Vendi i bekuar
Aty ku shpirti e përjeton jetën, dija jetësohet në pafundësitë e shpirtit. Hapi ku synon të arrish, e rëndon ecjen, por e lehtëson qëllimin. Udhëtari e kupton udhëzimin kur do t’i mungojnë fjalët që t’i përshkruajë ndjenjat në rrugën që ecë. Njeriu i cili mbledh mend që të mësojë mbi mençurinë do të kuptojë se në çdo hap të ardhshëm, lenë një mësim mbrapa. Nëse afrimi është bashkim, ç’është largësia e dy zemrave që duhen. O vend i bekuar! Loti në ty pikon nga gëzimi, e besimi forcohet nga ndjenjat që përjeton. Që të kujtohesh për mirë, nga një fjalë të mirë thuaje në çdo vend. Zemra e gjallë nuk qëndron në trup të vdekur, nëse fjalët nuk burojnë nga zemra, e marrin dhenë. Uji i Zemzemit i jep jetë pajetës dhe frymorin e frymëzon nga qenia e tij. Ndaj, frymorit e keqja e paktë, i mjafton, nga e mira e tepërt, nuk ngopet. Nëse loti s’të mbush mend, mendja verbërohet para kërkesave të syrit. Aty ku heshtja flet më shumë se fjala, zemra pëshpërit më tepër se gjuha. O vend i bekuar! Njeriu, jo nga arsyeja, por nga dija mbi arsyen, e kupton arsyen e ardhjes. I dituri i mëson të gjithë, e ndonjëherë vetë mëson diçka nga i padituri. Për këtë, di të përgjigjet veç ai që e kupton pyetjen. Në rrugën e udhëzimit, besimi s’i zvogëlon sprovat, por udhëtarit ia lehtëson ballafaqimin me to. Nëse e mbjell një lule, e nuhat erën e saj, e nëse sillesh me butësi, e nxit dashurinë e njerëzve ndaj teje. Zemra është e shëndoshë aq sa ruhet shikimi dhe mendimi mund të ndryshohet derisa s’shqiptohet. I vështirë është takimi ku s’thuhet asnjë fjalë, dhe e rëndë është ndarja kur zemra e do bashkimin. O vend i bekuar! Në ty ngjallen zemrat e vdekura dhe vdesin sëmundjet që i sëmurin zemrat! Kujtimi, edhe i çasteve të mira, e pikëllon njeriun. Ndaj, në çdo ndarje, ka kthim shpine, por kurrë s’ka pëlqim zemre… Besimi lulëzon veç në zemrën ku mbjellet!
Blerim Muhaxheri
Burimi: www.islamifejaevertete.com