit) derisa ta kalojë atë edhe kjo është 10-15 minuta.
3. Pas faljes së namazit të ikindisë derisa të perëndojë dielli tërësisht.
Intervali kohor i perëndimit të diellit është prej 10-15 minuta.
Argumenti me të cilin ndalohet kjo është:
Ukbe ibn Amiri ka thënë: “Janë tri kohë gjatë të cilave Profeti salallahu alejhi ue selem na ndaloi ta falim namazin dhe t’i varrosim të vdekurit tanë: kur të fillojë të lindë dielli derisa të jetë ngritur në horizont, kur dielli të arrijë në kupë të qiellit, derisa të fillojë të anojë dhe kur i afrohet perëndimit dielli derisa të perëndojë.”(Shënon Muslimi)
Mirëpo e sakta është se në këtë ndalesë nuk hyn falja e farzeve, me fjalë të tjera kjo ndalesë ka të bëjë me faljen e namazeve nafile dhe nga kjo ndalesë përjashtohen farzet. Prandaj, nëse ne në sabah zgjohemi vonë duke lindur dielli dhe nuk e kemi falur sabahun ende, atëherë duhet që menjëherë të marrim abdest dhe ta falim sabahun, edhe pse është kohë në të cilën ndalohet falja.
Njëjtë veprojmë edhe me namazin e ikindisë, nëse nuk e kemi falur atë dhe neve na kujtohet kjo gjatë momentit të perëndimit të diellit, atëherë menjëherë lidhemi në namaz dhe e falim farzin e Allahut, edhe pse ka filluar koha e ndalesës.
Kjo bazohet me hadithin tjetër të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, në të cilin thuhet: “Nëse dikë e merr gjumi në kohën e namazit ose e harron atë, ai duhet ta falë atë sapo t`i kujtohet”. Pra, pa marrë parasysh në cilin moment zgjohemi apo na kujtohet se nuk e kemi falur namazin, në atë kohë ne duhet ta kryejmë këtë obligim.
Gjithashtu, duke u nisur nga ky sqarim, themi se namazi i drekes lejohet të falet që prej momentit që hyn koha e tij, edhe pse dielli është në zenit dhe nëse e falim atëherë, nuk kemi mëkat. Por, te ne është bërë zakon që dreka të falet kur ora shkon fiks në dymbëdhjetë gjatë dimrit ose një gjatë verës.
Edhe një herë e theksojmë se kjo ndalesë nuk i përfshin të gjitha namazet, por nga ajo përjashtohen disa lloje të namazeve, sikurse farzet, namazi pas tavafit, bërja kaza e namazeve të cilat i kemi harruar (nuk i kemi falur në kohën e tyre) dhe na kujtohet në ato momente, etj. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
5.7.2009
Burimi: klubikulturor.com